Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht si vazhdimësi e jetës së familjes. Hedhja mbi koka të krushqve grurë dhe sheqerka simbolizon pjellorinë – vazhdimin e jetës. Edhe kulaçi i nuses simbolizon pjellorinë, sikurse edhe vënia tre plisave mbi kokën e nuses. Rrethi i Grave në Zym – gjinekologji e kohës
Shkruan: Frrok Kristaj
Për botëkuptimet popullore martesa ka për qëllim kryesor shtimin e
njerëzimit, përkatësisht sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndërkaq, ardhja në jetë
e fëmijëve paraqet ngjarje me rëndësi, gëzim të çiftit bashkëshortor, të
familjes dhe të farefisit më të gjerë (Drita Statovci “Elemente mitologjike dhe
demonologjike në doke e zakone të lindjes”, Gjurmime albanologjike – folklor dhe
etnologji, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr. 18, viti 1988, faqe
173-191).
Nga dëshira e madhe për t’u
përtërirë jeta, përkatësisht për të pasur pasardhës, populli (pa dallim nacionaliteti,
besimi, race apo vendi) ka krijuar doke e zakone të llojllojta, të cilat
jetësohen në raste të caktuara të çastit të lindjes. Dukuritë e këtilla janë
dëshmi e një vetëdijeje shoqërore, gjegjësisht janë dëshmi e një shkalle të
zhvillimit njerëzor.
Te tradita shqiptare, pra edhe në
Zym të Hasit, ardhja në jetë e fëmijës paraqet gëzim në familje.
Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë,
përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes. Dëshira për të pasur
pjellori – fëmijë, në fakt shfaqet që në ditën e martesës – në ditën e dasmës,
kur nusja hyn në oborr, me ç’rast i hidhet mbi kokë grurë e sheqerka.
Zakoni i lindjeve edhe sot është
i ruajtur mirë si në fshatrat shqiptare, ashtu edhe nëpër qytete. Bile, ky
zakon ushtrohet si në shtëpinë e vajzës, sidomos kur kumbara i dhëndrit, që ka
ardhur me krushq, hyn te nusja (në shtëpi të vajzës) dhe asaj i derdh mbi kokë
para (monedha të metalta), e po ashtu edhe kur vjen nusja në shtëpi të burrit
(dhëndrit), në hyrje të oborrit një plakë hedh mbi koka të krushqve, por edhe
të nuses, grurë dhe sheqerka (të përziera). Ndërsa, në nisjen e krushqve, tek
dera e daljes nga oborri, një grua e afërme e familjes (që ka burrë e fëmijë) i
spërkat krushqit me ujë të bekuar me një bisk me gjethe të lisit ose me një gem
me gjethe të hardhisë së rrushit, në mungesë të drunjve, gjatë dimrit, i spërkatnin
me lëvozhga të misrit. Pra, elementet e këtilla simbolizojnë pjellorinë –
vazhdimin e jetës.
Kulaçi i nuses
Në Zym të Hasit, por edhe në viset tjera shqiptare, te shtëpia e
dhëndrit dasma fillon në mesnatë (në mes të ditës së mërkurë dhe ditës së enjte)
kur i zoti i shtëpisë shtie me armë, që është simbol i pastërtisë dhe i
virgjërisë. Së pari shpnesha e sitë miellin e grurit, aq sa është e nevojshme
për një kulaç, dhe e qet në një kërbël (fuçi e drurit me fund të ngushtë e
grykë të gjerë, në formë elipse, me të cilën dikur bartej rrushi nga vreshtat e
Zymit), e pastaj një vajzë, që zakonisht është “nër unazë – e fejuar”, që ka
prindër, vëllezër e motra, përkatësisht që e ka zemrën plot) fillon të gatuajë
kulaçin e nuses, që po ashtu është simbol i pjellorisë (Anton Nikë Berisha
“Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”, Instituti Albanologjik i Prishtinës,
Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, viti 1975, faqe 143-156); Rr.
Berisha “Kontribut rreth zakonit të këngëve të “kulaçit të nuses”, Instituti
Albanologjik i Prishtinës – folklor dhe etnologji, nr. III, viti 1975, faqe
119-121). Natyrisht se këto rite e zakone përcillen edhe me këngë e def.
Djali nën duvak
Po ashtu, doket dhe zakonet popullore dëshmojnë se për të lindur
nusja djem, nga shtëpia e dhëndrit dikur kur niseshin krushqit për ta marrë
nusen, patjetër e merrnin një djalë të vogël (“djali i kerrit”). Ndërkaq tash
kur dasmat bëhen me makina, krushqit në makinë të nuses i marrin dy fëmijë (një
djalë dhe një vajzë), dhe kur nusja hyn në makinë, ajo ua puthë duart që të dy
fëmijëve, e kur nusja vjen në shtëpi të dhëndrit, familjarët e dhëndrit e
marrin një djalë tjetër
dhe e fusin në makinë, të cilin nusja e ulë në prehër dhe më
pastaj e përcjell kah dera tjetër, ku e prit një person, i cili djalin e merr
dhe e hip mbi makinë nga e merr personi i mëparshëm dhe përsëri atë e ulë nusja
në prehër dhe kështu ky rit përsëritet tri herë, për çka edhe nusja e dhuron me
diçka atë djalë. Në fakt, më herët kur nuk kishte makina, nusja vinte me kalë
të bardhë dhe e mbuluar me duvak të kuq, ndërkaq për “kalin e kutijave”
praktikohej kali i kuq. Edhe atëherë veprohej kështu – një djalë e fusnin në
duvakun e nuses për çka nusja e dhuronte me ndonjë dhuratë e pastaj e sillnin
tri herë mbi kalë e nën kalë.
Kumbara ia vënë nuses tre plisa
Po ashtu, kumbara i shtëpisë së dhëndrit, që në dasmat e Zymit ka
shumë rëndësi, pasi të vendosen krushqit në shtëpi të dhëndrit pas sjelljes së
nuses, ua merr krushqve tre plisa dhe shkon te nusja dhe para se t’ia heqë duvakun,
ia vë plisat tri herë në kokë e pastaj ia heq duvakun. Do përmendur se gjatë
kësaj kohe nusja duhet të qëndrojë mbi një um të përmendës, apo të ndonjë
metali tjetër, të mbështjellë me një thes që bartej gruri.
Ky pra është një rit me simbolikë të pjellorisë së dyfishtë. Themi
kështu sepse umi i parmendës është i lidhur me tokën, që jep ushqime –
pjellshmëri, që do të thotë se barazohet edhe me pjellorinë e nuses,
përkatësisht se pjellshmëria e tokës bartet edhe tek ajo e nuses. Në anën
tjetër, umi e ka edhe funksionin mbrojtës nga demonët e këqij, pasi që ata
(demonët) i frikësohen hekurit (metalit).
Rrethi i Grave
Në afërsi të Zymit të Hasit, përkatësisht afër Kroit të
Laskavecit, aty afër 70-80 metra në anën e djathtë nga drejtimi Gjonaj-Zym,
gjendet Rrethi i Grave. Quhet Rrethi i Grave sepse siç pohojnë pleqtë e Zymit
të Hasit, dikur ishte turp të lindnin gratë në shtëpi, ndaj plakat e shtëpisë i
dërgonin shtatzënat te Rrethi i Grave për të lindur fëmijën e parë, të fundit,
apo për t’i jetuar fëmija. Aty afër ishte edhe burimi i ujit (Kroi i
Laskavecit), por kishte edhe drunj për ta ndezur zjarrin për ta nxehur ujin për
nevoja të lindjes.
Bile, praktikohej që për t’u mos marrë vesh se e kanë çuar një
grua shtatëzënë në lindje, gratë e tjera të familjes shkonin te Kroi i
Laskavecit për të larë petka (rroba) pasi që uji edhe ashtu në Zym ishte i
pakët. Në këtë mënyrë nga kalimtarët e rastit fare nuk kuptohej se dikush është
në lindje, pasi që aty ndizej zjarri, nxehej uji nëpër kusi (enë të mëdha) dhe laheshin
petkat.
Pra, Rrethi i Grave në njëfarë mënyre paraqiste një lloj
gjinekologjie të vendbanimit. Nga kulti pagan thuhej se Rrethi apo Guri ishte
çudibërës, forca e tij do të kalojë dhe ndikojë në shëndetin e fëmijës, që ai
të jetojë. Njëherësh, edhe lehona të lirohet nga mëkati, nga e keqja, nga
qoftëlargu, ndërsa uji i Laskavecit (i burimit që vazhdimisht rrjedh) ndikon në
rrjedhën e jetës normale me cilësi forcimi, si të lehonës ashtu edhe të fëmijës
së lindur.
Pas lindjes gratë ktheheshin në shtëpi dhe varësisht nga stina –
gjatë pranverës, verës e vjeshtës së hershme thoshin se fëmijën e solli lejleku
apo shqiponja, përkatësisht në vjeshtën e vonë dhe dimrit thoshin se fëmijën e
kanë gjetur në grazhd të bagëtive në ahur.
Do përmendur se edhe pas
interesimit tonë se a ka ndokund në trevat shqiptare diçka të tillë si Rrethi i
Grave në Zym, nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar për diçka të tillë, që do të
thotë se Rrethi i Grave në Zym të Hasit është unikat, që do të thotë se ia
vlenë të vizitohet apo edhe të studiohet.
Ritet për lehtësim të lindjes
Natyrisht se për shtatzënat në mënyrë të veçantë janë kujdesur
plakat e familjes, në mënyrë që akti i lindjes të jetë sa më i lehtë. Për t’u
lehtësuar lindja janë bërë edhe disa rite siç ishte rasti kur nusja puthte
katër muret e dhomës duke e formuar kryqin në dhomë. Pra, ndër elementet më të
paraqitura pa dyshim se ka qenë ai i kryqit, pastaj i ujit që rrjedhte, që të
rrjedhë edhe jeta (si te Rrethi i Grave që ekziston burimi – Kroi i
Laskavecit). Këto rite, por edhe të tjerat që nuk po i përmendim me këtë rast,
përkojnë edhe me disa simbole ilire.
Në fakt, kryqi si simbol solar,
përkatësisht i diellit, simbolizon jetën dhe shëndetin. Në anën tjetër, uji që
rrjedhë simbolizon pjellshmërinë, vdekjen dhe përtëritjen, por që ka edhe
aftësinë e pastrimit si mjet i të liruarit nga papastërtia apo edhe nga mëkati.
Ishte pra ky një Rreth, shkëmb ku shkonin gratë lehona, bënin lutje magjike për
të lindur fëmijë të shëndoshë, për t’u jetuar si dhe për t’u shëruar gratë
nevojtare kur nuk u jetonin fëmijët.
Ruajtja e fëmijës nga mësyshi (amuletja)
Në ditët e para të lindjes si lehonat ashtu edhe fëmijët i ruajnë
nga gjërat e pakëndshme, si nga demonët e këqij, nga terri, nga vetmia, nga
“syri i keq” e kështu me radhë. Bie fjala, për ta ruajtur lehonën, ajo duhet që
në shokë (brez) të mban hudhra.
Lehona, për çdo siguri, e lyente
belin e këmishës me gjakun e breshkës për lindje të lehtë. Për të mos u
diktuar, të gjitha gratë, në të dy anët e belit të këmishës, “turrat” (kindat)
e këmishës i qepnin me një bez (paft) të kuq. Në anën tjetër, fëmija duhet ta
ketë fytyrën e mbuluar, apo që në djep të ketë edhe hudhra, apo në shokë me të
cilën lidhet për djepi, përkatësisht mund të ketë edhe këmbë të iriqit, lëkurë
të gjarprit, dhëmbë të ujkut etj., në mënyrë që të mbrohej nga “syri i keq”
(msyshi) – amuletja, demonët e këqij, e të tjerë.
Urimi për sapo të lindurin
Si kudo edhe në Zym të Hasit, pas lindjes së fëmijës shkonin dhe e
uronin familjen për fëmijën.
Me atë rast bëhej njëfarë dallimi në aspektin gjinor të fëmijës,
sepse nëse ishte vajzë, shkonin gratë e familjes dhe të prindërve të nuses apo
bijat e shtëpisë – farefisit, kurse nëse ishte djalë, e veçmas nëse ishte
fëmija i parë apo i vetmi djalë, atëherë shkonin edhe meshkujt, të cilët e
uronin në forma të ndryshme, si “Ju rrnoftë”, “U rritët me vëllazën e motra”,
“U bëftë trim me fletë”, “I besoftë pazari” e kështu me radhë.
(Literatura është hequr nga redaksia për çështje teknike). / KultPlus.com