Sevdije Shyti-Azemi dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”

Sevdije Shyti-Azemi u dekorua nga presidenca me urdhrin “Shotë Galica” për kontributin dhe guximin e madh për organizimin e protestave në vitin 1989, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i vendit, i cili në rrjetin social Facebook ka shkruar se Sevdije Azemi ishte një grua me guxim të pashoq.

“Një grua me guxim të pashoq, kishte organizuar protesta kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, për çka ishte dënuar nga shteti i Jugosllavisë me 11 muaj e një javë burgim”.

Thaci tutje vazhdoj duke thënë se Kosova e gëzon lirinë dhe pavarësinë falë shumë brezave që sakrifikuan e luftuan deri në fund për Kosovën e pavarur.

Sevdije Shyti Azemi ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989./KultPlus.com

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/4515502178520106

Këngëtari i teksteve vulgare pritet nga presidenti Thaçi (TEKSTI)

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka pritur sot Mozzik, i cili së fundi edhe ka lansuar albumin e tij, shkruan KultPlus.

Pikërisht ky album ka bërë që presidenti Thaçi ta takojë Mozzik, i cili edhe i ka dhuruar një kopje, kopje që ka dhuruar edhe për Kadri Veselin.

Mozzik është po këngëtari i cili së fundi ka tentuar të promovojë albumin e tij në qytete të ndryshme të Kosovës, duke krijuar kështu grumbullimin e shumë njerëzve në kohë pandemie, ku turi i këtij këngëtari është ndërprerë më pas nga Policia e Kosovës.

Se nëse do të duhej të pritej një këngëtar i tillë nga presidenti i vendit, duke u bazuar në tekstet e këtij këngëtari, KultPlus ju sjell tekstin e këngës Madonna, për të vlerësuar përmbajtjen e këtij teksti./ KultPlus.com

Madonna

Refreni:2x
Flokt e bardha si madona dona dona
Ajo pin korona rona rona
I mban dy telefona fona fona
Nuk i bohet von as ne oret e vona

U ta hongsha piii raki
Deri sen sdi mo
E ti ma honksh mu kaaa-tastrof
U shit jam pi bro
Nese fjala karakter per ty
Jan veq tri shkronja
Bad daddy e me mu nuk ka lojna
Qa osht mu bo e din e bojna
E per neser kurgjo s’lojna
Ajo sa n’prishtin sa n’tiran ajo
M’jep gji e thirri nan ajo
Ni dit kesh ni dit kan ajo
Mu m’zhvesh edhe m’lan
Me to luj si llastik stik
Thoba e saj si jastik stik
E kom besnik e m’ka besnik snik
Smbohet snitche kurr si bona snitch snitch

Refreni:2x
Flokt e bardha si madona dona dona dona
Ajo pin korona rona rona
I mban dy telefona fona fona
Nuk i bohet von as ne oret e vona

Kshyr me sy e so per ty
Qa shoh me sy zine u kry
Moj bjondin me syt e zi
A e din sa shum ma kthej edhe une ty
Ajo ulet n’karrik t’mbrapt spllifin sa ni kam
E 10 gram C me shoqet kejt i ndan
Ajo hin ku dush per mu ajo shan
Nuk ja blej alltin se s’dihet edhe vran
Pina ven
Ose shkoj te ajo ose ajo n’banes tem
Hini n’filma, tha kom qef me pas me ty dy djem
Ja ktheva zemer kena plot djem
Ikem kejt qeta qe po t’shkrujn ne instagram
Holy shit, yo te quiero se une s’du dinnero
Ziki A.K.A fratello
T’kisha njek ton jeten
Ta kishe pas emrin EURO €
Po se ki

Refreni:2x
Flokt e bardha si madona dona dona
Ajo pin korona rona rona
I mban dy telefona fona fona
Nuk i bohet von as ne oret e vona.

Themelohet urdhëri “Adem Demaçi”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në nderim të kontributit të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare Adem Demaçi, ka vendosur të themelojë urdhrin “Adem Demaçi”.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ky urdhër do t’u ndahet personaliteteve të vendit tonë që shquhen për qëndresë dhe vetëdije të lartë kombëtare.

“Në nderim të përjetshëm të kontributit të pashembullt të Adem Demaçit, si president i vendit kam vendosur të krijoj urdhrin “Adem Demaçi”. Ky urdhër do t’u ndahet personaliteteve të vendit tonë që shquhen për qëndresë dhe vetëdije të lartë kombëtare”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com

Aj llov ju Hashim Thaçi

Shkruan: Arben I. Kastrati

Leximi i biografisë së Z. Thaçi në kohë pandemie, nuk është i preferuar. Sidomos për ata që e kanë tensionin e lartë të gjakut, sepse në libër ka shumë të pathëna.

****

Për herë të parë, Hashim Thaçin e kam njohur kur filluam “të rronim paralelisht”, apo siç thuhet në gjuhën tonë të bukur, të rronim “underground”. Ai ishte një djalë i hollë, i gjatë, i ndrojtur, fjalëpak. Mblidheshim, debatonim dhe merrnim vendime për mënyrën e organizimit të sistemit paralel arsimor të Kosovës.

Në atë kohë, ne mendonim dhe besonim që po bënim punë të mëdha. Doli që sistemi paralel të ishte dështim i madh. Sepse nga ai sistem, dolën gjenerata analfabetësh të diplomuar të së sotmes.

Pas shumë takimeve ilegale, Hashimi (se atëherë ashtu quhej) u zhduk. Që Z. Thaçi të shfaqej me uniformën e UCK-së. Akti i tij, na la pa fjalë. Ai po bënte detyrën që i takonte çdo qytetari, po luftonte të mbronte atdheun. Ndërkohë që ne të tjerët, ishim shndërruar në një shoqëri makiatopirëse, që vegjetonte dhe redaktonte politikën globale në kafenetë e tymosura…

Këto të dhëna janë të sakta dhe nuk gjinden në libër.

****

Djaloshi i gjatë, i ndrojtur dhe fjalë pak, e udhëhoqi luftën dhe paqen, thuhet!! Në libër nuk thuhet që, pa mëdyshje, Z. Thaçi u bë Kryepersonazh i Kosovës tridhjetë vjet radhazi. Ashtu siç nuk thuhet që, shumë njerëz, por shumë njerëz, të të gjitha shtresave, gjinive dhe profesioneve, i janë vardisur skajshmërisht shumë ndër vite, dhe vazhdojnë t’i vardisen paturpësisht edhe tani, madje edhe më shumë. Disa, shkuan aq larg, sa që e krahasuan me George Clooney-in e madje edhe me Geroge Washington-in. Siç nuk thuhet në libër që, Kryepersonazhi ynë, të gjithë servilët i ka shpërblyer me mirëqenie për kontributet e dhëna në servilizëm, e sidomos i ka shpërblyer ata që janë marrë me kurimin e imazhit të tij. 

****

Shumë vite më parë, në një tubim shqiptarësh në New York City, një nga pjesëmarrësit e filloi fjalimin e tij me një citat: sic ka thënë i madhi Xhorxh Vashinton Brixh, më mirë është mos me dhënë asnjë arsye se me dhënë një arsye të keqe…

Ashtu edhe George Washington Bridge ynë, si Kryepersonazh që ishte (dhe ngelet), në jetën e tij dha arsyet e tij, që ishin tri qullime: ta clirojë Kosovën, ta pavarësojë Kosovën, të bëhet kryeministër, të bëhet president, dhe e treta, të ngelet n’kurrige përjetësisht. Edhe duhet të ngelet. Mbetshi përjetë president, Z. President.  Askush nuk e meriton pushimin presidencial më shumë se Ju. Askush.

Këto të dhëna, nuk gjinden në libër.

****

I dashur President

Shpresoj ta lexosh këtë shkrim timin. Sepse kam shumë nevojë të ma mbështesësh një projekt. (Ose të ma gjesh një vend pune, kudo: qoftë në Ambasadën e Kosovës në Francë, qoftë në Ambasadën e Kosovës në Austri. Zgjedhjen po ua lë ta vendosni Ju. Sepse zgjedhjet Tuaja, asnjëherë nuk kanë qenë të gabuara).

Zoti President, më lejoni ta përfundoj këtë letër, duke thënë një të “vërtet sekrete”, që Ju, mbeteni idhulli im i përhershëm.

Faleminderit që ekzistoni.

Me respekt

Arben I. Kastrati

P.S.

Zoti President, mos më harroni. Sepse Ju dini të harroni nganjëherë. U thoni këshilltarëve t’jua kujtojnë shkrimin, sepse asnjë punë tjetër nuk bëjnë.

****

Dhe një gjë të fundit Z. President

Një shkrimin që kam pas shkruar dikur moti, për Ju!!! Më besoni që kam qenë i dehur. Nuk kam qenë vetja ime. Kam qenë dhe i manipuluar. Edhe sot e kësaj dite ndjejë turp për atë shkrim. Ju kërkoj falje qindra herë.

Ju jeni gjigand. Dhe brenda madhështisë Tuaj, Ju lutem të gjeni vend për t’më falur. Vetëm njerëzit e mëdhenj falin, do të thoshte Xhorxh Vashington Brixh.

Sa turp që kam. Sa shumë turp…

Me respekt…

****

Dhe një gjë të fundit Z. President por përfundimisht të fundit, dhe shumë të sinqertë:

Vazhdimisht dëgjojë njerëzit të thonë: “Ky është viti i fundit i Hashimit”. Unë vazhdoj t’ju them “besimtarëve optimist”, që vazhdimisht përsëriten duke thënë të njëjtën gjë, që njëzet vjet radhazi, Hashim Thaci nuk bie, sepse qëndron lart mbi ata të shumtë që ka vënë përfundi ndër vite.

Edhe mirë jau ke bërë.

****

Gati harrova. Albini ish pis. /KultPlus.com

“The Daily Swig”: Thaçi duke shkruar fjalëkalimin në PC, ndër huqjet më të mëdha të sigurisë kibernetike

Kriminelë budallenj, politikanë të pakujdesshëm, paaftësi në zgjidhjen e telasheve teknologjike dhe shumë veprime tjera të pamençura përshkuan fushën e sigurisë kibernetike gjatë 12 muajve të fundit.

Në mesin e këtyre gafave është futur edhe presidenti ynë, Hashim Thaçi, i cili, derisa po incizonte një intervistë televizive, shihet teksa shkruan fjalëkalimin e kompjuterit të tij të zyrës.

Këtë përmbledhje e ka bërë portali britanik i njohur për lajme të sigurisë kibernetike, “The Daily Swig”.

Në kategorinë e “huqjes” së Thaçit, portali ka përmendur edhe ekspozimin e kodit të telefonit të Kanye Westit gjatë një konference për media në Zyrën Ovale pas takimit me Presidentin amerikan, Donald Trump. Reperi është kapur duke shkruar ‘000000’ për ta hapur iPhone-in e tij, raporton Koha.net.

Pas tij është edhe kongresisti Lance Gooden i cili gjatë muajit tetor bëri pothuajse të njëjtin gabim duke zbuluar se fjalëkalimi i telefonit të tij ishte ‘111111’ pasi e shkroi atë gjatë një seance të Kongresit.

Por, kongresisti republikan nuk është politikani i vetëm që është kapur nga kamerat duke shkruar fjalëkalime të ndjeshme.

Në muajin mars, një video u shpërfaq në Twitter që shfaqte Hashim Thaçin, presidentin e Kosovës, duke u kyçur në kompjuterin e tij me një fjalëkalim shumë, shumë të thjeshtë.

Fjalëkalimi mbetet një e keqe e domosdoshme edhe përkundër parashikimeve se po shkojmë drejt një të ardhmeje pa fjalëkalime.

Fehmi Shaqiri dekorohet me titullin “Mjeshtër i Merituar”

Me titullin “Mjeshtër i Merituar” është dekoruar sot Fehmi Shaqiri, duke u vlerësuar për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtar, shkruan KultPlus.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes llogarisë së tij sociale Facebook ka njoftuar për këtë gjë, ku është shprehur se Shaqiri i ka dhënë shumë kulturës sonë.

“Me çmimin “Mjeshtër i Merituar”, sot e dekorova Fehmi Shaqirin, i cili me dekada të tëra ka kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Ai i ka dhënë shumë kulturës sonë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në diasporën shqiptare. Familja Shaqiri në vazhdimësi ishte e angazhuar për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com

Zyra e Presidentit porositë 1 mijë medalje të reja presidenciale, tenderi kushton 170 mijë euro

Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e kemi parë shpesh gjatë pjesës së parë të mandatit duke shpërndarë medalje presidenciale për një numër të madh personalitetesh nga të gjitha fushat.

Duket se kështu do të jetë edhe në pjesën e mbetur të mandatit, shkruan Buletini Ekonomik.

Pritet që edhe një numër i madh i medaljeve të shpërndahen nga presidenti deri në fund të mandatit.

Zyra e Presidentit tashmë ka porositur plot 1 mijë medalje të reja presidenciale, në tenderin që ka kushtuar 170 mijë euro.

“Gan Dizajn”, është kompania që do ta bëjë furnizimin me medalje për Zyrën e Presidentit.

Kontrata është për një periudhë 3 vjeçare, deri kur edhe do t’i përfundojë mandati presidentit aktual.

“Sasia e planifikuar për tri (3) vite është një mijë (1.000) copë medalje, vlera totale në mjete monetare është 170,000. 00 euro”, thuhet në tender.

Ndryshe, Presidenti Thaçi, që nga betimi tre vjet më parë, ka ndarë gati 700 dekorata.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen presidenciale, e përditësuar në fund të vitit 2018, Thaçi ka ndarë hiç më pak se 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra e mirënjohje.

Ndarja e dekoratave, nga Thaçi ka vazhduar edhe në muajt e vitit 2019, ku nuk përjashtohen edhe këngëtarë, gazetarë, emisione televizive e kreatorë të modës. / KultPlus.com

Thaçi dekoron Naim Gjoshin dhe Xhevdet Gashin me çmimin “Mjeshtër i Merituar”

Janë dekoruar me çmimin “Mjeshtër i Merituar” kompozitorët e mirënjohur të këngës shqipe: Naim Gjoshi dhe Xhevdet Gashi. Kjo dekoratë është dhënë nga  presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Thaҫi përmes një postimi në facebook, ku ka shkruar se ky dekorim ka ardhur si rezultat i kontributit të tyre në kultivimin e këngës shqipe./KultPlus.com

Thaçi dekoron Loris Castriota Skanderbegun, Reto Nausenin dhe Gjon Berishën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot i ka dekoruar në ceremoni të ndara Loris Castriota Skanderbegun, Reto Nausen dhe Gjon Berishën me Medaljen e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar ata për kontributin e dhënë në promovimin e Kosovës dhe për angazhimin e tyre për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e vlerave shqipe.

Pasardhësin e familjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Loris Castriota Skanderbegun, presidenti Thaçi e ka falënderuar për mishërimin me vlerat, traditat, historinë shqiptare dhe angazhimin e tij për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e këtyre vlerave.

Kurse, politikanit zviceran Reto Nausen i ka shprehur mirënjohje për kontributin në promovimin e Kosovës në Zvicër dhe për përkrahjen e dhënë për komunitetin kosovar atje.

Ndërkaq, veprimtarin Gjon Berisha e ka falënderuar për përkrahjen e përhershme në diasporë për të gjithë shqiptarët, nga të gjitha trojet shqiptare, para dhe pas luftës.

Të dekoruarit e kanë falënderuar presidentin Thaçi për vlerësimin e aktiviteteve të tyre dhe për nderimin që po i bënë Republika e Kosovës./ KultPlus.com

Kraja: Si Edi Rama, si Thaçi, vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes

Mehmet Kraja

Ideja serbe për ndarjen e Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Është paradoksale, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme.

1.
Kohëve të fundit ndarja e Kosovës mori kuptimin e gjedhes politike, si zgjidhje-model e një konflikti të ngrirë, por me një potencial të fshehtë për të frikësuar kosovarët dhe për t’ua kthyer atyre idenë e humbjes pa alternativë. Ndarja u promovua edhe si ide, gjithashtu e fshehtë, e nënshtrimit të popullit kundrejt zotave të politikës, të cilët, duke qenë se janë të pajisur me fuqinë e ndarjes, pra edhe të zhbërjes, del se kanë në dorë potencialin e madh të shkatërrimit. Ndaj tyre populli duhet të rrijë kokulur. Idetë e këtilla në politikë përdoren për të sunduar, nuk përdoren për të zgjidhur ndonjë problem.
Ideja e ndarjes së Kosovës është ide serbe, nuk është shqiptare, as ndërkombëtare. Ajo u shfaq në vitet ’80 të shekullit XX në Serbi, si ide “post-memorandum”, për të gjetur alternativat e zbatimit praktik të manifestit antishqiptar të Akademisë Serbe. Në opinion u bë publik për herë të parë nga Vasa Çubriloviqi, i cili, pasi u dekorua nga Sinan Hasani, kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë, në një intervistë në medie doli me idenë e ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, si zgjidhje e vetme e problemit serb dhe shqiptar në Ballkan. Po pse i duhej Serbisë ndarja e Kosovës? Sepse, pas demonstratave të vitit 1981, demografët serbë të shkollës së Cvijiqit bënë një llogaritje: me Kosovën brenda Serbisë, siç propagandohej atëbotë, në gjysmën e dytë të shekullit XXI Serbia do të kishte mbi 50% të popullsisë me origjinë shqiptare. Kjo ishte perspektivë e zymtë e Serbisë. Prandaj Çubriloviqi, përmes ndarjes së Kosovës, kërkoi “vijë të qartë ndarëse” me shqiptarët.
Më vonë, gjatë viteve ’90, idenë e ndarjes së Kosovës e përfaqësoi dhe e zhvilloi Dobrica Qosiqi. Në opinionin serb kjo ide u promovua edhe si zgjidhje pragmatike e problemit të Kosovës dhe e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Të gjithë politikanët e rëndësishëm të Serbisë të fundit të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, qofshin të majtë ose të djathtë, qofshin radikalë ose të moderuar, që nga Milosheviqi e Stamboliqi, përfshirë Koshtunicën, Sheshelin e Xhinxhiqin, e deri te Daçiqi, Nikoliqi e Vuçiqi, në punë të politikave nacionale të Serbisë, të çështjes së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe janë nxënës të dobët të Çubriloviqit dhe të Qosiqit.
Më anë tjetër, pavarësisht se ngjan si spekulim, mënyra si u zbatua spastrimi etnik në Kosovë, si u bënë shkatërrimet dhe dëmtimet pasurore, si u vendos dhe si u sollën trupat franceze të KFOR-it në zonën e Mitrovicës, përfshirë edhe sjelljet e UÇK-së dhe të faktorit politik shqiptar në muajt dhe vitet e para të pasluftës, duket se ideja e ndarjes së Kosovës nga një opsion i Serbisë, kishte kaluar edhe në mendjet politike ndërkombëtare dhe shqiptare.
Tanimë është e ditur se idenë serbe të ndarjes së Kosovës, sipas modelit të Qosiqit, në opinionin shqiptar e promovoi Rexhep Qosja. Ai e artikuloi qartë këtë ide, me atributin “këmbim territoresh”, duke e shndërruar në agjendë politike edhe fantazmën e frikshme të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX: të ashtuquajturën “zhvendosje humane të popullsisë”. Pavarësisht se Qosja nuk foli për ndarje të thjeshtë të Kosovës, por për këmbim territoresh, ky ishte shërbimi më i keq që një intelektual dhe shkrimtar mund t’i bëjë politikës. Me emrin e tij mund të lidhet edhe implikimi i Shqipërisë në këtë çështje, sepse, duke qenë i afërt me proveniencën e majtë dhe duke shërbyer si këshilltar i pashpallur i socialistëve, ideja e Qosjes “u kap në ajër” dhe u kthye në agjendë politike të Edi Ramës. Nuk është fshehtësi se Rama, në skenë dhe në prapaskenë është duke i ndihmuar Vuçiqit për ta promovuar në qarqet ndërkombëtare idenë e ndarjes së Kosovës. Marrë realisht, Edi Rama nuk ka ndonjë llogari të hapur me Kosovën dhe as që mund ta përdor atë për efekt elektoral, vetëm se, duke vazhduar një traditë të angazhimit subversiv të një pjese të faktorit politik të Shqipërisë në dëm të Kosovës, bën akrobacione të këtilla për t’u faktorizuar nëpër kancelaritë e shteteve evropiane, ndërsa shtetin e vet e ka copë-copë nga kontrabanda e drogës, kriminaliteti dhe korrupsioni. Ndërkohë, Hashim Thaçi, ekscentrik dhe plebè në politikë, nuk ka asnjë ide të qartë, por, i tronditur nga reputacioni i rënë brenda dhe jashtë vendit, paraqitet i gatshëm të shkaktojë tronditje përmasash të mëdha, me qëllim të rikthimit dhe të rikuperimit në skenën politike. Që të dy, si Edi Rama si Hashim Thaçi, në punë kombëtare dhe të çështjes së Kosovës vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes.
Ndërkohë, ideja e ndarjes së Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe të lidhur me shtrirje territoriale. Sepse Rama, Thaçi dhe Vuçiq janë politikanë tipikë “postmodernistë”, diktatorë të vegjël të tipit të Erdoganit, të cilët kanë një kredo të përbashkët politike: manipulimin e pashembullt të opinionit.
Është paradoksale, e shëmtuar, zjarrvënëse dhe shkatërrimtare, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme. Nuk shtrohet më problemi se çfarë synimesh kanë këta eksponentë të politikës shqiptare, por thjeshtë duhet pyetur se ç’vende të çmendura janë këto, me parlamente, me qeveri dhe akademi (!), që iu japin mandat njerëzve të këtillë, për të folur për çështje madhore në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

2.
Po pse implikohet Shqipëria në këtë zhvillim politik, i cili ekskluzivisht do të duhej t’i takonte vetëm Kosovës? Dhe përse, pikërisht në këtë rrethanë, në Shqipëri shfaqen zëra që duan t’ia mbajnë krahun Serbisë, së paku duke ua bërë të ditur për të satën herë si serbëve ashtu edhe shqiptarëve (edhe kosovarëve, natyrisht) se Shqipëria është faktori relevant që i përcakton marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe se Kosova është vetëm një episod i errët dhe i parëndësishëm i këtyre marrëdhënieve…?
Politikanë dhe analistë të Shqipërisë dinë t’i bëjnë vërejtje të shumta Edi Ramës në punët e udhëheqjes së shtetit dhe për punë të tjera politike, por nuk kam lexuar gjëkundi t’i ketë thënë dikush që të mos i bëjë çorap punët e Kosovës, siç i ka bërë ato të Shqipërisë. Më anë tjetër, nuk mund të gjendet ndonjë rast, që dikush nga Kosova ta ketë thënë publikisht qoftë edhe një fjalë të vetme për punët e detit, pra të ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pse, kosovarët nuk qenkan rritur akoma për punë kaq të holla politike, apo nuk paskan aq ndjeshmëri, sa ta thonë fjalën e tyre për ndonjë çështje të rëndësishme të Shqipërisë? Kanë ndjeshmëri, gjithsesi, madje për habi të Shqipërisë, mund të kenë edhe dije, por te kosovarët është ngulitur bindja se Shqipëria i bën vetë punët e saj. Nëse Shqipëria ka vendosur t’i falë një copë det Greqisë dhe Mero Baze, ta zëmë, nuk e zë në gojë gjenocidin dhe masakrat greke në fshatrat e Tepelenës, ç’punë kam unë të shkoj në Athinë dhe t’u thonë grekëve se ne kosovarët ua kemi falur apo nuk ua kemi falur për punët e shëmtuara që keni bërë? Ndërkohë, analistë nga Tirana (ndonjëri prej tyre me mendje të kthjellët, ndërsa ndonjë tjetër i tillë që Shqipërinë e percepton deri në Kamëz dhe asnjë pëllëmbë më këndej), tani që Serbia i ka punët pisk me Kosovën për shkak të integrimeve dhe për shkak të marrëdhënieve të këqija me shumicën e fqinjëve, ngarendin në Beograd dhe, pasi hedhin në etër broçkulla politike dhe “gjenetike”, të lumtur që kanë arritur ta provokojnë opinionin e Kosovës, kthehen në Tiranë si triumfues të një kauze të dhjerë.
Në të vërtetë, të njëjtën gjë, përpara shqiptarëve të Shqipërisë deri në Beograd ia kanë therrë dhe vazhdojnë t’ia therrin vrapit vetë kosovarët, sekush për nostalgji, sekush për lojalitet ndaj Serbisë, sekush tjetër për ta verifikuar patriotizmin e zvjerdhur e sekush për të përfituar nga fondacionet europiane, por që të gjithë me agjendë të qartë politike: t’i ndihmojnë Serbisë më shumë se vetes së tyre. Opinionit në Kosovë nuk i bëhet vonë pse disa “bastardë kosovarë” ngarendin orë e çast në Beograd, herë legalisht herë ilegalisht, teksa ndihen shumë të lënduar, kur të njëjtën gjë e bëjnë shqiptarët e Shqipërisë. Duket se kosovarët nuk zmbrapsen nga marrëzia e kryehershme, se “kalamajve” të Kosovës nuk ua vë veshin njeri, kurse me Shqipërinë puna qëndron më ndryshe. Edhe pse zhgënjimet kanë qenë të vazhdueshme, shpesh tragjike dhe me pasoja largvajtëse, Kosova nuk heq dorë nga ky inferioritet i shëmtuar dhe nga ky shfajësim historik. Është një paradoks i çuditshëm që kosovarët kanë kërkuar ndonjëherë nga Shqipëria të bëjë për Kosovën atë që ata vetë nuk e kanë bërë për veten e tyre. Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë, disa syresh, janë kujdesur në vazhdimësi të bëjnë deklarata lënduese për kosovarët, duke kompensuar kështu mungesën e potencialit real as për gjë më të mirë, as për gjë më të keqe për Kosovën.

3.
Në parantezë: Te kosovarët tashmë ekziston një përvojë dhe një kujtesë historike negative, se në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë shpesh herë ka hyrë në mes Serbia dhe se ajo, në raste të këtilla, gjithnjë ka dalë e fituar. Ja një sërë ngjarjesh, që ende rrinë “shtrembër” në raportet e Kosovës me Shqipërinë: Më 1921, në parlamentin e parë shqiptar bëhet një diskutim jashtëzakonisht përmbajtësor për Kosovën, por një vit më vonë Shqipëria dhe Jugosllavia e njohin njëra-tjetrën. Më 1923 ushtria shqiptare hyn në Zonën Neutrale të Junikut dhe e bën të paqenë atë, duke i dhënë goditje të pariparueshme lëvizjes kaçake në Kosovë. Më 1924 Noli vjen në pushtet i ndihmuar edhe nga Partia Përparimtare e Hoxhë Kadrisë, por pas tri ditësh urdhëron shpërbërjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Me ndihmën e Kryezinjve kosovarë Ahmet Zogu vë lidhje me Pashiqin dhe kthehet në pushtet në dhjetor të vitit 1924, por më pas vret një pas një dy liderët më të mëdhenj të Kosovës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. Komunistët kosovarë, që nga Ali Kelmendi e deri tek i fundit, ndihmuan komunistët e Shqipërisë të bënin partinë dhe t’i vendosnin lidhjet me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe me Kominternin, por si shpërblesë morën Rezolutën e Bujanit, në të cilën garanci e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte edhe Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Vetëm se kjo ushtri nuk shkrepi asnjë plumb për ta realizuar këtë garanci. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia i shkatërroi grupet nacionaliste dhe antikomuniste kosovare me ndihmën e Shqipërisë, ndër të tjera, edhe duke marrë informacione përmes spiunëve grekë, me të cilët mbante lidhje Koçi Xoxe. Më vonë, gjatë sundimit komunist, disa nga grupet ilegale në Kosovë u dekonspiruan nga zyrtarët e Shqipërisë dhe më pas u dënuan me shumë vite burg, ndërsa pas vitit 1990 kosovarët u përdorën në Shqiëpri herë për të mbrojtur komunizmin e pashpresë, për ta marrë pushtetin me dhunë nga socialistët më 1997, ose për të rikthyer Berishën në pushtet më 1998 etj.
Pikërisht në këtë periudhë, gjatë viteve ’90, episodin më të shëmtuar do të përbëjë sjellja e pahijshme dhe lënduese e Shqipërisë institucionale dhe joinstitucionale në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Kur shpërthyen luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, qindra shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë u gjenden në portin e Durrësit, nëpër rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pa strehë dhe pa asnjë përkujdesje. Më pas, kur shpërtheu ofensiva kroate kundër Krajinës së rebeluar dhe ndodhi ikja e rrëmujshme serbe nga ajo hapësirë, disa emra të shquar të jetës publike të Tiranës ofruan shtëpitë e tyre për refugjatët serbë, ndonëse e dinin fare mirë se po këta refugjatë tashmë përdoreshin nga shteti i Serbisë për të rikolonizuar Kosovën. Po në këtë periudhë, kur dhuna serbe në Kosovë kishte marrë përmasat e gjenocidit dhe kishte filluar izolimi ndërkombëtar i Serbisë, pothuajse e tërë kryesia e Aleancës Demokratike, e përbërë nga intelektualë të shquar, ngarendën në Beograd gjoja për vizitë kurtuazie, ndërsa u takuan fshehtas me Milosheviqin. Më 1995-96, kur skemat piramidale kërcënonin me përmbysje të mëdha, ish-presidenti Berisha nxiti Demaçin kundër Rugovës dhe desh ta përdorte çështjen e Kosovës për të shpëtuar pushtetin e vet. Dhe, ndoshta, pika më zhgënjyese e këtyre raporteve nuk ishte takimi kokë më kokë i Nanos me Milosheviqin në Kretë më 1997, në vigjilje të luftës në Kosovë, por deklarata e kryeministrit të Shqipërisë në një forum të madh ndërkombëtar, në Lisbonë më 1998, se “Kosova duhet të ketë për kryeqytet Beogradin”, në kohën kur në Kosovë kishte filluar tashmë lufta e vërtetë. Mbyllje e parantezës.

4.
Si zakonisht, dua të bëj një përfundim kulturor: Në Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit janë botuar shumë autorë nga letërsitë e sllavëve të jugut, nga letërsia serbe, malazeze, boshnjake etj. Disa nga këto botime i kam në bibliotekën time, që kryesisht m’i kanë falur botuesit, si Andriqin, Paviqin, Tomasheviqin, Selimoviqin, Nikolajdisin, Hoxhiqin etj. shumica të përkthyer keq, madje edhe me tituj të gabuar, në disa raste duke u shërbyer me përkthimet e Kosovës. Askush nuk i lexon këta libra në Shqipëri, sepse përkthimi dhe gjuha e tyre është një tmerr (respekt për ndonjë përjashtim). Po, përse pra, askush në Shqipëri nuk e thotë se këta libra nuk i boton njeri për efekt leximi, as për efekt letrar e kulturor, por vetëm për efekte politike? Dhe përse për letërsinë e Kosovës, për gjuhën e saj, është bërë aq shumë zhurmë dhe botimi i saj në Shqipëri konsiderohet gati “mision i pamundur”? Atëherë, si ndodhë që këta autorë serbë, malazezë etj. i gjen me shumicë nëpër libraritë dhe panairet e Tiranës, ndërsa tek asnjë botues i Shqipërisë nuk e gjen dot Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Esad Mekulin? Nuk bëhet fjalë për vlera letrare, assesi, as për kërkesa të lexuesit, por thjeshtë për ta refuzuar Kosovën me krejt gjedhen e saj kulturore.
Pse, pra, e gjithë kjo, pikërisht pse?

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express). /KultPlus.com

Thaçi takohet me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Dacin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka takuar kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Dacin, shkruan KultPlus.

Thaçi ka thënë se në kuadër të këtij takimi ka biseduar me Dacin lidhurme zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Kryeakademikun Daci e informova për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i përbashkët se në këtë proces të gjithë duhet të marrim përgjegjësi : institucionet, partitë politike parlamentare, opozita, shoqëria civile, Akademia etj. Vetëm të bashkuar mund t’i realizojmë objektivat tona: njohjen reciproke Kosovë Serbi, ulësen në OKB si dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare. Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet, në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com

Thaçi: Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje, shkruan KultPlus.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi këtë lajm e ka cilësuar si të dhimbshëm ndërsa Lumin si një njeri që në vazhdimësi ka kontribuar në fushën e artit.

“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e parakohshme të mikut tim, Bekim Lumi. Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, shkruhet në postimin e presidentit Thaçi.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com

Thaçi: Baca Adem, simboli ynë i rezistencës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e Adem Demaçin, i cili ndërroi jetë sot, shkruan KultPlus.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! HTH”, ka shkruar presidenti Thaçi në facebook. /KultPlus.com

Era Istrefi: Jam falënderuese për përkrahjen e Kosovës, vendit ku jam lindë e rritë

Këngëtarja kosovare tashmë me famë botërore, Era Istrefi ka marr sot dekoratë presidenciale nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, shkruan KultPlus.

Gjatë këtij takimi ata shkëmbyen dhurata me njëri tjetrin. Përveç presidentit ishte edhe Era ajo e cila i dhuroj atij një topin 2018 të WorldCup nënshkruar nga vetë këngëtarja, Will Smith, Nicky Jam dhe Ronaldinho.

“Kemi shkëmbyer dhurata sot me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai më dha medaljen e artë dhe unë i dhashë topin 2018 të WorldCup nënshkruar nga unë, Will Smith, Nicky Jam dhe Ronaldinho. Jom shume falenderuse per perkrahjen e Kosovës/vendit te cilit jom lindë e rritë”, ka shkruar Era në instagram.

Ndërsa presidenti Thaçi është shprehur krenar për prezantimin e Era Istrefit në Kampionatin Botëror.

“Në çdo vend të botës është dëgjuar zëri i artistes sonë, Era Istrefi. Rrënjët e suksesit të saj global janë në Kosovë, të cilën e prezantoi denjësisht edhe në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi. Ajo po e përfaqëson identitetin e Kosovës në botë. Për kontributin e saj në promovimin e Kosovës, sot e dekorova me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social facebook.

Era Istrefi është nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. / KultPlus.com

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë”

Dritëro Agolli ishte një poet e shkrimtar i madh që shpesh në veprimtarinë e tij artistike e politike ka prekur edhe çështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit”, thoshte Agolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në datëlindjen e 85-të të shkrimtarit Agolli, i ka dorëzuar atij dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç e quante Agolli Kosovën./ KultPlus.com

Protesta në Vjenë kundër librit të Thaçit: Skandal që terroristi të promovohet këtu

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi siç duket nuk është pritur edhe aq mirë në vizitën e tij në qytetin austriak të Vjenës. Ai u brohorit me parulla dhe u quajt terroristë në ditën e promovimit të librit biografik “New State, Modern Statesman”, të shkruar nga dy gazetarët britanik Roger Boyes dhe Suzy Jagger.

Gazeta austriake “Unsere Zeitung”, ka shkruar sot një artikull me titull “Protestë kundër presidentit kosovarë Hashim Thaçi në Vjenë”, përcjell Insajderi.

Në Akademinë Diplomatike të Vjenës ku presidenti Thaçi promovoi librin e tij, ai u kritikua me disa parulla në duar nga David Stockinger, anëtar i bordit, “Iniciativa për një Austri të Lirë”, së bashku me disa aktivistë tjerë.
Në parulla të tyre ishte fytyra e Tony Blair dhe Hashim Thaçi me mbi shkrimin se NATO ka financuar një organizatë terroriste, duke ju referuar UÇK-së.

Stockinger gjatë marrjes së fjalës kishte thënë sesi Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë mund të bëjë këtë skandal duke e lejuar një ngjarje të tillë, propagandistike.

“Më të vërtetë kjo është një skandal që një institucion si Ministria e Jashtme austriake ka lejuar një ngjarje të tillë, propagandistike. Këtu është një ish-terroristë, i cili dyshohet për një numër veprash kriminale” kishte thënë Stockinger.

Tutje ai ka shtuar se UÇK-ja ishte mjet i NATO-së për të destabilizuar vendin, përcjell Insajderi.
Fotografia e presidentit Thaçi dhe Tony Blair u mbajt deri në përfundim të fjalimit të Stocikinger. Ndërsa pas aksionit, protestuesit dolën nga salla. Insajderi.com

Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës erdhi i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e identitetin e këtij shtetit. Të gjitha këto gjurmë erdhën të përmbledhura në një ekspozitë të vetme e tejet të pasur që është titulluar “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Bashkautorët e kësaj ekspozite Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, përmes saj sollën para publikut rreth 500 fotografi, të cilat paraqitnin imazhin e Rugovës mes buzëqeshjes e situatave serioze e poashtu edhe mes takimeve me përfaqësuesit më të njohur ndërkombëtar. Një pjesë e fotografive e tregonin Presidentin pranë njerëzve të tij të afërt, mes fushatave, pranë popullit e në përqafim të fëmijëve.

Kjo ekspozitë numëronte mbi 70 eksponate të ndryshme të Presidentit Rugova, të cilat përmbanin motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia. Mes dokumentesh, kishte dhe gazeta të cilat pasqyronin kontributin historik të Rugovës.

Dinamika e jetës e kontributi i pazëvendësueshëm i Rugovës, erdhi sot në Muzeun e Kosovës, i cili hapi dyert për një numër të madh vizitorësh, një pjesë e madhe e të cilëve i takonin Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çmimet e ndryshme, mirënjohjet e Presidentit Historik, busti i tij, plisi që e kishte vënë në kokë e deri tek kostumi personal me të cilin Rugova prezantohej gjatë vizitave me personalitete vendore e të huaj.


Në njërën dhomë të ekspozitës ishte vendosur zyra e Presidentit Historik, e krejt në fund të ekspozites qëndronin pamjet e ceremonisë mortore, aty ishte i palosur edhe flamuri dardan me të cilin edhe iu dha lamtumira e fundit Rugovës. Në gjithë këto gjëra binte fort në sy Vula e Presidentit Historik, që aq sa është e gdhendur në memorien e të gjithëve e vendosur në çdo hapësirë dukej sikur e bënte më të dukshme frymën Rugoviane.


Pas hapjes së ekspozitës, Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, ishin udhërrëfyesit e Presidentit Thaçi, e familjes Rugova. Fana Rugova mes emocionesh shprehte falënderimin ndaj Krasniqit e Rracit për këtë përmbledhje të ekspozitës.

Para se të hapej ekspozita, Presidenti Thaçi kishte pritur Familjen Rugova, të cilëve u kishte dhuruan medaljen presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova. Thaçi tha se ndihet i nderuar që sot erdhi në hapjen e kësaj ekspozite, në shënimin e kësaj dite simbolike që njihet si Dita e Presidentit.

“Jam i nderuar që sot jam në mesin tuaj me hapjen e kësaj ekspozite me rastin e shënimit të kësaj dite simbolike, dita e Presidentit. Para se të vij këtu kisha nderin dhe kënaqësinë të ndaj çmimin për Presidentin Historik, Çmimin për Liri dhe Pavarësi, që ndahet për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra çmimin e meritave”, u shpreh fillimisht Thaçi.

Ai tutje u shpreh se kushdo që e viziton këtë ekspozitë do të ketë mundësi të bëj një kthim në kohë në vitet e rënda e tragjike të këtij vendi, e të cilat pashmangshëm lidhen me emrin e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

“Lëvizja për Pavarësi e Kosovë si në dimension politik edhe në atë ushtarak i bënin bashkë politikanët, intelektualët, ushtarakët, gra dhe burra, pleq dhe të rinj me një qëllim të vetëm. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm gjeneratë pas gjenerate se kjo u fituar me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe, ku rol të pazëvendësueshëm ka Presidenti Ibrahim Rugova”, u shpreh tutje Thaçi, duke shtuar se UÇK ishte lëvizja më e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore, e që kombinimi i këtyre dy komponentëve rezultoi me unitetin qytetar e përkrahje masive të ndërkombëtarëve për Pavarësinë e Kosovës.

Njeri komunikativ, të dialogut, të negociatave, njeri të durimit e pajtimit, si njeri të vizionit, e cilësoi sot Thaçi, Ibrahim Rugovën.

Pas tij fjalën e mori ish- Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i cili tha se këto fotografi flasin më shumë se çdo fjalë që mund ta thotë ai. Më pas ai theksoi kombinimin e tre faktove meritor për shtetin e Kosovës.

“Kjo rezistencë paqësore që është bërë për dhjetë vite e që e ka udhëhequr Ibrahim Rugova e ne kemi qenë vetëm “hyzmeqarë”, nuk po e them me një modesti të rrejshme por ashtu qëndron puna. Kjo rezistencë e ka përgatit “shtratin” për Pavarësinë e Kosovës, po ashtu patëm edhe komponente e rezistencë të shqiptarëve dhe e treta është se duke e pasur sponsorin e fortë, SHBA-në arritëm që shteti i Serbisë të largohet nga këtu”, u shpreh Bukoshi.

Në mesin e shumë politikanëve, e vizitorëve që po e ndiqnin nga afër ekspozitën ishte dhe historiani Gani Mehemetaj, i cili tha se kjo ekspozitë paraqet një organizim shumë të mirë dhe mënyra e organizimit të fotografive është mjaft reprezentative.

“Kjo është një biografi jo vetëm e Presidentit Rugova por e ngjarjeve dhe viteve të 90’ta që prezanton zhvillimet politike të asaj kohe. Unë i pash me shumë interesim dhe pjesa e dyzetë viteve është prezantuar këtu. Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh që e kemi pasur ndonjëherë dhe mënyra se si është prezantuar është reprezentative dhe e paraqitur mirë”, u shpreh Mehmetaj për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri në muajin shtator, duke i dhënë mundësinë edhe qytetarëve të diasporës që të vijnë dhe ta shohin atë nga afër në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com

LDK kërkon hetime se si u financua libri për Hashim Thaçin

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti sot gjatë konferencës së rregullt javore të Grupit është deklaruar lidhur me raportimet shqetësuese në media për shuma të mëdha parash publike të shpenzuara për gjoja lobime.

“Janë shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për interesa personale, letra e GeoffreyNice drejtuar qeverisë tregon qartë për terma financiar të dakorduar jashtë rrugëve formale si dhe përmend shërbimet që ja kryer përfshirë edhe aranzhimin e ligjëratave për z. Thaçi dhe z. Hoxhaj. Letra gjithashtu përmend edhe kërkesën e z. Thaçi për të ndihmuar autorët e biografisë së tij”, tha z. Hoti
Me këtë rast z. Hoti bëri të ditur se për këtë çështje duhet të ketë hetim të plotë të ligjshmërisë së shpenzimeve dhe kjo do të bëhet përmes komisionit hetimor parlamentar.

Thaçi: Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar

Në tavolinën e punës kam hiq më pak se 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propozuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë.
Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar. Të tjerat do t’i shqyrtoj në ditët dhe javët në vijim.
Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar.
E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht.
Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim.
Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht. HTH./KultPlus.com

Letër presidentit Thaçi: Mbi dekoratat presidenciale dhe të merituarit që mungojnë

I dashur President, z. Hashim Thaçi

I vetëdijshëm për mundësitë e mëdha që kjo letër të mos arrijë fare te Shkëlqesia Juaj, që në fillim dua t’i sqaroj dy gjëra, për të cilat mund të kritikohem potencialisht: 1. Si qytetar i Kosovës dua të besoj që listën e të dekoruarve nuk e keni hartuar vetë, pasi në një rast të tillë do të isha edhe më i shqetësuar seç jam tash, sepse nuk besoj se Ju e keni kohën e mjaftueshme për t’u marrë me përpilime listash. E së këndejmi, jam i prirë të besoj se listën e ka(në) përpiluar një (a disa) këshilltar(ë); 2. Nuk e kam hallin tim, edhe pse në atë listën e gazetarëve e shoh veten goxha lart, për plot arsye.

I nderuar z. President i Republikës së Kosovës

Tani, unë do të merrem me listën e gazetarëve dhe të njerëzve të kulturës që Ju keni harruar t’i dekoroni në jubileun e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që nuk është imja më pak seç është Juaja. Duke mos dashur ta kontestoj asnjë nga emrat që janë dekoruar, pasi konsideroj se secili në mënyrën e tij ka dhënë një kontribut, qoftë edhe duke vozitur veturat me gazetarë, apo duke përkthyer për gazetarë të huaj, dua t’jua bëj me dije lëshimet e rënda që ka kjo listë. Nëse flitet për gazetarë të Kosovës apo që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj, z. President, e kam të vështirë ta kuptoj mungesën e Enver Malokut. Këshilltari a këshilltarët Tuaj mund të mos e kenë ditur se Enver Maloku ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, një institucion burim informacionesh që çuditërisht mungon në listën e institucioneve mediale të dekoruara. Enver Maloku ka pasë nxjerrë një gazetë të përditshme të mbrëmjes me emrin “Informatori” deri në ditën kur u vra. Enver Maloku u vra si gazetar dhe për shkak të punës së tij. Nuk e keni dekoruar Xhemail Mustafën, i cili më shumë sesa gazetar ka qenë pjesë e politikës, por i ngarkuar me sektorin e informimit. Nuk e keni dekoruar Ibrahim Berishën, si themelues i QIK-ut, Lindita Tahiri –Aliun, Muhamet Hamitin, Hilmi Zogianin e Safet Zejnullahun, nuk e keni dekoruar Bexhet Shalën e Halit Baranin, e dhjetëra aktivistë komunalë që kanë informuar përditë, por edhe i kanë ndihmuar gazetarët e huaj, ndoshta jo duke përkthyer, por duke u ofruar shërbime të tjera logjistike.

I nderuar z. President, roli i radiostacioneve ndërkombëtare që transmetonin në gjuhën shqipe, në situatën e një terri të plotë informativ ka qenë i jashtëzakonshëm. Por, për çudi, në mesin e emrave të të dekoruarve mungon gjiganti i gazetarisë, Elez Biberaj, asokohe shef i seksionit shqip të “Zëri i Amerikës” (i dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit në Shqipëri), Adelaide Falke, shefe e radios gjermne “Deutsche Ëelle”. Pastaj, si mund të flitet për gazetarë në Kosovë e të mungojë Besim Abazi, gazetar i BBC-së e pastaj i Zërit të Amerikës. Si mund të harrohet Arbër Vallahiu, asokohe gazetar i Radiotelevizionit të Suedisë, pastaj i Deutsche Ëelle e më pas edhe i BBC-së. Nuk ka guxuar të harrohen as Shefki Morina, e as Ibrahim Osmani. Si u harrua Bahri Cani? E qysh dikush mundet me e harru si gazetar Shaban Buzën. Pastaj, nëse flasim për reporterë të luftës, me ç’rat, me të drejtë keni dekoruar disa prej tyre, si Ju ka shpëtuar emri i Milaim Zekës.

Tash e disa herë po i lexoj listat duke mos besuar që në to nuk është Muhamet Mavraj. Për dijeninë e këshilltarëve Tuaj, Muhamet Mavraj ka qenë kryeredaktor i gazetës Bota e re, pastaj pjesëmarrës i luftës e pas luftës nuk ka pasur asnjë pozitë politike, por ka vazhduar të merret me gazetari, duke e themeluar e mbajtur gazetën Epoka e re, ku janë shkolluar shumë gazetarë të rinj të Kosovës e sidomos studentë të gazetarisë.

I nderuar President, Ju keni harruar fare që gjatë luftës ka ekzistuar “Bota Sot” dhe njerëzit e saj. Kontributi i Milazim Krasniqit, Melazim Kocit e Teki Dërvishit nuk ka guxuar të anashkalohet – Milazim Krasniqi edhe është arrestuar disa herë gjatë viteve 1997 e 1998. I keni dekoruar disa redaktorë të “Zëri”-t, por e keni harruar Haqif Mulliqin, që ka qenë reporter lufte dhe Mufail Limanin, një gazetar e kolumnist konsistent dhe i guximshëm. Më kuptoni drejt, nuk i di prapaskenat politike eventuale – po flas si gazetar i asaj kohe dhe njohës i shkëlqyeshëm i asaj periudhe për të cilën Ju pretendoni t’i keni dekoruar laureatët që unë i përgëzoj për mirënjohjen e marrë. Mirëpo, ndërsa që është dekoruar një dyzinë gazetarësh të mirë të Koha ditore, si u harrua Arbana Vidishiqi, e cila përveç punës në Koha ditore, në vitin 1999 mbajti fjalim në Parlamentin Evropian, si gazetare kosovare dhe sot, për shkak të cilësive të dëshmuara profesionale, është udhëheqëse e Seksionit të Ballkanit në Radion Evropa e lirë, që është radioja më e madhe ndërkombëtare që i dedikohet Kosovës. Ky gabim është i rëndë, z. President.

Është po kaq e çuditshme se si Ju ra emri i Avni Zogianit – ishte po aq gazetar, madje i terrenit.

Nëse e keni dekoruar Blendi Fevziun, me siguri për shkak të emisioneve e intervistave të shumta, si u ka shpëtuar nga lista Adriatik Kelmendi, po aq produktiv, madje laureat i shpërblimeve ndërkombëtare për storie nga lufta e Kosovës. Ndoshta, për me çu nderën deri në fund, Ramiz Kelmendit i ka taku një dekoratë presidenciale, si themelues i parë i shkollës së gazetarisë në Kosovë.

Pastaj, gazetarët dhe redaktorët e RTP-së të angazhuar në emisionin shqip në Radio Zagreb dhe ata në RTSH, udhëhequr nga Migjen Kelmendi. Nuk lihet jashtë Sherif Konjufca, i rrahur gati për vdekje për shkak të punës së tij, Mehmet Haziri, Shaqir Foniqi, Bexhet Baraliu, Violeta Oroshi. Pastaj, njerëzit e Rilindjes, Bujkut, Fjalës Shkëndijës që e mbajtën gjallë informimin pas masave të dhunshme. Nuk mund të lihen jashtë, pra Avni Spahiu, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha e të tjerë.
Afrim Maliqi, një ndër penat më të mprehta të gazetarisë në Kosovë është vrarë duke qenë gazetar, ndoshta edhe ushtar.

Zoti President, Lista Juaj e të dekoruarve ka plot fotoreporterë, edhe të tillë që s’kanë mundur të mbijetojnë në këtë profesion dhe tash bëjnë punë të tjera, por jo edhe Ilaz Bylykbashi. Fakti që nuk është në këtë listë nuk e bën atë më pak madhështor dhe kontribuues për Kosovën. Fotografitë e tij kanë shëtitur botën. Ai për ato fotografi e ka rrezikuar jetën.

Këshilltari yt a këshilltarët tu mund të kenë qenë të rinj dhe të mos i kenë përjetuar këto periudha, por Lista ka dalë në emër të Presidencës dhe historia e Kosovës nuk nis me asnjërin prej nesh, ndonëse pajtohem se meritat janë të dallueshme. Ata që t’i kanë përpiluar listat të kanë dëmtuar, pasi neve na mbetet hatri te Presidenti ynë e jo te këshilltarët anonimë, që veten mund ta kenë futur në listat e të dekoruarve. Nuk e kontestoj as faktin që ai a ata mund të kenë mendim të lartë për veten dhe mund të mendojnë se kanë qenë edhe gazetarë.

Duke llogaritur se nuk po e harxhoj kohën Tuaj të çmuar, më lejoni t’jua kujtoj se përveç Agim Vincës, Ismail Kadaresë, Din Mehmetit e Rexhep Qosjes, kontributi i të cilëve nuk mund të kontestohet, e keni harruar edhe Ali Podrimjen e Azem Shkrelin, e keni harruar edhe Sabri Hamitin e Rexhep Ismajlin. Kam pritur dhe ende pres që Ali Podrimja ta ketë edhe shtatoren e tij diku në Prishtinë, po nejse. “Kosova është gjaku im që nuk falet është varg i Ali Podrimjes, kjo për dijeninë e këshilltarëve tu.

Se sa joseriozë ishin ata që e përpiluan listën tregon edhe mënyra se si janë shkruar emrat. Valentina Saraçini ka dalë Valentina Saraçi, ndërsa Sylejman Kllokoqi ka dalë Sylë Kllokoqi. E, lista ka dalë në emrin Tuaj, i nderuar z. President.

Shkëlqesi

Unë nuk pajtohem sigurisht me ata që e refuzuan dekorimin nga Ju për arsye politike, por më vjen vërtet keq që të dekoruarit, me përjashtim të Muharrem Nitajt nuk u kujtuan për mungesat, por u mjaftuan me faktin se emrat e tyre janë aty.

Ndonëse zyrtarët e lartë të shtetit nuk praktikojnë të marrin këshilla nga ata që nuk kanë pozita të tilla, me lejoni t’Ju them se nderin më të madh do t’Jua kishte bërë dekorimi edhe i gazetarëve të sotëm. Ata mund të mos kenë kontribuar për çlirimin e Koosvës dhe për pavarësinë e saj ndoshta, pasi thjesht ka qenë fëmijë të shpërngulur në ndonjë nga malet e Kosovës, duke pritur me familjet që Ju t’i shpëtoni, por kontributi i tyre në luftën kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes është kontributi më i madh që mund t’i jepet shtetndërtimit të Kosovës, në krye të të cilit proces jeni vetë Ju.

Dhe, krejt në fund, ata që Jua kanë përpiluar listën e të dekoruarve Ju kanë dëmtuar, edhe pse Ju mund dhe keni të drejtë të mednoni ndryshe. E kanë bërë listën joserioze, duke u hyrë në hak edhe atyre që janë dekoruar e që nuk i kontestoj aspak. Do të duhej, prandaj, që urgjentisht të kërkonit përgjegjësi për voluntarizmin me rastin e përpilimit të listës.

Ishte jubileu i parë i shtetit tonë. Urime dhe e paçim Kosovën!

Me respekt
Rrahman Paçarizi

P.S.
U kërkoj falje atyre që nuk kam arritur t’i përmend!

Përurohet shtatorja e Idriz Seferit në Gjilan, të pranishëm Thaçi e Meta

Për nder të festës së 28 Nëntorit, në qendër të qytetit të Gjilanit është përuruar shtatorja e Idriz Seferit, përurim i cili është përcjellë nga një numër i madh i qytetarëve, shkruan KultPlus.

Në këtë përurim kanë marë pjesë figura të rëndësishme shqiptare, duke përfshirë edhe dy presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi e Ilir Meta. Përurimi i shtatores është përcjellë edhe me një program të pasur kulturor./KultPlus.com

Hashim Thaçi ka themeluar urdhërin “Shotë Galica”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, në 90 vjetorin e vdekjes së Shotë Galicës, ka themeluar urdhërin me emrin e kësaj figurë të rëndësishme shqiptare, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore për Shotë Galicën, kurse sipas vendimit të presidentit Thaçi, ky urdhër tash e tutje do tu ndahet grave dhe burrave të këtij vendi, për trimëri dhe sakrificë./ KultPlus.com

Zonja e Parë e Kosovës me kreacion të disenjatores kosovare (FOTO)

Për veshjen e Zonjës së Parë te Republikës së Kosovës, Lumnie Thaçi, e cila sot bashkë me bashkëshortin e saj presidentin Hashim Thaçi është takuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe bashkëshorten e tij Melania Trump, është përkujdesur një disenjatore kosovare, shkruan KultPlus.

Fustanin e Zonjës së Parë të Kosovës e ka punuar disenjatorja kosovare Vjollca Llapashtica. Se fustani i Lumnie Thaçit është punuar nga Llapashtica, për KultPlus e ka konfirmuar vetë kreatorja e cila shprehet të jetë e nderuar që kreacionet e saja po shihen në ngjarje kaq të rëndësishme. /KultPlus.com