Reagon UP pas sulmit fizik ndaj profesoreshës Pupovci: Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë në UP, Hatixhe Latifi Pupovci.

“Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare”, shprehen nga UP-ja.

Me këtë rast, UP-ja u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë me urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore. UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi. / KultPlus.com

Sulmohet një profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë

Sot rreth orës 14:30 në Fakultetin e Mjekësisë, ka ndodhur një rrahje, ku një prind i një studenti dyshohet se ka rrahur profesoreshën e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci.

Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.

Sipas Policisë, profesoresha e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, ka pësuar lëndime trupore e cila është dërguar  për trajtimin e nevojshëm  mjekësor.

Sot rreth orës  14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë,  një person është sulmuar fizikisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person (femër), e cila është dërguar  për trajtimin e nevojshëm  mjekësor. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. / KultPlus.com