Fotografi i njohur Hazir Reka do të prezantohet me ekspozitë personale në Gjermani, përkatësisht në Schloss Holte -Stukenbtock, shkruan KultPlus. Ekspozita do të hapet më 28 tetor, në ora 17:00 në Galerinë e këtij qyteti, e që për nikoqir ka tri organizata që edhe kanë punuar për realizimin e këtij projekti.
Zelije Kryeziu Ramadani ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë është projekt i Grupit të Grave Shqiptare “Shqiponja”, në bashkëpunim me dy shoqata gjermane: “Flüchtlingshilfe ” dhe “Demokrati leben”, ku edhe fokus i këtij organizimi është prezantimi i kulturës shqiptare.
“Është mbrëmje që i dedikohet kulturës shqiptare, por me fokus kryesor në ekspozitën e Hazir Rekës, ku ka për qëllim që audienca gjermane të njihet për së afërmi me vuajtjet e popullit të Kosovës, sidomos me përjetimet në luftën e fundit në Kosovës”, ka thënë Kryeziu Ramadani, e cila është shprehur të jetë e lumtur që ka arrit të realizojë këtë projekt të mbështetur nga Kuvendi Komunal i qytetit të Schloss Holte -Stukenbtock, për faktin që kultura shqiptare do të prezantohet para audiencës gjermane por edhe para nacionaliteteve të tjera, pasi që, sipas Kryeziut Ramadanit në këtë pjesë jetojnë mbi 20 nacionalitete.
“Duke pas parasysh se edhe në këtë kohë kemi vende ku po përballen me luftë, qëllimi i kësaj ekspozite është që të rinjtë të shohin se luftërat sjellin vetëm konflikte dhe pasoja të mëdha. Andaj, në vend të konfliktit të sjellim paqe. Në vend të urrejtjes të mbjellim dashuri, besim dhe bashkëjetesë”, ka thënë Kryeziu Ramadani.
Ndërkohë, në këtë mbrëmje dedikuar kulturës shqiptare do të prezantohet edhe kuzhina shqiptare, mbrëmje që do të përcillet edhe me muzikë nga Ramadan Kryeziu./ KultPlus.com
Fotoreporteri i njohur Hazir Reka, i cili për vite me radhë ka dokumentuar periudha të tmerrshme të vendit tonë nën okupimin serb, pasi që ka prezantuar ekspozitën pas 33 viteve në Prishtinë, të njëjtën do ta prezantojë edhe në Ferizaj, shkruan KultPlus.
Ekspozita personale e quajtur “Rezistenca” për audiencën e Ferizajt do të paraqitet më 29 korrik, në ora 19:00, në Sheshin e Ferizajt./ KultPlus.com
Sot, në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, në ambientet e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë, është hapur ekspozita personale ‘Rezistenca’ e fotoreporterit, Hazir Reka, shkruan KultPlus.
Ekspozita e cila sjell fotografi të rezistencës së 29 gushtit të vitit 1990, risjell pas 33 vitesh në kujtesën kolektive periudhën e tmerrshme në popullit të Kosovës nën okupimin serb.
‘Rezistenca’ është një përmbledhje e fotografive të protestave dhe vizitës së ish-senatorit amerikan, Bob Dole, vizitë kjo që bëri një kthesë historike për Kosovën, pasi ishte momenti kur edhe delegacioni amerikan u njoftua nga afër me situatën e vështirë me të cilën përballej Kosova.
Për më tepër, kjo ekspozitë u hap në këtë ambient, meqë 33 vite më parë, pikërisht në këtë vend u mbajt edhe takimi me delegacionin amerikan, e ku Reka ka shkrepur me aparatin e tij momente delikate nga ai takim, e të gjitha këto imazhe u sollën sot para publikut.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte i pari i Prishtinës, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që e kanë këto fotografi në njohjen, përkujtimin dhe dokumentimin e ngjarjeve të vështira nëpër të cilat kanë kaluar populli i Kosovës.
“Këtë ditë kur po e festojmë edhe 24-vjetorin e çlirimit, tregimi i 29 gushtit të vitit 1990 vjen në këtë ekspozitë e cila edhe e rrëfen këtë ditë kritike të atij viti, të atyne vlimeve të mëdha në Kosovë, të lumenjve të njerëzve që po i shihni në këto fotografi. Kjo ditë nuk do të kishte namin e madh që e ka po mos të ishte shkrepja e fotografit tonë të mirënjohur, Hazir Reka. Kanë ndodhur punë të mëdha, me dekada për çlirimin të cilin sot e festojmë e gëzojmë, mirëpo, të gjitha këto nuk do të ishin të mundura, madje mund të ishin të zbehëta pa i pasë të gjitha këto fotografi që na tregojnë se nëpër çka ka kaluar populli jonë”, theksoi Rama, i cili më tutje përgëzoi fotografin Reka për hapjen e kësa ekspozitë.
Më pas, fjalën e mori Halil Matoshi, poet dhe publicist, i cili foli për rëndësinë fotografive të shkrepura nga fotografi Reka, duke vlerësuar se ato paraqesin të gjitha dritëhijet e përballjes së të mirës me të ligën, paqësores me brutalen.
“Për nder të vizitës historike të Bob Dole në Kosovë, 33-vjet më përpara, nën përkujdesje të Komunës së Prishtinës çelet ekspozita tematike e Maestro Hazir Rekës “Rezistenca”, në Hotelin Grand, në vendin autentik ku ndodhi kjo ngjarje që karakterit historik të kryeqytetit ia shton edhe karakterin epik dhe estetik. Përjashta këtij holli, dhjetëra mijëra shqiptarë që kishin dalë ta prisnin delegacionin e Senatit amerikan, u përplasën me policinë serbe. Reka dëshmon duke i zgjatur në kohë ato fytyra, atë epokë dhe personazhin tashmë eternal, Faik Rexhepin, njeriun që lidhjen me tokën e tij e bën dramë universale mbijetese e qëndrese”, shtoi Matoshi.
E krejt në fund, për KultPlus foli vetë autori i këtyre fotografive, i cili i risjell ato pas 33-vitesh si një dëshmi e gjallë dhe e fortë e asaj nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës në ato vite.
“Kjo ekspozitë ndoshta do të duhej të kishte vend në ndonjë galeri më të madhe e me ndriçim më të mirë, por unë kam insistuar ta sjell këtu sepse të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur, kanë ndodhur pikërisht këtu, në hotelin ‘Grand’. Pas 33 vitesh i kam risjellë të gjitha ato personazhe përsëri këtu. Ndoshta ekspozita do të lëvizë sërish, mirëpo ka qenë e rëndësishme për mua që fillimisht ta sjell këtu”, shpjegon Reka.
Më tutje, ai po ashtu thekson rëndësinë që kishte për të, që ta sjellë këtë ekspozitë pikërisht në Ditën e Çlirimit.
“Kjo ekspozitë erdhi në marrëveshje me komunën, dhe kemi vendosur ta sjellim pikërisht në Ditën e Çlirimit. Duke marrë parasysh edhe situatën e ndërlikuar edhe me amerikanët, kam dashur që nëpërmjet kësaj ekspozite të tregoj që lidhjen me Amerikën e kemi shumë moti”, përfundoi Reka për KultPlus.
“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot./KultPlus.com
Fotoreporteri i njohur Hazir Reka, i cili për vite me radhë ka dokumentuar periudha të tmerrshme të vendit tonë nën okupimin serb, ka vendosur të kthehet 33 vite pas dhe të sjell për publikun një ekspozitë personale të quajtur “Rezistenca”, shkruan KultPlus.
Meqenëse shumë prej nesh i kujtojmë ato vite të errëta për vendin tonë, kjo ekspozitë është një mundësi e rrallë për të bërë një udhëtim nostalgjik nëpër kujtesën kolektive të asaj kohe. Një periudhë e tmerrshme që ndikoi thellësisht në të gjithë qytetarët, dhe që Hazir Reka e kapi me objektivin e tij.
“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot.
Ekspozita do të hapet më datë 11 qershor, në ora 13:30 në Hotel Grand në Prishtinë. / KultPlus.com
Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij.
Një fotografi e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona.
Protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij. Dhe këtë e ka bërë pikërisht me fotografin Hazir Reka në vitin 2020.
Fotografia më poshtë vjen nga profili i Hazir Rekës i cili në mbishkrim ka shkruar: “”Dy Statuja të gjalla n’Shesh t’Prishtinës”. / KultPlus.com
Syrgjynosun andërr kam pa babën Tue kthye vadën n’livadh te Lisi i Kanjushës tue ja ndjellun kthimin
E nânën n’bahçe me kepë t’reja rreth qafe
Asht nji nga ditët historike po me ndaljën e luftës nuk ndalet mjerimi E parëndomtë âsht ajo ditë vuejtjesh si kalendar datash të shlyeme
Gra e nâna dhe aty këtu naj burrë Tue lyp trupa nëpër varreza masive naj shéj vaje me bâ taman
Zogjtë fluturojnë ngatrrueshëm Krahëdjegun të mbijetuemit kthehën tek trualli
(Disa nuk u kthyen kurrë Edhe pse me vite e vite i kërkuen Për nji vorr nji prehje)
Ndoj oxhak qindroi mbi të lejlek i djegun si flamur i leckosun dhe votra nxjerr tim
Ndoj vorr mbet zbrazun Sall me emnin e t’vramit
Ndoj orë u gjet tue matë kohën e tjetërkujt Ndoj këpucë tue shkel udhët pa njeri
Ndoj shpi me shpella t’hapuna nga gjyle topi si gojë kulshedre Ku mundet nji dritare me u vù Ndoj mur si qiell i zhbiruem kujtimesh dhe sh’pia n’tuebâmje
Si në fotografinë e Hazir Rekës Nji derë megjithë xhama të veturës Zastava 101 prodhim jugosllav ngjyrë e verdhë dheu gjetun në varrezat e kerreve shtangun në baltën e gjallë që ende avullon e vjen aromë shpie
Shqiptari që mbeti gjallë lyen me lloq koren e jetës ardhmëninë e tij e të fëmijëve… / KultPlus.com
Hapja e ekspozitës së dytë të këtij viti në galerinë e Bludencit allerArt filloi në mënyrë mbresëlënëse. U prezantua një seri fotografish shqetësuese të artistit dhe fotoreporterit kosovar Hazir Reka me titullin “Before and after the war”. Vizitorët u lutën në fillim të hapjes që të mbajnë qetësi. Tingëlloi një pjesë e operës Siegfried të Richard Wagner. “Në këtë operë shkrihen elemente të trishtimit, vuajtjes, reflektimit dhe dhimbjes. Daullet në këtë pjesë kujtojnë njoftimin për një marsh vdekjeje”, tha manfred Egender, kurator i galerisë.
Fotograf i njohur ndërkombëtarisht
“Ekspozitën e Hazir Rekës e patëm planifikuar para një viti e gjysmë”, tha Wolfgang Maurer, udhëheqës i shoqatës kulturore allerArt. “Atëherë patëm menduar se me këtë ekspozitë do të mund të nxisim një diskurs lidhur me atë që do të mund të bëhej për t’i shëruar plagët e luftës. Për shkak të luftës pushtuese të forcave ushtarake ruse në Ukrainë, kjo ekspozitë fitoi aktualitet të cilin nuk do ta dëshironim.” Pas disa shëtitjeve në art objekti dhe art konceptual, fokusi i kuratorit deri tani ishte kryesisht në pikturë. Në ekspozitën aktuale me fotografitë e Hazir Rekës, i lindur në 1961 në qytetin jugor kosovar Ferizaj, në plan të parë del aspekti i jashtëzakonshëm i fotografisë dokumentare. Fotografi ka jetuar mbi 30 vite në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Aty gjatë kësaj periudhe ka përcjellur praktikisht të gjitha demonstratat, pradat, marshet paqësore, si dhe jetën e përditshme. Lufta e Kosovës zgjati prej 28 shkurtit 1998 deri më 10 qershor 1999. Ajo është muri ndarës për periudhën para dhe pas të historisë krijuese të fotografive të Rekës, të cilat mund të shihen në Bludenc.
Simbolikë shprehëse
Hazir Reka filloi karrierën e tij si fotograf profesional para 38 vitesh me angazhimin në “Botën e re”. Pastaj fotografitë e tij u botuan në revista të tjera të rëndësishme jugosllave, por edhe në revista e gazeta presitgjoze perëndimore, si “New York Times” ose “Times Magazine”. Prej 1998 punoi për agjencinë e lajmeve Reuters përmes së cilës fotografitë e tij u shpërndanë në tërë botën, kështu edhe në “Spiegel”, “die Presse” ose “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Reka dokumentoi tërë konfliktin e Kosovës dhe luftën e Irakut. Ekspozita të veçanta të fotografive të tij janë organizuar në atdheun e tij, në Zvicër, Francë, Spanjë, Arabi Saudite, si dhe në Bregenz ku tërhoqi vëmendjen e Manfred Egender.
Në shkrepjet e fotografit të jashtëzakonshëm reflektohet në mënyrë subtile gjendja e një popullsie të përvuajtur, por pa ndikuar si vojariste. “Fotografitë nuk janë të inskenuara por komente të fuqishme fotografike të një bote agresive, të dalë nga binarët”, tha Manfred Egender. “Motivet në fotografinë e luftës janë të shkëmbyeshme. Me kornizën tematike “para dhe pas” mund të ndodhë përpunimi dhe analiza. Reka me fotografitë e tij fokusohet pikërisht te ato momente në të cilat dëshmia historike depërtohet nga ndjenja e tejkalimit të kufijve dhe nacionaliteteve – dmth. nga humaniteti.
Mbi tri dekada si fotograf, Hazir Reka nderohet për punën e tij në qytetin e lindjes, në Ferizaj, me mural me portretin e tij të punuar nga MuralFest Kosova në bashkëpunim me artistin amerikan Nils Westergard.
I vendosur në qendër të qytetit murali simbolizon punën e pandalshme të Rekës si fotograf në dokumentimin sidomos të ngjarjeve më të mëdha vendore për opinionin tonë e ndërkombëtar.
Si fotoreporter i agjencisë botërore të lajmeve “Reuters”, Reka ishte zëri i kosovarëve jashtë kufijve në ditët më të rënda për popullatën; demonstratat, protestat për liri dhe pavarësi, lufta e paslufta…
Fotot e Rekës janë arkiva më e pasur e Kosovës.
Në përurimin e muralit kanë marrë pjesë gazetarë dhe fotografë vendas, përfaqësues të agjencioneve të ndryshme të mediumeve kombëtare dhe ndërkombëtare./KultPlus.com
Fotografi ferizajas, Hazir Reka së fundmi ka filluar të kërkoj disa nga protagonistët e fotografive të tij të realizuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell KultPlus.
Sot, ai ka publikuar edhe një fotografi të një vajze, për të cilën ka kërkuar më shumë informata.
”Nëse dikush e njeh këtë vajzë, ju lutem më shkruani. E kam shumë të nevojshme për info. Faleminderit!’‘, ka shkruar Reka në publikimin e fotografisë në Facebook. / KultPlus.com
Fotografi i njohur, Hazir Reka ka pranuar si dhuratë një fotografi të cilën e ka realizuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një dhuratë kjo të cilën ia ka bërë vetë protagonistja e asaj fotografie, e cila në atë kohë kishe përjetuar tmerrin e luftës, përcjell KultPlus.
22 vite pasi është shkrepur fotografia, ajo ka falënderuar fotografin Reka për kontributin e tij. Kështu ka bërë të ditur vet fotografi Hazir Reka përmes një postimi në Facebook
Ai ka takuar protagonisten e fotografisë, Vjollca Qerimi-Hysenin ndërkaq ka pranuar fotografinë në kornizë me fjalët falënderuese për të.
Më poshttë gjeni postimin e plotë të Rekës. / KultPlus.com
Fotografi nga Ferizaji, Hazir Reka, i cili tashmë njihet për fotografitë e tij të realizuara gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, ka publikuar një fotografi të një kamioni me refugjatë shqiptarë, njëherit duke kërkuar edhe fëmiun protagonist në atë fotografi, përcjell KultPlus.
Fotografia është realizuar më 9 mars të vitit 1999 dhe shfaqë një kamion të ushtrisë jugosllave me ushtarë serb tek kalon pranë një kamioni të policisë serbe me refugjatë shqiptarë.
Në kamionin me refugjatë shqiptarë, vërehet një djalë, të cilin fotografi Reka përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se është i interesuar të bie në kontakt me të.
”Një kamion i ushtrisë jugosllave me ushtarë serb kalon pranë një kamioni te policis serbe me refugjatë shqiptarë. Kaçanik, 9 Mars 1999. Nëse dikushe e njef këtë fëmijë tefugjat, më lajmëroni, Faleminderit’‘, ka shkruar Reka në postimin e tij. / KultPlus.com
Dita e parë e bombardimeve, fotografin Hazir Reka e kishte gjetur në fshatin Damanek, ku edhe e kishte shkrepur këtë fotografi, duke fiksuar dhimbjen e këtij djaloshi, shkruan KultPlus.
Fotografi Hazir Reka ka realizuar këtë fotografi përgjatë një ceremonie mortore në fsatin Damanek, andaj i njëjti po kërkon që ta takojë këtë djalë nga kjo fotografi.
Të gjithë ata që e njohin mund të na shkruajnë në adresën tonë, dhe të japin më shumë informata./ KultPlus.com
Në hapjen e ekspozitës në Galerinë “Arteve Kızılay Metro”, Ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli deklaroi se ata organizuan ekspozitën për refugjatët në këtë galeri për të arritur më shumë njerëz, transmeton KultPlus.
“Për shkak të Covid-19 dhe masave, ekspozita do të jetë e hapur vetëm për mysafirët tanë të ftuar dhe udhëtarët e vlefshëm që kalojnë përmes metrosë Kızılay”, ka thënë Dugolli.
Ai tutje është shprehur mirënjohës për ndihmën e zyrtarëve të Galerisë së Arteve të Bashkisë Metropolitane të Ankarasë dhe të gjithë ata që kontribuan në hapjen e ekspozitës, shkruan AnkaraMasasi.
“Ne do të dëshironim të falënderonim dy fotografët tanë të vlefshëm, fotoreporterin e AA Esra Hacıoğlu dhe Hazir Reka, punimet e të cilëve do të jenë të hapura deri më 20 qershor në Ditën Botërore të Refugjatëve”, ka thënë Dugolli.
Ai tutje ka deklaruar se ka miliona histori të tjera që përpiqen të bashkohen në këtë ekspozitë.
“Fotografi Hazir Reka ishte gjithashtu një refugjat gjatë luftës në Kosovë. Nga ana tjetër, Esra Hacıoğlu vjen nga refugjatët e Kosovës. Kështu që secili prej nesh ka histori të ndryshme e të llojllojshme dhe secili prej nesh duhet ta shohë veten në çdo refugjat”, thotë Dugolli.
Dugolli theksoi se refugjatët janë mësues, studentë, të papunë, fotografë, studiues, prindër, shkencëtarë, atletë, domethënë secili prej tyre ka një jetë, dhimbje, humbje dhe sprovë dhe se ata meritojnë ndihmë, solidaritet dhe respekt. Në ekspozitë, fotografi kosovar Hazir Reka, i cili ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme në historinë e vendit të tij gjatë dyzet viteve të fundit, përshkruan histori bezdisëse të luftës së Kosovës, e cila rezultoi në deportimin e më shumë se gjysmës së popullsisë së vendit nga forcat serbe.
Esra Hacıoğlu, një pasardhëse e refugjatëve kosovarë tre breza më parë, tani po dokumenton situatën aktuale të refugjatëve sirianë. Në punën e saj, ajo përshkruan vuajtjet e refugjatëve, por në të njëjtën kohë përshkruan edhe ëndrrat dhe shpresat e tyre.
Punimet në ekspozitë do të paraqiten në Qendrën Kulturore Shqiptare në Altindğ duke filluar nga 21 qershori. / KultPlus.com
Me rastin e vdekjes të arsimtarit e poetit Habib Çelaj nga Kizhareka e Drenasit KultPlus publikon reportazhin e bërë nga Hazir Reka dhe Nerimane Kamberi më 1998 për Çelajn në malet e Kizharekës ku ishte refugjat, si dhe poezinë e shkruar nga ai.
Evolucioni i aparateve që nga antiket e deri te digjitalet e sotme, fotografitë të cilat kishin kapur momente të mrekullueshme ndër vite, filma të ndryshëm dhe plotë gjësende që i rezistonin kohës e mbushnin katërmurëshin e atelies së Hazir Rekës në Nerodime të Ferizajt.
Në përmbylljen e punëtorisë së fotografisë të organizuar nga ProPlus, pjesëmarrësit nuk patën rastin të shohin vetëm shkrepje fotografish të Rekës, mirëpo në atelien e tij rronte kujtesa kolektive, rezistenca shqiptare, dhimbja e refugjatëve, portrete plotë energji dhe historia e një populli ndër epoka të ndryshme, shkruan KultPlus.
Të rinjtë me entuziazëm për fotografinë i bashkoi organizata ProPlus me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në punëtorinë e fotografisë në krye me mjeshtrin Hazir Rekën në kuadër të projektit “Pen for Culture”. Në ditën përmbyllëse të kësaj punëtorie, fotografi i njohur hapi dyert e atelies së vet, pas trajnimit të këtyre të rinjve në KultPlus Caffe Gallery, për t’i frymëzuar tejet shumë nismëtarët e rrugëtimit fotografik.
Punëtoria fotografike e cila përmbylli ciklin e organizimeve në kuadër të projektit “Pen for Culture”, ishte një përvojë tre ditore për të rinjtë, e fokusuar në fotografimin e natyrës, pamjeve urbanistike dhe portreteve, teknikë kjo e zgjedhur nga profesionisti Reka, në mënyrë që shumëllojshmëria t’i garantoj të rinjve gjetje të vetes.
Drejtoresha e ProPlus, Ardianë Pajaziti për punëtorinë e tretë me radhë, pas asaj të esesë dhe pikturës në kuadër të projektit “Pen for Culture”, vlerëson lartë kontributin e profesionistëve në këtë rrugëtim të zbulimit të talenteve, duke përmendur Zake Prelvukajn, Vjosa Hamitin dhe Hazir Rekën.
“Kjo eskperiencë do të jetë një ndër eksperiencat më të paharruara, sepse nëpërmjet këtij projekti kemi zgjuar talentin te shumë të rinj, si në pikturë, ese dhe fotografi”, shprehet Pajaziti.
Tutje ajo thekson se do të ndjehet shumë e lumtur nëse ndonjëri prej këtyre të rinjve që kanë marë pjesë në këto tre punëtori, këtë përvojë do të përdorë edhe si rrugëtim jetësor.
Në atelien për krijimin e së cilës Reka kishte dhënë 12 vite mund, çdo qosh kumbonte një histori. Aparatet e shumta që syri nuk mund t’i numëronte dhe fotografitë që përqonin emocione të mëdha, dëshmonin përpjekjen shumëvjeçare dhe profesionalizmin e mjeshtrit, i cili fotografinë e kishte kthyer në mision, ndërkaq jetën e kishte rrezikuar disa herë rresht, vetëm e vetëm që ta mundësonte dokumentimin real dhe historik.
Të rinjtë në atelie ndërronin role, sa bëheshin fotografisti e sa protagonisti, të cilëve iu bëheshin foto-portrete. Këtë cikël procesesh i bënin që të kenë mendim të qartë për pozicionin e duhur, dritën, këndin nga i cili duhej të fotografohej, hijen prapa personit dhe shumë detaje të tjera, të cilat me ndihmën e Rekës merrnin formën më të bukur.
“Unë me qëllim insistova në fillim që ata t’i bëjnë portrete njëri tjetrit dhe mandej ua prezantova portretet që unë i kam realizuar më herët mirëpo, portretet e mia nuk kanë qenë të realizuara në studio por, kanë qenë të luftës”, shprehet Reka i cili me aparatin e tij fotografik ka ndalur kohën.
Në atelien e tij merrnin frymë edhe aparatet e tij të cilat i kishte përdorë 35 vite më parë, atëherë kur fotografia ishte më shumë dokumentim sesa një pamje e thjeshtë.
“Unë kryesisht jam marrë me fotografi dokumentare, protesta, demonstrata, lufta, refugjatë. Gjithmonë kanë qenë punë të rrezikshme ndërkaq, kur kam realizuar fotografi peizazhi e kam gjetë pak kohë për të pushuar prej dokumentares”, tha profesionisti Reka.
Gjithë rrëfimin kohor më së miri e shprehnin fotografitë. Dhimbjen e lënies së atdheut nën dorën e okupatorit dhe shpresën për mbijetesë, Reka e kishte zënë nga këndet e vogla të dritares së trenit të nisur për në Bllacë të Maqedonisë. Duar të vendosura në xham, sy të trishtuar, lot që rrokulliseshin në mollëzat e fëmijëve, lodhje mbarëpopullore dhe pafajësia e civilëve flisnin përtej fjalëve, nëpërmjet portreteve që objektivi i Hazirit i kishte kapur.
Duke qenë jetues i epokave të ndryshme, ai nuk u kursye të ndaj me pjesëmarrësit e punëtorisë dy reportazhe fotografike krejtësisht të kundërta nga përmbajtja dhe mesazhi, të cilat kishin një largësi të gjatë kohore. Ai shpalosi rezistencën popullore gjatë vitit 1990, atëherë kur zhvillohej takimi mes Alternativës kosovare dhe senatorëve e kongresmenëve amerikanë në sheshin e Prishtinës. Hoteli Grand kishte qenë vendndodhja e protestuesve shqiptarë, të cilët i priste policia e atëhershme. Fatmirësisht Haziri kishte dëgjuar një epror t’i thoshte një polici se për 2 minuta do të intervenojnë te popullata civile, andaj ai shpejt e shpejt kishte ndërruar objektivin e tij dhe kishte kapur fotografinë e një burri i cili ulet në tokë dhe ia kap tjetrit pantallonat, në mënyrë që policia mos të ketë se si t’i largoj nga aty duke qenë në tokë.
Por, aparati i Hazirit nuk ishte përballur vetëm me skena të luftës, ai kishte vazhduar hovin e tij të punës edhe në kohë paqeje, duke sjell pamje të ndryshme të kulturës sonë.
Për fotografët e rinj ai shpalosi reportazhin e realizuar një javë më parë, i cili kishte qenë prezent te një familje pejane përgjatë kohës sa ishin duke e përgatitur hajvarin. Ndërkaq, mesazhi që ai përçonte te të rinjtë nëpërmjet këtij rrëfimi qëndronte në faktin se fotografi duhej të kishte durim, njësoj siç ai kishte pasur që të jetë me atë familje që nga blerja e specave, bluarja, përzierja e deri te shtruarja e tavolinës për ta ngrënë, pas 6 orëve punë.
Rrëfimet dhe pamjet që sillte Reka përbrenda atelies së tij padyshim që i pëlqyen shumë pjesëmarrësve. Bora Thacin e ka bërë për vete çdo detaj aty brenda dhe sa më shumë që i shikonte, aq më shumë i rritej kureshtja për këtë drejtim.
“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja që dikush ta kap aparatin dhe të bëj fotografimin e diçkaje, madje aparatet, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kam parë sot në atelie më kanë treguar se fotografia gjithmonë do të jetojë”, vlerësoi Thaci.
Ajo thekson se pas kësaj punëtorie interesimi iu është rritur dhe është përcaktuar në fotografimin e njerëzve.
“Nga kjo punëtori kam fituar shumë dituri ndaj fotografisë, aparateve dhe përdorimit të tyre, ndriçimin, mënyrat se si kapet më mirë një fotografi, dhe kur kemi të bëj me portrete kam mësuar se duhet t’i kushtoj rendësi vijave të fytyrës së personit”, tha Bora Thaci.
E mësime për fotografinë, përvojat e Rekës dhe durimin si element kyç për këtë rrugëtim i ka marrë edhe Diar Besaj. Ai theksoj se ndjehet i privilegjuar që ishte pjesëmarrës në këtë punëtori, teksa shton se tanimë fotografinë ka filluar ta shoh më ndryshe se më parë.
“Këndvështrimi im ka filluar të ndërrohet për nga vlera që tanimë e shoh në fotografi, sepse më parë e kam parë si diçka që e shpreh një ngjarje por, tash kam arritur ta shoh më thellë dhe ta përjetoj atë”, tha Diar Besaj.
Nga atelia e Rekës ai mbeti i fascinuar për origjinalitetin që pa, ndërkaq nga gjithë opusi fotografik, ai vlerësoi më së shumëti ato që janë realizuar në kohëra të rrezikshme.
“Fotografitë të cilat i ka bërë gjatë, mendoj që kanë qenë më me vlerë, të cilat portretizojnë dhimbje, ndjenjën e lënies së atdheut jo prej dëshirës”, shtoj Besaj.
Vlerësime për fotografitë e shumëta të Hazir Rekës dha edhe pjesëmarrësja, Erleta Gashi. Nëpërmjet kësaj punëtorie dhe shansit të dhuruar për takim me veprimtarinë e Rekës, asaj iu është shtuar interesimi për hulumtim të fotografisë më tutje.
“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë mendoj se kemi pasur fat të takohemi dhe punojmë me fotografistin Hazir Reka”, tha Erleta.
Gashi shtoi se në momentin që kishte parë aparatet e vjetra, asaj iu dha ndjesia sikur Reka kishte përshkruar një jetë të tërë nëpërmjet tyre.
Përmbyllja e kësaj punëtorie të fotografisë do të jetë një nismë rrugëtimi për gjithsecilin që e ka pasion fotografinë dhe do të mbetet një kujtim i paharrueshëm falë profesionalizmit dhe ekipit bashkëpunues. Ndërkaq këndvështrimet e ndryshme që kishin këta pjesëmarrës do të kurorëzohen nëpërmjet ekspozitës së fotografive në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com
Laramania e ngjyrave të vjeshtës i kishte falur një freski parkut të Gërmisë, teksa dëgjoheshin vetëm zërat e zogjve dhe të aparatit fotografik që jetësonte momente nga kënde të ndryshme. Fokusi e këndvështrimi i syrit dhe lëvizjet e gishtave të të rinjve bashkë me udhëzimet profesionale të Hazir Rekës, u bashkuan në punëtorinë e fotografisë të organizuar nga organizata “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
Mëngjesi i freskët i ditës së sotme i gjeti të rinjtë e komuniteteve të ndryshme të shoqëruar nga bukuria e vjeshtës nën kombinimin e ngjyrave të shumëta, duke i falur natyrës një pamje të mrekullueshme. Pjesëmarrësit e punëtorisë me të arritur në parkun e bukur të Gërmisë filluan ta vështronin ambientin, duke krijuar në mendjet e tyre ide kreative për t’i marrë pozat e natyrës. Ishte fotografi i njohur, Hazir Reka ai i cili i drejtonte të rinjtë dashamirës të artit fotografik rreth mënyrës se si do të dilte më e bukura në pah, nëpërmjet tekniknave profesionale.
Këndvështrimet e ndryshme të gjithësecilit ishin vlerë dhe pasuri përgjatë procesit të punës. Dikush fokusohej në një pamje më të gjerë, dikujt ia ngacmonin sytë detajet, për dikë lëvizjet e për dikë statikja kishte rëndësi mirëpo, ajo që i bashkoj që të gjithë ishte përpjekja që të gjitha këto të reflektonin në fotografi, në mënyrë që një moment të mbetej në kujtesë përgjithmonë.
Fotografi i cili nëpërmjet aparatit të tij fotografik e ndali momentin në gjendje lufte e paqeje, na solli ndër vite pamje të natyrës e portrete të ndryshme, Hazir Reka ishte i gëzuar që kishte fatin të punënonte me të rinj dhe gjithë profesionalizmin e tij t’ia përçojë atyre përgjatë tre ditëve sa pritet të zgjasë kjo punëtori.
“Për mua është interesante sepse në moshën që janë ata, 40 vite më parë unë kam filluar ta zhvilloj filmin e parë dhe të fotografoj, pa më ndihmuar askush, ndërkaq do të dëshiroja që edhe këta të rinj ta vazhdojnë këtë rrugëtim ashtu siç unë kam bërë deri sot”, u shpreh për KultPlus fotografi Reka.
Ambienti i përzgjedhur për ditën e parë të punëtorisë, parku i Gërmisë për Rekën vlerësohet të jetë i qëlluar për shkak të natyrës së pasur.
“Sot përgjatë punëtorisë patëm fat që ndriçimi ishte i duhur, peizazhi shumë i mirë, plus kur i shtojmë edhe ngjyrat e vjeshtës të cilat janë më të pranueshme për të realizuar fotografi”, theksoj tutje Hazir Reka
Entuziazmi me të cilin kishin punuar të rinjtë dhe fotografitë të cilat i kishin shkrepur i pëlqyen Rekës. Nga të gjitha fotografitë e shumëta të realizuara sot, ai veçoi dy peizazhe dhe tre portrete. Përderisa peisazhet paraqitnin bukurinë e drunjve, të barit dhe ngjyrave, tre portretet shpalosnin shpirtërat e protagonistëve të fotografisë.
Haziri i cili ka kaluar një periudhë të gjatë duke u marrë me fotografinë dhe artin që përçohet nëpërmjet pamjes, mendon se puna është bazamenti i suksesit për një të ri që e do këtë fushë.
“Një fotograf i ri duhet ta ketë vullnetin dhe dëshirën, ngase nuk i ka nuk mjafton vetëm ta ketë aparatin”, shtoj tutje Haziri.
Për Vlerë Mehmetin, njërën nga pjesëmarrëset, punëtoria për fotografinë do të mbetet një eksperiencë e mirë, duke shtuar këtu edhe vullnetin e përbashkët të ekipës dhe të fotografit Reka.
“Ishte shumë interesante që ne u munduam t’i zëmë disa momente dhe t’i shkrepim disa fotografi vet nëpërmjet mundësisë që na u dha. Ne kemi bërë fotografi por jo kaq profesionalisht me aparat fotografik”, u shpreh Mehmeti.
Vlera theksoj se pëlqen shumë të fotografoj, e sidomos natyrën. Ndërkaq nga të gjitha fotografitë të cilat ka pasur rastin t’i shkrep, njëra i ka mbetur në mendje më së shumëti. Ishte pamja e një të moshuari, ajo që ia fali një ndjesi ndryshe asaj.
“Në park në vendin ku u realizuan fotografitë ishte një i moshuar, ishte kënaqësi për ne që ajo pranoj që ta fotografonim te një burim i ujit. Te ai interesante ishte ngjasimi i tij me gjyshin tim për nga pamja, rrudhat e tij në fytyrë më ngjallën një nostalgji”, shtoj tutje Vlerë Mehmeti.
Ky moment nuk do t’i mbetet në kokë vetëm Vlerës. Është pjesëmarrja tjetër e punëtorisë, Bora Thaçi ajo e cila poashtu pëlqej më së shumëti momentin e fotografimit të plakut.
“E kemi takuar një të moshuar dhe i kemi kërkuar t’ia bëjmë një fotografi. Ka qenë një moment shumë i mirë për mua, është habitur shumë por, në të njëjtën kohë ka buzëqeshur sepse i ka ardhur shumë interesant që dikush po i kërkon t’i bëj foto, edhe për atë më ka pëlqyer shprehja emocionale e tij”, u shpreh Bora, teksa kujtonte momentin.
Thaçi ka nisur rrugëtimin fotografik në mënyrë profesionale për herë të parë në këtë punëtori mirëpo, interesimi i saj kishte lindur qyshmoti, e që tanimë gjeti realizimit të saj.
“Kjo punëtori definitivisht ma ka rritur interesimin për fotografi shumë më shumë. Më ka pëlqyer edhe atmosfera tejet e mirë dhe shoqëruese si dhe thjeshtëzimi i teknikave, se ku binte dielli, ku janë hijet dhe gjëra të tjera”, tha Bora Thaçi.
Tanimë që ajo ka mësuar disa teknika të nevojshme, iu ka ndërruar edhe këndvështrimi për fotografinë, të cilën e vlerëson se kurrë nuk del nga moda.
“E shoh si një mënyrë më të lehtë për t’i kapur momentet sepse kjo është e vetmja formë dhe mund të krijosh shumë gjëra më të bukura dhe mendoj që kjo gjë na vyen të gjithëve shumë”, theksoj Bora Thaçi.
Në anën tjetër fotografinë Diar Besaj e ka hobi, të cilën e realizon kohë pas kohe, mirëpo ndihma e profesionistit Reka e ka bërë t’i pëlqej edhe më shumë.
“Falë fotografit me përvojë që e kemi pasur, na ka bërë t’i kuptojmë disa elemente më shumë të cilat nuk i kemi pa më parë me sy, e të cilat ishin detaje më të vogëla, përshembull reflektimi i dritës në objekte”, tha Besaj.
Për Diarin momenti i cili i ka pëlqyer më së shumëti mbetey kur aparatin e tij ai e drejtoj ndaj një ambienti të fëmijëve, të cilit ishin të lumtur duke luajtur.
“Më ka pëlqyer shumë sepse të gjithë kanë qenë në një ambient gazmorë dhe të buzëqeshur, e kjo ka bërë të kem mbresa të mira”, tha Diar Besaj.
Përtej peisazheve natyrore, organizatorët ishin kujdës që të rinjtë të fotografonin edhe pamje urbanistike, kështu rrugët e qytetit të Prishtinës u bënë destinimi i tyre, në përpjekjë për të kapur punimet arkitektonike, ndërtesat dhe ngjyrat e qytetit pa lum.
Kjo punëtori e fotografisë u realizua në kuadër të projektit “Pen For Culture” me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Ndërkaq ishte hera e tretë me radhë prej kur “ProPlus” përdori artin si mjet për të sjellur një frymë multientike në mes të rinjve, pas punëtorive për ese dhe pikturë. / KultPlus.com
Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990, shkruan KultPlus.
Pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.
Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. ”Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.
Kjo ekspozitë i parapriu inaugurimit të bustit të senatorit i cili do të bëhen në rrugën ‘Bob Dole’, sot në Lagjen Dardani, duke filluar nga ora 13:30.
Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës. / KultPlus.com
Nga libri “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”, të Nerimane Kamberi, 2019
NËNË KURAJË DHE FËMIJËT E SAJ… TË VDEKUR GJATË LUFTËS 1999
Ajo ka ndodhur para vetëm pesëmbëdhjetë vjetëve, më 27 mars 1999. Katër policë serbë kanë hyrë në shtëpinë e Ferdonije Çerkezit, kanë vënë maskat dhe i kanë marrë njëmbëdhjetë burrat e familjes. Asnjëri nuk u kthye. Vetëm trupat e dy prej bijve të saj sot pushojnë në paqe në një kodër të Gjakovës. Për t’i kujtuar ata, kjo Nënë Kurajë ka shëndrruar shtëpinë e saj në një muze.
30 mars 2014
Ferdonije Çerkezi më pret te dera e shtëpisë. Në mur, në të majtë, një pllakë e zezë prej mermeri. Më 27 mars 1999, vetëm pesëmbëdhjetë vjet më parë, policia serbe mori burrin dhe katër djemtë e saj, së bashku me disa fqinjë, miq dhe kushërinj. Krejt, njëmbëdhjetë burra që nuk u kthyen kurrë.
“Katër policë erdhën rreth orës 11 të mëngjesit. Na kanë gjetur në dhomën e ndenjes, burra, gra dhe dy vajza të vogla. E mbaj mend atë ditë, sikur të ishte dje. E kujtoj çdo moment. Ata u kthyen rreth orës 15. Të gjithëve ia kërkuan letërnjoftimet dhe na çuan në bodrum. Më është dashur ta zgjoj Edmondin, sugarin. Ata kërkuan raki, por nuk kishim, iu bëra kafe, një të ëmbël dhe një me më pak sheqer. Ata kishin sjell çokollatë për vajzat. Na kërkuan para, ari. Ia dhashë 500 marka. Pastaj i vunë maskat. I morën të gjithë burrat.” Njëmbëdhjetë burra, emrat e të cilëve figurojnë në pllakën e mermerit në hyrje të shtëpisë.
Shkoj pas nikoqires sime në katin e parë të kësaj shtëpie të cilën e ka shndërruar në një vend të kujtesës. “Doja të bëja një muze për t’i mbajtur kujtimet e tyre të gjalla. Dhe për t’u treguar të rinjve, gjeneratave të ardhshme se sa kemi vuajtur nga serbët.” Në korridor, ajo i ka renditur mbi një orman këpucët e Halimit, burrit të saj, këpucët e Artanit, Armendit, Ardianit dhe Edmondit, djemve të saj. “Artanit i pëlqente të mbathë çizme ushtarake. Ai thoshte se një ditë do të donte të shërbente në ushtrinë e Kosovës.”
Në anën e majtë, dhomat e të dy djemve, që ishin martuar të njëjtën ditë. Fotografitë e çifteve të rinj, kostumet e tyre dhe fustanet e nuseve janë të varura, thuajse kanë veshur trupat fantazmë. Në dhomat e këtij muzeu të pafajësisë gjithçka është e bardhë: muret, mbulesat e shtretërve dhe fustanet e nusëve, simbole të lumturisë dhe të jetës.
“Çka i kemi bërë? Pse i morën të gjithë? Ishim tetë, sot jam e vetme. Rejat e mia janë martuar, kanë fëmijë. Fëmijët që bijtë e mi nuk i patën”. Lotë të shumtë e mbulojnë fytyrën e saj, plot me dinjitet. Një djep prej druri gjindet në mes të dhomës. “I kam përkundur bijtë e mi me të.“ Sot, ajo do të kishte dashur t’i përkundë stërnipat e saj, “të cilëve do t’u kishte folur për baballarët e tyre”.
Ferdonija tani jeton me shpresën se do të gjenden eshtrat e më të dashurve të saj. Për momentin, vetëm dy prej tyre, Artani, më i madhi, dhe Edmondi, më i riu, pushojnë në kodrën e Çabratit, mbi Gjakovë, në kufirin me Shqipërinë. Një qytet me shumë viktima gjatë luftës së vitit 1999.
Në dhomën e ndenjës, në dy ormane prej xhami gjenden rrobat që kishin veshur djemtë kur u gjetën. Rroba të shpuara nga plumbat e forcave serbe që i ekzekutuan. “Pas marrjes së tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i lava me duart e mia,” psherëtin. “Oh Zot, shpesh i shoh në ëndërr”. I fshin lotët me dorë dhe i kthen sytë kah fotografitë e tyre.
Ferdonija i falënderon të gjithë ata që i kanë shprehur mirësi, që e kanë mbështetur dhe që vazhdojnë të përpiqen t’ia lehtësojnë dhimbjen sado pak, veçanërisht ata që mendojnë ta vizitojnë atë në këtë datë përkujtimore, më 27 mars. “Djali im Artani e donte historinë. Sot historia është shkruar për të”. Ferdonija do të donte që historia moderne e Kosovës të flasë për bijtë e saj, për burrin e saj dhe për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën.
Ajo më shoqëron deri te dera, në kokën e saj gjithnjë jehojnë fjalët e burrit të saj: “Duhet të jesh e fortë, lufta mund të na marrë të gjithëve, të na lërë disa ose të na kursejë të gjithëve. Por ti duhet të jesh e fortë”. Kjo sigurisht është e gjitha që dëgjohet në këtë shtëpi, ku nuk ka më zëra burrash ose klithma fëmijësh.
Kjo fotografi është realizuar më 2 shkurt të vitit 2017, kurse ndotja e ajrit sivjet është vënë në fokus të reagimeve të qytetarëve më shumë se kurrë, shkruan KultPlus.
Kjo fotografi është relizuar nga fotografi i njohur kosovar Hazir Reka. Në këtë fotografi shihet një grua duke shkuar te pika e stacionit të autobusëve në Obilic, dhe në të njëjtën kohë shihet ndotja e ajrit që e rrethon këtë ambient./KultPlus.com