Rama: Kinemaja e re në Maliq, hapësirë arti dhe qendër komunitare moderne

Një nga ndërtesat më emblematike të qytetit të Maliqit, Kinemaja e ndërtuar në vitin 1952, po merr jetë të re falë një procesi tërësor rikonstruksioni që ruan identitetin historik dhe arkitekturën origjinale të godinës.

Objekti është kthyer në një qendër multifunksionale që do të shërbejë si kinema, teatër kukullash dhe hapësirë komunitare për banorët e të gjitha moshave.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë vizitës në objekt, sugjeroi adoptimin e një koncepti dizajni të ngjashëm me kinemanë e Shkodrës për hyrjen e godinës, duke i dhënë asaj një identitet të ri vizual në përputhje me funksionin kulturor që pritet të marrë.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq, u shpreh se investimi është ndarë në dy faza, ku faza e parë u realizua nga vetë bashkia, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e dytë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Kemi ruajtur elementët arkitektonikë origjinalë që nga ndërtimi i saj në vitin ’52 nga rusët, por njëkohësisht kemi futur edhe elementë modernë që e bëjnë funksionale dhe bashkëkohore,” theksoi Topçiu.

Sipas projektit, godina përfshin një sallë shfaqjesh të modernizuar, një holl tradicional pir mbrëmjet artistike dhe një risi në katin e tretë, një teatër kukullash për fëmijë. Kinemaja e Maliqit pritet të kthehet në një pikë referimi kulturore për qytetin dhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com