MKRS në ditën përmbyllëse të Festivalit “Hasi Jehon: Vendtakim kulturor që sjell trashëgiminë e pasur folklorike

Më 3-5 maj është zhvilluar edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate ka deklaruar se festivali folklorik “Hasi Jehon” mbetet vendtakim kulturor e artistik i shoqërive të ndryshme nga trojet shqiptare, i cili sjell para publikut trashëgiminë e pasur kulturore folklorike.

Në njoftim po ashtu thuhet se MKRS çdo vit sjell program të pasur artistik kulturor.

“Meloditë muzikore tradicionale, veshjet, këngët e vallet nga të gjitha trojet shqiptare e karakterizojnë festivalin.

Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përfaqësues të shoqërive kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, nga mërgata dhe artdashës.

Kryeministri në fjalën e tij hapëse u shpreh se “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë, duke bërë kështu që ta marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti u premtoi përkrahje në mënyrë të vazhdueshme për ansamblet, projektet e veçanta, studimet, botimet e aktivitetet e ndryshme në të gjithë Kosovën, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Festivali “Hasi Jehon 2024” është përkrahur nga Ministria e Kulturës ndërsa sonte është dita përmbyllëse e tij./KultPlus.com

Në Zym të Hasit, më 3 e 4 nëntor mbahet festivali “Ditët e Rakisë”

Pavarësisht se zonë relativisht e vogël gjeografike, Hasi është i njohur për festivale të ndryshme kulturore. Një festival që do të mbahet së shpejti në fshatin Zym të Hasit është festivali “Ditët e Rakisë”, shkruan KultPlus.com

“Në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 3 e 4 nëntor 2019 mbahet Festivali kulturor e trashëgimor “DITËT E RAKISË”. Ndaj, i ftojmë të interesuarit të marrin pjesë në këtë festival.
Pjesëmarrjen duhet ta konfirmoni më së largu deri ditën e premte, më 1 nëntor 2019, në numrin e celularit +383 (0) 44 124 295″, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Kullani, elementi që ia shton bukurinë veshjes hasjane

Hasi është një krahinë mes Kosovës dhe Shqipërisë, mes Prizrenit dhe Gjakovës, dhe numëron rreth 38 fshatra vetëm brenda territorit të Kosovës.

Pavarësisht se është një krahinë me fshatra të vegjël në numër, ky vend ka një etnografi shumë të pasur dhe një veshje shumë të veçantë.

Veshjet hasjane janë shumë të njohura për nga veçantia e tyre si dhe për nga përdorimi i tyre i madh në atë trevë.

Shumëkush ka pyetur se për çfarë shërben ajo pjesë, që në gjuhën lokale quhet ‘kullan’ e që ngjishet për beli, duke e mbështjellë sa më mirë, pjesën ku bashkohen rrobat e pjesës së sipërme me ato të poshtmet.

Bartja e kullanit te gratë hasjane ishte e detyruar sepse shumica e burrave ishin në gurbet, e ato ishin edhe burra dhe gra, kurse deri në kohën e pasluftës dihet se Hasi ishte lokacion pa ujë, andaj edhe ndryshe quhej Hasi i Thatë.

Kësisoj, ajo pjesë me dru në bel, që njëkohësisht është edhe karakteristika kryesore e kësaj veshjeje, u shërbente për të bartur ujin që shpesh ishin detyruar ta bartnin nga Drini i Bardhë ose ndonjë burim i largët. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=tK0h3Vz2XtI

Dibra, Mati apo Hasi vendi i origjinës së familjes së Skënderbeut

Krahina e Çidhnës deri më sot është zona më me shumë gjurmë arkeologjike në rajonin e Dibrës që fillojnë nga periudha e bronzit të vonë dhe në vazhdimësi, me ndonjë ndërprerje të vogël, deri në periudhën osmane, shkruan Shqiptarja.

Kjo pasuri arkeologjike ka ardhur deri në ditët tona nga kujdesi që kanë treguar banorët e zonës që e kanë ruajtur dhe treguar atë brez pas brezi. Krenar për lidhjet e tyre me familjen e Kastriotëve, e sjellë më shumë nga trashëgimia gojore se sa nga burimet e shkruara, ata kanë besuar dhe shpresuar se arkeologjia do të ndihmojë për t’i dhenë fund debatit për origjinën e familjes së Skënderbeut (Dibra, Mati apo Hasi). Dhe sot çdo banor i Çidhnën është jo vetëm një udhërrëfyes për në qendrat arkeologjike të fshehura në shpellat apo kanionin e Setës, por edhe një shoqërues i mirinformuar për historinë e çdo gjetje arkeologjike.

Çidhna nuk është vetëm e mbushur me histori, por dhe me bukuri të rralla të natyrës. Kanioni i mrekullueshëm dhe ujëvarat e shumta që e shoqërojnë Setën në pjesën më të madhe të rrjedhjes së saj, pylli i ndërthur me shkëmbinjtë e thepisur dhe shpellat e shumta mund të konkurrojnë me të gjitha perlat e natyrës shqiptare. Nuk e ndesh askund në këto përmasa këtë vlerë të çmuar të banorëve të Çidhnës për të ruajtur dhe transmetuar të shkuarën e krahinës së tyre dhe për të ruajtur vlerat natyrore të saj. Por për fat keq të banorëve të krahinës, me gjithë përpjekjet që ata kanë bërë dhe bëjnë, kohët e fundit këto vlera kanë filluar të cenohen, diku nga keqbërës dhe diku nga papërgjegjësia e atyre që e kanë për detyrë t’i ruajnë këto vlera. Banorët e zonës e kanë një model të shkëlqyer të bashkëjetesës së të parëve të tyre me të tërë komponentët e natyrës, ujin, pyllin, shpellat, kanionin. Seta, me shtatë mullinjtë, një dërstilë (vajanicë) dhe kanalin vaditës të projektuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit popullor Gani Tuçepi dhe Beqir Kalija, ka qenë një burim i vërtetë ekonomik jo vetëm për banorët e fshatit, por dhe për zonën.

Në shpellat, kanionin dhe pyllin njeriu i zonës në periudha të ndryshme të historisë ka gjetur strehim në kohë të vështira. Edhe majat e maleve si dhe një shteg të ngushtë në rrugët që e lidhnin me krahinat e tjera ata e kanë shfrytëzuar për të ndërtuar kështjellat e tyre. Në këto vende njerëzit janë vendosur jo vetëm kur rreziqet i vinin nga sulmet e të huajve, por dhe në ato periudha kur natyra e egërsuar i detyronin të vendoseshin në këto vende.

Kalaja në Kepin e Qytetit, Kalaja e Skënderbeut në Qafën e Kalasë, vendbanimi në “Troje”, vendbanimet e periudhës antike të shpërndara në Çidhnën e Poshtme (Fushën e Mosdovës, Vneshtin e Kolës), varret e periudhës së antikitetit të vonë (Kodra e Krashit), apo thesari me monedha të Venedikut i gjetur tek vendi i quajtur “Pusi”, janë një pasuri e jashtëzakonshme për një sipërfaqe kaq të kufizuar. Por nuk janë vetëm këto, pranë kufijve të krahinës së Çidhnës, në Lashkizë është një tjetër kala, kurse në Borie Lurë ndodhen rrënojat e një vendbanimi të fortifikuar të periudhës mesjetare.

Zbulimet në fshatin Çidhna e Poshtme, rrëfimet e banorëve

Arkeologët, me gjithë punën e bërë, nuk kanë mundur ta thonë të plotë fjalën e tyre, sidomos për fisnikërinë arbërore të shek. XII-XV, pjesë e së cilës duhet të ketë qenë dhe familja e Kastriotëve. Shpresojmë që në të ardhmen duke forcuar më shumë bashkëpunim e filluar midis banorëve të zonës dhe arkeologëve të interesuar për këto qendra arkeologjike puna për njohjen sa më të plotë të ngrihet në nivelin që kërkon koha që dhe këto qendra të jenë edhe objekt i turizmit kulturor. Megjithëse materiali arkeologjik i përftuar deri tani, vetëm si kontribut i banorëve të fshatit Çidhën, nuk është i plot ai na ka mundësuar që të ndërtojmë pamjen që kanë pasur këto qendra në periudha të ndryshme duke filluar nga fundi i mijëvjeçarit II para Kr. dhe deri në fillimet e shek. XX, pra një histori e jetës gati 3300 vjeçare.

Periudha më e hershme i takon bronzit të vonë, një kohë kur në Ballkan fise dhe popuj të ndryshëm janë venë në lëvizje për territore të reja dhe që kurorëzohet me luftën e Trojës. Në këtë periudhë edhe në territorin e ilirëve janë vërejtur fortifikimet e para. Në Kepin e Qytetit deri tani është bërë i njohur vetëm një fragment muri i ndërtuar me blloqe të mëdhenj guri që ngjason me muret e periudhës së hekurit të zhvilluar (shek. VIII-VII). Kësaj periudhe i përkasin edhe disa objekte bronzi që e lidhin këtë zonë me kulturën ilire të Matit. Gjetje të tjera nga Kepi i Qytetit dhe në fshatin Çidhna e Poshtme tregojnë se popullsia ilire ka qenë e pranishme jo vetëm në këtë qendër të fortifikuar por dhe në vendbanime të hapura fshatare gjatë antikitetit ilir (shek. III-II para Kr.). Shek. VI dhe gjysma e parë shek VII shënon pasurinë më të madhe për trashëgiminë arkeologjike të zonës e ndjekur nga shek. XIII-XV. Çidhna e ndodhur midis Setës dhe Drinit të Zi, ka qenë një nyje e rëndësishme jo vetëm e lëvizjes së njerëzve por dhe mallrave në rrugët: Dibra e Poshtme – Lurë – Mirditë – Vig – Lezhë/Shkodër dhe Durrës – Guri Bardhë – Stelush – Kalaja e Skënderbeut – Kalaja e Lashkizës, Reç Kukës – Prizëren.

Kështjella në “Kepi i Qytetit”

Në rrugën nga Arrasi për në Çidhën udhëtari është i detyruar të kalojë në të vetmin shteg që është krijuar midis dy masive shkëmbor. Dhe aty banorët e lashtësisë kanë zgjedhur që të ndërtojnë kështjellën tyre të fshehur shumë mirë nga sytë e udhëtarëve. E vendosur në masivin shkëmbor që ngrihet thiktë nga tri anë ajo në vetvete ishte një kështjellë natyrore dhe vetëm në pjesë të shkëputura midis shkëmbinjve është mbyllur me mure.

Në periudha më të qetë asaj duket se i është shtuar dhe tarraca që shtrihet në juglindje të saj dhe këtë e tregon një trakt muri me blloqe guri të vendosur në të thatë, që sipas fotografisë së bërë në vitet ’70, ngjan si një mur i periudhës së hekurit të zhvilluar. Traktet e mureve që ruhen paksa mbi nivelin e tokës janë të pakta dhe nisur nga teknika e ndërtimit i përkasin dy periudhave të ndryshme, antikitetit të vonë (shek. V-VI) dhe të periudhës mesjetare (shek. XIII-XV). Materiali arkeologjik i gjetur aty rastësisht i përket periudhave të ndryshme: bronzi i vonë, periudha e hekurit, helenistike, antikiteti i vonë, mesjetë dhe ajo osmane. Materiali arkeologjik që i përket periudhës prehistorike përbëhet nga objekte metalike: thikë me gjithë këllëfin, varëse bronzi, sumbull bronzi dhe rreth bronzi të datuara në periudhën e bronzit të vonë dhe asaj të hekurit të zhvilluar, që në pjesën më të madhe i përkasin kulturës ilire të Matit. Nga periudha helenistike, përveç qeramikës ka dhe një vegël mjekësore si dhe një monedhë bronzi. Periudhës së antikitetit të vonë i përkasin një numër i madh objektesh: disa monedha të shek. VI-VII, maja shigjete, thika, gjilpëra, stilo për të shkruar në pllaka dylli, bizhuteri të ndryshme (unaza, fibula), etj.

Mesjeta gjithashtu përfaqësohet po ashtu nga shumë monedha, prerje të shek. XIII, vegla të kovaçit (kudhër, prerëse metali), maja shigjete, thika etj. Disa sondazhe do të mjaftonin për të përcaktuar më mirë shtresëzimet e jetës njerëzore në këtë kështjellë, por edhe nga materiali arkeologjik i njohur deri tani mund të arrijmë në disa përfundime paraprake. Nisur nga pozicioni dhe sipërfaqja, kështjella në të gjitha periudhat që ajo ka funksionuar ka qenë në shërbim të rrugës si një pikë kontrolli për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave dhe jo një qendër e mirëfilltë banimi. Në periudhën e hekurit të zhvilluar duhet të ketë pasur dy radhë muresh që kanë rrethuar jo vetëm masivin shkëmbor por edhe tarracën që shtrihet në verilindje të saj. Për periudhën antike ilire të dhënat e deritanishme janë të pamjaftueshme për ta papërcaktuar atë si një qytezë të fortifikuar të kësaj periudhe dhe aq më pak për ta identifikuar me ndonjë nga qytetet që përmenden nga autorët e lashtë. Gjatë antikitetit të vonë, kryesisht gjatë sundimit të perandorit Justiniani I (527-565), për t’u bërë ballë sulmeve barbare u ndërtuan apo u rindërtuar një numër i madh kështjellash kryesisht në zona kodrinore dhe malore. Kështu ka ndodhur edhe në Kepin e Qytetit, ku mbi muret e vjetra u ri ngritën përsëri muret me një teknikë të re, gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Kështjella në periudhat në vazhdim të mesjetës e lënë pas dore duket se u rindërtua në kohën kur familja e Kastriotëve filloi t’i forcojë pozitat së pari në zonën e origjinës së tyre. Pas pushtimit osman ka mundësi që kjo kështjellë të ketë shërbyer si një karakoll për të kontrolluar këtë rrugë kalimi së bashku me kështjellën e Lashkizës.

Vendbanimi në “Troje”

Prokopi i Çezaresë, historian i madh i kohës së Justinianit, na ka dhënë një përshkrim të dyndjes në vitet 547-548 kur “…një ushtri skllavenësh, duke kaluar lumin Istër, bëri shkatërrime të tmerrshme në të gjithë Ilirinë, deri në Epidamn, duke vrarë e kthyer në skllevër të gjithë ata që u dilnin përpara, pa marrë parasysh gjininë apo moshën, dhe duke grabitur pasurinë”. Përshkrimi është i njëjtë edhe për vitet 551-552, kur Prokopi tregon se si “…një turmë e madhe skllavenësh u derdh në Iliri dhe bëri atje tmerre të papërshkruara”. Të njëjtin karakter kalimtar, por thellësisht shkatërrimtar, patën edhe dyndjet pas vdekjes së Justinianit në vitet 582 dhe 586.

Valët e fundit të dyndjeve në territorin e Ballkanit të pleksura dhe me shkaqe natyrore (ndryshim i klimës, e ftohtë dhe me lagështi, rritja e nivelit të detit) dhe sëmundje pandemike (murtaja), duke filluar nga mesi i shek. VI dhe gjatë gjysmës së parë të shek. VII, sollën ndryshime të mëdha. Qytetet bregdetare dhe ato më në brendësi gati u braktisën plotësisht. Braktisja e qyteteve gjatë dekadave të para të shek VII, i la vendin një shoqërie thellësisht fshatare, me një jetë të thjeshtësuar në minimumin e komoditetit dhe të nevojave të jetesës. Dhe vendbanimi në Troje duket se është pasojë e këtyre rrethanave, së pari rreziku nga barbarët i ka detyruar banorët e zonë të zgjedhin këtë vend tepër të sigurt i fshehur shumë mirë nga sytë e vrojtuesve por dhe një terren tepër i mbrojtur. Faqet e thepisura shkëmbore, kanionet e thella të Setës e Shehut të Thatë dhe pylli i dendur e bënin atë një fortesë tepër të sigurt. Më pas me keqësimin e klimës, mot i ftohtë dhe me shumë lagështi që vazhdoi për gati dy shekuj dhe që përkon me atë që quhet “Periudhë e errët”. i detyroi këta banorë të qëndronin në këtë vendbanim që ishte tepër i përshtatshëm. Nga banesat e mëparshme të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me tjegulla ata kaluan në kasolle të mbuluara me kashtë, si dhe duke bërë një jetë të thjeshtësuar në minimumin e komoditetit dhe të nevojave të jetesës. Në këtë vendbanim nuk mungon dhe përdorimi i shpellave jo vetëm për banim por dhe përpunimin e metaleve.

Vendbanimi i njohur me emrin “Troje” shtrihet poshtë Kalasë së Skënderbeut, në faqen e malit të orientuar nga juglindja i vendosur midis shkëmbinjve, dhe që zbret deri në kanionet e Setës dhe Shehut të Thatë. Ky vendbanim është më i rëndësishmi i zbuluar në rajonin e Dibrës dhe një nga më të rëndësishmit për periudhën e mesjetës së hershme, i ngjashëm me vendbanimin e Kalasë së Dalmaces, në Koman. Materialet e mbledhura nga banorët e zonës në sipërfaqe janë të shumta: mokra, vegla pune të ndryshme (kazma, sëpata, kosore, drapër, dalta guri, vegla për përpunimin e drurit), armë (maja shigjete) thika hekuri, tokëza rripi prej bronzi, pafta bronzi, fibula hekuri, këmborë, monedha të shek VI – fillimi i shek. VII, gjilpëra hekuri, stilo, qeramikë kuzhine, qeramikë me glazurë të hershme. Pjesën kryesore të qeramikës e përbën qeramika e zjarrit ku një vend të veçantë zënë saçet prej balte, që ndeshen për herë të parë në territorin e Shqipërisë. Krahas tyre më me shumicë janë tenxheret dhe vorbat të zbukuruara me motive të ndryshme, ku nuk mungon dhe figura e kryqit që simbolizon besimin e krishterë. Ndër zbukurimet ndeshet edhe motivi i quajtur “fshesor” dhe që e lidh këtë prodhim me zonat më veri (Shkodër, Pukë, Kukës, Tropojë). Veglat e shumta prej hekuri të gjetura në mënyrë rastësore në këtë vendbanim tregojnë se banorët përveç kultivimit të drithërave një vend të rëndësishëm duket se zinte përpunimi i drurit. Këmborët, që është një nga gjetjet më të shpeshta jo vetëm në kështjellat por dhe qytetet e antikitetit të vonë, tregojnë se blegtoria po ashtu zinte një vend të rëndësishëm.

Në periudhën me lagështi filloi të mbizotëronte dhia, derri, bualli dhe shpendët që i përshtateshin më mirë këtyre kushteve klimatike dhe kjo është parë qartë në ato qendra arkeologjike që janë kryer gërmime. Në këtë vendbanim periudha e errët duket se pasohet gjatë periudhës mesjetare nga ngulime të shkurtra që lidhen kryesisht me periudha pushtimesh dhe konfliktesh midis fuqive të ndryshme siç janë ato të periudhës së pushtimeve të Ivan II Asenit në gjysmën e parë të shek. XIII dhe gjatë pushtimeve të Stefan Dushanit në mesin e shek. XIV. Me këtë periudhë lidhet dhe një thesar me 25 copë monedha veneciane, te prera midis viteve 1253 – 1328 i fshehur në vendin e quajtur “Pusi” dhe i publikuar nga arkeologu A. Bunguri. Ngulimet e tjera lidhen me periudhën kur turqit pushtuan këto territore në vitin 1466, si dhe në periudha të shkurtra gjatë sundimit osman, kryengritjeve për pavarësi dhe Luftës Ballkanike. Me këto periudha korrespondon dhe materiali arkeologjik që është i larmishëm, nga majat e shigjetave, plumbat për armët e para të zjarrit, monedha, këllëfë shpate dhe kame, vegla pune, patkojë, qeramikë, etj. Vendbanimi në Troje për vlerat e tij urbanistike dhe pasurinë e madhe arkeologjike që ai ruan është një pasuri e paçmuar jo vetëm për historinë e zonës por dhe për trashëgiminë arkeologjike të periudhës mesjetare në vendin tonë dhe më gjerë. Ky vendbanim nuk mund të kuptohet dhe studiohet pa natyrën ku ai është vendosur, prandaj është detyrë e të gjithëve që të ruajmë të pa prekur nga gërmimet klandestine por të ruajmë po ashtu të pa prekur dhe natyrën që e rrethon dhe në radhë të parë kanionin e Setës.

Kalaja e Skënderbeut

Rrënojat e saj gjenden në një kreshtë shkëmbore me lartësi 1205 m, në thellësi të kanionit të Setës, në rrugën e karvanëve që vjen nga Reçi, Kalaja Lashkizës, Qafa e Kalasë, Stelush, Cerujë, Petralbë, dhe që përfundon në bregdet. Ajo ka sipërfaqe të vogël dhe një pozicion shumë të mbrojtur nga natyra që ngihet në kreshtën më të lartë pranë qafës. Maja e kalasë është e rrethuar me mure guri të lidhur me llaç gëlqereje dhe nga teknika e ndërtimit të atyre pjesëve që ngrihen mbi sipërfaqe i përket fortifikimeve të shek. XIV-XV, por kjo nuk e përjashton që fortifikimi mesjetar të jetë ngritur mbi një fortifikim të antikitetit të vonë. Në pjesën më të lartë të kalasë, duken rrënojat e një sterne në plan katërkëndëshe e mbuluar me qemer që është e gërmuar. Materiali arkeologjik i mbledhur ka një kohë zgjatje nga antikiteti i vonë (shek. VI) dhe deri në fillimet e shek. XX dhe përbehet nga objekte të ndryshme metalike dhe qeramikë. Midis objekteve është një monedhe e Gjergjit III Balsha (1405-1421) që lidhet me periudhën e babait të Skënderbeut, Gjonin, që në këtë kohë e kishte shtrirë sundimin e tij edhe në zonën e Matit.

Vendbanimet e hapura dhe varrezat në fshatin Çidhën

Në juglindje të fshatit Çidhën, në vendin e quajtur Mosdovë, ndodhen rrënojat e një godine banimi të ndërtuar me gurë të lidhur me baltë, e cila ruhet në pjesën më të madhe mbi sipërfaqe. Nisur nga materiali arkeologjik (enë qeramike dhe pesha balte për tezgjahun) banesa i përket periudhës helenistike (shek. III-II p. Kr.). Të tjera gjetje në fshatin Çidhën e Poshtme të publikuara nga A. Bunguri vijnë përkatësisht nga “Vneshta e Kolës” dhe “Kodra e Krashit”. Të parat janë disa fragmente enësh balte dhe bronzi të periudhës qytetare ilire (shek. III-II p. Kr.), kurse të dytat disa objekte metalike (tokëz rripi bronzi, dy thika hekuri) si dhe fragmente enësh qeramike të formave të ndryshme dhe që datohen në shek. III – IV mbas Kr. I vetmi monument jashtë kësaj njësie por në kufi me të i vënë në mbrojtje është kalaja katërkëndëshe e Lakshizës që është datuar si e periudhës osmane, megjithëse ka nevojë për studime më të thelluara. Një tjetër rrënojë e gjendur në zonën e Lurës në vendin e quajtur Livadhet e Xharrit dhe publikuar së fundi nga A. Bunguri është cilësuar si qytet mesjetar.

Vendbanim i quajtur “qytet”, gjendet rreth 2 km në jug të Fushë Lurës, në afërsi të fshatit Borie-Lurë, në lartësinë mbidetare mbi 1200 m. Qyteti shtrihet në një sipërfaqe mbi 10 ha, në një syprinë me pjerrësi të lehtë. Vendbanimi ruan trakte të mureve rrethuese, të vendosura vetëm në anën veriore të hapur të tij. Muret e dukshme në sipërfaqe kanë gjatësi rreth 300 m, gjerësi 2.80-2.90 m dhe lartësi 1.10-1.20 m. Ato janë të ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë, me lidhje të thatë. Brenda këtyre mureve gjenden një numër i madh banesash, të grupuara dhe të ndara në lagje, nga disa rrugë tërthore në trajtë korridoresh të drejta me gjerësi 3-5m. Banesat kanë planimetri katërkëndëshe dhe disa prej tyre, përmasa të brendshme 10×5 m. Muret e banesave me trashësi 1.00-1.40 m janë të ndërtuara me gurë mesatarë e të vegjël, me lidhje të thatë. Në pjesën qendrore të këtij qyteti, një çukë e ngritur në trajtë tume, thirret me emrin “Çuka e Pashës”. Në jug të kësaj çuke, ruhen gjurmët e një rruge mesjetare të shtruar me kalldrëm. Sipas autorit A. Bunguri në afërsi të Çukës së Pashës, gjatë vrojtimit sipërfaqësor, ka zbuluar disa fragmente vorbash mesjetare, kronologjikisht të lidhura me shek. XII-XIV mbas Kr. Aty janë gjetur mjaft mbetje zgjyre, të lidhura me shkrirjen dhe punimin e hekurit gjatë periudhës mesjetare. Sipas gojëdhënës qyteti braktiset pas vdekjes së Skënderbeut dhe banorët emigrojnë në Kalabri. Veç saj banorët e zonës kanë trashëguar edhe një gojëdhënë që Skënderbeu vendosi në zonën e Lurës farkëtarët që përgatisnin armët për luftëtarët, pajisjet e kuajve dhe veglat për bujqësinë. Për të dalë në pah e vërteta historike, kërkohen investime, kërkime arkeologjike për të nxjerrë në dritë këtë trashëgimi të pasur arkeologjike dhe historike të krahinës së Çidhnës (Shqiptarja). /KultPlus.com