Kamala Harris: Do të vazhdojmë mbështetjen për Kosovën

Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.

Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.

“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.

Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët  shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.

Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.

“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor.

Çifti Obama elektrizon demokratët, mbështesin fuqishëm Harrisin për Presidente

Ish-Presidenti amerikan Barack Obama iu drejtua demokratëve në Kuvendin Kombëtar të martën, duke thënë se Nënpresidentja Kamala Harris është zgjidhja e duhur për të sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Siç njofton Zëri i Amerikës, ish-Presidenti dhe bashkëshortja e tij Michelle ishin folësit kryesorë të natës së dytë të Kuvendit në Çikago, dhe pati një pritje entuziaste për ish-Presidentin Obama.

“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më frymëzuese. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris”, tha Obama.

Ai vuri në pah kontrastin mes Nënpresidentes Harris dhe rivalit të saj republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

“Kamala Harris nuk do të mendojë vetëm për veten e saj. Ajo do të përqendrohet tek ju. Si presidente, ajo nuk do të kujdeset vetëm për mbështetësit e saj dhe të ndëshkojë ata që nuk janë dakord me të. Ajo do të punojë në emër të çdo amerikani – kjo është Kamala”.

Obama u prezantua nga gruaja e tij Michelle, e cila në fjalimin e saj tha se në kohën e shkurtër deri në zgjedhje, demokratët duhet të bëjnë fushatë intensive për Harrisin.

“Nuk mundet thjesht të vrasim mendjen nëse ky vend do të zgjedhë dikë si Kamala. Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zgjedhur dikë si Kamala”, tha Michelle Obama.

Megjithëse procesi i emërimit të Harrisit si kandidate u bë në fillim të këtij muaji, një apel ceremonial i votave të shteteve, tregoi entuziazmin e demokratëve për të.

Nënpresidentja Harris falënderoi delegatët nga distanca nga një tubim zgjedhor në Miluoki të Viskonsinit.

Një nga folësit e mbrëmjes ishte edhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff i cili e quajti gruan e tij një luftëtare optimiste.

“Ajo do të udhëheqë me bindjen se pavarësisht nga origjina jonë apo cilit grup i përkasim, ne jemi më të fortë kur luftojmë për atë që besojmë, jo vetëm kundër asaj që i druhemi”, tha ai.

Në natën e dytë të Kuvendit Demokrat folën edhe disa ish-anëtarë të administratës së Trumpit dhe zyrtarë republikanë që mbështesin Harrisin.

“Trump bëri premtime të mëdha: për rritje ekonomike të pakufizuar, për një rilindje të prodhimit amerikan, një kufi të sigurt. Por rezultoi që i kishte vetëm fjalë”, tha John Giles, kryebashkiak republikan i qytetin Mesa të Arizonës.

Të mërkurën, do t’u drejtohet delegatëve në Çikago Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë si kandidat për nënpresident. /VOA/ KultPlus.com

Former President Barack Obama hugs former first lady Michelle Obama as he is introduced during the Democratic National Convention Tuesday, Aug. 20, 2024, in Chicago. (AP Photo/Brynn Anderson)

 Harris zyrtarisht kandidate e demokratëve për presidente

Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar zyrtarisht shumicën e nevojshme të votave të mjaftueshme për të kandiduar për presidente e demokratëve.

”Harris mori 99% të rreth 4 500 votave të delegatëve”, njoftoi Partia Demokrate.

Harris arriti një shumicë pak pasi votimi u hap të premten, por votimi vazhdoi deri të hënën në mbrëmje.

Njoftimi nuk ishte i papritur, pasi asnjë kandidat tjetër nuk kishte hedhur kandidaturën në  garën e PD.

Harris, emërimi i së cilës ende duhet të certifikohet zyrtarisht në konventën e partisë që do të nisë më 19 gusht, tani do të përballet me ish-presidentin e SHBA, Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane./  atsh/ KultPlus.com

Kamala Harris nuk humb kohë, nis intervistimin e tre kandidatëve të mundshëm për nënpresident

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris do të bëjë intervista të dielën në rezidencën e saj me tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro.

Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën përzgjedhjen e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.

Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.

Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.

Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.

Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.

Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.

Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.

“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.

Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.

Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.

Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.

Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.

Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.

Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai./VOA/ KultPlus.com

Harris jep deklaratën e parë të fushatës: Trump është kriminel i dënuar

Kamala Harris dha deklaratën e saj të parë për shtyp që kur Joe Biden u largua nga gara presidenciale.

Harris, ish-prokurorja e përgjithshme e Kalifornisë, pritet të mbështetet shumë gjatë fushatës së saj për të zëvendësuar Biden si kandidate demokrate.

“Kamala Harris u qëndron përballë mashtruesve dhe kriminelëve. Donald Trump është një kriminel i dënuar”, thuhet në deklaratë.

Ammar Moussa, një ish-zëdhënës i fushatës së Bidenit, i cili tani po punon për Harris, shtoi: “Zëvendëspresidentja Kamala Harris i ka mbajtur kriminelët përgjegjës gjatë gjithë karrierës së saj – dhe Donald Trump nuk do të jetë ndryshe”.

Ndërsa Harris e ka “kushtuar karrierën e saj për ta bërë jetën më të mirë për njerëzit që punojnë”,  Moussa vazhdoi, “Trump kujdeset vetëm për veten”.

Trump tha të dielën se beson se Harris do të jetë “më e lehtë për t’u mposhtur” se  Biden pasi fushata e tij filloi sulmin e saj të parë kundër hyrjes së re në zgjedhjet presidenciale, shkruan The Telegraph.

Harris dhe Pelosi shkruajnë historinë në Kongresin amerikan

Kamala Harris dhe Nancy Pelosi shkruajnë historinë.

Është hera e parë në historinë e SHBA që dy gra ulen pas presidentit amerikan në Kongres.

Pelosi është kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Harris zëvendëspresidentja e parë.

I pranishëm, ndër të paktët në sallën e Kongresit për shkak të masave antiCovid-19, edhe Zotëria i Dytë i historisë, bashkëshorti i Harris, Doug Emhoff./ atsh / KultPlus.com

Revista “Time” zgjedh Bidenin dhe Harrisin “Persona të Vitit”

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, së bashku janë zgjedhur si “Persona të Vitit” nga revista e njohur amerikane, “Times”.

Në njoftimin për ofrimin e këtij epiteti, revista shkroi se Biden dhe Harris ofruan ndreqje dhe përtëritje me një biletë të vetme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Pas një fushate zgjedhore me tensione të shumtë, të ndodhur një mesin e një pandemie vdekjeprurëse, një krize ekonomike dhe një lufte me racizmin, Biden dhe Harris triumfuan në zgjedhjet që nxitën numrin më të madh të votuesve në shekullin e fundit.

“Për ndryshimin e rrëfimit amerikan, për dëshminë se forcat e ndjeshmërisë janë më të mëdha se tërbimet e përçarjes, për ofrimin e një vizioni të shërimit në një botë në vuajtje, Joe Biden dhe Kamala Harris janë Personi i Vitit 2020”, tha kryeredaktori dhe shefi ekzekutiv i kësaj reviste, Edward Felsenthal.

Në mesin e kandidatëve për ta marrë këtë titull ishin edhe Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, punëtorët shëndetësorë që janë duke ofruar ndihmë në luftën kundër pandemisë dhe pjesëmarrësit e lëvizjes për drejtësi racore, e cila u krijua pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Personi i Vitit i kësaj reviste zakonisht është një individ, por viteve të fundit ka pasur raste kur janë nominuar disa persona për të njëjtën vepër.

Revista “Time” e kishte filluar traditën e përzgjedhjes së “Personit të Vitit” që nga viti 1927. Vitin e kaluar, këtë titull e mori aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg. / KultPlus.com