Takimin e tij të parë me artdashësin shkodran, qytetin e shumë piktorëve të famshëm,”Mjeshtri i Madh” i pikturës, Helidon Haliti, e vlerësoi më ndryshe, duke çelur një nga ekspozitat më të mëdha të karrierës së tij.
Ai prezantoi ekspozitën “Udhëtarët e Kotësisë” me 4 cikle njëherësh.
Haliti, i cilësuar si piktor i ngjyrave të gjalla, me fuqinë për të mbërthyer menjëhershëm sytë e artdashësve, tregon se për disa vepra, frymëzimin e ka marrë te Marubi dhe Ismail Lulani.
“Mjeshtri i Madh” thotë se në Shqipëri ka nisur një epokë e mirë për vlerësimin e artit pamor, i cili ishte në krizë, por i duhen dhënë qyteteve më shumë galeri arti./Topchannel/KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi me titullin “Mjeshtër i madh” piktorin Helidon Haliti me motivacionin: “Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur artistike në artin figurativ, i vlerësuar si piktori “Mjeshtër i akuareleve’’ dhe si intelektual i angazhuar në edukimin e shoqërisë me vlera kulturore dhe artistike. Në vlerësim të promovimit të artit shqiptar nëpërmjet ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë”.
“Helidon Haliti është një piktor modern bashkëkohor dhe surrealist në kufijtë e realizmit magjik, siç e përcaktojnë edhe kritikët e artit, por frymëzimi tij nga temat shqiptare e bën atë më të veçantë, gjithashtu e bën vlerësimin që i jepet sot më kuptimplotë”, u shpreh Begaj në fjalën e tij.
Miq nga bota e artit dhe familjarë të mjeshtrit të madh, Haliti, ishin sot të pranishëm për të ndjekur dekorimin e tij, si dhe për të ndarë së bashku emocionet e një vlerësimi të merituar, kushtuar punës së tij si një trashëgimi e lënë për artistët e rinj.
Artisti Helidon Haliti është një ndër artistët tanë më të njohur dhe kontributi i tij është nderuar me çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar për një kontribut të madh kryesisht në 15 vitet e qëndrimit të tij në Greqi, në organizimin e ekspozitave të ndryshme si dhe prezantimin e artit dhe kulturës shqiptare në shtetin helen.
Me kthimin e tij në Shqipëri, vlen të theksohet që artisti Helidon Haliti ka një kontribut të gjerë prej 17 vitesh.
Haliti është ndër emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor shqiptar, një artist shumë i njohur me artin e tij si në Shqipëri dhe jashtë saj, pjesëmarrës në shumë bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, mbi 5 ekspozita personale, i nderuar me çmime të kalibrit të lartë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një artist mjaft i vlerësuar nga kritikë e studiues arti. Veprat e tij janë pjesë e muzeumeve dhe galerive, si dhe koleksionistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj./KultPlus.com
Nis Mural Fest Tirana, një prej festivaleve më të veçanta që zhvillohet në Tiranë. Mural Fest, tradita e një arti që nuk vdes kurrë është nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së festivalit kuratori i Mural Fest Tirana, Helidon Haliti tha se e veçanta e këtij viti është se do të ketë më shumë pjesëmarrëse gra artiste si dhe do të ketë tre vepra kushtuar rinisë.
“Mural Fest ka nisur prej 5 vitesh, i realizuar nga Dekor Tirana, duke afruar artistë nga e gjithë bota. Risia e Bashkisë së Tiranës është se ka një grup e cila ka artistë brenda, të cilët pikturojnë përditë. Ata i njohin muret e Tiranës dhe pikturojnë gjëra përditë. Dera e Mural Fest është e hapur për të gjithë studentët dhe të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Workshop-i do të jetë 3 ditë. Është i iniciuar nga Dekor Tirana dhe nga Kongresi Rinor Kombëtar. E përgëzoj Kongresin sepse ka sjellë shumë aktivitete në Shqipëri. Këtë vit kemi dy artistë të shkëlqyer, siç është Noe nga Uruguai. Ne këtë vit kemi katër vajza artiste, me insistimin tim vjen edhe një vajzë nga Kosova, Emona 21 vjeç e cila ka bërë disa mure në Kosovë. Vjen gjithashtu edhe Zana nga Amerika, Pablo nga Spanja, apo Bogdani nga Rumania”, u shpreh muratori Haliti.
Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se është e lumtur që Kongresi i është bashkuar këtë vit Mural Fest, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe se shpreson që në vitet e ardhshme kjo nismë të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë “Ne kemi ardhur me Tirana Art, si një nismë që synon që këtë festival të muraleve ta përçojë edhe te brezat e rinj nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve, por edhe mundësisë që atyre u jepet për ta përfaqësuar punën rreth e përqark qytetit. Unë jam e bindur që do u mundësojmë të rinjve më shumë hapësira dhe mundësi dhe do bëjmë të mundur që edhe vitet e tjera këtë traditë aq të mirë ta ruajmë dhe ta promovojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Peci.
Ndërsa menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga tha: “Në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” festivalit që realizon Dekori i Bashkisë Tiranë, i bashkohet edhe Mural Art, një projekt që vjen në kuadër të vitit të rinisë, një vit special që sjell për të gjithë të rinjtë e Tiranës, shumë aktivitete të ndryshme”, u shpreh Menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga./ KultPlus.com
Festivali “Mural Fest”, ka mbajtur prej 24 gushtit edicionin e tij të tretë, duke i dhënë Tiranës jetë dhe ngjyra.
Kuratori i “Mural fest” dhe piktori i mirënjohur Helidon Haliti thotë se fasadat e pallateve të larta, duke nisur nga qendra, por edhe në zonat me periferike do të vishen me piktura shumëngjyrëshe që kanë në qendër kryesisht figurën e gruas, duke personifikuar Tiranën dhe ndryshimet e saj në këto 100 vite kryeqytet.
Haliti thotë se Mural Fest” vjen dhe si një vullnet i mirë për të lënë një ekspozitë në qiell të hapur për Tiranën.
Sipas tij, ky është një nga projektet më tërheqëse të rinisë së sotme, sepse e gjithë bota ka nevojë për shumë ngjyrë.
Haliti thekson se muralet janë punuar mjeshtërisht nga artistë me përmasa botërore, të cilët u përzgjodhën mes 200 kandidaturave dhe në përputhje me tematikën e këtij edicioni, por pa i nxjerrë nga identiteti i tyre artistik.
Mes emrave në zë është piktori Case Maclain, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia.
Realizimi i muraleve konsiderohet nga kritikët si një nga projektet më të vështira për tu realizuar, jo vetëm nga ana teknike por dhe nga ajo artistike. Haliti tregon se puna në fasadën e pallateve varet nga disa faktorë nisur që nga moti apo dhe ngjitja në lartësi deri në 45 metra, ku punohet për më shumë se 12 orë. Megjithatë, vështirësitë më të mëdha janë artistike pasi puna realizohet në sipërfaqe shumë të mëdha.
Përreth Tiranës, duke nisur nga qendra, në 10 mure të ndryshme tani do të mund të gjejmë të shkrirë artin që mund të ruhet aq sa godina, si NJë dhuratë për qytetIN që ndryshon nga dita në ditë në ditë.
Haliti thotë se fasadat janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve, por janë përqendruar kryesisht te Komuna Parisit, zonë e cila është kthyer në një pike ky kyçe për turistët e veçantë të “street art”.
Pas secilës vepër arti ka edhe një filozofi, të lidhur ngushtësisht me historinë e qytetit. Haliti thotë se qëllimi i tyre është edhe përcjellja e mesazheve sociale nëpërmjet pikturave.
Njëra prej tyre, e quajtur “Kujdesi i nënës”, vepër e piktorit gjerman Case Maclain, i referohet tërmetit i vitit 2019, ku shumë nëna u lutën për fëmijët e tyre ndërsa kujdesi I tyre i mbrojti nga tragjedia.
Festivali nuk kaloi pa kritika dhe zhurmë. “Kujdesi i nënës” ishte vepra e artit që shkaktoi më shumë reagime në rrjete sociale, për shkak se pretendohej që dora pas vajzës së mitur ishte e një burri. Kjo la vend për keqkuptime dhe debate, të cilat Haliti i konsideron si të pabaza.
Në një kohë kur qytetet po ndryshojnë me shpejtësi marramendëse dhe ftohtësia e xhamit po zëvendëson muret, këto dhjetë vepra arti me filozofi të ndryshme që lidhen ngushtë me historinë e kryeqytetit do të sjellin një tjetër pamje tjeter në artin publik. / rtklive.com / KultPlus.com
Artisti shqiptar Helidon Haliti, së fundmi hapi ekspozitën e tij të parë në akuarel me 40 punime gjatë viteve, në Kinë, shkruan KultPlus.
Ai këtë ekspozitë e bëri bashkë me mjeshtrin kinez, dekanin e akademinë së Chantou, Li Xiaocheng, ku edhe ai mori pjesë me 40 punime. Kjo ekspozitë që u mbajt në Kinë dhe u vlerësua shumë e suksesshme tashmë do të vjen në Shqipëri, ka njoftuar artisti Haliti, shkruan KultPlus.
“Unë do e sjellë ekspozitën që e hapa në Kinë, pranë artdashësve të mi në Muzeun Kombëtar të Tiranës, pranë sheshit të mrekullueshëm Skëndërbej, më 20 tetor”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Helidon Haliti, i cili poashtu ka njoftuar se do të nisë një maratonë ekspozitash personale me mjeshtra të mëdhenj të mediumit të akuarelit.
Ekspozita hapet më 20 tetor në Muzeun Kombëtar të Tiranës, me fillim nga ora 10:00./ KultPlus.com