Qendra Kulturore Multimedia ka nisur nënshkrimin e peticionit për hapjen e teatrove, të cilat ishin paraparë të hapeshin më 1 qershor, shkruan KultPlus.
Në peticionin drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, duke u kërkuar hapja e teatrove, thuhet se një pjesë të madhe të sektorëve (duke përfshirë edhe qendrat tregtare) iu është lejuar funksionalizimi, mirëpo nuk është bërë e njëjta me Teatrin dhe se nuk ka pasur ndonjë arsyetim apo konsultim nga institucionet përkatëse.
“Përmes këtij peticioni të hapur, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Kulturës që sa më parë të ndërmarrin hapa në mënyrë që teatrove t’u lejohet të nisin punën dhe të fillojnë të mirëpresin publikun. Hapja e teatrove, me masa të caktuara të sigurisë, do ta shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi total në të cilin gjendet aktualisht dhe do të kontribuonte në masë të madhe në jetën sociale në Kosovë, të rënduar nga pandemia”, thuhet në peticion.
Iniciuesit e këtij peticioni besojnë se teatrot kanë kapacitete për respektim të masave anti-covid kur të hapen, madje ata kanë marrë shembull vendet e Evropës dhe Maqedoninë e Veriut për këtë.
“Ju bëjmë me dije se nëse ky peticion i yni injorohet, komuniteti teatrot në Kosovë, që ka një numër prej mbi 5,000 artistësh, punëtorëve të skenës e stafit administrativ, do të detyrohet të shoh edhe forma të tjera të protestave”, theksohet në peticion.
Ky është linku ku mund ta nënshkruani peticionin për hapje të teatrove: