Poezi e shkruar nga Flutur Mustafa.
Unë nuk du me shku.
Me të thanë të drejtën nuk e di
as çfarë shije ka ikja.
Asnjëherë nuk ia kam mbathë.
Të tjerë janë largu,
e rrugët e ikjes jo gjithmonë lajnë vend për kthim.
Unë nuk di qysh iket.
A i nxen krejtë nji valixhe lëkure
apo duhet me marrë veç
çka me lëkurë mundesh me bajtë ?
Me buzë,
mbase me duar ?!
apo me gjuhë ?
mbase me dhëmbë.
Tregomni si me marrë me vete:
kafshimet e çarçafëve,
pështymen e jargavitjen,
si të paketoj afshin, gjumin, ndjenjën?
si të paloj pasthirmat, zanin,
dorën që ma mbyll gojën
kur çoejmë dashni …
Nuk e kam ndërmend me ikë
askund, asnjiherë.
Thjesht deshta me iu pyetë
juve që i praktikoni ikjet,
të më rrefeni
qysh e paloni dashninë?