Festivali teatror “Hapat” në edicionin e tretë

Festivali Teatror “Hapat” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke shndërruar Tiranën në qendrën kryesore të teatrit të të rinjve.

Ky festival, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një platformë unike që promovon skenën e pavarur artistike dhe fuqizon zërin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj nga i gjithë vendi.

“Hapat” nisi mbrëmë (3 dhjetor) dhe shfaqjet do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor 2024.

Këtë vit, në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), Teatrit Metropol, dhe sallës Black Box të Universitetit të Arteve, do të prezantohen 11 prodhimet më të mira të Fondit të Teatrit për të Rinj.

Festivali teatror “Hapat” është faza finale e Fondi të Teatrit për të Rinj që është një nga ato raste të shumta iniciativash të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit, duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës po shkon në të gjithë hapësirën shqiptare.

Në kuadër të këtij fondi u realizuan 11 projekte teatrore, 66 shfaqje të shtrira në 7 qarqe të vendit, janë angazhuar rreth 80 krijues dhe interpretues të moshës 20-35 vjeç.

Krijuesit dhe interpretuesit e rinj kanë punuar dhe prezantuar krijimet e tyre jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë si në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metopol dhe Universitetit të Arteve , por edhe në qytete të tjera si Korça, Shkodra, Berati, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra dhe Bulqiza, duke zgjeruar ndjeshëm ndikimin dhe rëndësinë e teatrit për publikun shqiptar.

Festivali “HAPAT” ka karakter garues dhe do të shpërndajë çmime në disa kategori kryesore, përfshirë: shfaqja dhe regjia më e mirë, aktori/aktorja më i/e mirë, koreografia më e mirë, skenografia më e mirë, kostumografia më e mirë, muzika më e mirë.

Një juri e përbërë nga pesë profesionistë të shquar të fushës do të vlerësojë produksionet dhe do të shpallë fituesit në mbrëmjen gala të 8 dhjetorit./atsh/KultPlus.com

“Hapat”, ekspozita e artistes Dea Tili në FAB

Galeria FAB inauguroi ekspozitën personale të artistes Dea Tili, “Hapat”. Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën, do të mikpresë publikun artdashës deri më datën 2 shkurt.

“Në ekspozitën e artistes së re, Dea Tili, procesi i krijimit vjen dhe një herë përballë nesh në vetë të parë. Me thjeshtësinë lirike të një habitati modest, të vërtetë në përqasjen ndaj subjektit, aq sa dhe kërkimin e një metafore estetike, Dea i afrohet sipërfaqes piktorike me një mision personal, që të pikturojë aktin dhe hapësirën ku ai ngjizet, njëkohësisht, pa një vijë ndarëse mes tyre”, shkruan Ermir Hoxha për ekspozitën “Hapat”.

Në pikturat e Deas shfaqen subjektet, mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm.

Në “Hapat” e Deas, dominon habitati, vendi i krijimit mbipopulluar nga subjektet rrethanore. Ato janë personazhi i saj kryesor, objekti dhe subjekti me të cilin identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër./ atsh / KultPlus.com

Nis festivali i teatrove/ ‘Hapat’, 10 produksione nisin shfaqjet sot deri më 10 dhjetor

Festivali Teatror “HAPAT”, ngjarja më e rëndësishme e skenës teatrore për të rinjtë po afron.

10 produksionet e festivalit “HAPAT” do të shfaqen nga data 5 deri më 10 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në sallën black box të Universitetit të Arteve.

Festivali teatror “HAPAT” është faza finale e Fondi të Teatrit për të Rinj akorduar nga Ministria e Kulturës , në mbështetje të skenës së pavarur artistike. Ky projekt kërkon ti shpërndajë krijuesit e teatrit jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.

Festivali “HAPAT” ka natyrë kompetitive. Vlerësimet bëhen nga juria profesioniste e përbërë nga Besfort Idrizi, Robert Nuha, Endri sina, Alert Çeloaliaj, Spofi Kara, Beqo Nanaj, Iris Canaj. Të 10 poduksionet vlerësohen me çmimet: nga Shfaqja dhe Regjia më e mirë e deri tek kostumet./topchanel/KultPlus.com