Kryeministri Kurti përkujton dëshmorin Luan Haradinaj në 25 vjetorin e rënies

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorin e kombit Luan Haradinaj, në 25 vjetorin e rënies së tij, duke thënë se ai ishte ndër djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, të cilët u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së, shkruan KultPlus.

Kryeminstri Kurti ka thënë se Luan Haradinaj me shokë, derisa po kalonte kufirin në Qafëmullarë, u ndeshën ballë për ballë me forcat serbe, ku në mbrojtjen e shokëve të tij ra dëshmor i lirisë, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së.

Postimi i plotë i Kryeministrit Kurti në Facebook:

“Ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së. Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj!

 I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin. Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap.

Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur. I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së.

Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve!/ KultPlus.com

Haradinaj nderon Markoviqin me “Hartën e Artë të Kosovës”

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot homologun malazez, Dushko Markoviq.

Ai e ka nderuar Markoviqin me “Hartën e Artë të Kosovës”.

“Kosova dhe Mali i Zi janë model i marrëdhënieve të shkëlqyera në rajonin tonë, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta euro-atlantike dhe vizionin e të ardhmes prosperuese në paqe të përhershme”.

“Në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Duško Marković, shprehëm vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në veçanti për intensifikimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona dhe rrugëtimin e përbashkët drejt BE-së. Si shenjë vlerësimi për angazhimin e kryeministrit Marković për paqe dhe stabilitet në rajon, dhe në ndërtimin e marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy shteteve tona, i dhurova sot “Hartën e Artë të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. / KultPlus.com

Mbahet festivali “Ëshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Sot në Deçan nis edicioni i 9-të më radhë të festivalit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Drejtori i këtij festivali, Mustafë Ramamaj ka ber të ditur se gjithçka është gati për të nisur ketë edicion dhe grupet të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë nga të gjitha trevat shqiptarë.

Mbi 40 grupe shoqëri dhe Rapsodë do të jenë pjesë ë këtyre tri netëve të  festivalit Shqipëria e Jugut dhe e Veriut, Tirana, Saranda, Vlora, Gjirokastra, Shkupi, Rapsodët e Hasit, Ansambli i Burrelit, Grupi i Rapsodëve nga Deçani, Obiliqi, Skenderaj, Vitia, Rahoveci, Grupi nga Shqipëria – Lab, Ansambli nga Tropoja, Ansambli Rugova, Grupi nga Istogu, Malisheva, Klina, Bajram Curri nga Krusha, Drenasi, Gjakova  dhe shumë grupe dhe rapsodë të cilët për tre net radhazi do të jen pjesë e këtij festivali në Deçan.

Nata finale e festivalit mbahet më 6 maji, që shënon edhe përvjetorin e 22-të, të rënies së heroit të Kombit Gjeneral Luan Haradinaj ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri i Republikë së Kosovës, Ramush Haradinaj./KultPlus.com

Këshilltari i Haradinajt i përgjigjet Thaçit me poezinë e Ndre Mjedës

Pas komentit të presidentin Hashim Thaçi, i cili po konsiderohet thumbues në adresë të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar këshilltari i këtij të fundit.

Halil Matoshi komentit të Thaçit: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, i është përgjigjur me poezinë e Ndre Mjedës “Vaji i bylbylit”.

Reagimi i Thaçit vjen disa ditë pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj, i cili kur është pyetur për mundësinë e heqjes së taksës ndaj Serbisë, pas presionit të ShBA-së, thoshte se “bora do të shkrihet”.

Haradinaj: Lumi, ndër më të veçantët në artin skenik në Kosovë

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga sëmundja e rëndë e kancerit, shkruan KultPlus.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj e ka cilësuar si pikëllues lajmin e ikjes në amëshim të regjisorit Lumi, ndërsa e ka cilësuar si ndër më të veçantët në artin skenik të Kosovës.

“Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbraztësi të madhe në familje, shoqëri dhe sidomos në artin e regjisë. Ai nuk reshti për tre dekada me radhë t’i jepte vulën e tij origjinale artit dramatik të Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes Lumi, të gjithë atyre artistëve që punuan më të si dhe miqve të shumtë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkruhet në postimin e Haradinajt.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com