Era Berisha
Një kontrast inspirimi mes zhanrit rok dhe kryeveprave madhështore të shkrimtarit amerikan Edgar Allan Poe, janë zhytur thellë në misterin e këngës ‘Hide’, këngë kjo e publikuar së fundmi nga grupi i ri muzikor ‘The Moonage’, shkruan KultPlus.
Ideja për të formuar një grup, ju erdhi si kërkesë nga një producent, i cili njëkohësisht është drejtuesi i shkollës së rokut ‘Valentino Skenderovski’.
“E gjitha filloi si kërkesë nga producenti, drejtuesi i shkollës së rokut ‘Valentino Skenderovski’, një ofertë e cila iu bë kitaristit kryesor Meriton Tusha, dhe pastaj menjëherë u ndërlidh me vokalistin Jon Bela, basistin Butrint Bela, dhe pastaj krejt në fund edhe bateristin Draganan Donovski, ku u dakorduam ta marrim edhe më profesionalisht muzikën”, filluan kështu rrëfimin e tyre, ‘The Moonage’ në intervistën e dhënë për KultPlus.
Në këtë kohë kur komercialja ka zënë vend të theksuar, grupi ‘The Moonage’ po sjell një frymë ndryshe, një rrjedhë e zhanrit rok për të cilën edhe vërehet mungesa e madhe në tregun shqiptar. E njëjtë është edhe kënga debutuese e titulluar ‘Hide’, një këngë e cila sipas tyre në përmbajtje, duke u nisur nga titulli, për karakteristikë ka misteriozen dhe intensitetin të cilat shpalosen përgjatë melodive dhe përfundimin e gjejnë në refrenin e këngës.
“Rrëfimi fillon duke e përshkruar vendin dhe pastaj kalon në përshkrimin e personazhit kryesor, e që pastaj në refren shpaloset përfundimisht qëllimi i protagonistit. Por edhe pse është pak larg nga zhanri rok, frymëzimi kryesor në aspektin e ngjyrës së këngës është Edgar Allan Poe”, tregojnë ata.
Ndërsa domethënia e emrit e cila në shqip do të thotë ‘Epoka e Hënës’, është bazuar në mënyrën e jetës në një shekull ku të gjitha aktivitetet zhvillohen natën dhe dita llogaritet si një lloj monotonie. Emri po ashtu përshkruan punën e bendit, e cila është zhvilluar e gjitha pas mbrëmjes.
Kjo rrjedhë muzikore e cila vjen në një formë më pak të theksuar, për grupin konsiderohet si njëfarë lloj guximi që është marrë, duke pasur parasysh se zhanri rok nuk tërheq një audiencë të gjerë sikurse zhanret e tjera, por që megjithatë ajo vlerësohet dhe çmohet pafundësisht nga ajo audiencë e cila përkrahë këtë zhanër deri në ‘vdekje’, sepse siç dihet kur futesh thellë në greminën e zhanri rok është edhe vështirë të dalësh nga ajo.
Kënga ‘Hide’, është kënga e parë e shkruar nga kitaristi kryesor Meriton Tusha dhe vokalisti Jon Bela, prandaj edhe është vendosur që të debutojnë me një këngë të tillë, por që njëkohësisht mban një vlerë simbolike si fillimi i një rrugëtimi të punës së tyre e cila dëshiron një fokus dhe punë të palodhshme.
“ ’Hide’ jo vetëm që vjen si një këngë që formën e gjen tek rrëfimi ku bëhet fjalë për një skenë imagjinare me personazhe imagjinare por ajo edhe zhvillohet si një lidhje apo flirt misterioz e që gradualisht ngjyroset edhe nga instrumentali”, rrëfen grupi.
Depërtimi në tregun muzikorë gjithmonë mbetet si njëra ndër sfidat e mëdha të artistëve të rinj, për të cilën edhe vetë grupi potencon se edhe pse tregu muzikor udhëhiqet nga zhanre tërësisht të ndryshme, ende po merret parasysh kërkesa e audiencës e cila nuk është tërësisht në numër të vogël, duke shprehur pozitivitet dhe pëlqim që grupi të vazhdojë të sjellë këngë të reja.
Emocionet e para për debutimin në tregun muzikor, padyshim që njihen si ato të cilat të përplasin në nivele të ndryshme të ndjenjave, kurse për grupin kjo ndjenjë ishte disi e çuditshme dhe njëkohësisht e jashtëzakonshme sepse duke pasur parasysh dominimin e zhanrit pop, grupi frymon totalisht në një zhanër kontrast.
Natyrisht që edhe me debutimet e para, pasojnë edhe kritikat të cilat shpeshherë e fusin artistin në një vorbull të negativitetit duke e shtyrë që të dorëzohet, por këtë gjë nuk e ka bërë grupit ‘The Moonage’.
“Fatmirësisht, ende nuk kemi pasur kritika negative por përkundrazi, një përkrahje jashtëzakonisht e madhe na është dhënë posaçërisht nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova”, thotë grupi.
Tutje, ata kanë shprehur edhe mendimin e tyre për tregun muzikorë, ku sipas tyre, fatmirësisht ka ende shumë muzikantë që sjellin art dhe vepra madhështore por pa dashur që të ulin vlerat artistike të estradës, ka edhe nga ata të cilat janë të obsesionuar me përcjelljen e imazhit, duke tentuar të shfaqin dominancën përmes kushteve financiare.
Grupi ‘The Moonage’ pas lansimit të këngës ‘Hide’, po planifikon hedhjen e një albumi në treg që do të përfshijnë projekte në gjuhën angleze, pasi që tanimë ka filluar imazhi i tyre ndërkombëtarë. Po ashtu, planifikohet edhe fillimi i performancave live në lokale dhe festivale, natyrisht e gjitha kjo kur pandemia të ketë përfunduar. Për momentin, këngën ‘Hide’ mund ta shijoni në kanalin You Tube. / KultPlus.com