Në një nga periudhat më të errëta në historinë e njerëzimit, Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët u dolën në mbrojtje hebrenjve, duke i fshehur në familjet e tyre, për t’i shpëtuar nga gjenocidi nazist. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë, ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj, nga 200 para Holokaustit në rreth 2 mijë, pas luftës. Në mesin e hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri ishte edhe Johanna Jutta Gerechter [Numann] dhe familja e saj. Zëri i Amerikës bisedoi me djalin e zonjës Gerechter, Benjy Neumman dhe familjarët e Njazi dhe Lisa Lotte Pilkut në Shqipëri, të cilët e kishin ndihmuar familjen e zonjës Gerechter.
Kjo fotografi është realizuar në gusht të vitit 1942, në fshatin Shkozet, në afërsi të Durrësit.
Vajza, që shihet në të është 11 vjeçarja, Johanna Jutta Gerechter.
Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1939, ajo dhe familja e saj u detyruan të largohen nga Hamburgu, për t’u shpëtuar nazistëve dhe shkuan në Shqipëri.
Gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën pushtimin italian, vendi ishte shndërruar në një parajsë për hebrenjtë, kujton djali i zonjës Gerechter, Benjy Neumann.
“Shqiptarët ishin shumë mikpritës. Hebrenjve u gjetën punë, familjes tonë si rrobalarës. Gjyshi im vizatonte simbole për bizneset. Në Shqipëri gjetën një mënyrë për të mbijetuar”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Por, më 1943, pasi gjermanët pushtuan Shqipërinë, situata ndryshoi.
Megjithë rrezikun e madh, shqiptarët vazhduan t’i strehonin fshehurazi hebrenjtë.
“Holokausti na kujton një moment shumë të errët në historinë e botës. Nuk e di se me çfarë mund të krahasohet. Pastaj shohim një dritë shprese në Shqipëri. Qeveria dhe udhëheqësit fetarë bënë pjesën e tyre. Por ishin edhe vetë nerëzit. Ata besonin se duhej të kujdeseshin për mysafirët. Shtëpia e tyre është shtëpi e Zotit. Të gjithë jemi fëmijë të Zotit, pa marrë parasysh besimin fetar. Kjo është pjesë e kulturës shqiptare. Shqiptarët, myslimanë, apo të krishterë, dhanë besën dhe bënë gjënë e duhur”, thotë zoti Neumann.
Ai shprehet mirënjohës ndaj familjeve shqiptare, sidomos ndaj asaj të Njazi Pilkut dhe bashkëshortes së tij gjermane, Lisa Lotte Pilku.
Ishte origjina gjermane e zonjës së shtëpisë, ajo që ndihmoi Johanna Jutën dhe familjen e saj t’i mbijetojnë Holokaustit në Shqipëri, thonë për Zërin e Amerikës pasardhësit e familjes Pilku.
“Në një rast kur mamaja e Jutës së bashku me Jutën ishin në breg të detit, u ndaluan nga gjermanët. Ato e flisnin shumë mirë gjermanishten, sepse atje kishin jetuar. Mbrojtja e gjyshes ishte se ata janë kusherinjtë e mi nga Gjermania”, thotë Ortenca Pilku, mbesa e Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
Elmaze Pilku, bashkëshorte e të birit të Njazi dhe Lisa Lote Pilkut
“Po të diktohej që mbronte hebrenjtë, do ta pësonte, mund të vritej…”, thotë Elmaze Pilku, bashkëshortja e të birit të Njazit dhe Lisa Lote Pilkut.
Zoti Neumann thotë se këtë histori e tregon vazhdimisht, që popujt e tjerë të mësojnë nga humanizmi i shqiptarëve në atë periudhë.
“Sepse vërtet besoj se shqiptarët janë një shembull që duhen ndjekur. Në veçanti kur flas me fëmijët në shkollë të mesme, ky është mesazhi im për ta. Mos u fshihni pas të tjerëve. Mund të jeni udhëheqës. Shqipëria ishte një vend i vogël, por që u ngrit kundër nazistëve dhe bëri ndryshimin”, thotë ai.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Shqipëria ra në duart e partisë komuniste. Familja Gerechter u detyrua të largohet në drejtim të Shteteve të Bashkuara.
Për vite me radhë zonja Gerechter u përpoq të kontaktonte me familjen Pilku, por pa sukses. Shqipëria ishte mbyllur si pasojë e një prej regjimeve më brutale në botë.
Prandaj, deri vonë ajo nuk dinte se pak pas largimit të familjes së saj nga Shqipëria, diktatura komuniste e pushkatoi humanistin dhe inxhinierin, Njazi Pilku.
“Enver Hoxhës nuk i levërdisi, sepse nuk i donte të zgjuarit dhe më 9 janar më 1945 e pushkatoi”, thotë Elmaze Pilku, bashkëshortja e të birit të Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
“Për pushkatimin e gjyshit tim Juta mori e vesh në momentin kur erdhi në Tiranë dhe ka qenë shumë e trishtuar. Imagjinoje pas 46 vitesh, ajo ka kuptuar se gjyshi im është pushkatuar”, thotë për Zërin e Amerikës Ortenca Pilku, mbesa e Njazi dhe Lisa Lote Pilkut.
Zonja Gerechter vdiq në prill të vitit 2017. Kujtimet e saj, ajo i la në një libër me titull “Ikja në Shqipëri: Kujtimet e një vajze hebre nga Hamburgu”.
Kontaktet mes familjarëve të saj dhe asaj Pilku në Shqipëri vazhdojnë.
“Mirënjohja e atyre njerëzve, dashuria që ata dhanë, unë nuk di të shpjegoj dhe çfarë të them për popullin izraelit, popullin hebre. Një ngjarje që kishte ndodhur rreth viteve ’43-’44. Nuk e kishin harruar atë që kishin bërë gjyshërit e mi. Janë gjëra që ndodhin shumë rrallë”, shton zonja Pilku.
“Është një lidhje e fuqishme që është krijuar nga ata, por që ruhet edhe tani. Kjo është ajo që ndjejmë ne për Shqipërinë. Është vendi i duhur për të qënë, nëse je në vështirësi”, thotë zoti Neumann.
Më 1998 familja Pilku u bë pjesë e listës së personave që nderohen nga shteti i Izraelit për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Në këtë listë bëjnë pjesë 75 familje shqiptare, por numri i atyre që ndihmuan besohet të jetë shumë më i lartë./VOA
Shpeshherë kërkojmë shembuj atdhetarie dhe humanizmi gjithandej, ndërkohë që i kemi para syve, midis njerëzve të thjeshtë, por me zemër të madhe, që habiten kur u thua se kanë kryer vepra të rralla, por që përjetësisht kanë lartësuar, jo vetëm veten por edhe fqinjët apo krahinën ku kanë jetuar.
Si në të kaluarën dhe me vonë jeta do të vërtetonte virtytet e rralla të popullit shqiptar dhe në veçanti të shijakasve, modestia e të cilëve kapërcen çdo limit, por vjen një kohë dhe patriotizmi e humanizmi i tyre del në pah me tërë madhështinë e vet, duke i dhënë vendin e merituar kësaj treve në historinë e Shqipërisë. Fjala është për atë specifikë të popullit shqiptar, që me të drejtë zë një vend të veçantë në Evropë, sepse një numër i konsiderueshëm hebrenjsh, që fashistët dhe nazistët i përndoqën vite me radhë, gjetën strehim në Shqipëri dhe asnjëri prej tyre nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese.
Njerëz të thjeshtë, por me zemër të madhe, duke rrezikuar jetën për vite me radhë i fshehën, i ushqyen dhe i mbrojtën nga pushtuesit nazifashistë një numër të konsiderueshëm hebrenjsh. Pikërisht edhe shijakasit kanë të drejtë të krenohen me ato familje, të cilat kontribuuan pa asnjë interes në këtë drejtim. Në librin tim, “Copëza jete”, f. 96, botim i vitit 2007, kam shkruar: “Fakt historik është marrja nën mbrojtje nga qytetarë shijakas të disa familjeve hebreje, të cilat u vendosën në qytet, sidomos me fillimin e luftës. Ndër ta vlen të përmenden antifashistë si Zenel Seiti, Ali Arbana, Daut Shahini, Metali Alite, Halil Gashi etj., të cilët deri në çlirimin e vendit nga pushtuesi, i strehuan në shtëpitë e tyre (duke rrezikuar seriozisht veten dhe familjet)”.
Në fillim do të përqendrohem te familja e një bamirësi të shquar shijakas, i cili strehoi tri familje hebreje në shtëpinë e vet, që gjatë pushtimit italian, të cilat më pas u riatdhesuan menjëherë mbas mbarimit të luftës. Ai quhet Zenel Seiti. Njëra nga lagjet e qytetit të Shijakut ka marrë emrin e lumit, sepse ndodhet buzë tij, prandaj quhet lagja “Erzen”. Në një masë të konsiderueshme në këtë lagje kanë zënë vend edhe mjaft të ardhur nga qyteti i Krujës, që me kontributin e dhënë në dekada, e kanë lartësuar Shijakun. Në këtë mjedis ka ngritur folenë e vet edhe fisi i përmendur Seiti.
I pari i familjes, Zeneli, pasi kreu gjimnazin, me përvojën e fituar hapi një zyrë të vogël në qendër të qytetit, ku në ballë të saj lexohej: “Shkrues publik – Zenel Seiti”. Ai kryente aty detyrën e avokatit, por edhe të noterit për kohën, kur nëpunësit ishin të pakët. Çdo ditë para zyrës mblidheshin hallexhinj nga qyteti, por sidomos nga fshatrat, të cilët kërkonin ndihmë nga bamirësi i palodhur Zenel Seiti: dikush për një vërtetim pronësie, një tjetër për t’i shkruar letër djalit ushtar, një i tretë për një prokurë, etj. Kjo ishte puna e përditshme e intelektualit të nderuar z. Zenel Seiti.
E shoqja, znj. Zyrafet, një grua energjike dhe tepër mikpritëse, ishte e motra e mësuesit të mirënjohur, z. Riza Deliallisi, i cili, megjithëse pësoi një aksident të rëndë, vazhdoi detyrën fisnike të mësuesit deri në fund të jetës së vet. Në periudhën më të vështirë të luftës, zonja Zyrafet mbështeti fuqimisht të shoqin dhe u shërbeu me humanizëm të lartë emigrantëve hebrenj. Familjen Seiti do ta gjallëronin fëmijët e shumtë: Sadetja, që ishte fëmija i parë, më vonë do të bëhej bashkëshortja e antifashistit të orëve të para, Abdyl Keçi, i cili mbas çlirimit do të drejtonte veprimtarinë arsimore në nënprefekturën e Shijakut.
Ky atdhetar fisnik nuk u pajtua me sloganet bajate të komunizmit, prandaj u dënua me dhjetë vjet burg politik. Fëmijët e tjerë ishin: Ylvija, Syrjai, Naimja, Robnia, Bashkimi dhe Engji. Familja Seiti ishte e përmendur edhe për kopshtin e mrekullueshëm prej 7 dynymësh. Në të gjeje të gjitha pemët, si dhe zarzavatet e kohës. Ngjitur me Zenelin jetonin edhe vëllezërit e tij. Në banesën e njërit prej tyre, Rizait, që ishte beqar, u strehuan tri familje hebreje, që nga fillimi i vitit 1942. Ndonëse mbi të nëntëdhjetave, vajza e dytë e z. Zenel, Ylvije Reçi (Seiti), sot me banim në Tiranë, të habit me kujtesen e saj brilante.
Një takim të veçantë me këtë zonjë të nderuar na e mundësoi i vëllai, z. Bashkim Seiti, ish-kryetar i Bashkisë së Shijakut në vitet 2000-2003, personalitet i njohur në Shijak jo vetëm për kontributin e tij në rini si futbollist, por dhe në detyrën e kryetarit të Bashkisë Shijak, duke mundësuar një përmirësim rrënjësor të infrastrukturës së qytetit. Ja çfarë na rrëfen Zonja Ylvije Seiti, për të tri familjet hebreje: “Në fillim të vitit 1942 mbërritën në Shijak disa familje hebreje dhe si gjithnjë vendasit u hapën dyert dhe i strehuan gjatë gjithë periudhës së luftës. Babai mori për të strehuar tri familje, të cilat i sistemoi tek shtëpia e xhaxhait, Rizait, që ishte beqar. Njëra nga familjet përbëhej nga mamaja që quhej Albina, nga djali, Mishel dhe vajza Violeta. Familja e dytë përbëhej nga burri, gruaja dhe vjehrra. Ata quheshin Hercek, Kate, kurse të moshuarën e thërrisnin Babo. Familja e tretë përbëhej nga Jozhi, Ruzhica dhe Finica. Përpjekje e suksesshme me ndihmën e miqve e z. Zenel, ishte pikërisht pajisja e të gjithë këtyre me dokumente identiteti vendase, prandaj kur kontrolloheshin, sidomos nga gjermanët, ata paraqisnin pasaportat shqiptare. Dy familjet e para ndenjën më se dy vjet dhe menjëherë pas lufte Albina u kthye në Itali me fëmijët, ku kishte të shoqin të internuar. Herceku dhe Babo vdiqën para kohe për shkaqe natyrale, ndërsa Kate u martua me një shqiptar dhe u largua. Jozhi ishte shumë punëtor dhe ka bërë punë të ndryshme si lustraxhi, shitës mallrash të ndryshme dhe fotograf. Ruzhica dhe Finica merreshin me stampimin e fotove që bënte Jozhi. Ndërkohë, rreziku u shtua në shtator 1943, me dyndjen e pushtuesve nazistë në Shijak. Atëherë xhaxhai ynë, Rizai, i mori Jozhin dhe të dyja vajzat, i veshi me rroba fshatarësh dhe i dërgoi për strehim drejt Krujës përkohësisht, te disa miq tanë. Por, dikush fshehurazi e kishte ndjekur, pabesisht e qëlloi dhe e vrau xhaxhanë (që, për fat të keq deri më sot ka mbetur plotësisht i harruar).
Mes një rreziku të madh, hebrenjtë e shoqëruan trupin e Rizait nga Kruja në Shijak. Të tre ata, pasi kërkuan leje nga familjarët, e qanë në fenë e tyre hebreje, si njeriun më të afërt, këtë bamirës që dha jetën për ta. Kjo ceremoni habiti qindra shijakas që morën pjesë në funeralin e xhaxhait, i cili dha jetën për të shpëtuar jetë, kur ishte vetëm 25 vjeç. Pas çlirimit hebrenjtë e mbetur u larguan për në Tiranë dhe prej andej u riatdhesuan në vendin e vet. Sapo mbërritën në atdhe, na dërguan një letër të gjatë ku na falënderonin për sakrificën e bërë vite me radhë si dhe një fotografi (që për rrethana të kohës, nuk u ruajt dot deri më sot). Në letër shkruanin se Jozhi dhe Ruzhica ishin bërë me djalë, kurse Finica kishte humbur jetën në një aksident automobilistik në një qytet, në Izrael. Korrespondenca me ta nuk vazhdoi gjatë, sepse situata në vend u ndërlikua dhe nuk lejohej të mbaheshin lidhje me të huajt”.
Ndonëse këto familje hebreje janë përpjekur të mbijetojnë, duke dhënë edhe kontributin e tyre, por kryesore për mbijetesën e tyre u bë familja e nderuar e z. Zenel Seiti, që i konsideroi si pjesëtarë të familjes dhe bëri që të mos ju mungojë asgjë për vite me radhë. Me këtë humanizëm të thellë familja Seiti nderoi, jo vetëm veten, por edhe Shijakun.
Në kuadër të këtij humanizmi do të përmend edhe familjet e tjera shijakase që në ato vite të vështira lufte strehuan, ushqyen dhe mbrojtën familje të tjera hebreje. Shembull në këtë drejtim u bë edhe burri i urtë, por energjik, atdhetari i paharruar, Ali Arbana. Në shtëpinë e tij u strehua një familje hebreje prej tre personash. Ai shpesh manovronte, duke i përcjellë përkohësisht edhe tek disa miq të tij jashtë qytetit, për arsye sigurie. Në korrik të vitit 1943, z. Ali Arbana u zgjodh kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar për nënprefekturën e Shijakut, detyrë të cilën e kreu me nder. Edhe në këto kushte, kur rreziku për të u shtua, ai nuk i braktisi miqtë hebrenj, të cilët u riatdhesuan në vitin 1945.
Si për koincidencë, nipi i tij, z. Elton Arbana, drejton sot me sukses Bashkinë e Shijakut. Meritë e pamohueshme e tij është angazhimi i gjithanshëm në rindërtimin e qytetit, pas dëmtimit të rëndë nga tërmeti i fundit. Në qendër të qytetit, gjatë luftës ka jetuar edhe familja e z. Halil Gashi. Ndonëse në një pozicion delikat edhe kjo familje mori parasysh rrezikun dhe strehoi një familje hebreje prej dy personash. Në lidhje me këtë rast, mësuesja e nderuar e anglishtes, veterania e arsimit, znj. Durrije Faja (Shtraza), që sot nuk jeton, tregonte:
“Përballë shtëpisë sonë banonte familja e Halil Gashit, njerëz të urtë dhe mjaft mikpritës. Mua si fëmijë më bënte përshtypje se në atë familje banonin një burrë dhe një grua që dukeshin ndryshe nga të tjerët. Ata dilnin shumë rrallë nga shtëpia. Më vonë do të mësoja se ata ishin hebrej dhe që komshiu ynë, i kishte marrë në mbrojtje. Ashtu si edhe të tjerët, ata u larguan pas çlirimit të vendit”. Në librin “Shijaku nëpër vite”, i intelektualit të shquar shijakas Agim Faja, i cili këto ditë doli nga shtypi, në f. 110, na jepen disa të dhëna plotësuese dhe shumë interesante lidhur me strehimin e hebrenjve në Shijak: “… në familjen e Zylyf Shtrazës ishte strehuar usta Mateo (hebre) me të shoqen dhe dy fëmijët, Klarën dhe Markon.
Ai shiste qofte, por në të vërtetë kishte qenë sipërmarrës konfeksionesh. Kur gjermanët hynë në Shijak, i biri i Zylyfit, Haxhiu, i dërgoi në fshatin Shtrazë për t’i fshehur nga nazistët, te një miku i tyre, Xhemal Driza*, që ishte hoxha i katundit”. Z. Daut Shahini dëftonte për një çift hebre, Enio dhe Marshela, që i kishte strehuar në shtëpinë e tij. Kur kishin ardhur gjermanët për të kontrolluar, ai i kishte fshehur në kaushët e hasrave dhe ata nuk i kishin gjetur. Atë ditë që do të largoheshin, Marshela i kishte lënë si kujtim nënë Nurijes, nuses së Dautit, makinën qepëse. Në shtëpinë e z. Dyl Qehajai (Kaçiu) ishin strehuar një hebreje me profesion doktoreshë, Urani Graca, që mjekonte partizanët e plagosur.
Ajo kishte edhe një motër, e cila ishte profesoreshë muzike, një vëlla dhe një djalë teze dhe të gjithë kishin ardhur nga ish-Jugosllavia. “Në familjen tonë, – kujton mësuesi pensionist z. Metali Alite, – qe strehuar një hebreje tjetër, doktoreshë Ana, e cila fitoi dashurinë e të gjithëve, jo vetëm se ishte e papërtueshme, por edhe se ishte shumë kompetente dhe precize në diagnozë. Ajo guxonte të shkonte nëpër shtëpitë e shijakasve për të mjekuar fshehurazi partizanët e plagosur. Im at, Nekiu, e donte shumë dhe e furnizonte me ilaçe krejt falas. Doktoreshë Ana, kishte një motër shumë simpatike, Salltanën, që të tërhiqte për kulturën e saj. Ajo dëftonte se të shoqin ia kishin vrarë nazistët.
Në Shijak kishte edhe të tjerë hebrenj të ardhur, të cilët kanë bërë punë nga më të ndryshmet si qoftexhi, fotografë, punëtorë krahu, gjer edhe lustraxhi. Për t’i shpëtuar holokaustit, shijakasit i dërgonin tek të njohurit e tyre në fshatrat e thella kodrinore, si Shtrazë, Kënetë, Shetel, Pinet, Sauqet, Shesh, Çale-Bërzez e fshatra të tjerë, që ishin nën administrimin e Shijakut”. “Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael”, që në fillimet e saj ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë shumë të lavdërueshme për të pasqyruar me vërtetësi kontributin humanist (si asnjë popull tjetër në Europë) të popullit shqiptar, që strehoi, ushqeu dhe mbrojti edhe me gjak popullsinë martire hebreje.
Meritë të veçantë në këtë drejtim ka kryesia e shoqatës si edhe kryetari i saj, prof. dr. Petrit Zorba, përvoja e pasur shumëvjeçare e të cilit, i bën nder, jo vetëm atij dhe shoqatës, por edhe të gjithë vendit. Interes të dukshëm paraqesin edhe kujtimet personale të këtij personaliteti të mirënjohur lidhur me këtë tematikë, që gjithmonë do të mbetet madhore, si kulm i humanizmit njerëzor. Ndër të tjera ai thekson: “Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore hebrenjtë e ndodhur në hapësirën shqiptare apo të ardhur nga jashtë kufijve të Shqipërisë së asaj kohe, u strehuan në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë që vendet më të sigurta, kuptohet, ishin ato larg qyteteve dhe komandave të forcave pushtuese.
Mënyrat e strehimit dhe pretekstet ishin nga më të ndryshmet. Gjithsesi, një histori e shkurtër e pathënë më parë, më shumë për modesti, është e lidhur me një traditë të lashtë shqiptare, sipas së cilës e mira nuk duhet përmendur, dhe që në fakt është karakteristikë e veçantë e mikpritjes dhe respektit për mikun. Fjala është për strehimin dhe shpëtimin e jetës së dy hebrenjve, në familjen e z. Shaqir Shahini, në fshatin Shahinaj të Shijakut. Natyrisht që strehimi i hebrenjve, të cilët qëndruan në atë fshat, në atë familje, ishte meritë e z. Shaqir, njeri me autoritet, mjaft punëtor dhe që kishte mundësinë për t‘u dhënë ushqim e strehim. Fakt tjetër ishte rrethi i gjerë i miqve, si në qytetin e Shijakut, ashtu edhe në fshatrat e tjerë pranë, ku duhet thënë se ai gëzonte një reputacion të madh.
Në atë kohë ai po ndërtonte dhe një shtëpi të re dhe nën pretekstin e punësimit, kishte përfshirë dhe dy hebrenjtë si ustallarë. Interesant është fakti se në shtëpinë e ndërtuar, në njërën prej faqeve të murit, në shenjë respekti miqtë hebrenj lanë edhe simbolikën e tyre si kujtim, “Yllin e Davidit”, të gdhendur në një vend të veçantë, pranë hyrjes. Sigurisht që bashkëfshatarët e dinin se kush ishin e nga vinin dy hebrenjtë, por fakt është se askush nuk i informoi pushtuesit. Por, a pati ndonjë pasojë nga kjo mbështetje e bërë, z. Shaqir Shahini? Kjo pyetje edhe për raste të tjera është shtruar dhe vijon të analizohet nga mjaft hulumtues të rinj, historianë e studiues të huaj.
Krahas pranimit të faktit të strehimit, të sakrificës dhe rrezikut, etj., që familjet shqiptare përballuan, nga ana tjetër ata pyesin dhe analizojnë se cila ishte “fatura”, apo pasojat që paguan strehuesit nga pushteti i kohës apo pushtuesit? Fakti mjaft domethënës në këtë rast është se, në momentin kur forcat pushtuese naziste u dyndën në fshatin Shahinaj, përveç shtëpive të tjera të zonës kodrinore, dogjën edhe shtëpinë e z. Shaqir Shahini, duke grabitur bagëtinë, gjithë drithin dhe produktet blegtorale, që kishte në pronën e tij. Duke marrë shkas nga ky informacion i bërë publik, rezulton se prania e hebrejve në atë zonë nuk ishte e rastësishme apo e vetmuar. Në qytetin e Shijakut (që në atë periudhë kishte vetëm rreth një mijë banorë) llogaritet të kenë qëndruar 12 familje hebreje, që janë në proces të dokumentimit.
Përse shumë hebrenj u gjendën në Shqipërinë qendrore? Me të drejtë lind kjo pyetje nga kushdo. Pikësëpari duhet thënë se i gjithë fluksi i hebrenjve të ardhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, nga vendet e ndryshme të Europës, si nga ishJugosllavia apo Greqia, ishte pasojë e masakrave të kryera kundër tyre në ato vende (si ato të Selanikut, etj.). Të ardhurit nga vende më të largëta si nga Austria, Polonia, Bullgaria, etj., u drejtuan dhe përfunduan në Tiranë dhe më pas në Durrës, ku, sipas mendimit të tyre, ekzistonte mundësia teorike, por dhe praktike për t’u larguar drejt brigjeve Italiane, sidomos pas kapitullimit të fashizmit italian (gjatë viteve 1943-1944). Kësisoj, hebrenjtë “kuturisnin” fshehurazi që të gjenin një dritare shpëtimi, prandaj në këtë hapësirë rastisim shumë histori, që lidhen me zhvendosjen e hebrenjve gradualisht nga pikat kufitare më të largëta të Shqipërisë drejt pjesës qendrore të vendit.
Por, kjo kishte dhe një të keqe të madhe dhe një rrezik të lartë për familjet që strehonin hebrenjtë, pasi prania e pushtuesve ishte më e madhe si në Tiranë, ashtu dhe në Durrës. Në këtë kontekst mund të përmendim historinë e prof. Scarlett Epstein, e cila, pasi erdhi nga Vjena, kaloi në Jugosllavi dhe, kur i kërkuan të largohej nga ky vend, e vetmja dritare shpëtimi i ngeli Shqipëria dhe më pas, nëpërmjet Durrësit ajo përfundoi në Angli. Kështu pak a shumë të gjitha historitë, të treguara dhe publikuara deri më sot, dëshmojnë për një fluks të lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë së Mesme.
Fillimisht lëviznin nga jashtë brenda vendit, nga zonat kufitare e më pas nga Korça, Gjirokastra, Shkodra, etj., drejt territoreve më në brendësi si Vlorë, Berat, Elbasan, etj., dhe përfundimisht në Tiranë apo Durrës. Këtu, me një popullatë relativisht më të madhe në numër, ishte më e lehtë për t’u fshehur e mbijetuar se sa në qytetet e vegjël dhe pa ndonjë dritare me mundësi arratisjeje. Por kjo shoqërohej edhe me një shkallë rreziku, guximi dhe përgjegjësie më të madhe për familjet strehuese si në Tiranë, në Durrës, Shijak, apo në fshatrat pranë tyre. Një arsye tjetër ishte se në kryeqytet, me ndihmën e humanistëve tiranas, kishin më tepër mundësi për t’u pajisur më shpejt me dokumente identiteti shqiptare”.
Si historian dhe drejtues prej shumë vitesh i muzeut të Shijakut, jam i mendimit se e vërteta e së kaluarës së hebrenjve në Shijak duhet evidentuar dhe publikuar. Gjithsesi erdhi momenti kohor kur, pas një kontakti të mundësuar nga ambasadori i Izraelit në Tiranë, z. Noah Gal Gendle, takova Prof. Dr. Petrit Zorbën, kryetar i “Shoqatës së Miqësisë Shqipëri Izrael”, i cili, jo vetëm që u bë nxitësi kryesor për ta thelluar punën hulumtuese në fushën e historikut të hebrenjve, por në bisedë me të mësova dhe ngjarjen e treguar prej tij, lidhur me kontributin e z. Shaqir Shahini, i cili ishte gjyshi i vet nga nëna. Kalimthi ngulmoj të përmend edhe disa momente të tjerë domethënëse, të shkëlqimit të humanizmit shijakas, që i bëjnë nder këtij komuniteti të mrekullueshëm.
Pas Kongresit të Berlinit të vitit 1879, kur Fuqitë e Mëdha “luanin hapur me fatet e popujve”, disa qindra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit austro-hungarez, erdhën dhe u ngulën në periferi të Shijakut, duk e krijuar dy vendbanime të përmendura: Koxhas dhe Borake. Që nga ajo kohë kanë kaluar mbi 140 vjet dhe mikpritja e humanizmi i banorëve shijakas për integrimin e këtij komuniteti fisnik, në të gjitha fushat e jetës, është emblematik. Ishin ditët e para të çlirimit nga pushtuesit e huaj, kur dhjetëra familje martire çame, të persekutuara nga shovinizmi grek, gjetën në Shijak strehim dhe mikpritje të patreguar në ato ditë të vështira për të gjithë vendin. Të dyja komunitetet, si ai boshnjak dhe ai çam, që me kontributin e tyre e kanë lartësuar dinjitetin vendas, u janë mirënjohës për jetë qytetarëve shijakas.
Gjithashtu, do të përmend edhe rastin kuptimplotë të familjes sime, Sudar: në tetor të vitit 1940 fashistët italianë internuan familjen time malazeze në Shijak. Burra shpirtmëdhenj të këtij qyteti si Qazim Domi, Sulë Zalla, Dhimitër Dika, Ibrahim Kërtalli, Cen Kruja, Ali Dashi e Kost Toçi morën në mbrojtje familjen time, duke i siguruar mbrojtje dhe jetesë normale gjatë gjithë periudhës së luftës (1940 -1945). Im at, Petar Sudar, ia shpërbleu këtij populli trim dhe fisnik, duke luftuar në radhët e Brigadës 4-t partizane, ndërsa unë, me kontributin tim 60-vjeçar si historian dhe përkthyes. Dekada kanë kaluar, por fisnikëria e bamirësve shqiptarë, ku bën pjesë edhe ai i familjeve të sipërpërmendura shijakase, do të përmendet brez pas brezi.
Kjo është arsyeja që populli i shquar hebre i Izraelit ushqen konsideratën më të lartë për humanizmin e popullit shqiptar. Në vijim të këtij kontributi modest nga ana ime, natyrisht një detyrë e veçantë dhe e vështirë pasi tashmë kanë kaluar shumë vite, u takon studiuesve, historianëve dhe institucioneve përkatëse, që të hulumtojnë më tej në arkiva apo në burime të tjera informacioni me qëllim plotësimin e të dhënave dhe ngjarjeve historike, që lidhen me këtë periudhë të Luftës së Dytë Botërore.
Saktësimi më tej i mbiemrave të familjeve hebreje apo datave të caktuara të lëvizjeve të tyre, pa dyshim do të kërkonte një impenjim serioz nga familjet hebreje të shpëtuara, trashëgimtarët e të cilëve tanimë jetojnë në Izrael apo vende te tjera. Angazhimi fisnik i tyre do ta bënte më të plotë kontributin e popullit shqiptar, sepse do të kishim një vlerësim më korrekt të historisë dhe ngjarjeve të periudhës së luftës. *Fakt i pamohueshëm unikal, që gjithashtu i bën nder të veçantë popullit shqiptar, është edhe harmonia dhe respekti që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë prej shekujsh midis të gjitha feve në Shqipëri.
Hoxhë Xhemal Driza, i fshatit të përmendur Shtrazë të Shijakut, do të kujtohet brez pas brezi për atdhetarizmin e tij të flaktë dhe për humanizmin e rrallë. Shtëpinë e tij ai e ktheu në një nga bazat më të sigurta të batalionit partizan të zonës, më pas në spital partizan dhe vendstrehim për hebrenjtë. Nazistët i arrestuan dhe i torturuan mizorisht atë dhe pjesëtarët e familjes së tij, megjithatë nuk arritën t’i mposhtnin, por pasojat në shëndet i vuajtën tërë jetën.
Një familje hebraike që iku nga Serbia për të kërkuar strehë dhe shpëtim në Shqipëri
Sirenat janë ndezur në orët e hershme të së enjtes në Izrael, për të shënuar vrasjet e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Holokaustit.
Njerëzit janë ndalur në vendet ku kanë qenë duke ecur dhe vozitësit kanë dalë nga makinat e tyre, për të ulur kokën si shenjë kujtimi për viktimat e gjenocidit të nazistëve.
Autoritetet izraelite kanë planifikuar një mori ngjarjesh për të shënuar këtë ditë.
Izraeli është themeluar më 1948 si vend i shenjtë për hebrenjtë, pas Holokaustit.
Rreth 165,000 të mbijetuar jetojnë në këtë shtet.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë në orët e vona të së mërkurës se bota nuk duhet të krahasojë Holokaustin me ngjarje tjera në histori.
Ai ka bërë këto deklarata pasi presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë ngritur paralele të luftës aktuale dhe gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Teksa vitet kalojnë, po shtohet diskursi në botë që krahason ngjarjet tjera të vështira me Holokaustin. Por jo. Asnjë ngjarje në histori, sado mizore që mund të ketë qenë, nuk krahasohet me shfarosjen e hebrenjve të Evropës nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre”.
Ai po ashtu ka paralajmëruar shtetin që të mos lejohen ndasitë e mëdha.
Fjalimi i kryeministrit izraelit është bërë edhe në kohën kur familja e tij ka pranuar një letër me një plumb dhe kërcënime me vdekje.
Autoritetet izraelite kanë rritur sigurinë rreth perimetrit të familjes së tij dhe janë duke hetuar rastin./REL / KultPlus.com
Popullit arbëror dy herë i ka rënë ta tregoj veten përgjatë historisë:
E para në krye me Gjergj Kastriotin arriti ta mbroj nderin dhe civilizimin e përbashkët të kombeve të Europës dhe e dyta Mbrojtja e hebrenjve të pafajshëm nga regjimi i egër nazist.
Kjo e dyta është bërë në saje të Besës dhe Mikëpritjes që tradicionalisht e kishte populli ynë.
Këto vlera që janë të rralla ndër kombe e që kombi ynë fatmirësisht i ka pas në traditën e tij fisnike, e kanë bërë të njohur për të mirë, dhe është marrë shembull për të mirë sidomos në rastin e mbrojtjes së herbrenjve.
Pokështu kjo strehë për hebrenjët më pas i ndihmojë popullit tonë sidomos të Kosovës që gjatë luftës së fundit, populli ynë ta gjejë mbështetjen e hebrenjve në Amerikë, dhe e hebrenjve në Izrael, që strehuan familje refugjatësh. Nuk duhet harruar edhe ndikimin e madhë që pati lobi hebre-amerikan në çlirmin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në kuadër të kësaj duhet nënvizuar edhe këtë sikur që dihet edhe albanologu hebre Norbert Jokl që nga koha e përndjekjes së herbrenjve nga nazistët në Austri, shikonte udhët se si të vendosej në Shqipëri aty ku hebrenjtë e gjetën strehën, mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme.
Albanologu Jokli, jo rastësisht donte të vendosej në Shqipëri,sepse ai e njihte thellë traditën, historinë, Besën dhe Mikëpritjen shqiptare.
Kjo ditë duhet t’i shërbej njerëzimit si një kujtesë e ndërgjegjësimit për të ardhmen që një tragjedi e tillë kurrë mos të përsëritet më. / KultPlus.com
Më 18 tetor 1941 treni i parë me hebrenjtë që po deportoheshin u largua nga stacioni Grunevald i kryeqytetit të Rajhut, Berlin. Presidenti Steinmeier shprehet, se kurrë nuk duhet të ketë vend antisemitizmi në Gjermani.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier në ceremoninë përkujtimore, 80 vjet pas fillimit të deportimeve të hebrenjve berlinezë më 18 tetor 1941, paralajmëroi nga forcimi i antisemitizmit në Gjermani. Qytetaret dhe qytetarët hebrenj ende “janë të ekspozuar gjithnjë e më shpesh und gjithnjë e më shumë ndaj gjuhës së urrejtjes antisemitiste dhe sulmeve antisemitiste”, u shpreh Steinemier në platformën 17 në stacionin Grunevald nga filloi edhe deportimi i hebrenjve. “Kurrë më antisemitizmi nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë”, tha Steinmeier. Kurrë më qëndrimet antisemitiste dhe vepra të tilla nuk duhet të mbesin pa kundërshtime dhe reagime publike.
Presidenti gjerman, Steinmeier theksoi se, dokumentet e Konferencës së Wannsee, ku dy javë pas fillimit të deportimit të hebrenjve nga Berlini, u vendos vrasja e hebrenjve europianë, të lenë fjalë ende edhe sot. Këto dosje dhe shumë dokumente të tjera të bëjnë të ditur sot, se sa shumë vetë kishin dijeni për shfarosjen e hebrenjve. “Krimi ndodhi para syve të të gjithëve, përjashtimi dhe deportimi ndodhi në mes të përditshmërisë gjermane, kjo është e vërteta e tmerrshme”, tha Steinmeier. “Shumë bashkëpunuan, shumë e ekzekutuan krimin në mënyrë burokratike, shumë përfituan prej tij.”
Monument i përkujtimit të deportimit të hebrenjve nga stacioni Grunevald i Berlinit,
Plani tinzar
Në vitin 1941 vjetësh Gjermania naziste nisi deportimin e hebrenjve në geto, kampe pune dhe ato të shfarosjes. Fillimisht flitej vetëm për “zhvendosjen” e hebrenjve në drejtim të Lindjes. Por me shtimin e transporteve dhe shtimin e numrit të hebrenjve të deportuar nuk ishte më e mundur mbajtja sekret e deportimeve. Jo rrallë kolonat me hebrenj që shkonin në stacion duhet të kalonin mes për mes qytetit, para syve të popullsisë berlineze. “Trenat e posaçëm” me hebrenjtë e Berlinit u nisën nga tetori1941 deri në prill 1945 shpeshherë me një ritëm javor, por pjesërisht edhe ditor. Nga tetori 1941 deri në prill 1942 hebrenjtë dërgoheshin në geto në Lodxh, Minsk, Riga apo geton e Varshavës. Disa nga transportet shpesh përfundonin me eliminimin masiv të hebrenjve sapo mbërrinin në destinacion, si për shembull vrasja e 1035 hebrenjve, që lanë më 27 nëntor 1041 stacionin Grunevald dhe u ekzekutuan sapo mbërritën në Riga. Kurse në fund të vitit 1942 trenat kishin si destinacion vetëm kampet e shfarosjes, Aushvic apo Terezin.
Stacioni famëkeq më i njohur i Berlinit është Platforma 17 në Grunevald, dikur një stacion mallrash, i cili u zgjodh nga nazistët, sepse duke qenë larg qendrës, nuk tërhiqte vëmendjen e opinionit, nga ana tjetër si stacion mallrash ai i kishte lidhjet
Frank-Walter Steinmeier
Transporti i parë u krye më 18 tetor 1941 nga stacioni Grunevald me 1013 vetë. Vetëm nga ky stacion u deportuan 50.000 hebrenj. Por ky nuk ishte stacioni i vetëm. Edhe platforma 2 në stacionin Anhalter apo platforma 69 në stacionin e mallrave Moabit kanë historitë e tyre të tmerrit për të rrëfyer. Shumica e hebrenjve u deportuan në vazhdim nga stacioni Moabit, 30.000 hebrenj u dërguan nga aty në Aushvic, Treblinka apo Sobibor. Kurse nga stacioni Anhalter niseshin të ashtuquajturit “transportet e vegjël të të moshuarve”, të cilët dërgonin në të ashtuquajturën geto e pleqve në Bohemi. Por zgjimi i tmerrshëm për shumë hebrenj vinte sapo zbrisnin nga trenat, shkruan në një artikull radio rbb24.
Pllakë përkujtimore e viktimave të nazizmit të deportuara nga stacioni Grunevald, Berlin
Ky ishte një plan mjaft tinzar, shkruan në një artikull gazeta gjermane “Welt”, sepse iu la komunitetit hebraik të kryeqytetit të Rajhut, që të organizonte deportimin e hebrenjve nga Berlini. “Futja në trena pasagjerësh të vjetër por të rregullt e të pastër sipas një sistemi të ngritur nga komuna, nuk u bë me probleme dhe pa ndonjë padrejtësi”, ka kujtuar Hildegard Henschel, bashkëshortja e kreut të fundit të komuniteti hebraik, sipas një artikulli të gazetës “Welt” (17.10.2021). Më 1 tetor 1941 administrata e qytetit kishte bërë të ditur, se do të fillonin së shpejti “zhvendosjet” e hebrenjve të Berlinit në drejtim të Lindjes. Sinagoga në Levetscovshtrase u kthye në stacion pritës. Këtu duhej të mblidheshin më 15 tetor ata që duhet të deportoheshin, pas letrave që kishin marrë ndonjë letër të Gestapos. Komuniteti përpiqej të bënte më të mirën, ka thënë Hildegard Henschel. “Ushqime, ilaçe, artikuj sanitarë, çarçafë, veshje, këpucë, gjithçka u mbodh tek Levetcovshtrase”.
Por të gjitha këto nuk e lehtësuan fatin e atyre që do të deportoheshin. Shumë vetë e kërkuan shpëtimin në vetëvrasje. “Brenda një dite në mes të tetorit 1941, 280 vetë vranë veten, sepse kishin marrë urdhrin për deportim apo prisnin që t’u vinte ky urdhër”, shkruan “Welt”./DW/ KultPlus.com
Natasha Ruli, ish-ekonomiste, kishte pasur gjithnjë një prirje të heshtur për letërsinë, por zgjodhi të ishte lexuese pasive derisa u bind që ta hidhte në letër historinë që kish dëgjuar e njëfarësoj jetuar. Edhe atë, siç ndodh në historinë e vërtetë që ajo vetë rrëfen në librin “Fisnikë të Heshtur”, fati e çoi në familjen Ruli, ku u njoh e u martua me njërin prej djemve të asaj shtëpie. Aty, prej të ëmës së të shoqit por edhe atij vetë, dëgjoi e përjetoi historinë e asaj familjeje bejlerësh që kishin fjetur mbi florinj e një ditë befas u ngritën “lypës”. Por, paralelisht me këtë, në rrënojat e ish-vilës së kuqe pranë Librit Universitar, ku patën jetuar, është edhe një histori tjetër. Ajo e hebrenjve që jetuan e u ushqyen me ta në fshehtësi për tri vjet, pa e ditur ç’i priste, pa ditur nëse ndonjërën prej atyre ditëve do të ishin ende gjallë. Për fundin e të gjithëve, Natasha e tregon në detaje historinë.
Shpresa dhe Martini
Na tregoni se si ratë në gjurmët e kësaj historie, që në libër thoni se të gjitha ngjarjet janë të vërteta …
Po, të gjitha ngjarjet janë të vërteta; kam ndryshuar vetëm disi emrat e personazheve. Ngjarjet kanë ndodhur në familjen e tim shoqi, kështu që janë të treguara të gjitha nga ajo që i ka përjetuar, vjehrra ime. Përpara komunizmit kanë strehuar një çift hebrenjsh në shtëpi.
Këtu zë fill historia?
Është edhe më e hershme se kaq. Prindërit e tim shoqi vinin nga një familje bejlerësh. Shpresa, që në libër mban emrin Diana, vinte nga një familje e madhe; i ati kish jetuar e punuar në Amerikë. Kur u kthye pati një martesë me një grua që për opinionin shqiptar ishte shumë e civilizuar dhe e ndau të shoqen, duke mbetur vetëm me një vajzë. Nuk kaloi shumë e beu u martua sërish. Gruaja e dytë solli me vete një djalë për të cilin beu u kujdes ta dërgonte në Itali, për të studiuar, në mënyrë që ta largonte edhe nga shtëpia për të evituar ndonjë marrëdhënie të mundshme me të bijën.
Por; nuk ia arriti. Djaloshi kthehej me pushime në çiflig për çdo verë dhe dashurohet me Shpresën, të bijën e beut?
Nuk ishte ndonjë e keqe e madhe, përderisa pronat do rrinin po aty … Jo, dhe në fakt nuk pati ndonjë kundërshti të madhe, pavarësisht se si fillim Aliu e kishte evituar edhe për shkak të moshës së të dy të rinjve. Ra dakord që ata të martoheshin, edhe sepse pronat do të mbeteshin aty, brenda familjes. Por, djali, pasi kishte përfunduar studimet, kishte nisur punë në Akademinë ushtarake në Itali, çka ishte shumë për një student shqiptar, kështu që si fillim jetuan atje, derisa Shpresa ia arriti të kthehej në Shqipëri bashkë me të pas gjithë këmbënguljeve. Ndihej vetëm atje, ndërkohë që ishte mësuar të jetonte mes gjithë të mirave këtu.
Rikthehen, ku?
Në Tiranë. Pranë Librit Universitar. Aty ky është ndërtuar sot një qendër biznesi ka qenë një vilë e kuqe të cilën beu e bleu për të bijën. Çifti i ri nisi të jetonte aty. Ishte vit 1941, koha kur në Shqipëri kishin ardhur shumë hebrenj, dy prej të cilëve beu i kishte marrë për t’i fshehur në çifligun e tij, në Lushnjë. Por, meqë atje po jetonin si të izoluar, i propozoi të bijës së sapokthyer që t’i sillte në Tiranë, meqenëse edhe shtëpia kishte vend boll. Shpresa mund të kalonte kohë me Dodonën, ndërsa burrat mund të fjaloseshin bashkë, meqenëse flisnin të dy shumë mirë italisht. E kështu ndodhi …
Si kishte mbërritur deri në Shqipëri çifti hebraik?
Ata ishin një çift i ri me një vajzë të vogël. E gjithë familja e tyre ishte internuar dhe kishin dëgjuar se Shqipëria ishte një vend i mirë për të qëndruar, nuk do t’i ngacmonte kush. Dhe, në fakt janë mbajtur mirë, nuk i ka dorëzuar njeri. Sado që vinin edhe për kontroll nëpër shtëpia, i lëviznim, i fshihnim. Edhe komshinjtë përreth e dinin se në cilën familje mund të kishte, por nuk tregonin.
Për sa kohë jetuan aty?
Për gati tri vite.
Derisa ranë në gjurmë të ndryshimeve që po vinin …
Ishte ende kohë lufte, por ndryshimet ishin të dukshme për të gjithë. Ata po diskutonin shpesh për t’u larguar, sado që terreni dukej i vështirë, e në këto diskutime ushtarët ranë në gjurmë të tyre e i kapën. Aliu, beu, arriti t’i nxjerrë e t’i sjellë sërish në shtëpi duke paguar për ta monedha floriri. Pas kësaj vendosën të largohen duke thënë se, edhe nëse na kapin, më mirë të vdesim nga gjermanët sesa nga komunistët. Shpresa kujtonte gjithnjë se sa herë i patën thënë edhe atyre të largoheshin për Itali, por ata nuk lëviznin. Ama, meqenëse nuk e dinin se ç’i priste, vajzën e vogël e lanë aty. Kur u larguan nga shtëpia, bashkë me të bijën lëaë edhe një qese me xhevahire. “Nëse ne nuk ia dalim të jetojmë, do të të mjaftojnë për të rritur vajzën”. Me këto fjalë u larguan.
Ia dolën të mbijetonin?
Pasi kishte kaluar kohë pa marrë asnjë lajm, në shtëpi u trokiti një tregtar çifut, i cili solli një letër. Në të tregoheshin gjithë peripecitë e udhëtimit, rrugët e gjata që kishin bërë në këmbë a në det për ditë të tëra duke paguar për t’i fshehur. Përmes maleve kishin arritur të shkonin deri në Jugosllavi; kishin ngelur pesë ditë në mes të detit derisa kishin arritur në Brazil. Meqenëse ishin sistemuar, Dodona në letër kërkonte edhe vajzën për të cilën thoshte se nuk do të kishte mbijetuar po të kish udhëtuar me ta atëherë. Shpresa ia jep vajzën tregtarit bashkë me qesen e xhevahireve që as nuk e kishte hapur.
Domosdo, i mjaftonin të sajat …
Jo për shumë kohë, më 1946, beun vijnë dhe e marrin dy ushtarë, të cilët i kërkojnë përgjigje se ku i kishte fshehur florinjtë. Ai nuk pranonte të tregonte, me pretendimin që po i paguante të gjitha detyrimet shtetit. E morën në hetuesi, e rrahën dhe arritën t’ia nxjerrin të fshehtën e vendndodhjes së florinjve pasi e kërcënuan për jetën e fëmijëve, sepse ai vetë duhet të kishte arritur drejt fundit, përderisa nuk doli më prej aty.
Vdiq në hetuesi?
Po, nga torturat e të rrahurat vdiq, por askush nuk e pa as trupin, as mori vesh më shumë. Na thanë vetëm se vdiq nga pleqëria dhe asnjë shpjegim më shumë.
Po florinjtë, çifligu, pasuritë?
Pasi e kërcënuan me jetën e fëmijëve, tregoi se kishte 400 kilogramë florinj të betonuar në stallën e kuajve. Natyrisht që i morën të gjitha bashkë me shtëpi, çiflig, e gjithë ç’kishte.
Me pjesëtarët e tjerë të familjes çfarë ndodhi?
Së pari mbetën të gjithë pa asnjë të ardhur, gjë që as e kishin provuar e as e kishin menduar kurrë më parë. Pak kohë më vonë, Shpresës vijnë i marrin edhe të shoqin në shtëpi, duke e akuzuar si spiun të italianëve. I përzunë nga vila ku jetonin dhe i çuan në një dhomë. Për të jetuar Shpresa nisi të shiste një e nga një ato pak bizhuteri që kishte arritur të ruante, me çmime fare qesharake. Shiti kristalieret, mobiliet, gjithçka që mundej. Ishte pikërisht kjo kohë krize, kur kishte prekur fundin, kur vjen një pako nga Dodona. Kishte në të mish, çokollata, ushqime nga të gjitha. Të gjitha këto ishin shumë tashmë në sytë e saj që kishte mbetur e vetme me të shoqin në burg. Nuk zgjati shumë as kjo, sepse pas një viti merr vesh që të shoqin do ta nxirrnin nga burgu.
Me ç‘arsye?
Kishte qenë në të njëjtën shkollë me Mehmet Shehun në Itali. Ky i fundit, pasi i kishte parë emrin, kishte kërkuar ta nxirrnin, duke thënë se Metin Ruli në burg është një hiç, jashtë mund të bëjë mrekullia. Por, e gjithë kjo, natyrisht, me kusht që të ishte gjithnjë në shërbim të tyre. Dhe, kështu ndodhi: e shkoi jetën të gjithën në punë; ishte përherë në udhëtim si inxhinier nëpër ndërtimet që bëheshin në gjithë Shqipërinë. Kthehej në shtëpi vetëm të shtunë e të diel.
Me çiftin hebraik ishin më në kontakt?
Po, pas pakos që dërguan, Dodona niste gjithnjë letra. Edhe Shpresa ia kthente, i tregonte se si i kishte marrë jeta, por këto letra nuk i shkonin. Sipas asaj që mësoi më vonë, i shkonin vetëm ato ku i thoshte se ishte mirë, jetonin të lumtur, duke e ditur se të gjitha kalonin në skaner. Në vitet 1970, bashkë me letrën e radhës, Dodona i dërgon edhe një ftesë dasme: martohej Iveta, vajza e vogël që i patën lënë dikur. Natyrisht që nuk kishte asnjë mundësi për të shkuar në Brazil; as që mund ta çonte njeri nëpër mend. Kështu kaluan vitet, Metini në punën e tij të përhershme në udhëtim e Shpresa me fëmijët qepte në shtëpi. Deri sa më 1979-n troket dera e Shpresa lajmërohet se dy turistë të huaj kërkonin që ta takonin në Hotel Dajti. Ishte Dodona me të shoqin që kishin ardhur si turistë enkas për t’i takuar në një udhëtim fare të shkurtër. Ata të dy, tashmë tregtarë të zotë në Brazil, të mirëmbajtur e në kushte shumë të mira, nuk e njohën vajzën e dikurshme me duart gjithë xhevahire që sot ishte transformuar në një plakë të vuajtur. Afrohet e u flet vetë. Për ta ishte e pabesueshme, sepse në të gjitha letrat që u shkonin, thuhej se ishte shumë mirë e jetonin të lumtur. Po nuk ishte e mundur të ankohej, sepse ishin në çdo moment të vëzhguar nga sigurimi.
Gjithsesi, njëfarësoj e morën vesh të vërtetën. Ishin këta që kishin nevojë për ndihmë tashmë …
Po patjetër, sepse panë edhe situatën në Shqipëri, jo vetëm gjendjen e Shpresës. Kur u larguan, i lanë gjithë paratë që kishin me vete: dy mijë dollarë, dhe valixhen me rroba. Dollarët domosdo që u kthyen me kursin më të ulët, por gjithsesi ishte një e ardhur. Ky ishte takimi i fundit i Shpresës me ta, sepse në vitin 1982 ajo vdiq. Bashkë me telegramin e ngushëllimit, ata dërguan sërish një çek me dy mijë dollarë.
Pas vdekjes së Shpresës u lidhët më me ta? Pak vite pas 1982-shit, kush nuk do donte të kishte miq jashtë …
U lidhëm, po, në vitet 1990, por tashmë me të bijën, Ivetën, sepse prindërit e saj kishin vdekur. Ajo u tregua shumë e gatshme të na merrte në Brazil, madje insistoi dhe na bëri garancinë. E kishim lënë që do të vinte të na merrte në Vjenë, por aty erdhi vetëm një telegram ku thoshte se në një aksident të papritur Iveta kishte humbur djalin, prandaj nuk kishte asnjë mundësi të vinte. Bashkë me të ishte edhe një çek që sigurisht na shërbeu për t’u sistemuar vetë, për t’u përpjekur të ndërtojmë diçka. Mbrapa nuk kishim ku të ktheheshim. Kështu që ishim njëfarësoj ata që morëm rrugën e që sot prej më shumë se 20 vjetësh jetojmë aty.
Duket gati si histori filmash …
E tillë është. Fakti që ishte kaq e pazakontë më bëri edhe të shkruaja libra pasi, përveç pasionit për të lexuar, nuk kam ndonjë lidhje me letërsinë. Ishin kaq vite që doja ta shkruaja, ta ndaja me të tjerë këtë histori kaq të pazakontë, prandaj edhe e shkrova. /UG/ KultPlus.com
Izraeli përfshin këtë vit në kurrikulat e shkollave të mesme mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore, por kjo ende nuk ka ndodhur në sistemin tonë të mësimdhënies
Studiuesi Shaban Sinani këshilltari shkencor i tekstit thotë se për hartimin e tyre janë përdorur fakte historike dhe dëshmi të gjalla.
Sinani veçon faktin se historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore do të mësohet përmes vendit tonë.
Shpesh lind pyetja a ka qenë holokausti i pashmangshëm? Në këto libra, sipas Sinanit merret edhe përgjigja.
Në këto tekste pasqyrohen me objektivitet listat e hebrenjve qe kane kaluar dhe qëndruar në Shqipëri, gjate shekullit te 19 dhe shekullit te 20 thekson Sinani.
Përmes këtyre librave, këtë vit për herë të parë ofrohen për shkollat e mesme të Izraelit, historia e mbrojtjes së hebrenjve. Tekstet janë në hebrarisht, anglisht, dhe shqip. /dsh/ KultPlus.com
Teksa njohja reciproke e Kosovës dhe Izraelit u zyrtarizua sot, kur kthehemi në retrospektivë shohim se këta dy popuj përherë kanë pasur marrëdhënie të mira, shkruan KultPlus.
Mikpritja e shqiptarëve u dëshmua gjatë kohëve të vështira për popullin izraelit, gjegjësisht përgjatë periudhës kohore që ndryshoi historinë botërore, Holokatusin ndaj hebrenjve.
Gjatëviteve 1933-1944, shqiptarët hapën dyert e shtëpive të tyre, duke i dhuruar strehim e ushqim hebrenjve, teksa 3280 nga ta kanë shpëtuar nga holoakusti falë zemërgjerësisë shqiptare.
Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte.
Madje, këtë e dëshmon fakti që as një hebre nuk ekziston si i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.
Dëshmitë për hapjen e dyerve të shqiptarëve ndaj popullit mik, izraelit qëndrojnë në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.
Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941. / KultPlus.com
12 hebrenj, burra, gra e fëmijë, në korrik të vitit 1943 kishin trokitë në dyert e familjes së Xhemajl Bllatës, ku kishin kërkuar strehim, për të shpëtuar nga përndjekja e nazistëve, të cilët në atë kohë kishin vrarë rreth 6 milionë hebrenj, shkruan KultPlus.
Se këta 12 hebrenj kishin qëndruar deri në përfundim të luftës në shtëpinë e Xhemajl Bllatës në Rashan të Mitrovicës, sot e tregon për KultPlus, nipi i kësaj familje Faik Bllata, i cili detajon se këta 12 anëtarë përbënin tri familje hebrenje.
“Këtë histori e kemi mësuar gjeneratë pas gjenerate. Na kanë treguar se si gjyshi im, si kishte mësuar se këta mysafirë janë hebrenj, i kishte strehuar në shtëpinë e tij, dhe duke qenë i vetëdijshëm se hebrenjtë ndiqeshin në të gjitha anët, ai ishte kujdes për sigurinë e tyre”, ka njoftuar Faik Bllata, i cili duke kujtuar rrëfimet e të parëve, ai ka shpjeguar se burrat e gratë e strehuar në familjen e tyre, aq shpejt ishin socializuar sa që edhe i kishin ndihmuar shumë me punët rreth shtëpisë.
“Askujt nuk i kanë treguar së në shtëpinë e tyre kanë hebrenj, sepse duhej të kujdeseshin për sigurinë e tyre. Baba më ka thënë se kanë qenë të gatshëm edhe jetën ta japin, vetëm e vetëm që ti mbrojnë mysafirët e mirë”, ka treguar Bllata, i cili vazhdon rrëfimin e tij se si këta mysafirë kishin qëndruar në shtëpinë e të parëve të tij deri në përfundim të luftës.
Për të mos ngjallë dyshime se kjo familje kishte strehuar hebrenj, Bllata përcjellë rrëfimet e të parëve se si kjo familje ka pas kujdes edhe në emërtimin e tyre.
“Familjarët e mi kanë treguar se një hebre me emrin Jaron e kanë thirrë me emrin Jaran, një grua që kishte emrin Perida e kishin thirrë Feride, dhe një fëmijë me emrin Shimeon e kanë thirre Shera, me qëllim që të evitojnë rrezikun”, ka treguar Faik Bllata, i cili këto emërtime i ka kujtuar bashkë me familjarët e tjerë, dhe disa nga emrat e hebrenjve të tjerë i kanë harruar.
“Me të përfunduar lufta, gjyshi im u kishte thënë hebrenjve se deri tash kanë qenë mysafirë të zorit, por, sipas tij ai kishte kërkuar nga hebrenjtë që për dhjetë ditët e pasluftës, ata të qëndronin në familjen Bllata si mysafirë special, gjë që edhe e kanë respektuar këtë kërkesë të gjyshit tim”, ka treguar Faik Ballata.
Kulla ku janë strehuar këta mysafirë është ndërtuar në vitin 1934, por qëndrimi i tyre në këtë shtëpi, Xhemajl Bllatën e kishte shtyrë që të bënte një ndryshim në këtë kullë.
E kishte vuajtur shumë largimin e këtyre tre familjeve, dhe në shenjë të tyre, ai bashkë me familjarët e tjerë kishin vendosur që të ndërrojë konstruksionin e oxhakut të odës, dhe në të kanë vendosë yllin e Davidit.
“Më kanë njoftuar se gurin e oxhakut e kishte punuar një dibran, dhe se këtë gdhendje e kishte përfunduar për 18 ditë”, ka treguar ai, punë që tashmë ka ngjallë interesimin e Kosova Jewish Organization, të cilët janë të interesuar që të promovojnë këtë kullë që ka gjurmë hebreje.
Artina Hamitaga nga kjo organizatë ka treguar për KultPlus, se nëpërmjet Rexhep Krasniqit është realizuar takimi me përfaqësues të familjes Bllata, ku edhe është diskutuar mënyra e promovimit të kësaj kulle.
“Fotografia e kësaj kulle do të prezantohet në një ekspozitë të rëndësishme, ku do të prezantohen edhe disa fotografi të tjera që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të hebrenjve në Kosovë”, ka thënë Hamitaga për KultPlus, e cila në të njëjtën kohë ka njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësitë e restaurimit të kësaj kulle, dhe në të njëjtën kohë janë duke punuar në dokumentimin e familjeve të tjera që kanë strehuar hebrenj përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
KultPlus ju sjell ekskluzivisht pamjet e këtij oxhaku me Yllin e Davidit, shtëpi që gjendet në Rashan të Mitrovicës, dhe e njëjta do të ekspozohet bashkë me fotografi të tjera në në një ekspozitë që ka për qëllim promovimin e kulturës hebreje në Kosovë./ KultPlus.com
Kosovo Jewish Organization bën thirrje për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë materiale, informata apo dëshmi tjera të familjeve hebreje të cilat i kanë strehuar gjatë luftës së dytë botërore të lajmërohen në organizatë, shkruan KultPlus.
Thirrjen e kanë bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tyre personale.
”Thirrje Të nderuar qytetarë të Repubikës së Kosovës, dihet që gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë hebrenjë të përndjekur nga nazistët kanë gjetur strehim dhe shpëtim në tokat dhe shtëpitë tona(të të parëve tanë).
Ne si organizatë ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve te Repubilkës së Kosovës pa dallim feje apo etnie të cilët kanë informata, materiale apo dëshmi tjera që familjet e tyre kanë strehuar – shpëtuar hebrenjë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të na lajmërohen në inbox, ose në email: [email protected]
Historitë e treguara do të inqizohen, botohen dhe do të arhivohen. Në këtë mënyrë ne nuk do ta lëm të harrohet një e kaluar e ndritur e popullit tonë gjithashtu do ta theksojmë edhe më tepër lidhjen mes popullit hebrej dhe popullit të Kosovës’‘, thuhet në njoftimin. / KultPlus.com
Gazeta frankofone hebraike, “La Tribune juive”, ka botuar me 28 prill 1939,një shkrimnë lidhje me hebrenjtë e Shqipërisë (të lindur ose refugjatë), të cilët gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë detyruar të largohen prej vendit tonë.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Fati i hebrenjve shqiptarë
“Numri i hebrenjve në Shqipëri nuk është i konsiderueshëm.
Ka shumë pak izraelitë të lindur në vend, shumica prej tyre janë refugjatë nga Austria. Ata janë tregtarë që kanë ditur të fitojnë simpatinë e popullatës muslimane.
Deri tani, nuk ka pasur një lëvizje anti-hebreje në këtë vend të vogël. Por frikësohemi se legjislacioni racist i Italisë do të zbatohet ndaj hebrenjve të protektoratit shqiptar.
Gjendja e refugjatëve politikë është në rrezik, sepse ata mund të bien në duart e Gestapos.
Njëqind refugjatë hebrenj të pranuar nga mbreti Zog në qytetin e Durrësit po presin momentin e largimit të tyre për në Shtetet e Bashkuara.” / KultPlus.com
Legjendat, tregimet e moçme dhe shkrimet e autorëve të lashtësisë tregojnë se Ilirët dhe Hebrenjtë të vendosur në dy brigjet e Detit Mesdhe megjithëse i ndanin më shumë se 2000 km kanë bashkëjetuar, kanë shkëmbyer mesazhe miqësie dhe kanë lënë tek njëri- tjetri gjurmë të ndërsjella, të cilat mbeten burim hulumtimi.
Nga fundi i shek. të XII para Krishtit shumë ilirë u shpërngulën nga gadishulli ilirik dhe zunë vend në Azinë e Vogël. Ndër këto fise përmenden Pelesët të cilët u vendosën në bregdetin jugor të Sirisë, nga mendohet se edhe vendi mund të ketë marrë emrin Palestinë. Përsa i takon traditës së lidhjeve të hershme të hebrenjve me ilirët është shkruar vetëm kalimthi dhe në mënyrë fragmentare. Përkundër vëmendjes së merituar që studimet shqiptare i kanë kushtuar pranisë së kulturës helene, asaj latine apo osmane, kultura hebraike ka mbetur për dekada me radhë krejt mënjanë.
Prej shkrimeve biblike-ungjillore, ka disa njohuri fillestare mbi apostujt e krishterimit të hershëm, ku përfshihet edhe apostulli Pal. Ndër të tjera aty thuhet se predikimet e para u janë prezantuar bashkësive hebraike në Perandorinë Romake, duke përfshirë edhe Illyricumin.
Informacionet e para për këtë marrëdhënie vijnë deri në ditët tona nga një legjendë e cila parë në sytë e studiuesve shërbeu si një referencë jo pak serioze. Hebrenjtë sipas saj, nuk u zhdukën. Ata u strehuan në Iliri, popullsia e së cilës i ndihmoi skllevërit, që ishin hebrenj të humbur. Të dhënat arkeologjike na mundësojnë praninë hebraike në Iliri në një periudhë prej 15 shekujsh.
Zbulimi i sinagogës së Sarandës hedh dritë mbi ekzistencën e komuniteteve hebraike në Shqipëri të paktën që në fillimet e shek. VI pas Krishtit. Po ashtu u zbuluan edhe disa rrënoja të një sinagoge të gjetur në qytetin e Elbasanit. Profesori i arkeologjisë, Myzafer Korkuti shkruan në lidhje me një mbishkrim të lashtë hebraik të zbuluar në Durrësin antik, që ruhet në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Të dhëna për mbishkrime të lashta hebraike ka edhe për Shkodrën, Tivarin, Lezhën, të cilat janë qytete historike dhe me traditë lëvizjeje në këtë kohë. Një tjetër sinagogë e lashtë, është gjetur dhe në Kosovë, përkatësisht në Ulpianë, në afërsi të Prishtinës, por nuk ka të dhëna më shumë.
Komuniteti hebre mesjetar i Durrësit përmendet për herë të parë gjatë shek. XIII, kur bëhej fjalë për familje hebraike që merreshin me tregtinë e kripës. Të dhënat mbi këtë komunitet i përkasin më tepër sferës tregtare, ku siç dihet hebrenjtë gjithmonë kanë qenë me famë. Më vonë, me ndryshimin e rrethanave politike roli i komunitetit të hebrenjve të Durrësit, erdhi duke rënë dhe më tepër, derisa në fillimet e shek. XV ai përmendet në burimet e kohës si i paktë në numër dhe shumë i varfëruar.
Kalvari i hebrenjve i cili fillon të përshkallëzohet që nga koha e sundimit romak, është i mbushur me shpërngulje masive nga vendbanimet e tyre historike drejt vendeve të ndryshme të Perëndimit apo të Lindjes. Sulltan Murati I (1360-1389) pushton krahina të tëra të Ballkanit por këto pushtime nuk dëmtuan dhe aq komunitetin hebre që gjendej në këto territore. Sundimtarët e rinj ishin shumë tolerantë ndaj hebrenjve dhe i trajtonin ata në mënyrë të ndershme dhe shumë më mirë sesa sundimtarët ortodoksë të Perandorisë Bizantine. Ata shumë shpejt arritën të mësonin gjuhën turke duke u integruar lehtësisht në jetën shoqërore dhe ekonomike të rajonit. Bashkësitë hebraike filluan të ngrinin institucionet e tyre të arsimit duke tërhequr në to nxënës nga e gjithë perandoria por dhe nga vende të tjera si nga Hungaria, Polonia dhe Rusia. Një fazë kjo e periudhës historike sa i përket hebrenjve të rajonit e cila është konsideruar unike dhe që nuk mund të krahasohet me asnjë periudhë tjetër.
Kontingjentet e refugjatëve hebrenj që mbërritën në shtetin osman nuk ishin homogjene nga pikëpamja e përkatësisë social-kulturore. Një pjesë e rëndësishme e tyre i përkiste degës Ashkënazi, e cila vinte nga vendet e Europës Veriore dhe Qendrore si Franca, Gjermania, Hungaria etj. Një tjetër kontingjent të madh të të shpërngulurve nga Europa Perëndimore formonin hebrenjtë e degës sefarade (Sefardikë) me prejardhje nga vendet e Gadishullit Iberik (Spanjë dhe Portugali), të cilët pas vitit 1492, u vendosën në epiqendër të problemit hebraik duke krijuar qarqet antisemite të Europës.
Gjatë shekujve pasues, mendja dhe puna e tyre e ktheu Ballkanin në një prej tokave më prodhuese në Mesdheun Lindor. Hebrenjtë u morën me tregti duke gëzuar të drejta të plota dhe jetonin e visheshin sipas mënyrës së tyre pa asnjë problem. Ata mund të udhëtonin në të gjitha anët e perandorisë lehtësisht duke mos paguar asnjë taksë. Dalëngadalë hebrenjtë ia dolën të menaxhonin tregtinë osmane, ndërsa vetë këta të fundit të administronin politikisht qytetet në përgjithësi. Kjo ishte një ndarje e punës që u përshtatej të dyja palëve, prandaj gjatë shek. XVI, Perandoria Osmane lulëzoi.
Si dhe mund të kuptohet fare qartë, arsyeja kryesore e vendosjes së tyre, ishte lehtësia e lëvizjes për transportimin e mallrave me vapor duke qenë se kushtonte më lirë. Italia ishte në atë kohë vendburimi kryesor për hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Në fakt, krahasuar me qytetet e tjera të Ballkanit, ato shqiptare, nuk kanë pasur një fluks të ardhurish nga komuniteti në fjalë. Mendojmë se arsyeja lidhet me terrenin e ashpër e të pazhvilluar ekonomik. Studiuesi Kostantinos Giakoumis i përmend hebrenjtë si komunitet edhe në Elbasan. Ndonëse nuk jep shumë detaje ai evidenton si datë të mbërritjes së tyre në kërthizën e Shqipërisë, vitin 1501. Prania e hebrenjve në qytet evidentohet edhe nga emri i tregut të vjetër të qytetit, i cili njihej si “Tregu i çifutëve”. Diplomati amerikan Herman Bernstein në vitin 1934 tregonte se patriku i Kishës Ortodokse Shqiptare, Visarion Xhuvani i kishte folur për një vendbanim të madh hebrenjsh shumë vite përpara në Elbasan, si dhe për një ndërtesë të madhe me Yllin e Davidit që kish qenë sinagogë dhe më vonë ishte përdorur nga osmanët si han. Ky i fundit njihej si “Hani i Shehetilës” dhe sipas tregimeve të banorëve në themelet e tij, mbi të cilat në vitin 1930 ishte ngritur pazari i Elbasanit, ishin gjetur monedha ari me shenja hebraike.
Ambasadori amerikan, më tej, shkruante se, kjo pjesë e Elbasanit ish njohur si qendër banimi e hebrenjve dhe se ortodoksët që banonin aty mbanin emra biblikë, si Abraham, Isak, Jakov, etj. Më pas sipas kujtimeve të Visarionit, ai shkruante edhe për ndihmesën e dhënë prej hebrenjve në zhvillimin e qytetërimit dhe denoncoi persekutimet kundra tyre në vendet e tjera. Ai përmend edhe disa pjesë nga testamenti i vjetër hebraik, gjë që hedh idenë se Patriku Visarion mund të ishte me prejardhje hebrenjsh që jetonin prej vitesh në Shqipëri. Më tej ambasadori amerikan Herman Bernstein shkruante se “në arkivat e qytetit të Elbasanit gjeta një dokument të vjetër të shkruar me dorë dhe mbajtur nga një turk, rreth 200 vjet përpara, i cili bënte fjalë për tregtarë të shumtë hebrenjsh që ishin përpjekur të shkelnin ligjet turke dhe ishin ndëshkuar prej tyre”. Në afërsi të fshatit Xibrakë, pranë Cërrikut të Elbasanit, në rrugën e cila të con në Belsh, ndodhet një varr me qemer guri që quhej “Varri i cifutit” e që sipas gojëdhënave kish qenë tregtar. Në muzeun e Elbasanit ndodhet një tepsi dhe një sahan bakri me Yllin e Davidit dhe mbishkrime hebraishte.
Në Durrës “metropol i Ilirikut” dëshmohet një konsistencë dhe vazhdimësi më e plotë e pranisë hebraike. Për rolin dhe rëndësinë e tij, Durrësi kishte marrë përmasat e një kozmopoli: aty gjeje banorë bujtës të huaj, sa bizantinë, aq edhe venecianë, raguzianë, gjenovezë etj. Nuk mund të mungonin edhe hebrenjtë. Për një prani domethënëse të hebrenjve në Durrës flet qartë një dokument i vitit 1417 ku përmendet për herë të parë një “Judaica Duracchi”. Me këtë emër në Venedik, “Judaica” quheshin në mesjetë lagjet e qyteteve italiane të rezervuara për hebrenjtë. Në Durrës por dhe në Vlorë e në qendrat e tjera urbane, hebrenjtë kishin statusin e bujtësit apo të banorit dhe jo atë të qytetarit që e kishin vendasit. Përgjithësisht, në Shqipëri nuk shquhen gjurmë të qëndrimeve diskriminuese e antisemite, siç ndodhte rëndom në Europën e krishterë të asaj kohe. Shqiptarët ndër dokumente kanë qenë vlerësuar në të gjitha kohërat për tolerancën e vet ndaj minoriteteve. Kjo vlen si për popullin ashtu dhe për autoritetet. Këto nuk mungonin t’i afronin përfaqësuesit e komunitetit hebraik deri edhe në detyra e poste prestigjoze. Këtu kemi padyshim një tregues të integrimit në nivelin më të lartë të hebrenjve në realitetin vendas. Integrim që ishte akoma dhe më i dukshëm në nivelet e tjera të jetës qytetare.
E njëjta gjë vijoi edhe më pas kur me dëbimin e parë zyrtar nga Mbretëria e Napolit (vitet 1510-1511), një masë e konsiderueshme hebrenjsh të shpërngulur nga territori i kësaj mbretërie, zbarkoi në mjaft pika të bregdetit shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në qytetin e Vlorës. Të ardhurit rishtarë, ose krijuan bashkësi të reja, ose iu bashkëngjitën asaj ekzistuese duke përtërirë dhe zgjeruar radhët, tashmë të tkurrura tej mase.
Me historinë e hebrenjve të Vlorës ka qenë e lidhur ngushtë edhe ajo e bashkësisë hebraike të Beratit. Si dy qendrat kryesore urbane dhe administrative të sanxhakut të Vlorës (kanë ndërruar me njëra-tjetrën rolin e kryeqendrës së këtij sanxhaku), të dyja qytetet, përveç afërsisë gjeografike me njëri-tjetrin, kanë pasur lidhje ekonomike të veçanta midis tyre. Këto rrethana kanë përcaktuar edhe marrëdhëniet specifike midis bashkësive hebreje përkatëse. Ndryshe nga bashkësia e hebrenjve të Vlorës, e cila në pjesën e saj dërrmuese i kishte rrënjët nga vendet perëndimore (Spanjë, Portugali, Itali), hebrenjtë e Beratit ishin të ardhur nga Vlora. Bashkësia hebraike e Beratit ishte e vogël, ndaj dhe mjaftohej me një sinagogë të vetme. Praninë e tyre aty e vërtetojnë dhjetëra dokumente të kohës. Po si ndodhi kjo? Kur Vlora u sulmua nga një flotë europiane venedikase, hebrenjtë e këtij qyteti u larguan dhe shkuan në Berat për t’i shpëtuar shkatërrimit të qytetit bregdetar. Kjo çoi në rritjen e numrit të tyre në këtë qytet. Emigrantëve të ardhur nga Vlora, ashtu si dhe vendasve iu kërkua të paguanin taksa nga autoritetet turke, por të ardhurit nuk kishin me se të paguanin. Atëherë u vendos që ato të përballoheshin nga hebrenjtë e Beratit. Kjo shkaktoi pakënaqësi dhe kundërshtim nga ana e tyre. Prania e komunitetit hebraik në Berat lidhet me emrin e një figure të jashtëzakonshme, të famshmit Sabatai Zevi, prijësin e një kryengritjeje të fshehtë të hebrenjve kundër Perandorisë Osmane, e mbiquajtur mesianike (nga Messiah).
Ndonëse nga bashkëkohësit u konsiderua si mashtrues, ai ia doli të krijojë lëvizjen fetare me emrin e tij “sabatianizëm”. Sabatai Zevi ishte udhëheqësi shpirtëror i hebrenjve. Ai predikonte juadizmin në fshehtësi për shkak të përndjekjes nga Perandoria Osmane. Ai u kap nga turqit dhe u dënua me vdekje nga sulltani por kjo solli lëvizje të mëdha tronditëse duke u shpërndarë në të gjitha komunitetet hebraike që jetonin në territoret osmane. Kjo e detyroi Portën e Lartë të tërhiqte vendimin e saj dhe ta dëbonte liderin mesianik të hebrenjve në Shqipëri së bashku me familjen e tij. Ai u dënua me internim të përjetshëm. Sabatai Zevi, i detyruar, u kthye në mysliman me emrin Aziz Mehmed. Disa studiues të huaj thonë se ka qenë i internuar në Berat ku dhe ka vdekur. Të dhëna gojore tregojnë se në lagjen Vakëf ka mbetur toponimi “Te varri i cifutit” pikërisht duke iu referuar varrit të tij. Por, nga disa autorë hebrenj të cilët e kanë studiuar mirë jetën e tij, ka dalë mendimi se ai mund të jetë varrosur në Fterrë të Sarandës ose në Ulqin. Varri i tij kërkohej për t’u bërë vend pelegrinazhi për besimtarët hebrenj. Si dhe kuptohet, lëvizja e tij pati një jehonë të gjerë në të gjithë pellgun mesdhetar e deri në Holandë. Sikurse ka provuar studiuesi hebre Gershom Gerhard Scholem në studimin e tij, ‘Sabbatai Zevi-The Mystical Messiah’, ai së bashku me luftëtarët e tij gjeti mbrojtje edhe mes shqiptarëve. Ai la gjurmët e tij kudo ku shkoi në qytetet shqiptare si në Vlorë, Berat apo dhe Ulqin.
(Shkëputur nga libri i Monika Stafës “Hebrenjtë në Shqipëri”, TCH) / KultPlus.com
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare, në një ripostimit të statusit të Kongresit Botëror të Hebrenjve në Twitter, shkruan se “gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare, në një ripostim të statusit të Kongresit Botëror të Hebrenjve në Twitter, shkruan se “gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Postimi i plotë i ambasadores
“Krenar të jesh pjesë e një kombi që qëndroi në anën e duhur të historisë, në kohën e duhur, dhe mori vendimin e duhur. Gjatë Holokaustit hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt në Shqipëri. Me akte të jashtëzakonshme kurajoje, shqiptarët e zakonshëm rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të huajt në rrezik”.
Në postimin e tij në Twitter, Kongresi Botëror të Hebrenjve (The World Jewish Congress) shkruan:
Gjatë Holokaustit, qindra hebrenj gjetën strehim në Shqipëri, një nga vendet e pakta me shumicë myslimane të Evropës. Shqipëria ishte i vetmi vend që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebreje sesa kishte më parë. #NeKujtojmë
“Mercedes-Benz” është sot një nga markat e makinave më të rëndësishme në botë, por jo të gjithë ndoshta e dinë se emri “Mercedes” është emri i vajzës së Emil Jellinek, një diplomati dhe biznesmeni me origjinë hebreje, i cili së bashku edhe me Daimler Motoren Gesellschaft, në vitin 1902 hodhi në treg makinën e parë “moderne” Mercdes 35hp.
Jellinek u lind në Leipzig, Gjermani, dhe ishte djali i
Adolf Jellinek, një rabini të mirënjohur çeko-hungarez dhe tepër aktiv në
komunitetin e hebrenjve të Leipzigut dhe Vjenës.
Kur ishte 19 vjeç (1872), Jellinek ai zhvendos në Francë, ku
falë një lidhje të atit të tij, ai mori një detyrë diplomatike në Marok, ku u
takua edhe me gruan e tij të ardhshme, Rachel Cenrobert, një franceze me
orgjinë nga hebrenjtë sefardikë.
Vajza e tij, Mercedes, lindi pas dy djemve, më 16 shtator 1889, dhe emri Mercedes do të thotë “favor”, “mirësi”, “bekim” në spanjisht.
Kompania e sigurimeve dhe tregtia e shitjes së aksioneve të
Emil Jellinek ishte shumë e suksesshme, duke i krijuar atij lidhje të
rëndësishme ndërkombëtare biznesi, ndërkohë që që u bë Konsulli i Përgjithshëm
i Austrisë në Nisë.
Ai filloi të shiste makina për aristrokatët europianë, që shpenzonin shpenzimet dimërore në rajonin e njohur francez, pasi kishte krijuar lidhje me prodhuesit e makinave franceze. Jellinek shiste rreth 140 makina në vit dhe i quante ato “Mercedes”. Ishte një biznes më fitimprurës se nga puna e tij me kompaninë e sigurimeve.
Daimler-Motoren-Gesellschaft (DMG) e furnizoi Jellinek me 10
automjete që në fillim të vitit 1899. Emil Jellinek kërkoi nga DMG për
automjete gjithnjë e më të fuqishme dhe të shpejta dhe gjithashtu hyri në gara
me ta – më së shumti Java e garës së bukur – ku u shfaq nën një pseudonim: ai
përdorte emrin e vajzës së tij. Sukseset që ai arriti do të thoshte se emri
‘Mercedes’ ishte tashmë në buzët e të gjithëve në qarqet e automobilave, edhe
atëherë.
Tipik hebre, ai studionte çdo informacion në lidhje me
automobilat, çka e ndihmonte të ishte një shitës i suksesshëm, edhe i makinave
katërvendëshe të prodhuara nga gjermania Benz.
Jellinkek ishte një admirues i punës së dizenjuesit të automobilave gjermanit Wilhlem Maybach, i konsideruar në botën e makinave si “King of Designers”. Maybach punonte së bashku me Gottlieb Daimler, për të zhvilluar modele të ndryshme makinash.
Në prill 1900 pseudonimi ‘Mercedes’ u bë një emër produkti.
Jellinek dhe DMG përfunduan një marrëveshje që mbulon shitjen e automjeteve dhe
motorëve, duke rënë dakord gjithashtu për të zhvilluar një formë të re motorësh
që do të mbante ’emrin Daimler-Mercedes’
Në vitin 1902, Wilhelm Maybach ndërtoi një makinë sipas
specifikimeve të ideuara nga Emil Jellinek, pikërisht modelin e quajtur
“Mercedes”, i cili shndërrua në një nga makinat më të shitura në atë kohë.
Më 23 qershor 1902 ‘Mercedes’ u regjistrua si një emër
marke.
Sot, Mercedes-Benz është një markë globale automobilash e
kompanisë gjermane Daimler AG. Brandi njihet për makinat luksoze, autobuzet,
kamionët. Slogani i brandit është “the best or nothing”.
Shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë holokaustit. Gjatë viteve 1933-1944, Shqipëria shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Europës. Fakti është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cenuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin; nuk pati ligj që kufizonte si numër futjen e tyre në Shqipëri.
Shpëtimi qe i plotë dhe vërtetohet edhe nga një fakt paralel: pas kapitullimit të ushtrisë italiane në shtator 1943, dhjetëra mijëra ushtarë italianë u fshehën në familjet shqiptare dhe u shpëtuan. Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi drejtpërsëdrejti (shpëtuesi) dhe tërthorazi (p.sh. familjet fqinje) si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte. As edhe një hebre ekziston i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.
Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë, se Shqipëria ishte strehë e sigurt. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, zbatonin këtë Rregull të Artë, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941.
Ata hebrenj, bashkë me të tjerët që vinin nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera dhe që u futën në Kosovë, shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë e brendshme me ndihmën e qeverisë dhe popullit shqiptar. Një listë prej të paktën 3280 hebrenjsh të shpëtuar nga shqiptarët deri në fund të Luftës II Botërore është dorëzuar në Yad Vashem. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë në Shqipëri me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ata që hynë fshehtas (p.sh. u fshehën në fshatrat pranë kufirit shtetëror), ata që nuk janë zbuluar akoma në dokumente të tjera, si dhe ata që nuk njihen me emër. Kjo e fundit është për t’u theksuar sepse është e zakonshme të shohësh lista në arkiva, të cilat kanë për një emër përbri numrin e njerëzve që e shoqëroi atë kryetar grupi ose familje, nën titullin “bashkë me familjen e tyre”. Institucioni Yad Vashem në Jeruzalem, deri më tani ka njohur zyrtarisht 69 shqiptarë si “Fisnikë të Kombeve” në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Këta hebrenj të shpëtuar janë ata që i mbijetuan Holokaustit nëpërmjet ndihmës shqiptare, që u martuan, lindën e vazhduan rrjedhën e tyre të jetës në Shqipëri e vendet e tjera. Hebrenjtë që mbetën në Shqipëri pas mbarimit të Luftës II Botërore lanë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt./KultPlus.com
Kjo foto, tregon një hebre në Beograd me plis në kokë. Plisi, një karakteristikë e shqiptarëve, duket se është pelqyer nga hebreu i cili pas krimeve të nazistëve, përfundoi duke gjetur strehim në Beograd.
Disa interpretime thonë, se kjo ishte një shenjë falenderimi nga hebrejtë për shqiptarët, të cilët i mbrojten kundër gjermanëve duke rrezikuar madje dhe jetën e tyre. Kjo foto është postuar në rrjetin social nga Fahri Xharra, shkruan KultPlus.
Edhe faqja CHRE (Center for Holocaust Research and Education) tregon se ky është një i moshuar hebre në Beograd. Në fakt, hebrejt në Beograd u ndihmuan shumë nga shqiptarët, ndryshe nga serbët të cilët nuk i përkrahën, por i dorëzuan tek gjermanët.