Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku pas nënshkrimit të Koalicionit Global për Gjithëpërfshirje të Olimpiadës Speciale, ka thënë se si prioritet ka integrimin e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri.
Ministri Çeku pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka takuar edhe Florentin Hazirin, sportist me aftësi të veçanta intelektuale i cili vitin e kaluar Kosovës i solli medalje të artë nga Olimpiada Speciale Botërore në Berlin.
“Sot bëmë edhe një hap shumë të rëndësishëm për të krijuar më shumë mundësi që sportistët si Florenti të zhvillojnë aktivitetin e tyre sportiv dhe të përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare. U bëmë pjesë e Koalicionit Global për Gjithëpërfshirje të Olimpiadës Speciale.
Qeveria jonë ka prioritet integrimin e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri. Me ligjin e ri të sportit kemi fuqizuar rolin e Olimpiadës Speciale në sistemin sportiv vendor, ndërsa për herë të parë kemi siguruar buxhet për pjesëmarrjen e tyre në gara ndërkombëtare vitin e kaluar”, ka thënë ministri Çeku./KultPlus.com