Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Kori ‘Lira’ organizon koncert në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 24 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.
Koncerti vjen nën dirigjimin e Valire Sphaija Buzës si dhe me pjesëmarrësit: Profesor Sedat Kuçi, mysafirja speciale nga Hamburgu, Hava Bekteshi në çifteli si dhe këngëtari e moderatori, Andi Belegu.
Po ashtu, në këtë mbrëmje do të performojnë edhe Kori i fëmijëve ‘Okarina’, Lulzim Kazazi dhe Leonora Rugova.
Koncerti do të mbahet sipas masave dhe udhëzimeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, hyrja është e lirë. / KultPlus.com
Instrumentistja shqiptare Hava Bekteshi e cila po zhvillon karrierë në arenën ndërkombëtare, ka arritur të jetë pjesë e një koncerti të madh në Gjermani, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për koncertin “Stadtlied” në Elbphilharmoninë e Hamburgut, në të cilin ajo ka marrë pjesë si instrumentiste e çiftelisë dhe si këngëtare. Bekteshi gjatë workshopit që u mbajt aty, u admirua nga stafi pasi performoj një pjesë me çifteli, po ashtu Milaim Islami e shkroi një tekst për të në të cilin përshkruhet e kaluara e saj që nga mërgimi e deri te arritjet në muzikë.
Ai këtë këngë e emëroi “Tingëllon teli i çiftelisë” nën kompozimin e melodisë nga Fatmir Makolli. Teksti është përkthyer në gjuhën gjermane dhe i njëjti tani gjendet në mediatekën e Elbphilharmonisë të Hamburgut.
Përveç këngës që e ka performuar ajo, ka kënduar edhe këngë tjera, e madje ka luajtur edhe në instrumentin e kitarës. Instrumentistja shqiptare pati vëmendje pas performancës me çifteli, andaj edhe u zgjedh nga stafi i njërit prej televizioneve më të shquara gjermane “RTL-Nord” si protagonistja kryesore, ndërsa më pas asaj i është bërë edhe një portret për pjesëmarrjen e saj me instrumentin e çiftelisë.
Në koncert kanë qenë 100 pjesëmarrës, dhe jo të gjithë pjesëmarrësve u dha mundësia të performojnë aty. Duhet theksuar se ky koncert është i madh në Gjermani, aty ka pasur ushtrime përmbi gjysmë viti me të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti shquhet për programin e pasur që ka, ku hyn edhe muzika klasike.
Instrumentistja Hava Bekteshi po vazhdon të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, me lojën e saj në instrumentin e çiftelisë të cilin po e bën të njohur në botë, sikurse kulturën tonë në përgjithësi. Ajo do të marrë pjesë edhe në koncerte tjera të mëdha. /KultPlus.com