Hesse, ose poet, ose asgjë

Një prej shkrimtarëve më të shquar gjermanë të shekullit të njëzetë, Herman Hesse u lind më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Shtutgartit dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Përveç shkrimeve në prozë, ai shquhet si poet me më shumë se 680 poezi, të përmbledhura këto në 12 vëllime. Se një ditë do të bëhej shkrimtar, ai e kishte të qartë, por tjetër gjë shihnin prindërit tek ai. Sipas tyre, duhej të bëhej klerik, si ata vetë: i ati punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, ndërsa e ëma ishte bijë e një misionari. Në këto kushte, poeti u rrit në një familje me tradita të forta fetare. Në vitin 1891, prindërit e dërguan në seminarin protestant “Maulbronn”. U largua vetëm pas disa muajsh, pasi nuk mund ta duronte edukimin kristian.

Brenda vetes, ai ishte i vendosur: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë!” Por, rruga nëpër procesin krijues, për të qe një odise e vërtetë. Hesse ndërroi disa shkolla dhe nuk mundi të përshtatej, ndaj në një fazë depresive, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, u përpoq të vriste veten. Më vonë, ai punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate për kulla, si dhe në librari.

Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon kështu interesin mbarë-botëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe. ”

Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike, politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu, një nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, Hesse u bë qytetar zviceran, ndërsa më 1946 iu akordua çmimi “Nobel” në letërsi…/Hejza/KultPlus.com

Herman Hese: Vetmia është pavarësi

Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.

Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. 

Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.

Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.

“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./Konica.al / KultPlus.com

Hesse: Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet i shkretë

Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime, shkruan KultPlus.

Hermann Hesse ishte djali i një pastori (prifti) dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar.

Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturen angleze. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Sonte po e sjellim këtë thënie të vlefshme nga ky autor gjerman:

“Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet i shkretë” /KultPlus.com