Barbadosi, i saposhpallur republikë, e ka bërë superyllin Rihanna një nga heronjtë e saj kombëtarë.
Tashmë i pavarur nga Britania e Madhe që nga viti 1966, Barbadosi, ishulli më lindor i Karaibeve, 300 kilometra larg Venezuelës, festoi kalimin e tij në një regjim republikan pas rreth katër shekujsh nënshtrim ndaj sovranit britanik.
Këngëtarja dhe biznesmenja, 33 vjeçe, e lindur në Barbados, i ishte dhënë tashmë prej 2018-s titulli i ambasadores së plotfuqishme të ishullit-shtet, e ngarkuar me promovimin e turizmit, arsimit dhe investimeve.
“Rihanna e bëri të gjithë botën të ëndërronte me kërkimin e saj për përsosmëri, krijimtarinë, disiplinën dhe, mbi të gjitha, angazhimin e jashtëzakonshëm ndaj atdheut të saj”, tha kryeministrja e Barbadosit, Mia Mottley, para personaliteteve të mbledhura për ceremoninë zyrtare gjatë së cilës u betua presidentja e re, Sandra Mason, e zgjedhur në tetor.
“Në emër të një vendi mirënjohës dhe të një populli edhe më krenar, ju prezantojmë personin e caktuar si Heroina Kombëtare e Barbadosit, ambasadoren Robyn Rihanna Fenty”, vazhdoi Mottley, duke ftuar këngëtaren e R&B t’i bashkohet asaj.
“Vazhdoni të shkëlqeni si një diamant dhe ta mbuloni vendin tuaj me nder me fjalët dhe veprimet tuaja”, shtoi ajo, duke lënë të kuptohet për një nga hitet më të mëdha të këngëtares, “Diamonds” (2012).
Rihanna bëri një hyrje meteorike në skenën muzikore ndërkombëtare në vitin 2003.
Ajo arriti të krijojë një perandori masive në industrinë e modës dhe bukurisë dhe talenti i saj sipërmarrës e katapultoi atë në një superstar.
Të ardhurat e saj tani eklipsojnë ato të superyjeve, si Madonna dhe Beyoncé.
“Ajo “vlen” 1,7 miliardë dollarë, gjë që e bën atë një nga muzikantet më të pasura në planet”, njoftoi revista e specializuar Forbes në gusht.
Rreth 1,4 miliardë nga pasuria e saj vjen, sipas revistës, nga marka e tij e kozmetikës, Fenty Beauty, e krijuar në partneritet me gjigantin francez të luksit LVMH.
Dhe, pavarësisht faktit se nuk ka publikuar një album që nga viti 2016, këngëtarja mbetet një ndikim i madh në internet, me mbi 100 milionë ndjekës në Instagram dhe Twitter.
Ceremonia u zhvillua në prani të Princit Charles, i cili njohu “mizorinë e tmerrshme të skllavërisë” nga e cila vuajti ishulli gjatë kolonizimit britanik. / KultPlus.com