Mbrëmë, është përmbyllur edicioni i 22-të i Festës së Vjeljes së Rrushit, festivalit ‘HardhFest’, shkruan KultPlus.
Festivali ‘HardhFest’ që këtë vit u zhvillua nën moton ‘Prek n’rrush, shijo n’ven!’, për tre ditë radhazi, me 1, 2 dhe 3 shtator ka zhvilluar aktivitete të shumta ditore si dhe koncerte gjatë këtyre tre netëve.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se “HardhFest”-i është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore, e cila i sjell krenari Komunës së Vogël të Rahovecit, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër.
““Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër. Mbështetja e Komunës së Rahovecit për “Hardh Fest”-in, vetëm se do të rritet viteve në vijim.
Ju mirëpresim në vitin 2024!”, thuhet në postim.
Kryetari Latifi, gjithashtu ka thënë se kjo festë dikur e vreshtarëve sot është shëndrruar në një festival madhështor i cili ndër të tjera jep mundësinë për të njohur vreshtarinë si dhe vlerat e trashëgimisë kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit.
“Festa e rrushit që dikur shënohej në mënyrë simbolike nga vreshtarët lokalë të Rahovecit, tashmë është shndërruar në një festival madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e përfaqëson festa e jonë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit”, thuhet në postimin e kryetarit Latifi.
Kryetari Latifi po ashtu ka falënderuar edhe organizatorin e festivalit Agron Sokolin për punën e përkushtuar deri në realizimin e detajeve mmë të imta.
“Falënderoj këshillin organizues të edicionit të sivjetmë, në krye me drejtorin ekzekutiv të festivalit, Agron Sokoli, për performancë të shkëlqyer, përkushtimin e madh në punë dhe planifikimin e mirë e të menduar deri në detajet më të imëta. Po ashtu, falënderoj edhe organet e rendit dhe ligjit, policinë, sigurimin dhe ekipin e QKMF-së, njësinë e zjarrfikësve si dhe ekipe e individë që kryen detyrat e veta me përgjegjësi të lartë dhe me vigjilencën e treguar mirëpritën dhjetëramijëra pjesëmarrës, vizitorë e turistë të shumtë, pa u shënuar as edhe incidenti më i vogël”, thuhet në njoftim./KultPlus.com