Sopranoja Adelina Paloja sjellë ‘Jehona të Përjetshme’ në hapje të edicionit të shtatë të PriVocal Fest

Vjollca Duraku
Foto: Adi Beqiri

Mbrëmë, sopranoja e njohur Adelina Paloja solli koncertin e saj recital “Eternal Echoes” në hapje të edicionit të shtatë të Prishtina International Vocal Festival, nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula- Kasapolli dhe Kuartetit Harkor “AMATI”.

Rreth orës 19:00, koncerti grumbulloi familjarë të solistes Paloja, miq, dhe artdashës në përgjithësi në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, të cilët pak para koncertit me kënaqësi shfletonin programin i cili përmbante 12 vepra të kombinuara me kompozitorë shqiptarë dhe botërorë.

Dritat u fikën, dhe për njëfarë kohe në sallë dominonte ngjyra vjollcë. Kjo ngjyrë përshtatej bukur me mbrëmjen “Jehona të Përjetshme” të artistes Adelina Paloja, pasi në botën e ngjyrave vjollca simbolizon shpirtëroren, mendimin e thellë, lluksin, prestigjin dhe elitën.

Kurse shkëlqimi i vërtetë skenës iu dha qysh me paraqitjen e parë të solistjes Adelina Paloja, nga shpirti i saj rrezatues, që shpesh herë paraqet një dashuri të madhe, të pastër me frekuenca engjëllore. Këtë aurë të saj e kompletonte fustani i argjendtë, i mbështjellë me një pelerinë vezulluese.

Koncerti filloi me interpretimin e veprave nga repertori rus, me atë të Sergei Rachmanioff- Polybila ya na pechal svoyu op. 8,no.4 Zdes Khorosho op. 21, no.7 për të vazhduar më pas me Antonín Dvořák- Měsíčku na nebi hlumbokem (Rusalka’A Aria from opera ‘Rusalka’). Interpretimi i këtyre veprave paraqiste kapacitetin artistik të artistes Paloja, dhe vokalin e saj që herë pas here shpërthente në kristale tingujsh.

Kurse, vepra e kompozitorit Léo Delibes Les filles de cadix The maids of cadiz- poésie d’ Alfred de Musset tërhoqi vëmendjen nga një vibrim i bukur i notave muzikore, që përcillej nga lëvizje skenike prej një profesionisteje. Ky koncert nuk do të kishte këtë peshë artistike po qe se do të mungonin perlat e kompozitorëve shqiptarë si Nikolla Zoraqi-Mall’ dashurie, Halit Kasapolli-Bash zemani (arr Hajrullah Syla), Avni Mula-Shqipëri o vendi im (arr.Genc Tukiqi), Agimet shqiptare, Feim Ibrahimi- Rrjedh në këngë e ligjërime (arr. Genc Tukiqi).

Ishte vepra e Johannes Brahms- 16 Waltez op.39, no.3,4 e cila u interpretua vetëm nga pianistja Lirika Pula Kasapolli, e cila sillte në pah përgatitjen e pianistes, që i dha koncertit finesë dhe virtuozitet. Kurse vepra e Astor Piazzolla- S.V.P Tango nga harmonia grupore e Kuartetit Harkor “Amati” i dha koncertit një shije të veçantë.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e parë të PriVocalFest, i cili këtë vit vjen me një mision të veçantë, duke e përdorur fuqnë e artit në mbështetje të ndërgjegjësimit për Koncerin e gjirit, ishin nga kompozitorët: Giacomo Puccini- Chi il bel sogno di doretta (Magda’s aria from opera ‘La Rondine)’, Francesco Cilea- Ecco: Respiro Appena…Io son l’lumile ancella (Adriana’s Aria from opera Adriana Lecouvreur dhe Augustin Lára-Granada.

Pas përfundimit të këtij koncerti me 12 vepra sfiduese nga kompozitorë vendorë e botëror, në një prononcim për KultPlus sopranoja Adelina Paloja tha se ndihej e plotësuar.

“Jam e përmbushur. Jam një muziktare e cila përherë kërkon më tepër nga vetvetja, jam kërkuese dhe nuk kënaqem lehtë. Kur e kam përpiluar këtë koncert recital kam përzgjedhur këto vepra solistike, që në repertorin për soprano secila prej tyre njihen që janë më të vështirat. Në mesin e tyre janë pesë apo gjashtë gjuhë me të cilat kam interpretuar, rrjedhimisht janë edhe pesë apo gjashtë kultura të ndryshme. Janë histori të ndryshme, ku secila të ngërthen në vete, me të cilat ti duhet të mishërohesh”, ka thënë sopranoja Paloja.

Më tej, sopranoja Paloja ka thënë se duartrokitjet e publikut të cilat i mori në këtë mbrëmje do t’i shërbejnë si motiv për të dhënë edhe më shumë nga kapaciteti i saj artistik edhe në të ardhmen.

“Ka qenë një punë jo e lehtë, pa modesti. Por jam shumë e lumtur që mendoj se ja dola mbarë, të cilën gjë e konfirmuan ndoshta edhe duartroktitjet e publikut tim. Të them të drejtën më kishte marrë malli që të kthehem me një koncert recital, andaj mora shumë nga kjo dashuri dhe mendoj që do të jetë motivi, refreni i cili do të më mbajë përgjatë muajve të ardhshëm, në përgatitjet e mija për të tjera angazhime”, ka thënë artistja Paloja.

Kurse, pianistja Lirika Pula Kasapolli ka thënë se bashkëprezantimi me sopranon Adelina Paloja për të paraqet gjithmonë kënaqësi.

“Është hera e dytë që ne realizojmë një recital bashkë. Hera e parë ka qenë para katër vitesh gjate pandemisë, kur koncerti është realizuar në formë të mbyllur. Kështu që sot për herën e dytë bashkëprezantimi ishte akoma më i thjeshtë. Është gjithmonë shumë kënaqësi të punosh  me muzikantë që janë të formuar, me ide dhe forma muzikore gjithmonë shumë të qarta sa i përketë frazimeve, këndimit dhe shumë të përgatitur. Kështu që është gjithmonë kënaqësi për mua”, ka thënë pianistja Pula- Kasapolli.

Ndërkaq, drejtori i Festivalit Pishtina Internationa Vocal Festival, Hajrullah Syla tha se ndihej i lumtur që programi të cilin e kishte përzgjedhur së bashku me sopranon Paloja u pëlqye nga puliku dhe se gjithçka shkoi mbarë.   

“Programi i natës së sotme ishte mjaft mirë i realizuar. Përmes duartrokitjeve u pa që publiku ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë po shpresoj që edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç edhe e kemi përgatitur” ka thënë drejtori artistik duke  bërë të ditur se të gjitha koncertet pasuese janë të veçanta në llojin e vet.

“Këtë vit për herë të parë po mbahet masterclass-i për këngëtarët e rinj, me studentë kryesisht që janë nga Fakulteti i Arteve, të cilët kanë rastin që të punojnë me maestro Raul Gimenez, një vocal koach shumë i rëndësishëm. Po besoj që janë duke u kënaqur shumë sepse po e shoh gjatë masterclassit që janë duke e shijuar shumë. Zakonisht kemi pasur garën për kompozitor dhe këtë vit kemi vendosur që të kemi masterclass. Në vitet në vijim do të kemi një vit garën për kompozitor dhe në vitin tjetër masterclassin me profersorë të ndryshëm të cilët do të arrijmë t’i sjellim këtu”, ka përfunduar drejtori Syla.

Ndërsa, prezantueset e festivalit Dea Xhemaili dhe Lirdina Kukaj kanë njoftuar se këtë edicion PriVocal Fest ka vendosur të përdor zërat, muzikën, dhe fuqinë e artit në mbështetje për të rritur ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.

“PRIVOCALFEST tash e shtatë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative. PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik”.

“PriVocalFest” në edicionin e shtatë përmbanë pesë mbrëmje artistike dhe zhillohet në datat 14- 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti i radhës do të prezantojë një mbrëmje shumë të veçantë, “Opera Night”, më 16 tetor, në ora 19:00./ KultPlus.com  

Hapet edicioni i 6-të i festivalit ‘N’Konak të Rahovecit na Bashkon Kënga Shqipe’ (FOTO)

Sonte, në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, u hap edicioni i 6-të i Festivalit Kombëtar të Këngës Popullore “N’Konak të Rahovecit na Bashkon Kënga Shqipe”.

Festivali do të vazhdojë edhe nesër, duke shfaqur vlera artistike nga ansamble dhe artistë nga vise të ndryshme shqiptare.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me anë të një postimi në Facebook falënderoi artistët dhe organizatorët, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së Komunës për kulturën dhe traditat popullore në të ardhmen.

Hapet edicioni i 12-të i FemArt, shfaqja ‘Carmen’ trajton dukurinë e femicidit në hapje të festivalit si reflektim për barazi gjinore

Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt mbrëmë ka nisur rrugëtimin e tij me edicionin e 12-të me shfaqjen “Carmen”, nga Barcelona Flamenco Ballet. E përshtatur për një skenë më minimaliste nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, kjo shfaqje ndërthur flamenkon me baletin klasik, ku përmes balerinëve nxjerrë në skenë mesazhe për identifikim të simbolikave si thirrje universale për të drejta të barabarta.

“Carmen” paraqet historinë e një gruaje magjepsëse, jeta e së cilës përshkohet njëkohësisht nga një pasion dhe dhimbje e madhe, rol të cilin në mënyrë fenomenale para audiencës e solli balerina Orts Romero.

Skena në të cilën u dhurua kjo shfaqje përmbante kashtë, thasë, stola dhe një tavolinë, fare pranë së cilës interpretoheshin këngë me ritme të ndryshme spanjolle nga Joel Luque Muñoz nën përcjelljen e dy kitaristëve Iban Perez Gomez dhe Jordi Centeno Alfaro. Të gjitha këto elemente krijonin një aurë magnetike e cila tërhiqte audiencën në çdo moment.

Kurse vallëzimi dinamik i balerinëve i dha shfaqjes tjetër nivel. Ishte veshja e veçantë ajo që binte në sy fillimisht. Vajzat me fustane të gjera joshnin djemtë me veshje ushtarake, Goditjet mjeshtërore në dysheme përmes këpucëve të tyre, duartrokitjet plotë takt, si dhe këndimi shpërfaqnin lojën, pasionin dhe artin e mbrëmjes. Lëvizjet milimetrike të tyre tregonin precizitetin dhe mjeshtërinë e balerinëve, kurse shpeshtësia e goditjes së tyre tregonte atmosferën e çastit, duke zbërthyer emocionet e personazheve të ndërthurura mes gëzimit, dashurisë, guximit, frikës dhe xhelozisë.

Personazhi kryesor i shfaqjes “Carmen” paraqitet me lëvizje sensuale e magjepsëse, që herë tregonte një vajzë plot hir e bukuri, herë një vajzë plotë vuajtje brenda vetes, duke shpërthyer në guxim të kohë pas kohëshëm në përballje me gjininë e kundërt. Ajo në fund vritet nga një ushtar, si shkak i xhelozisë për të cilën ai e ndiente pasi “Carmen” magjepsej nga një djalë tjetër.

Shfaqja “Carmen” e cila në hapje të FemArt ka paraqitur simbolikën mbi ndërgjegjësimin e dukurisë së femicidit në shoqëri, u dha nga trupa e baletit në përbërje me: Gutiérrez Molina, Ruiz Morales, Martin Gonzalez, Orts Romero, Amaya Bergue.

Krejt në fund të shfaqjes, balerina Orts Romero, e cila luajti rolin e “Carmen” ka treguar “çelësin” e interpretimit të saj të jashtëzakonshëm në këtë shfaqje.

“Kur unë luaj “Carmen” jam në një botë krejt tjetër. Ndonjëherë jam e guximshme, ndonjëherë jam e trishtuar dhe ndonjëherë jam e lumtur. Carmen është si unë. Ajo ndonjëherë është e trishtuar, ndonjëherë është duke luftuar për dashurinë, dhe për çdo gjë tjetër. Unë ndihem si unë, por në një botë tjetër”, ka thënë balerina e cila ngërtheu vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj të mahnitshme.

Ndërsa balerini Gutiérrez Molina, i cili e ka përshtatur këtë shfaqje me tematikën e FemArt tha se fokusi i shfaqjes nga vallja si art skenik është zhvendosur te trajtimi i qështjeve në baza gjinore.

 “Shaqja “Carmen” është një krijim i ri, ku fokusi është vendosur te gratë sepse mendoj që tema e ‘Carmen” është shumë aktuale edhe sot. Nuk është se u jep fuqi grafe në valle dhe në artin skenik. Qëllimi i shfaqjes është për t’u dhënë zë shumë grave që vuajnë shumë gjëra si dhuna gjinore, abuzimi dhe pabarazia”, ka bërë të ditur balerini Molina.

Kurse drejtoresha e FemArt-it, Zana Hoxha, në një prononcim për media ka treguar arsyet përse shfaqja “Carmen” është përzgjedhur për të shënuar hapjen e edicionit të 12-të të FemArt-it.

“Është përzgjedhur pikërisht për shkak të mesazhit të dashurisë dhe pasionit që lidhet me temën, por natyrisht edhe për femicidin, i cili është problem fatkeqësisht shumë i madh në Kosovë. Ndonjëherë gjërat duken pasiononte, të bukura në shikim të parë, por jo gjithmonë përfundojnë ashtu. Kështu që jemi munduar që ta paraqesim shfaqjen me këtë mesazh. Kemi shprehur dëshirë që të shënojmë hapjen me këtë shfaqje për të kthyer edhe një lloj energjie të mirë sepse momentalisht siç e dini bota është në një gjendje jo të mirë”, ka thënë drejtoresha Hoxha, duke potencuar që një pjesë të programit i është dedikuar luftës, konfliktetve por edhe paqes, ndërtimit të besimi të ndërsjellë, pa marrë parasysh diferencave si qenie njerëzore.

Drejtoresha Hoxha më tej ka thënë se qëllimi i edicionit të 12-të të FemArt-it paraqet thirrje për paqe dhe motërzim.

“Qëllimi i këtij edicioni është pikërisht thirrja për paqe, dhe nevoja për të pasur një lloj stabiliteti më të madh. Është thirrja për tejkalimin e barrierave qoftë të brendshme, qoftë atyre të jashtme. Një thirrje për frymë pozitive e cila na bën njerëz më të mirë. Baza e feminizmit është  te solidariteti dhe motërzimi. Kështu që kemi dashur të thirremi në këtë, në mënyrë që të vazhdojmë të reflektojmë, të ngjallim më shumë dashuri e mirëkuptim. Të mos bashkëveprojmë me konfliktin, por të bashkë ndjejmë me paqen dhe të bashkëveprojmë me paqen”, është shprehur në fund drejtoresha Hoxha.

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt me moton “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” ka filluar mbrëmë më 25 Shtator, dhe do të zgjasë deri më 30 Shtator./ KultPlus.com

Hapet thirrja për BURSË 100% për studime në Gazetari Digjitale nga UNI dhe Televizioni T7

UNI-Universum International College dhe Televizioni T7 në kuadër të bashkëpunimit për ndërlidhjen e Akademisë dhe industrisë studimore të dyfishta “Studim dhe Punësim” për maturantët që dëshirojnë të studiojnë në Programin Gazetari Digjitale

Ky program ju ofron studentëve aftësi teorike dhe teknike për të gjetur dhe shfrytëzuar peisazhin mediatik në të cilin përfshihet transmetimi, mediat sociale, audiot online dhe të vizualizuara në video.

Në bazë të kësaj,  Televizioni T7 do t’i financoj maturantët që do të zgjedhin UNI-Universum International College për studime. Studentët do të angazhohen në punë praktike gjatë studimeve dhe do të punësohen pas diplomimit . 

Të gjithë maturantët e Republikës së Kosovës kanë mundësi të aplikojnë të marrin pjesë në garë për studimin dhe punën e garantuar nga UNI Universum International College dhe T7. 

APLIKO këtu! 

Studimet duale ofrohen sipas konceptit gjerman që ju mundësojnë studentëve të studiojnë dhe të mësojnë në të njëjtën kohë

✅Studime Duale: Studio dhe Puno;

✅Financim 100% i studimeve për tri vite të studimit;

✅Punë Praktike nga viti i parë, 20 orë në javë;

✅Shkëmbim semestral me bursë të plotë në 221 universitete në 26 shtete të Evropës;

✅Punësim i Garantuar pas diplomimit.

Informohu për planprogramin këtu!

Studentët e Programit Gazetari Digjitale pas studimeve dhe praktikës profesionale në T7 mund të angazhohen në rolin e gazetarëve, si gazetarë në media, gazetarë digjitalë, në multimedia, reporterë, reporterë investigues, moderator, redaktorë, fotoreporterë, kritikë, blogerë të mediave sociale dhe vlogger – influencues social e shumë profesione të tjera që lidhen me gazetarinë digjitale e që pritet të shtohen krahas ritmit të zhvillimit teknologjik. Për më shumë informata rreth bursave dhe studimeve duale kontakto në: +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./ KultPlus.com

Me ‘Pas verës’, ku luan edhe Uliks Fehmiu, hapet Festivali XXX i Filmit në Sarajevë

Festivali jubilar XXX i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, u hap në Teatrin Kombëtar me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak fitues të çmimit Oscar, Danis Tanoviç.

Filmi i ri i regjisorit Tanoviç u shfaq njëkohësisht në Sarajevë në Teatrin Kombëtar, Kinemanë Verore Coca-Cola, Kinemanë Verore “Stari Grad” dhe Kinemanë Verore të Qendrës “Safet Zajko”, ndërsa shfaqje u mbajtën gjithashtu në Mostar dhe Tuzla.

Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnje-Hercegovinës kanë kaluar në tapetin e kuq të SFF-së para Teatrit Kombëtar, mes të cilëve edhe ekipi i filmit “Pas verës”.

“Pas verës” është një dramë komedi për një grua të re që vjen në një ishull të largët për të zgjidhur çështjen e trashëgimisë familjare. Në një vorbull emocionesh të reja, përmes një sërë situatash të paparashikuara, Maja më në fund do të përballet me pyetje nga e kaluara e saj. Kërkimi i trashëgimisë bëhet kërkim i identitetit të vet, por edhe i faljes.

Rolet në film u luajtën nga Anja Matkoviç, Uliks Fehmiu, Goran Navojec, Mario Knezoviç, Marija Shkariçiç, Mirela Brekalo, Snjezhana Sinovçiç, Luka Juriçiç, Boris Ler, Ivana Roshçiç, Jadranka Matkoviç e tjerë.

Nikoqire e ceremonisë së hapjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ishte aktorja boshnjake Maja Izetbegoviç.

Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dhuroi drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.

Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.

Një ditë para hapjes zyrtare të Festivalit XXX të Filmit në Sarajevë, në Kinema Verore Coca-Cola u shfaq filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të BH-së.

Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në festivalin e këtij viti./atsh/ KultPlus.com

Hapet Panairi i Librit `Prizreni 2024′

Në qytetin e Prizrenit, sot u hap panairi i librit “Prizreni 2024”, një ngjarje e rëndësishme kulturore për rajonin dhe për të gjithë dashamirësit e letërsisë.

Në këtë edicion të panairit do të marrin pjesë shtëpitë botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, duke bërë të mundur një bashkëpunim të gjerë letrar dhe kulturor.

Panairi po zhvillohet në ambientet e “Sheshit të Lidhjes”, në qendër të qytetit të Prizrenit, duke u kthyer në një pikë takimi për autorë, lexues dhe profesionistë të industrisë së librit.

Çdo mbrëmje, fillimisht nga ora 20:00, në Kej, buzë Lumbardhit, do të mbahen takime letrare ku do të promovohen vepra dhe do të diskutohet për letërsinë dhe historinë kulturore të rajonit.

Në listën e autorëve të ftuar për të prezantuar veprat e tyre gjatë panairit, përfshihen emra të njohur si Adil Olluri, Roland Spahiu, Qerim Lita, Merita Kuçi, Skënder Zogaj, Xhevair Lleshi, Fjolla Spanca, Engin Noyan, Donika Dabishevci, dhe do të kujtohet veprimtaria artistike e shkrimtarit të nderuar Haqif Mulliqi.

Hapet ekspozita ‘Reporting House’, përmes fotografive, dokumentarëve dhe artefakteve dokumentohet e vërteta

Vjollca Duraku

“Reporting House” quhet ekspozita e cila u hap mbrëmë në ish- objektin e mallrave “Gërmia” me fotografi, dukumente, dokumentare e vepra të ndryshme artistike të cilat dokumentojnë ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e ’90-ta, me theks të veçantë krimet serbe në vitet 1998- 1999, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Gazmend Ejupi dhe Jeta Xharra është hapur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe prezanton përmbajtje arkivore nga puna e gazetarëve, fotografëve dhe punonjësve të mediave, të cilat vijnë si dëshmi për të krijuar kujtesë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Protestat e 1 tetorit 1997”, “Protestat e minatorëve“, “Mësimi në shtëpitë-shkolla”, pamje nga protesta “Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës” , pamje të qytetarëve të vrarë, pamje të refugjatëve, dhe rrëfime për përjetime të ndryshme erdhën më të gjalla se kurrë përmes kësaj ekspozite e cila do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit.

“Reporting House” përmban fotografi, artefakte e dokumentarë të Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe, Donika Shahini, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Hazir Reka, Gzmend Avdiut, Eki Rrahmanit dhe do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës e në galerinë “Paper”, sipas organizatorëve gjithmonë duke synuar përsiatje, dialog dhe katarzë.

Si pjesë e kësaj ekspozite janë prezantuar rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën gjatë viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste-TV publik gjerman, Nippon TV-Televizion publik japonez, RTE-TV publik irlandez, EO 2 Vandaag-TV publik holandez), Tele 5-TV spanjoll dhe Frontline Television News.

Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi ka thënë se ideja për realizimin e një projekti të tillë synon informimin e gjeneratave të reja mbi atë që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën.

“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e Jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Ideja e ekspozitës është për të t’u dhënë të rinjve informacione dhe histori të së kaluarës. Përveç reportazheve ideja ka qenë të jetë e lidhur gjithmonë me gazetari për këtë ekspozitë, nga ku kemi filluar ta diskutojmë dhe të ftojmë edhe artistë të tjerë që kanë lidhje me mediumin e videos, që kanë referencë për luftë, imigrim”, është shprehur kuratori Ejupi.

Ai më tutje ka bërë të ditur se “Reporting House” është një ekspozitë e cila kërkon shumë kohë për ta eksploruar në tërësi.

“Jemi ofruar te Komuna për të kërkuar një hapësirë dhe na është ofruar kjo. Ekipi i ndërmarrjes publike banesore ka bërë një punë të mrekullueshme. Ky ka qenë një vend jofunksional, 1770 m2 shtë kuruar në mënyrë minimale, me hapësirë për shikuesit për të shëtitur, për të pyetur. Mirëpo nuk është ekspozitë që mundesh me pa për një ditë. Kjo është një farë procesi edukativ i cili ka referenca shumë me rëndësi dhe dokumentarë të cilët marrin kohë. Në anën e majtë është një hapësirë që është krijuar vetëm për BBC-në që na ka dhënë të drejtën për të shfrytëzuar materiale të cilat nuk guxojnë të publikohen diku tjetër”, ka bërë të ditur kuratori Ejupi.

Ndërsa për rolin e fuqishëm që ka fotografia në dokumentimin e luftës e potencoi edhe fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka  qenë fotoreporter në luftën e vitit ’99 në Kosovë. 

“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas lufte kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”, ka thënë Haviv. 

Fotografi Haviv Kosovën sot e sheh si shembull nga i cili sipas tij duhet të frymëzohen edhe ukrainasit.

“Jam i kënaqur të shoh se ku është Kosova sot, sidomos në krahasim me Bosnjën. Kosova është frymëzim për Ballkanin dhe mendoj se ukrainasit sot do të marrin shembull se si të ringjallen sërish”, ka gjithashtu Haviv.

Kurse presidentja Vjosa Osmani e cila po ashtu ishte pjesë e kësaj ekspozite ka deklaruar se e vërteta as nuk mund të mohohet e as të ndryshohet pasi krimet janë bërë para syve të botës.

“Pikërisht për shkak të storjeve të këtyre gazetareve u njoh e vërteta për Kosovën dhe siç e them rëndom në çdo diskutim, ne çdo prezantim ne samite ndërkombëtare se e vërteta as nuk mund të mohohet as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës janë këta njerëz që i shihni ju këtu, i falënderoj për kontributin”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja më tej shtoi se nuk duhet të ndalen përpjekjet për ta mbrojtur të vërtetën e popullit të Kosovës.

“Përgëzime për punën nuk duhet të ndalemi me kaq, duhet të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta edhe spektri politik dhe gazetarët, të gjitha mediat, shoqëria civile në mënyrë që së bashku ta mbrojmë  të vërtetën tonë, në mënyrë që dhimbja të cilën e kemi përjetuar si popull mos të përsëritet më kurrë”, është shprehur më tej presidentja.

Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe profesoresha universitare Remzie Shahini- Hoxhaj, e cila u befasua nga pamjet e shtëpive shkolla ku ajo kishte vijuar shkollimin e mesëm, e më pas edhe me pamjet e protestave të 1 tetorit, ku kishte qenë pjesë e organizatës studentore.

“Pamjet që po i shihni në ekran janë pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, në atë kohë unë kam qenë studente e Universitetit të Prishtinës. Kjo është protesta e parë jo e dhunshme që e kemi organizuar si union i studentëve për kthimin e objekteve shkollore, të cilat atë kohë u morën nga okupuesit. Unë i kam pasur dy detyra atë ditë, kam qenë mbajtëse e rendit dhe vëzhguese. Si organizatë studentore kemi punuar mjaftë gjatë, diku rreth 2-3 muaj për organizimin e kësaj proteste, sepse e kemi pasur parasysh se me çfarë pushtues kemi të bëjmë, sepse ka qenë shumë e vështirë me u organizua në atë kohë, imagjinoni vetëm mjete komunikimi nuk ka pasur, telefona statikë”, ka thënë profesoresha Shahini- Hoxhaj, duke potencuar se pamjet e tilla i  ngjallën emocion ngase tregojnë një histori shumë të brishtë të Kosovës, për të cilën gjë ka falënderuar edhe organizatorët.

“Besoj që është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë për organizimin e kësaj ekspozite për t’u shpërndarë edhe në tjera vende, për shkak se të rinjtë tanë duhet ta shohim se edhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë përmes së cilës ne kemi arritur edhe deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj që shumë shpejt e harrojmë në qoftë se nuk i ripërtërijmë, nëse nuk i kujtojmë, i harrojmë ngjarjet të cilat na kanë ndodhur” ka thënë më tej profesoresha Shahini- Hoxhaj.

Ndërsa artisti Burim Myftiu për ekspozitën “Reporting House” tha se është njëra prej ekspozitave më domethënëse sa i përket tematikës së luftës së Kosovës.

“Është një paraqitje e mrekullueshme, mund të them një prej ekspozitave më të bukura të pas luftës, duke iu falënderuar kuratorit Gazmend Ejupit, organizatores Jeta Xahrra. Është një përmbledhje e mrekullueshme, por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare “Gërmia”- shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e çdo kujt që ky objekt prap të funksionalizohet, aq më  mirë si një galeri arti”, ka thënë artisti Myftiu.

“Reporting House” është mundësuar nga “BIRN Kosova”, “KALLXO.com”, “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery” dhe do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit, dhe mund të vizitohet nga e marta në të shtune, përgjatë orës 10:00- 18:00./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e piktorit Haki Xhakli në Helsinki

Mbrëmë në Galerinë “Luckan” në Helsinki në Finlandë, u hap ekspozita personale e piktorit Haki Xhakli me titullin “Jehona e qëndrueshmërisë”.

Ekspozita përmban 26 piktura me vlera unike, që paraqesin cikle të ndryshme të periudhave para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Fjalën e rastit në hapje, përveç autorit Xhakli, e mori edhe kuratori Larrie Griffis, producent dhe përgjegjës për kulturë në qendrën kulturore “Luckan”, i cili foli për rëndësinë e ekspozitës dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë, siç është rasti i Kosovës, si dhe për krijimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve.

“Krijimtaria ime shpreh ndërveprimin e thellë me kulturën dhe historinë tonë, duke paraqitur bukurinë dhe vendosmërinë e popullit tim për të përballuar sfidat dhe vuajtjet. Me simbole të thella dhe ngjarje të lashta, pikturat e ekspozuara këtu në Helsinki përshkruajnë trashëgiminë tonë dhe shpirtin tonë të palëkundshëm, por edhe të ardhmen e ndritur”, ka thënë Xhakli

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë në qendrën kulturore Luckan Helsinki, deri me 30 maj.

Hapet audicion për filmin ‘DUA’ të Blerta Bashollit

Është hapur audicion për filmin e metrazhit të gjatë artistik nga regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli dhe produksioni Ikonë Studio.

Vendosur në periudhën e luftës së Kosovës filmi rrëfen për Duan, një adoleshente, e cila nis një udhëtim për të zbuluar miqësinë, dashurinë dhe në fund të fundit veten e saj. Si një vajzë 14 vjeçare dhe duke qenë një nga vajzat e përjashtuara nga shoqëria. Dua është mjaft e turpshme dhe mundohet të përkufizohet në shoqëri, duke filluar nga stili e deri te gjërat dhe djemt që i pëlqejnë.  

Kushtet për aplikim:

Vajza dhe djem nga mosha 13 deri në 20 vjeç

Talent për aktrim

3 foto aktuale (pa grim, me dritë natyrale)

Video prezantuese rreth vetes (pa grim, me dritë natyrale)

Aplikimi mund të bëhet në: [email protected]

Data e fundit për aplikim: 05/04 2024/KultPlus.com

Hapet audicioni për Korin e Zërave të Bardhë

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit hap audicionin për Korin e Zërave të Bardhë, ku fëmijët do të trajnohen profesionalisht nga artistët e TKOB, pa pagesë.

Kori i Zërave të Bardhë, i themeluar në shtator të 2022-shit, përgjatë një viti është bërë pjesë e shumë produksioneve të TKOB-së, në të tilla si: operetën “Karnavalet”, veprën simfonike vokale “Carmina Burana”, “Oratorio de Noel”, “Muzika- Dashuri e përjetshme”, celebrimi i “Retro Christmas”, etj.

Nga ky kor janë pikasur talente të reja duke i promovuar në skenën prestigjioze të TKOB-së, siç ishte dhe 10-vjeçarja Aislin Shyti, e cila debutoi në oratorion “Elias” të F. Mendelssohn.

TKOB fton prindërit të dërgojnë të dhënat e fëmijës se tyre në e-mail-in zyrtar të TKOB-së, duke theksuar se prioritet do të kenë fëmijë që studiojnë një instrument muzikor.

Audicioni do të zhvillohet më 26 mars, pranë mjediseve të TKOB-së./atsh/KultPlus.com

Me këngë e valle shqipe hapet ‘Qendra Kulturore Shqiptare’ në Zagreb

Me këngë e valle të bukura shqipe, dje në mënyrë solemne është hapur “Qendra Kulturore Shqiptare” në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Kjo “Qendër Kulturore Shqiptare” me hapsirë prej 650 metra katrorë, nga tash e tutje do të jetë adresë ku do të zhvillohen të gjitha aktivitetet e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci.

Pjesë e ceremonisë hapësë ishin përfaqësues nga Qeveria kroate, Presidenca kroate, Qyteti i Zagrebit, ambasodorë, miq kroat, dhe Shqiptarët nga gjithë Kroacia.

Njoftimin për hapjen e kësaj qendre e ka bërë Shuip Ziberi përmes një postimi në facebook:

“E gëzofshim Shqiptarë!

Sot në Zagreb/24 shkurt 2024 në ora 12:00 u hap në mënyrë solemne “Qendra Kulturore Shqiptare” me hapsirë mbi 650 metra katror. Në këtë qendër janë vendosur zyret në të cilat do të zhvillohen aktivitetet e Shqiptarëve në këtë objekt të bukur.

Në hapje ishin nga Qeveria kroate, nga presidenca kroate, nga Qyteti i Zagrebit, ambasodorët, miq kroat, dhe Shqiptarët nga gjithë Kroacia.

Hapja u përcoll me fjalë përshëndetse dhe me program kulturo-artistik, këngë e valle të bukura shqiptare”, ka shkruar Ziberi./ KultPlus.com

Hapet konkursi për Çmimet Vjetore për Teatër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ftuar të gjithë të interesuarit që të aplikojnë dhe insitucionet relevante të artit të propozojnë kandidatët për Çmimet vjetore në Teatër.

Kategoritë:

Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore

4 Çmimet Vjetore për Teatër 2023; shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori/aktorja më e mirë dhe çmimin vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar.

MKRS ka njoftuar që propozimi duhet të përmbajë arsyetimin me shkrim, CV-në e të nominuarit, si dhe materialet tjera përcjellëse./ KultPlus.com

Hapet Ekspozita Ndërkombëtare ‘Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8’

Mbrëmë me një ceremoni solemne u hap Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, me kurator Muhamet Ahmeti-Metis, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku mbi 40 artistë nga 15 shtete të botës, prezantuan krijime të tyre artistike.

Me një fjalë rasti kuratori Muhamet Ahmeti-Metis, i falënderoi artistët nga vendet e largëta që konkurruan me veprat e tyre në këtë edicion.  Po ashtu ai foli për rëndësinë e saj dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë dhe vendorë të cilët po krijojnë njohje dhe ura bashkëpunimi.

Ndërsa, zyrtari për kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Naser Shatrolli, ceku se “Në filozofinë e kësaj ekspozite piktorët vendës dhe ata ndërkombëtarë kanë paraqitur përkatësinë e tyre krijuese, që përkon me mendësi të caktuara të shoqërive prej nga vijnë ata”.

Po ashtu gjatë kësaj ceremonie juria profesionale me kryetar Safet Spahiu nga Maqedonia e Veriut, Saimir Strati nga Shqipëria dhe Adriana Sedaj nga Kosova, ndanë edhe çmimet për veprat e këtyre artistëve: 

Majlinda Kelmendit i u nda çmimi i parë “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, Çmimi Special iu nda Adem Rusionvcit dhe Fehmi Hoxhës nga Kosova, Orhan Cebrailoglun nga Turqia dhe Nehat Beqirin nga Maqedonia e Veriut.

Ekspozita  Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART, është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar 2024./KultPlus.com

Në Manastir hapet biblioteka e parë shqipe

Sot është hapur Biblioteka e parë shqipe, në qytetin e Alfabetit, në Manastir nga iniciativa e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në facebook.

Kjo ceremoni e hapjes së kësaj biblioteke, u përcoll edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se ruajtja e gjuhës është thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Hapja e kësaj Biblioteke u inicua nga studentja Selimi, e cila kohë më parë publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip.

“Çfarë vendos Zoti, nuk e ndal dot njeriu. Faleminderit Zot që më mbrojte gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë,” ka shkruar Selimi në facebook./KultPlus.com

Me aktivitete të shumëta hapet edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë

Vjollca Duraku

Me një numër të madh të fëmijëve, nën tingujt e muzikës të krijuar nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, sot është shënuar hapja e edicionit të parë të Panairit të Librit për Fëmijë, në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë u mundësua nga organizata joqeveritare ETEA, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Libraria “Dukagjini”, Ministria e Kulturës si dhe Komuna e Prishtinës.

Nën duartrokitjet e shumta të fëmijëve pjesëmarrës, ceremoninë hapëse të këtij edicioni të panairit të librit, e bëri drejtori i organizatës ETEA,  Agon Ahmeti, i cili fillimisht tha që është shumë i lumtur që gjendej në mesin e fëmijëve dhe që së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë kishin arritur të organizojnë këtë ngjarje, sipas tij, modeste por të lezetshme.

“Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, sidomos ndaj juve që jeni edhe më të vegjël, ju lakmoj që jeni në këtë moshë. Unë përfaqësoj organizatën jo qeveritare ETEA, ne jemi bërë bashkë me bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani”, me librarinë “Dukagjini”, disa prej shtëpive botuese, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës për të organizuar një ngjarje e cila shihet që është modeste, por është shumë e lezetshme”, ka thënë drejtori Ahmeti.

Drejtori Ahmeti gjithashtu, bëri thirrje që menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni të planifikojnë një panair më madhështor për vitin e ardhshëm.

“Ju njoftoj që sot e nisëm dhe po bëj thirrje edhe përmes mediave që në momentin që përfundohet kjo ngjarje të bëhemi bashkë të gjithë dhe të fillojmë një planifikim për vitin e ardhshëm, ashtu siç e meriton një panair i librit që dedikohet ekskluzivisht për fëmijë. Meqenëse po planifikohet të zgjerohet sheshi deri te “Rrethi i Flamurit”, pse jo të shkojmë deri atje me libra”, tha ai.

Më pas hijeshia e ngjarjes iu shtua, kur skenës iu bashkua edhe një prezantuese e vogël, Ema Bryma, e cila tha që organizimi i një ngjarje të tillë e gëzon pamasë.

“Unë si lexues e rregullt i gëzohem pa masë organizimeve të tilla, sepse leximi më lumturon, më pasuron mendjen dhe më fut në një botë tjetër me shumë aventura”, tha Ema e cila më tutje i falënderoi të gjithë organizatorët e panairit në emër të të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Kjo vogëlushe fjalën i kaloi, nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiut e cila e kishte shijuar pamasë prezantimin nga një fëmijë. Ajo fillimisht tha se ishte hera e parë që dikush kaq lezetshëm e kishte ftuar për të marrë fjalën në skenë.

Nënkryetarja Sahatçiu më tutje tha se ishte kënaqësi që si Komunë kanë mbështetur organizimin e këtij aktiviteti.

“Kjo është hera e parë që më ka ftuar dikush në skenë kaq lezetshëm dhe ëmbël si ti, kështu që faleminderit shumë. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sot. Unë jam Donjeta, dhe punoj në Komunën e Prishtinës, ajo që është përgjegjëse për rrugët, për hapësirat publike, për shkollat dhe çerdhet dhe sot me shumë kënaqësi kemi qenë mbështetës të organizimit të këtij aktiviteti.”

Ajo më tutje shtoi se Komuna e Prishtinës ka filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit”, dhe me këtë rast u bëri thirrje fëmijëve që çdo ditë të lexojnë nga një faqe më shumë si kusht për t’u lejuar më pas nga prindërit për të lozur lojërat që dëshirojnë.

“Ne kemi filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit” nëpër shkolla për të përmirësuar mënyrën se si ne lexojmë libra çdo ditë. Kështu që u ftoj të jeni në shkollat dhe çerdhet e juaja, të lexoni sa më shumë libra dhe pse jo bashkë me prindërit e juaj të keni një sfidë, që çdo ditë të lexoni nga një faqe më shumë në mënyrë që të fitoni më shumë kohë në lojërat e juaja që dëshironi t’i bëni në kohën e lirë”, përfundoi nënkryetarja e Prishtinës.

Ndërsa Ilirjana Hasaj, menaxhere në librarinë Dukagjini, tha që është shumë e lumtur që përpos aktiviteteve të shumta që kjo librari i organizon për fëmijë, ka arritur të organizojë edhe këtë panair, i cili deri tani i ka munguar kryeqytetit.

“Fëmijë të dashur, për mua është shumë kënaqësi e madhe që kemi ardhur sot këtu. Ju e dini që në librarinë Dukagjini, çdo herë organizojmë për ju aktivitete të ndryshme, sjellim libra të ndryshëm, ndoshta edhe shumë prej jush keni ardhur në librari, për ne është shumë kënaqësi, prandaj edhe punojmë dhe sjellim risi çdo herë për ju. Dhe pikërisht për ju e kemi sjell këtë panair sepse një i tillë ka munguar”, shtoi Hasaj.

Më tej fjala iu kalua Fatime Mehmetajt, udhëheqëses së bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” e cila u shpreh se organizimi i një aktiviteti të tillë shënon një festë të madhe për kryeqytetin.

“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për kryeqytetin e Prishtinës, sidomos që jam në mesin e fëmijëve, sepse edhe misioni i bibliotekës është që të bëj bashkë lexuesin me librin. Biblioteka “Hivzi Sylejmani” i është  bashkangjitur kësaj iniciative që për kryeqytetin është një festë e madhe.”

Në emër të bibliotekës Mehmetaj i ndau edhe dy mirënjohje, për Ajet Dalipin i cili bibliotekës i kishte dhuruar bibliotekën e tij personale me mbi 2000 ekzemplarë si dhe Fondacionit Agim Lluka, që këtë vit po ashtu ka dhuruar kontingjent të librave me shumë vlerë, me rreth 405 tituj.

Pas ceremonisë hapëse, në një prononcim për KultPlus, drejtori i organizatës ETEA, tha se duke qenë se është edicioni i parë, këtë vit panairi ka më shumë karakter pilotues.

“Është modest por i lezetshëm, sepse kapacitetet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të qenë gjithëpërfshirës, por duke qenë edicioni i parë ka njëfarë karakteri pilotues në mënyrë që të shohim se si po shkon.”

Drejtori Ahmeti  më tutje shtoi se do të përpiqen që vitin e ardhshëm të organizojnë një panair edhe më dinjitoz në mënyrë që fëmijët të stimulohen për lexim dhe mundësisht ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.

“Planet i kemi që menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë, të mblidhemi të bëhemi bashkë dhe të shohim që për vitin e ardhshëm të fillojnë përgatitjet qysh prej këtij viti në mënyrë që në edicionin e ardhshëm të kemi një panair të librit ekskluzivisht për fëmijë sa më dinjitoz dhe sa më të bukur në mënyrë që fëmijët përveç argëtimit nëpër aktivitetet e shumta që ka për t’i pasur edhe ky edicion i panairit, ta mendojnë, kujtojnë librin, ta shfletojnë dhe pse jo ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.”

Deri më datën 07 tetor 2023, në orët e pasdites, përpos shitjes së librave prej gjashtë shtëpive botuese i cili konsiderohet aktivitet konstant, do të ketë edhe aktivitete të shumta si pjesëmarrja e robotëve për të argëtuar fëmijët prezent, program nga Anibari, program i ofruar nga Fondacioni 17, Dokufest, takimet me shkrimtarë të karvanit për fëmijë, promovime të librave për fëmijë etj.

Prezent në këtë panair pritet të jenë edhe udhëheqësit e Kosovës, si kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për tu takuar me fëmijë dhe për të pasur lexime dhe bashkëbisedime për librin.

Nga ora 10:00 deri në 14:00 gjatë ditëve të panairit Biblioteka e qytetit e ka të hapur regjistrimin falas për të gjithë fëmijët e interesuar nga klasa e parë deri në të nëntën, me validitet një vjeçar. /KultPlus.com

Nesër nis Panairi i 20-të i Librit në Tiranë

Nesër më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com

Në Tiranë nesër hapet ekspozita e veglave muzikore popullore

Ekspozita e veglave muzikore popullore të përdorura në territorin shqiptar gjatë shek. XIX dhe XX do te organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Ajo do të hapet nesër, më 11 nëntor, në orën 17.00 në Tiranë dhe do të jetë e hapur deri më 15 nëntor.

Koleksioni përmban mbi 170 vegla muzikore popullore, duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga pëdorimi. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Ai ka mbi shtatë vite që mbledh dhe ruan këto vegla. Gjatë kësaj kohe është njohur edhe me shumë artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë punimin e velgave popullore muzikore.

Kjo ekspozitë shoqërohet edhe me një katalog. Në të paraqiten me foto dhe përshkrim të gjtha veglat që do të paraqiten në ekspozitë. Në katalog ka edhe foto të artizanëve që vazhdojnë të punojnë vegla muzikore.

Ekspozita do të kurohet nga skenografi Klajd Ymeri./ KultPlus.com

‘Pallati i Brigadave’ hap dyert për vizitorët (FOTO)

Një nga vendet më të mistershme të kryeqytetit shqiptar, që vitet e fundit është bërë pjesë e eventeve të mëdha politike, artistike ka hapur dyert për të gjithë.

Misteri i historisë që mbart Pallati i Brigadave, sidomos për faktin se ka qenë gjithmonë i mbyllur për sytë e publikut, tani mund të zbulohet çdo fundjavë.

Për herë të parë që prej ndërtimit të tij, parqet e Pallatit të Brigadave kanë hapur dyert për të gjithë vizitorët gjatë fundjavës.

Ata që e vizituan, mbetën të kënaqur nga madhështia dhe bukuria e kopshteve rreth e qark. Parqet e Pallatit të Brigadave do të qëndrojnë hapur çdo fundjavë.

Lajmin e ka ndarë për publikun edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj./ KultPlus.com