Dumoshi në vdekjen e shkrimtarit Hasani: Përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi

Ka vdekur sot shkrimtari dhe kryeredaktori i shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllimet e saj duke potencuar që Hasani ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur.

“E nderuar familje Hasani, me pikëllim mora lajmin për ikjen nga jeta të familjarit tuaj, shkrimtarit dhe kryeredaktorit të shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani. Hasani ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur si dhe ka kontribuar në përgatitjen e shumë teksteve dhe veprave letrare. Vlen të spikatet kontributi i tij i çmuar në revistën “Jeta e Re”, “Fjala”, “Shkëndija” dhe në Revistën “Pionieri” ku shërbeu si kryeredaktor”, ka shkruar Dumoshi.

Tutje ministrja ka theksuar se me mbi 60 vepra letrare, Hasan Hasani do të mbahet mend si shkrimtar i talentuar e produktiv si në poezi ashtu edhe në prozë.

“I laureuar me shumë çmime në Kosovë e në Shqipëri, me veprën e tij do të njihet si përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi. Ngushëlloj sinqerisht familjen, Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” ku ishte anëtar si dhe të gjithë dashamirët dhe bashkëpunëtorët e tij”, përfundon kështu telegram ngushëllimin ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Ka vdekur shkrimtari Hasan Hasani

Ka vdekur shkrimtari dhe kryeredaktori i shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani.

I lindur më 16 janar 1947 në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, rrethinë e Gjakovës, Hasani shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhebël, Gërgoc dhe Baran. Shkollën Normale e kreu në Gjakovë. Studimet e larta, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Me krijimtari letrare dhe publicistike merret që nga viti 1965, kur e botoi poezinë e parë në revistën letrare “Jeta e re”. Krijimet letrare dhe publicistike i botoi në të gjitha gazetat dhe revistat që u botuan në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe më vonë edhe në Mal të Zi. Si student i vitit të parë, në vitin 1969 nisi punën si bashkëpunëtor i rregullt në gazetën e studentëve “Bota e re”, ku punoi deri në qershor të vitit 1971, kur kaloi gazetar i rregullt në gazetën arsimoreshoqërore dhe pedagogjike “Shkëndija”.

Në vitin 1976 kalon në revistën për art, kulturë e letërsi “Fjala”, në fillim gazetar, e më vonë redaktor. Në vitin 1987 emërohet redaktor e më vonë edhe kryeredaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri”, ku punoi deri në vitin 1996, kur kalon në revistën letrare “Jeta e re”. Nga viti 2003 përsëri e gjejmë redaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri”, dhe nga janari i vitit 2004 përsëri e gjejmë kryeredaktor po në revistën “Pionieri”. Përveç me shkrime publicistike është marrë me krijimtari letrare, për fëmijë dhe për të rritur. Nga viti 1967, kur ka botuar librin e parë me vjersha e deri me 2013, botoi gjithsej 60 vepra të ndryshme letrare.

Hasan Hasani për 45 vjet me radhë, (në vitin 1967 botoi librin e parë), ka përgatitur për shtyp veprën e plotë letrare të Ernest Koliqit në gjashtë vëllime, të Ethem Haxhiademit në dy vëllime, të Nermin Vlorës në dy vëllime, të Mehdi Frashërit në një vëllim, të Rrahman Dedajt në katër vëllime, të cilat janë botuar në Prishtinë. Ka përgatitur numra tematikë (të veçantë) të revistës letrare “Jeta e re” për Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Nermin Vlorën, Musine Kokalarin, Mehdi e Mithat Frashërin, Vinçenc Prenushin, Azem Shkrelin dhe Beqir Musliun. / KultPlus.com