Helen Mirren e fitoi “Ariun e Artë” për arritje jetësore

Ylli i kinematografisë u nderua në edicionin e 70-t të festivalit të filmit në Berlin, me një shpërblim special që e nderon karrierën e saj të suksesshme.

Aktorja 74-vjeçare Mirren, e kishte fituar shpërblimin e parë Oscar në kategorinë “Aktorja më e mirë” në vitin 2007, për portretizimin e mrekullueshëm të Elizabetës së Dytë në filmin “The Queen”, dhe gjatë karrierës filmike 5 dekadash i ka pranuar shumë çmime tjera të rëndësishme.

“Ky trofe është shumë i lezetshëm. Mendoj se statuja ime ‘Oscar’ do të dashurohet me të,” tha duke bërë shaka aktorja, teksa po e pranonte në skenë shpërblimin e saj.

Por, momenti më i duartrokitur për Mirrenin në festivalin që mbahet në kryeqytetin gjerman, ishte kur ajo i tha publikut se ende e konsideron veten një evropiane, pavarësisht Brexitit.

Gjatë ditës, aktorja e njohur britanike duke bërë shaka i kishte kërkuar gazetarëve që ta presin me ovacione, në një konferencë shtypi ku foli për jetën dhe karrierën e saj, transmeton Koha.net.

Përveç roleve në filma të suksesshëm si, “Gosford Park” dhe “The Madness of King George”, Mirren po ashtu është lavdëruar për performancat e mrekullueshme në projekte të ndryshme teatrale dhe televizive.

Helen Mirren do ta marrë “Ariun e artë” për arritje jetësore në Berlinale

Fituesja e çmimit “Oscar”, Helen Mirren, do ta pranojë një mirënjohje të madhe në Festivalin e Filmit në Berlin (Berlinale) në shkurt të vitit të ardhshëm.

Yllit të madh e cila statujën e artë e fitoi për dramën biografike “Queen” dhe ylli i serialit më të ri dramë të HBO/Sky “Catherine The Great” do t’i kushtohet një homazh i cili do të përbëhet nga disa nga filmat e saj më të famshëm, duke përfshirë “The Cook The Thief His Wife & Her Lover”, “The Last Station” dhe drama më e re kriminalistike “The Good Liar”.

“Helen Mirren është një personalitet i fortë, aktrimi i së cilës gjithmonë na ka mahnitur. Ajo na befason të gjithëve me interpretimin e saj të personazheve komplekse. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Chris nga “Calendar Girls” apo për mbretëreshën Elizabeth II në “Queen”, paraqitjet e saj janë shembull i një gruaje të fortë dhe të madhe dhe është nder për ne që do t’ia ndajmë asaj ‘Ariun e Artë’ për arritje jetësore”, e arsyetoi vendimin drejtoresha e re ekzekutive e festivalit, Mariette Rissenbeek.

Berlinale vitin e ardhshëm do ta ketë 70-vjetorin, ndërsa Mirren do t’i dorëzohet çmimi në ceremoninë e cila mbahet më 27 shkurt 2020, kur do të shfaqet filmi i saj i shpërblyer “Queen”, shrkuan KOHA Ditore. Roli i parë i madh filmik për Mirren ishte Cora në dramën humoristike “Age of Consent” të Michael Powell në vitin 1969, ndërsa më e kërkuar është bërë pas rolit të saj në filmin gangster të John Mackenzie, “The Long Good Friday” në vitin 1980.

“Ariu i Artë” është çmimi më i rëndësishëm në Festivalin e Filmit në Berlin, ndërsa jepet në kategorinë e filmit më të mirë, filmit më të mirë të shkurtër dhe për arritje jetësore (Honorary Golden Bear). Vitin e kaluar ky çmim iu nda Charlotte Rampling.

Festivali i 70-të i Filmit në Berlin do të mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars 2020, më vonë se zakonisht pasi data përshtatej më datën pak më të hershme të ceremonisë së “Oscar” (10 shkurt 2020).

Aktoren Helen Mirren aktualisht mund ta shohim në serialin e lartpërmendur “Catherine The Great” në të cilin e luan rolin titullar dhe në filmin “The Good Liar” ku luan edhe me një tjetër veteran, aktorin britanik Ian McKellen (filmi filloi të shfaqej në SHBA kah mesi i nëntorit). Vitin e ardhshëm do ta shohim në “Fast & Furious 9”./koha.net/ KultPlus.com


Helen Mirren thotë se do të donte të luante rolin e Trumpit

Helen Mirren e cila ka luajtur rolin e mbretëreshës Elizabeta, së fundmi ajo është shprehur se do të dëshironte ta luaj edhe rolin e Presidentit Trump, shkruan NY Daily News, përcjellë KultPlus.

“Do të isha qesharake sa Trumpi,” i tha Mirren reporterit të Hollivudit.

Aktorja legjendare nga Britania ka shtuar tutje, “Do të më pëlqente ta luaj këtë rol. Po thuajse edhe flokët e mija janë të ngjashme! Do të ishte një rol i jashtëzakonshëm”, ka thënë aktorja Mirren.

Mirren, e cila tani është 72 vjeçare, i bie të jetë vetëm një vit më e vjetër se Presidenti Trump. Ajo tha se nuk do ta kishte të vështirë ta kopjonte karakterin e Presidentit. ./ KultPlus.com