Gjykata e lartë në Vranjë solli vendimin që filmi i “I PABESI” të ndalohet të shfaqet, kurse filmi “Heshtja vret” të lejohet me kusht që të largohet llogoja e Republikës së Kosovës nga filmi, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur producenti Gani Veseli, i cili tha se asesi nuk pranon që llogoja e Republikës së Kosovës të largohet nga filmi, duke cekur se nuk e zhbën vlerën e atyre që investojnë në Art e Kulturë për asnjë arsye dhe kërkesë të askujt.
“Para pak çasteve Gjykata e Lartë në Vranjë solli vendimin e fundit me të cilin filmi
“I PABESI” ndalohet të shfaqet, ndërsa filmi tjetër “Heshtja vret” lejohet me kusht nëse largohet llogo e Republikës së Kosovës nga filmi. Ndërkaq unë si producent nuk pranova asesi të ndodh të hiqet sepse kamë 5 filma që janë me llogo te Republikës të Kosovës dhe vlerën e atyre që investojn në Art e Kulture nuk e zhduki për asnjë arsye ,kërkes ose interes të dikujt në këtë rastë të r.Serbisë,sepse është vlerë e artit dhe financues i këtyre Filmave .
Prandaj Falemderit
REPUBLIKA E KOSOVËS ”, thuhet në postimin e Producentit Veseli/KultPlus.com
Të ndaluar për emetim nga pushteti serb në Preshevë e Bujanoc, filmat “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret” mbrëmë erdhën me premierë në Kino Armata, në Prishtinë.
Këta dy filma përpos që janë ndaluar, për ta ka nisë edhe një procedurë gjyqësore, nëpërmjet të cilës, autoritet serbe po vlerësojnë se këta filma kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike, shkruan KultPlus.
Por Kosova mbrëmë hapi dyert për të parë filmat e realizuar nën regjinë e Musa Isufit, me skenar të Shkelqim Islamit, producent Gani Veselin si dhe me aktorë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut. Të pranishëm në sallë ishin edhe Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, ministrja Albulena Haxhiu, deputetë, figura të njohura të artit si dhe artdashës.
Kur të pranishmit zunë vendet e tyre, fjalimin hapës e bëri këshilltarja e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani. Mes tjerash Sinani u shpreh se shfaqja e këtyre filmave na kthen në vitet e tmerrshme të 90-ta, duke na kujtuar pozicionimin e vështirë në të cilin gjendej Kosova në përgjithësi dhe Presheva në veçanti.
“Shfaqje si këta filma e këngë frymëzuese, na bënin të ëndërronim në lirinë tonë dhe të besonim në të. Të shohim filmin “Heshtja vret”- duke u zotuar se nuk do të heshtim as tash, sikur nuk kemi heshtur kurrë ndaj shtypjes, shpifësit dhe diskriminimit që na është bërë”, u shpreh Sinani duke thënë tutje se filmin “I pabesi” do ta shohim duke qenë përherë të vetëdijshëm që sikurse më parë edhe tash do të ketë të pabesë të cilët Serbia i quante shqiptarë të ndershëm. Sigurisht që Kosova ka njerëz të ndershëm që dhanë kontribut të përzemërt për Luginën e Preshevës dhe Kosovën.
Tutje mori fjalën regjisori i filmave, Musa Isufi. Ai falënderojë gjithë ekipin e tij për angazhimin dhe Republikën e Kosovës në jetësimin e filmave.
Shfaqja e filmave u prit me duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.
Në filma luajtën: Gani Veseli, Sefedin Shabani, Faton Ibrahimi, Egzona Salihu, Valon Nuhiu, Artan Ibishi, Emine Kadriu dhe Blerim Ismani.
Pas shfaqjes së filmit të parë, “Heshtja vret” në ekranin e Kino Armatës erdhi filmi “I Pabesi” po ashtu me regji të Musa Isufi dhe skenar nga Shkëlqim Islami.
Kohëzgjatja e tyre ishte 40 minuta.
Me të mbaruar filmat të gjithë të pranishmit dolën nga salla me fjalët më të mira për shfaqjen e parë.
Filmat janë prodhuar me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe kulturës dhe zhvillimin e artit e filmit shqip. / KultPlus.com
Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit akoma pa nisë rrugëtimin janë shpallë filma të ndaluar, dhe një vendim i tillë ka ardhë nga autoritetet serbe, pasi që të njëjtit kanë pas me u shfaqë në Luginë të Preshevës, shkruan KultPlus.
Të dy filmat përpos që janë ndaluar, për ta ka nisë edhe një procedurë gjyqësore, nëpërmjet të cilës, autoritet serbe po vlerësojnë se këta filma kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike.
Filmat që ishin mbështetë nga Qeveria e Kosovës si fond për mbështetje për Luginën e Preshevës ishin paraparë që të shfaqeshin në Preshevë, por një letër anonime drejtuar prokurorisë së atjeshme, ka bllokuar këta dy filma, e që përralla e tyre është ndërtuar nga skenaristi Shkëlqim Islami.
Skenaristi Islami është i befasuar me këtë veprim të organeve të drejtësisë, që kanë ndaluar filmat që janë shkruar nga ai, edhe pse, sipas tij, të dy filmat deri më tash janë parë vetëm nga ai, regjisori i filmit Musa Isufi dhe producenti Gani Veseli.
“Prokuroria as që e ka idenë se për çfarë filma bëhet fjalë, ata janë bazuar vetëm në atë letër anonime dhe bazuar po në atë letër ata tashmë kanë ndaluar prezantimin e filmave me arsyetimin se filmat kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë Islami për KultPlus, e që përmbajtja e këtyre filmave është krijuar po nga Islami, i cili shpjegon se ai nuk ka shkruar skenarët vetëm për këta dy filma, por edhe për tre të tjerë që janë në rrugëtim e sipër të realizimit.
“Nuk është e vërtetë që këta dy filma, por as tre filmat e tjerë që janë në realizim e sipër të kenë përmbajtje nacionaliste dhe që nxisin urrejtje ndëretnike. Këtë ua garantoj edhe prokurorëve serb, por edhe politikanëve shqiptarë në Luginë të Preshevës”, ka thënë Islami.
Se nëse kjo ndalesë ka ardhë edhe për faktin se këta filma janë mbështetë nga Qeveria e Kosovës, Islami nuk ka ndonjë përgjigje, përpos faktit që sipas tij, produksioni “Coloseum” i Gani Veselit, aktor dhe producent nga Presheva kishte pranuar një fond nga Qeveria e Kosovës, dhe si rezultat, e kanë angazhuar Shkëlqim Islamin që të shkruaj skenarët për filmat e paraparë.
“Veseli kishte parë disa realizime me skenarë të mi dhe më ofroi që të shkruaj pesë skenarët e këtyre filmave, dy prej të cilëve tashmë janë ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë Islami.
Por, sipas tij pse erdhi deri te ky vendim, Islami problemin e adreson te disa nga politikanë shqiptarë në Luginë, ku sipas tij, të njëjtit janë munduar ta anulojnë këtë projekt me pretekstin se këto projekte janë disa ‘vjersha’ dhe se nuk meritojnë buxhet për mbështetje.
“Dhe pas këtyre zhurmave, më pas ky rast ka shkuar edhe deri në gjykatë dhe deri te ndalesa e premierave”, ka thënë Islami.
Islami shpjegon se skenarët që ka shkruar për dy filmat e ndaluar për tematikë kanë vëllavrasjen, besën, tradhtinë…
Edhe përkundër faktit se këta filma tash janë ndaluar nga autoritet serbe, Islami thotë se shfaqjen e këtyre filmave nuk ka kush i ndalë, dhe se sipas tij, pikërisht ky vendim i organeve serbe i ka dhënë një shtytje edhe më të madhe promovimit të këtyre projekteve filmike.
“Produksioni është duke i vendosë datat dhe vendet se ku do të shfaqen këta filma”, ka thënë Islami.
Por çfarë ndjesie mund të sjell ndalesa e një projekti filmik, Islamin ky veprim i autoriteteve serbe e ka kthyer në kohë.
“Një ndjesi të tillë e kam pas në vitin 2006, kur u pata regjistruar në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Rrugës, deri sa po kthehesha në shtëpi, në Kumanovë, në kufirin Serbi- Kumanovë, më futën në një zyrë dhe më kontrolluan. Në xhep kisha një letër me poezinë e Ali Podrimës “Zgjohu Kosovë”, dhe ajo poezi ishte shkak që të më merrnin në pyetje për disa orë. Dhe këto ndalesa po vazhdojnë edhe sot, e që për mua janë vendime absurde”, ka thënë Islami.
“Ata asnjëherë nuk kanë me arritë që të na ndalojnë të krijojmë, të shprehim artin dhe kulturën tonë”, ka thënë Islami.
Ndërkohë, po këta filma të ndaluar nga Serbia do të shfaqen së shpejti në Kosovë, për të cilën ka njoftuar edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Çeku, vendim që e ka pritë mirë edhe skenaristi Islami.
“Lajm shumë i gëzuar, por më vjen keq për publikun e Luginës së Preshevës, të cilët vazhdojnë të anashkalohen. Po edhe për këtë kemi alternativë, ne këta filma në të ardhmen do ti prezantojmë edhe në kanalin zyrtar të produksionit në YouTube”, ku mund ti shohin edhe qytetarët e Luginës, ka thënë Islami./ KultPlus.com
“I pabesi” dhe “Heshtja vret” janë dy filma që tashmë janë ndaluar të shfaqen në Luginë të Preshevës, dhe këta filma tashmë janë duke u trajtuar edhe nga sistemi i drejtësisë të atjeshme, me pretekstin se këta dy filma kanë përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, shkruan KultPlus.
Të dy filmat janë realizuar me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit e që janë realizuar me mbështetje nga Qeveria e Kosovës, për mbështetje për Luginën e Preshevës.
Ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku ka pritë sot në takim producentin dhe aktorin Gani Veseli dhe regjisorin e këtyre dy filmave Musa Isufi, duke shtuar se këta dy filma së shpejti do të kenë premierën në Prishtinë.
Më poshtë është njoftimi i plotë i ministrit Çeku.
Sot pata kënaqësinë t’i pres në ministri producentin e aktorin Gani Veseli dhe regjisorin Musa Isufi, dy filmat e të cilëve pushteti autokratik në Serbi nuk lejon të shfaqen në Luginën e Preshevës.
Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” që janë financuar nga Qeveria e Kosovës si pjesë e mbështetjes për Luginën, së shpejti do të kenë premierën e tyre në Prishtinë./ KultPlus.com