Hieroglifët dhe zbulimi i Egjiptit të lashtë janë kryefjala e një ekspozite të re në Muzeun e Londrës. Shënohen 200 vite që nga deshifrimi i shkrimeve të veçanta pas shekujsh përpjekjesh të dështuara për t’i kuptuar.
Ekspozita e re tregon historinë e këtij zbulimi të jashtëzakonshëm.
Më shumë se 240 objekte përshkruajnë udhëtimin për të kuptuar simbolet misterioze, deri te korrespondenca midis Thomas Young dhe Jean-Francois Champollion, francezi që më në fund hapi kodin në 1822.
“Festojmë 200 vite që nga koha kur u deshifruan hieroglifët egjiptianë. Ngjarja e madhe ndodhi në vitin 1822 dhe jeni në vitin 2022, po festojmë këtë arritje të jashtëzakonshme”, tha Ilona Regulski, kuratore në Muzeun e Londrës.
Ky ishte çelësi për të zhbllokuar një gjuhë të lashtë dhe sekretet e qytetërimit që e fliste atë. Guri i Rozetës është i gdhendur me tre gjuhë: hieroglifë, demotike dhe greqishtja e vjetër.
Greqishtja e lashtë u kuptua kur francezët zbuluan pllakën në 1799. Pra, duke krahasuar tekstet, studiuesit përfundimisht ishin në gjendje të deshifronin hieroglifët e lashtë egjiptianë.
“Për një kohë të gjatë, hieroglifët konsideroheshin simbole. Ata konsideroheshin se kishin kuptime magjike, që përmbanin njohuri sekrete. Dhe ky ishte një perceptim që jetoi me të vërtetë gjatë mesjetës, gjatë Rilindjes dhe në fakt deri në shekullin e 17-të. Deshifrimi na bëri të kuptojmë se hieroglifët, megjithëse duken si piktura, përfaqësojnë një gjuhë të folur”, u shpreh kuratorja.
Pasi hieroglifët u deshifruan, studiuesit ishin në gjendje të mësonin shumë më tepër për egjiptianët e lashtë.
Ekspozita përfshin huazime të objekteve nga koleksionet kombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilave rrallë shfaqen në publik. Muzeu shpreson se këto objekte do t’i ndihmojnë vizitorët të reflektojnë mbi jetën e njerëzve të lashtë.
Ekspozita “Hieroglifët: zbulimi i Egjiptit të lashtë” hapet më 13 tetor dhe zgjat deri më 19 shkurt 2023./Gazeta Tema/ KultPlus.com
Egjipti i lashtë na kanë lënë trashëgimi imazhe të piramidave të larta, mumjeve të pluhurosura dhe mureve të mbuluara me hieroglife, simbole që përshkruajnë njerëz, kafshë dhe objekte me pamje të pazakontë. Këto simbole të lashta – alfabeti i lashtë egjiptian – kanë pak ngjashmëri me alfabetin latin, të cilin njohim sot.
Kuptimi i hieroglifeve egjiptiane, mbeti disi misterioz deri në zbulimin e Gurit të Rozetës në vitin 1798, pas të cilit studiuesi francez Zhan-Fransua Shampoljo ishte në gjendje të deshifronte gjuhën misterioze. Por nga lindi një nga format më ikonike dhe më të vjetra të shkrimit në botë, dhe si e kuptojmë atë? Dhe cila është origjina e hieroglifeve?
Që nga viti 4000 Para Krishtit, njerëzit kanë përdorur simbole të vizatuara për të komunikuar. Këto simbole, të gdhendura në enë apo pllaka balte të gjetura përgjatë brigjeve të Nilit në varret që i përkasin elitës, datojnë nga koha e një sundimtari predinastik të quajtur Nakada ose “Akrepi I”, dhe ishin ndër format më të hershme të shkrimit në Egjipt.
Megjithatë, Egjipti nuk ishte vendi i parë që dinte të komunikonte përmes shkrimit. Mesopotamia kishte tashmë një histori të gjatë të përdorimit të simboleve që nga viti 8000 Para Krishtit. Për ndërsa historianët debatojnë ende nëse egjiptianët e morën apo jo idenë për zhvillimin e një alfabeti nga fqinjët e tyre mesopotamianë, hieroglifet janë dukshëm egjiptiane, dhe pasqyrojnë florën, faunën dhe imazhet e jetës egjiptiane.
Me fillimin e Mbretërisë së Vjetër dhe të Mesme Egjiptiane nga viti 2500 Para Krishtit, numri i hieroglifeve ishte rreth 800. Kur grekët dhe romakët arritën në Egjipt, përdoreshin më shumë se 5000 hieroglife. Po si funksionojnë hieroglifët? Tek hieroglifet, ekzistojnë 3 lloje kryesore glifesh.
Së pari janë glifet fonetike, të cilat përfshijnë karaktere të vetme që funksionojnë si shkronjat e alfabetit anglez. Së dyti janë logografët, simbole të shkruara që përfaqësojnë një fjalë, pak e shumë si shkronjat e alfabetit kinez. Dhe se treti ishin taksogramet, të cilat mund ta ndryshojnë kuptimin kur kombinohen me glife të tjera.
Ndërsa gjithnjë e më shumë egjiptianë filluan të përdornin hieroglifet, u shfaqën 2 lloje shkrimesh: ai hieratik (priftëror) dhe ai demotik (popullor). Gdhendja e hieroglifeve në gurë ishte një proces i ndërlikuar dhe i shtrenjtë. Ndaj lindi nevoja për një lloj shkrimi më të lehtë korsiv.
Hieroglifet hieratike ishin më të përshtatshme për të shkruar në papirusë të bërë me kallamishte dhe bojë. Ato përdoreshin kryesisht për të shkruar rreth fesë nga priftërinjtë egjiptianë, aq sa fjala greke që i dha emrin alfabetit; hieroglyphikos do të thotë “gdhendje e fjalës së shenjtë”.
Shkrimi demotik u zhvillua rreth vitit 800 Para Krishtit, për t’u përdorur në dokumente të tjera ose shkrimin e letrave. Ai u përdor për 1000 vjet, dhe shkruhej dhe lexohej nga e djathta në të majtë si arabishtja, ndryshe nga hieroglifët e mëparshëm që nuk kishin hapësira midis tyre dhe mund të lexoheshin nga lart poshtë.
Prandaj, kuptimi i kontekstit të hieroglifeve ishte shumë i rëndësishëm. Hieroglifët ishin ende në përdorim nën sundimin pers gjatë shekujve VI-V Para Krishtit, dhe pas pushtimit të Egjiptit nga Aleksandri i Madh. Studiuesit mendojnë se gjatë periudhës greke dhe romake, hieroglifet përdoreshin nga egjiptianët, si një përpjekje për të dalluar egjiptianët “e vërtetë” nga pushtuesit e tyre.
Edhe pse, kjo mund të ketë qenë më shumë një zgjedhje e vetë pushtuesve grekë dhe romakë, për të mos e mësuar gjuhën egjiptiane. Gjithsesi, shumë grekë dhe romakë mendonin se hieroglifët bartnin njohuri të fshehura, madje magjike, për shkak të përdorimit të tyre të vazhdueshëm në praktikën fetare egjiptiane.
Por gjatë shekullit IV Pas Krishtit, pak egjiptianë ishin të aftë që t’i lexonin hieroglifet. Perandori bizantin Theodosi I, i mbylli të gjithë tempujt jo të krishterë në vitin 391, një akt që solli edhe fundin e përdorimit të hieroglifeve në godinat monumentale. Studiuesit mesjetarë arabë Dhul-Nun El-Misri dhe Ibn Uashshija, bënë përpjekje për të përkthyer simbolet e atëhershme të huaja.
Por përparimi i tyre bazohej në besimin e gabuar se hieroglifet përfaqësonin idetë dhe jo tingujt e folur. Përparimi në deshifrimin e hieroglifeve, ndodhi pas një pushtim tjetër të Egjiptit, këtë herë nga Napoleon Bonaparti. Forcat e Perandorit, një ushtri e madhe që kishte me vete shkencëtarë dhe ekspertë të kulturës, zbarkuan në Aleksandri në korrikun e vitit 1798.
Një pllakë guri, e gdhendur me glife, u zbulua si pjesë e strukturës në fortesën Zhylien, një kamp i pushtuar nga francezët pranë qytetit të Rozetës. Sipërfaqja e gurit mbulohet nga 3 versione të një dekreti të lëshuar në Memfis nga mbreti egjiptian Ptoleme V Epifanes në vitin 196 Para Krishtit.
Tekstet në pjesën e sipërme dhe në mes janë me shkrime hieroglife dhe demotike të egjiptianishtes së lashtë, ndërsa pjesa e poshtme është shkruar në greqishten e vjetër. Gjatë viteve 1822-1824, gjuhëtari francez Zhan-Fransua Shampoljo zbuloi se 3 versionet ndryshojnë vetëm pak nga njëri-tjeri. Guri i Rozetës (që ndodhet sot në Muzeun Britanik) u bë çelësi për deshifrimin e shkrimeve egjiptiane. Pavarësisht zbulimit të tij, sot interpretimi i hieroglifeve mbetet një sfidë edhe për egjiptologët me përvojë./bota.al/ KultPlus.com
Google ka krijuar një fjalor hieroglifesh që përdor inteligjencën artificiale për të deshifruar imazhe të tekstetve të Egjiptit të lashtë, përcjellë KultPlus.
Fjalori i ri, i quajtur Fabricius, përdor makineri që mësojnë për tu dhënë ekspertëve një mënyrë të shpejtë të përkthimit të hieroglifeve.
Aplikacioni është gjithashtu në treg edhe për persona që nuk janë ekspertë, por dëshirojnë të mësojnë në një mënyrë argëtuese më shumë rreth gjuhës së lashtë.
Në të mund të shkruash një mesazh dhe më pas ai do të konvertohet në gjuhë hieroglifesh për tu ndarë me të tjerët. / KultPlus.com