Një intervistë me Hasan Bej Prishtinën mbi qarkullimin e thashethemeve për të në shtypin turk

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Janar 2025

“La Turquie” ka botuar, të enjten e 12 majit 1910, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Hasan Bej Prishtinën mbi qarkullimin e thashethemeve për të asokohe në shtypin turk, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë me Hasan Beun

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Thashetheme të ndryshme qarkullojnë prej disa ditësh për Hasan Beun, deputet i Prishtinës. Herë lajmërohej se familja e tij kishte ikur në Shkup, herë lajmërohej se vëllezërit e tij ishin arrestuar. Në prani të këtyre thashethemeve dhe të tjerave, e pamë me vend t’i drejtohemi atij dhe ta pyesim se çfarë mendon për këto thashetheme.

Hasan Beu priti një nga bashkëpunëtorët tanë në zyrën e parë të Dhomës dhe e pranoi me dëshirë intervistën.

Fillimisht bashkëpunëtori ynë e pyeti nëse mund ta mohonte lajmin e Neïri-Hakikat-it të Manastirit dhe sipas të cilës disa deputetë shqiptarë ishin përfshirë në lëvizjen e Shqipërisë së Epërme.

— Po t’ia vlente të mohohej, tha Hasan Beu, ne do ta kishim bërë tashmë. Por nëse, në këtë vend thashethemesh, do të fillonim të mohonim gjithçka që ia atribuojmë një njeriu, do të kishim harxhuar të gjithë kohën duke botuar mohime në gazeta.

Por koha jonë është e çmuar. Përveç kësaj, do të ishte shumë e ulët për të mohuar publikime të tilla keqdashëse. Nuk e kuptoj çfarë kënaqësie gjejnë duke botuar të tilla shpifje. Sot një gazetë thotë se vëllezërit e mi janë arrestuar dhe një pjesë e familjes sime ka ikur në Malësi. A ja vlen të publikosh lajme qesharake si ky.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— A keni lajme të reja mbi Shqipërinë ?

— Është e vërtetë që nuk marr letra. Por sipas udhëtarëve që mbërrijnë, situata nuk është e mirë. Ekziston frika se kryengritja do të përhapet.

— Ju keni marrë leje për të shkuar në Shqipëri. A do ta përdorni atë ?

— Unë kam marrë leje për të shkuar atje për një çështje private. Por disa gazeta e interpretuan ndryshe këtë leje. Kanë shkruar se jam gati të shkoj në teatrin e kryengritjes. Megjithatë, mora parasysh gjendjen psikologjike të vendit dhe megjithëse kisha punë urgjente, e shtyva udhëtimin për disa ditë./ KultPlus.com

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

Sot, 90 vite nga vrasja e patriotit shqiptar, Hasan Prishtina

Sot janë bërë 90 vite nga vrasja e politikanit dhe patriotit të madh shqiptar, Hasan Prishtinës, shkruan KultPlus.

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com