Erjola Azizolli
Fundjava e fundit e shtatorit ishte mjaft e rëndësishme për piktoren Hyrie Shaqiri, në Prishtinë. Ajo i ka shtuar kryeqytetit të Kosovës një mjedis të ri për artin dhe kulturën.
HB- Atelier-Galeri, është hapur së fundmi në Prishtinë dhe do të jetë një shtëpi e re pritëse për të gjithë ata të ri dhe të reja që duan të përgatiten në fushën e pikturës, por dhe që duan të promovojnë artin e tyre. Hapja e kësaj galeri është shoqëruar me një ekspozitë, tejet të veçantë. Artistja Dafina Gërguri, ka sjellë pikërisht në mjediset e kësaj galeri ekspozitën e saj të parë, titulluar “ The world I live in”. Ajo, është vetëm 15 vjeçe, por premton shumë në fushën e pikturës, pasi nuk i mungon vetëm talenti dhe pasioni.
Dafina Gërguri, është një artiste e re në Prishtinë, që prej vitesh merr mësime në fushën e pikturës dhe që duket se artet pamore do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës së saj. Vajza prishtinase ka sjellë gjatë fundjavës për publikun ekspozitën e saj të parë.
Miq të arit dhe kulturës, familjarë të artistes, por dhe profesorë dhe nxënës shkollash artistike, ishin prezentë gjatë hapjes së ekspozitës së artistes. E qetë dhe mjaft e sigurt në prezantimin e saj përpara publikut Dafina solli plotë 29 vepra në pikturë.
Krijimet e saj, kryesisht portrete, sollën një këndvështrim rreth jetës, ëndrrave, botës fëmijërore, gërshetuar me fantazinë prej një 15 vjeçare, në një mbrëmje artistike, ku u bashkua inaugurimi i galerisë dhe hapja e ekspozitës.
Kuratorja e ekspozitës dhe drejtuesja e galerisë, artistja e njohur në Prishtinë, por dhe më gjerë Hyrie Shaqiri, u shpreh për KultPlus, se me të ritë si Dafina Gërguri është vërtetë kënaqësi të punosh, pasi talentit dhe pasionit ajo i shton dhe punën e palodhur.
“Janë një sërë portretesh të realizuar me mjaft mjeshtëri nga ana e artistes, ku gjen personazhe të jetës sonë të përditshëm, që sipas moshave tregojnë vitet e tyre, “luftën” për mbijetesë, por dhe portrete krejtësisht imagjinar që rrëfejnë një botë sa fëmijërore aq dhe reale”, tha kuratorja Shaqiri.
Për nivelin e lartë artistik, pavarësisht moshës ende të re të artistes, folën dhe dy emra mjaft të njohur në botën e artit në Kosovë, Fehmi Hoxha dhe Elena Dragusha, të cilët ndoqën hapjen e ekspozitës. Ata e vlerësuan artisten e re, duke e cilësuar si një zë premtues për të ardhmen, në artin pamor. Dafina Gërguri, vjen nga një familje njohur në Kosovë, dhe duket se dashuria për artin ka lindur së bashku me të, për tu kultivuar nëpërmjet pikturës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për tre javë, ndërkohë që të tjera ngjarje të rëndësishme kulturore pritet të ndodhin në mjediset e reja të HB- Atelier – Galeri./ KultPlus