Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë, (Himara International Music Festival) është hapur me “Vajtimi i Tokës” (Lament of earth), një thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit si dhe “Himarës ç’i panë sytë”.
Kalaja e Himarës, e ndërtuar që në mesin shek IV para lindjes së Krishtit është shndërruar këtë fillim gushti në një skenë arti nën interpretimin e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja.
Vajtimi i Tokës”, performanca audiovizuale e Donika Rudit dhe ReMusica Vocal Ensemble, me tekst të Doruntina Bashës, interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari, në drejtimin e mjeshtrit Rafet Rudi si dhe nën shoqërimin e vallëzimit të Agnesa Nokshiqit, u mirëprit nga të pranishmit ku interpretimi i magjishëm jehoi fuqishëm në këtë skenë natyrore.
Me pamjen e mrekullueshme nga kanioni i Vishës, plazhi i Livadhit dhe vargmali i Vetëtimës, në kalanë e Himarës që prej datës 3 gusht po mbahet ky aktivitet me performancë të muzikës klasike nga artistët vendas e të huaj.
Himara International Music Festival lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar.
Ky aktivitet po i jep zë muzikës përfaqësuese të kulturës shqiptare, këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore.
Të tjera performanca shoqëruan mbrëmjet magjike pranë detit në jug të vendit me vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole.
Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himarjot.
Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak.
Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene.
Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The World and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës.
Festivali i Himarës, “Himara International Music Festival”, do të mbyllet me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë./atsh/KultPlus.com
Një incident tragjik që ka ngjallur protesta në Tiranë, ka nxjerrë në rend dite sigurinë e jetës në plazhe dhe destinacione të tjera turistike.
Në fillim të këtij muaji Jonada Avdia, një vajzë shtatëvjeꞔare, që jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, që ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me të atin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.
“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha për DW, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe pëgjegjshmëri nga instituciomet shtetëtërore.
Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.}
“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë për DW, ministrja Kumbaro.
Mospërmbushja e detyrimeve ligjore
“Policia e Shtetit nuk mund të përmbushë detyrimet e palëve të tjera shtetërore dhe jo shtetërore që kanë detyrim licensimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore si edhe kontrollin e përmbushjes së tyre nga subjektet që i kanë licensuar,” thotë për DW, Genti Mullaj, Drejtor i Komunikimit, në Policinë e Shtetit.
Burime zyrtare thanë për DW se autori i incidentit fatal, ish-oficeri i policisë, Arian Tase, kishte licencë për të drejtuar skafin, por incidenti tragjik vë në pikëpyetje mënyrën sesi e ka marrë licencën si dhe dijet e tij.
Sipas tyre ai duhet të kishte filluar të ulte shpejtësinë 200 metra para se t’i afrohej bregut dhe ta fikte motorin e skafit, kur shpejtësia të ishte minimale dhe jo në atë të lundrimit në det. Por ka ndodhur e kundërta. Të njëjtat burime thanë për DW që kur ish-oficeri i policisë Tase ndaloi skafin pa ulur shpejtësinë, ngarkoi në breg pjesëtarët e familjes së tij dhe ndezi motorin dhe mori kthesën në vend për të lundruar në det, skafi mori në mënyrë automatike shpejtësinë e lartë, në të cilën ai e kishte fikur. Skafi doli jashtë kontrollit dhe shkaktoi me helikën e motorit vdekjen e vajzës shtatëvjeꞔare.
“Menjëherë pas ngjarjes tragjike Policia e Shtetit bëri kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit të 200 mjeteve lundruese dhe argëtuese detare. Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik hetoi nëse ka raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, Interpoli dhe sektori i trafiqeve të paligjshme ka hetuar nëse këto mjete rezultojnë të vjedhura ose jo, jashtë Shqipërisë,” thotë për DW Genti Mullaj.
Ai thekson se “që nga fillimi i sezonit turistik Policia Kufitare ka kontrolluar 900 mjete lundruese detare nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masa administrative dhe 25 të tjera janë bllokuar ngaqë nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt”
“Policia e Shtetit nuk synon të bllokojë mjetet lundruese detare që kanë dokumentacion të rregullt dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit në det por synon rritjen e sigurisë së jetës për pushuesit në vijën bregdetare,” thotë për DW, Genti Mullaj.
Erdit Gega, President i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” një organizatë joqeveritare, anëtare e organizatës botërore “International Life Saving” (ILS) thotë për DW se “vrojtuesit e plazheve janë trainuar dhe çertifikuar nga kjo federatë me një kurikul të standardit më të lartë, të miratuar nga ILS.
„Skafet, motoskafet dhe të gjitha mjetet lundruese motorike janë shumë të rrezikshme dhe përdorimi i tyre në zonat e notimit duhet të jetë rreptësisht i ndaluar. Por persona të papërgjegjshëm rrezikojnë jetën e plazhistëve, si pasojë edhe e mosndëshkimit prej autoriteteve perkatëse” thotë për DW, Endrit Gega.
Sipas tij ”sa më i madh numri i vrojtuesve, aq me e madhe edhe siguria për jetën në plazhe”
“Rëndësia e pranisë së vëzhguesve në stacionet e plazhit nuk po kuptohet aq sa duhet nga strukturat përgjegjese. Bregdeti ynë ka ende një mungesë të organizimi mes strukturave në zbatim të normave ligjore ne fuqi. Monitorimi i këtyre stacioneve bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, (AKB) e cila duhet të evidentojë mungesën e vrojtuesve dhe të zbatimit të kritereve ligjore lidhur me sigurinë e jetës. Roli i AKB është shumë i vakët dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me federatën tonë pothuajse nuk ekziston,” thotë për DW, Endrit Gega.
Baza ligjore për funksionimin e stacioneve të plazhit hyri në fuqi në Shqiperi 10 vite më parë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE. Përafrimi i saj me legjislacionin përkatës të vendeve të Mesdheut dhe BE mbështetet nga qeveria gjermane përmes programit të GIZ.
“Nëse autoritetet vendore dhe qendrore do të kishin bërë detyrën e tyre sikurse e përcakton ligji për stacionet e plazhit, ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së Jonadës nuk do të kishte ndodhur. Ka një mungesë të theksuar vëmendjeje ndaj vlerës së jetës dhe masave parandaluese për ta mbrojtur atë,” thotë për DW, Endrit Gega. Megjithë numrin e kufizuar të vrojtuesve të federatës, numri i viktimave në det është ulur.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar vrojtuesit kanë shpëtuar 100 vetë nga mbytja. Nga 46 të mbytur në 2016, vitin e kaluar ka pasur vetëm 12. Sivjet kemi patur viktima edhe si pasoje e mungesës së sinjalistikës ujore, respektimit të rregullave të qarkullimit në ujë dhe mungeses së kontrollit nga ana e autoriteteve”, thekson për DW, Erdit Gega.”
Ndërkohë Shipëria është bërë një destinacion turistik që ofron shumë më tepër sesa peizazhe mahnitëse të Rivierës, diell dhe ujra smerald të detit Jon. Alpet në veri dhe male në Jug, lumenj, liqene, trashëgimi kulturore dhe vende arkeologjike të lashtësisë tërheqin jo vetëm në verë turistë nga Evropa dhe përtej Atlantikut.
Sipas shifrave zyrare në periudhën janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19. “Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror,” thotë për DW, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ajo vë në dukje që “potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit. “Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri, ” thotë ministrja Kumbaro.
Por që kjo të ndodhë Shqipëria duhet të përballojë disa sfida përveç asaj të garantimit të sigurisë së jetës.
Lufta në Ukrainë, reduktimi i turistëve ukrainas, rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve kërcënojnë zhvillimin e një turizmi për 12 muajt e vitit. Jo më pak kërcënuese është edhe mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri. Sipas INSTAT mbi 42 mijë persona emigruan vitin e kaluar dhe mijëra të tjerë kanë kërkuar azil. Hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera turistike janë në vështirësi për fuqi punëtore. Cilësia e shërbimeve ka nevojë për përmirësime substanciale. Lakmia për të fituar sa më shumë rezulton të jetë mbi logjikën e biznesit dhe në fund të fundit po e dëmton turizmin. Çmimet e larta të transportit, akomodimit dhe ushqimit kanë mbajtur larg këtë verë pushuesit vendas që kanë anuluar planet për pushime.
Pozicioni gjeografik, natyra dhe historia janë shumë bujare me Shqipërinë për të ngritur një industri të lulëzuar turizmi dhe zhvilluar ekonominë. Kjo mund të ndodhë vit pas viti, nëse zbatohen ligjet me dorë të hekurt, ndëshkohen kundravajtësit dhe fitohen sfidat./DW / KultPlus.com
Sot në 19:30 do të ketë sërish një protestë për 7-vjeçaren, Jonada Avdia.
Tubimi këtë herë do të fillojë te Ministria e Brendshme, aty ku do të grumbullohen protestuesit të cilët më pas do të marshojnë drejt kryeministrisë, shkruan euronews.
Bëhet me dije se protesta ka vetëm një skenar për të realizuar qëllimin e dorëheqjes së ministrave Çuçi e Kumbaro si dhe të drejtorit të Policisë, Gledis Nano.
Organizatorët kanë paraljmëruar senëse nuk ka dorëheqje të këtyre dy ministrave, ata do të protestojnë çdo ditë.
Vajza 7 vjeçare e familjes Avdia humbi jetën mesditën e 2 gushtit në Himarë, teksa pushonte me familjen e saj.
E mitura u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një gomone që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarësm Arjan Tase./KultPlus.com
Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e një proteste në ambientet përballë Ministrisë së Brendshme në Tiranë ditën e enjte në ora 19:00.
Në njoftimin publik të selisë blu, theksohet se protesta mbahet në lidhje me përplasjen për vdekje me gomone të 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë, nga ana e oficerit të lartë të policisë, Arjan Tase.
PD njofton si kërkesë të protestës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro. / KultPlus.com
Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar të Medias, deputeti i PS-së, Petro Koçi reagoi sot pas ngjarjes së ndodhur në Potam, Himarë, ku një vajzë 7-vjeçare, u godit nga një mjet lundrues i drejtuar nga një oficer policie.
Koçi kërkoi heqjen e skafeve nga plazhet, pas humbjes së jetës së 7-vjeçares në Himarë.
“Kjo ngjarja e Himarës na ka vrarë të gjithëve. Jo më skafe në plazhe! Le të skafisen ku të duan. Por në plazhe jo më”, shprehet Koçi në një postim në rrjetet sociale.
Paraditen e sotme oficeri i Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç, ndërsa drejtonte një mjet lundrues në plazhin e Potamit, në Himarë. Tase u arrestua menjëherë pas ngjarjes./ atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot.
“Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot me një kombinim fantastik ngjyrash, të ujit, qiellit dhe gjelbërimit”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Gjiri i Filikurit ofron pamje mahnitëse për eksploruesit dhe turistët e aventurës të cilët duan të shijojnë detin e kristaltë mes shkëmbinjve apo shpellave.
Qetësi, diell, e ngjyrat më të kristalta të detit që mund të kërkoni mund të gjenden tek ky gji i izoluar i Himarës, i cili i ka të gjithë elementët për të tërhequr vëmendjen e kujtdo që kërkon një përvojë të bregdetit shqiptar të paprekur nga askush. / atsh / KultPlus.com
Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.
“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”- tha Margariti.
Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.
Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.
“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, – tha Margariti. /Atsh /KultPlus.com
Kjo Krishtlindje i gjeti një pjesë të mirë të kishave të Himarës në proces restaurimi, si dhe me ndërtime kishash të reja.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “nuk ka urim më të bukur për Himarën tonë këtë Krishtlindje ku kemi lajme të mira me ndërtime kishash të reja, restaurime të disa kishave të rralla, rrugëve dhe mureve rrethuese të kishave dhe manastireve”.
Sipas tij, kjo është dhurata më e bukur për ortodoksët e Himarës.
“Kishat të cilat i janë nënshtruar procesit të restaurimit në Himarë janë Kisha e Shën Thanasit nga Qeveria Shqiptare në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit, Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë-Fshat, Kisha e Shën Ilias në Dhërmi ndërtuar nga Komuniteti Dhërmias, Kisha e Shën Kozmait në Dhërmi, Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno, si dhe rindërtimi i mureve rrethuese në Dhërmi”, bën të ditur Goro.
Kryetari Goro thekson se “këto foto nuk i postoj për të marrë merita apo lëvdata, por për të shpërndarë mirësi dhe urime me njëri-tjetrin që gëzime të tilla të kemi përherë mes nesh në Himarë”.
“Është kjo që po bëjmë të gjithë bashkë sot në Himarën tonë të dashur, me bekimin e Kryepeshkopit tonë Anastasi që me mesazhet e tij të vyera, na dha një gëzim të madh në vizitën e tij të fundit në Himarën tonë, teksa erdhi për të parë nga afër përpjekjet tona të të gjithëve bashkë, për të rindërtuar Himarën e së Nesërmes”, tha Goro.
Ai falënderon komunitetin ortodoks të Himarës që po ndërton dhe ndihmon Kishat e Himarës si dhe Qeverinë shqiptare për të gjithë mbështetjen e treguar me vendosmëri dhe largpamësi për projektin e Rindërtimit të bashkisë Himarës.
Himara është një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Ajo është e mbushur plot me vizitorë dhe turistë, sidomos në sezonin e verës, pasi plazhet e saj janë nga më të veçantat në Shqipëri.
Por Himara nuk të ofron vetëm det. Tek ajo mund të bëni edhe një guidë turistike duke prekur disa pjesë të historisë së Shqipërisë.
Në këtë zonë, popullsia më e madhe i përket besimit ortodoks. Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër, por edhe dhjetëra kisha shekullore që datojmë prej shekullit XI apo edhe më herët./k.s/j.p/KultPlus.com
15 pjesëmarrësit e Ateliesë së Restaurimit, vullnetarë nga shtete të ndryshme si: Portugalia, Zvicra, Gjermania, Hondurasi, Italia etj, përjetuan një eksperiencë unike, duke realizuar punë konkrete konservuese-restauruese. Ata u bënë pjesë aktive e zbatimit të projektit për restaurimin e çatisë së Kishës së Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë.
Gjithçka u realizua nën drejtimin teknik të stafit të specializuar të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe Vlorë. Vlerësojmë punën e mrekullueshme të 4 mjeshtrave: Sybi Kurti, Brahush Hajdari, Rasim Shuka dhe Aurel Agollari.
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, monument kulture i kategorisë së I-rë, është ndër objektet më të hershme të kultit në bregdetin e Himarës. Ajo është ndërtuar brenda mureve rrethuese të kështjellës së Himarës, në kuotën më të lartë të saj.
Atelieja e Restaurimit u organizua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare –Vlorë dhe GIZ Albania. Ajo është pjesë e aktiviteteve të certifikuara të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018./ata
Një grup i të rinjve arbëreshë, kanë udhëtuar nga Sicilia për në Himarë, për të parë nga afër tokën që të parët e tyre braktisën pas pushtimit osman.
Fotoja që shihet është publikuar Jani Prifti në rrjetin e tij në Facebook.
“Mikut tim Maksim Rapo i them, se këta nga Piana Degli Albanesi u kthyen mbas gati 600 vjetësh në vendlindjen e të parëve dhe shkruajtën… në faqen e tyre… ‘Arbëreshët ka Hora puthjën dheun e të parëvet të tyre ,Himarë! Hora Arbëreshëve/Piana Degli Albanesi u stis më 30 gusht të vitit 1488 ka një grup Shqipëtarësh ka Himara’” (sic.), ka shkruar Prifti./ KultPlus.com
15 profesionistë të rinj në fushën e trashëgimisë kulturore nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës ishin sot pjesë e ditës së parë të punës në Atelienë e Restaurimit, që po zhvillohet në Kishën e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë.
Instituti i Monumenteve të Kulturës bëri të ditur se “gjatë ditës së sotme puna nisi me instruktimin paraprak mbi sigurimin teknik dhe masat e nevojshme në kantier”.
Në Atelienë e Restaurimit 15 pjesëmarrësit nga Europa dhe Shqipëria, së bashku me mjeshtrat e DRTK Berat, që po përcjellin përvojën e tyre të shumë viteve, nën kujdesin e stafit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, filluan punën për restaurimin e kësaj kishe.
Kisha e Shën Sergjit dhe e Bakut, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është atraksion turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.
Atelieja dyjavore e restaurimit organizohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, GIZ Shqipëri, si dhe bashkinë Himarë./ata
Festivali i Muzikës së vjetër “Vox Baroque”, po i kthen skenat e hapura të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.
Vox Baroque vazhdon nismën, e paraqet në një edicion të posaçëm në bregdetin e jugut, duke sjellë në Shqipëri grupin austriak “Akademie Der Alten Musik” në kishën e Shën Spiridhonit.
Muzika baroque, ndërthuret me traditën e Himarës, mes produkteve artizanale, në festën lokale ”Ditët baroke” në 17 Gusht, Vuno, Himarë.
Ky festival është pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithpërfshirje nga Jugu në Veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF.
“Vox Baroque” i kushtohet tërësisht repertorit barok.
Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin e organizatorëve për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm./ata
South Outdoor Festival tashmë është në ditën e dytë derisa po shënon rrugëtimin e edicionit te dytë të Festivalit. Ky festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore dhe si i tillë ka mbledhur mjaft shumë vizitorë rreth vetes, të cilët po e gjejnë veten në fusha të ndryshme. Fshati Vuno që është në afërsi të Himares, këtë vit është epiqendra e këtij edicioni, ndërsa në shumë vende rreth Himarës po zhvillohen aktivitetet të këtij festivali. Arkitektura e veçantë e kësaj zone e veçmas e fshatit Vuno po e bën edhe më të paharruar eksperiencën që ky festival po e sjellë. Pozita gjeografike po i jep edhe më shumë gjallëri aktiviteteve të këtij edicioni.
E veçanta e këtij festivali është se ka mbledhur rreth vetes njerëz të moshave te ndryshme duke u dhënë të gjithëve mundësinë që ta përjetojnë një përvojë te paharruar nga ky vend e festival. Shumë fëmijë sot kanë shijuar atë çfarë ka përgatitur ky festival për ta. Me këngë, poezi e shumë lojëra atraktive, e aktivitete artistike ata kanë vallëzuar e shprehur kreativitetin e tyre.
Një pjesë e trajnerëve të Qendrës Sportive “Smart”, janë pozicionuar në një ambient të fshatit Vuno, prej nga shihen shumica e ndërtesave të këtij fshati. Përmes eksperiencave të tyre, ata po i njoftojnë të pranishmit më mënyra te ndryshme te argëtimit dhe aktiviteteve sportive.
Njëri nga trajnerët e kësaj Qendre është edhe Gentian Vuca i cili tha për KultPlus se këto aktivitete janë mjaft të rëndësishme për shkak se i njoftojnë turistët dhe shqiptarët me natyrën e kësaj zone dhe gjatë kësaj kohë të jenë edhe sa më aktiv përmes lojërave të ndryshme.
“Ne ofrojmë aktivitete sportive për fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe duke iu përshtatur edhe terenit malor, ne përpiqemi që tu ofrojmë gjithë sigurinë fëmijëve në mënyrë që të kënaqen sa më tepër në këtë aktivitet. E veçanta e kësaj është se edhe të rriturit po bëhen pjesë e aktiviteteve në lojëra të ndryshme dhe sfidat po rriten nga momenti në moment ndërsa po vijnë secilën herë e më tepër njerëz andaj po e shfrytëzojmë sa më shumë këtë dite të bukur”, u shpreh ai për KultPlus.
South Outdoor Festival po ashtu mbrëmë ka sjellë edhe një koncert të mrekullueshëm të “Tre muskutierëve”, duke e bërë kështu këtë edicion të paharruar. Edhe sot pritet që të ketë mjaft shumë aktivitete për pjesëmarrësit e këtij festivali. / KultPlus.com
Shtëpitë mahnitëse të fshatit Vuno, e pozita gjeografike i japin një pamje të mahnitshme këtij fshati. Ky fshat ka marrë një pamje krejtësisht tjetër pasi që South Outdoor Festival, këtë vit ka zbritur aty, duke e bërë pamjen e tij edhe më të dukshme. Sot dhe dje Vuno është bërë një pikëtakim për shumë mysafirë që kanë ardhur nga vende të ndryshme e të cilët janë mbledhur për t’i shijuar aventurat e paharruara që South Outdoor Festival po i sjellë në eksplorimin e kësaj pjese. South Outdoor Festival organizohet nga GIZ dhe tashmë është kthyer në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit.
Aktivitetet e këtij festivali janë të përqendruara në shume lokacione të Himarës por në pjesën e poshtme të fshatit Vuno, pranë Kishës së Shën Spiridonit, ndodhet epiqendra e edicionit të dytë të këtij festivali. Një kënd i veçantë i është kushtuar fëmijëve, të cilëve ky festival u ka dhënë një mundësi të jashtëzakonshme që të shprehin veten përmes aktiviteteve sportive, argëtimit, lojërave, këndimit, vizatimit dhe recitimit.
Në këtë hapësirë, një tavolinë e posaçme i është kushtuar fëmijëve, të cilët në duart e tyre mbajnë ngjyra të llojllojshme, e vizatojnë mbi hijezimin e duarve të tyre të vogla. Përmes mjeteve ricikluese, ata mbushën ambientin me punime të veçanta. Pranë tyre ishte piktori i njohur, Kosta Zhonga. Ai e trajtonte me një kujdes të rrallë çdo detaj që sillte një produkt artistik nga duart e këtyre fëmijëve, e për çdo pyetje të tyre kishte një përgjigje dhe një formë demonstrimi. Zhonga ka kohë që u kushton rëndësi aktiviteteve të tilla me fëmijët, kjo bazuar edhe në eksperiencën disavjeçare në emisionin “Artist Tak Fak” në Tring Tring.
Ai tregoi për KultPlus se kishte vite që nuk ka ecur nëpër këtë pjesë të Shqipërisë ndërsa në Vuno po vinte për herë të parë andaj tha se aktivitete të tilla janë shumë të nevojshme si për këtë pjesë të Shqipërisë, ashtu dhe për Kosovën e vende të tjera pasi që fëmijët kanë shumë nevojë të zhvillohen edhe në aspektin artistik.
“Këto aktivitete janë shumë të rëndësishme ngaqë fëmijët të çlirojnë emocionet dhe fantazinë e tyre andaj jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në këtë festival që ishte iniciativë e GIZ-it. Kryesorja është riciklimi dhe këtu u mundova që për këtë t’i përdorim pjatat e plastikes, me pipëza që përdoren për të pirë lëngje dhe pikturën pasi që fëmijët duan të argëtohen me të gjitha”, u shpreh piktori Kosta Zhonga.
Fëmijë të moshave të ndryshme sot e shprehen kreativitetin e tyre artistik përmes formave të ndryshme rreth tavolinës. Ata përdornin pothuajse çdo gjë që kishin pranë vetes. Më tutje Kosta Zhonga tregoi për KultPlus për rëndësinë e artit tek fëmijët. Ai tha për KultPlus se arti është pjesë e pandashme e fëmijëve qysh në moshën e hershme dhe që po që se u dhuron ngjyrat fillojnë të pikturojnë, para se të fillojnë të shkruajnë e të lexojnë. Zhonga tha se për të çdo fëmijë është artist dhe për këtë duhet kushtuar një rëndësi e veçantë fëmijëve që ta zhvillojnë artistin që gjendet brenda tyre.
“Për mendimin tim çdo fëmijë është artist , këtë e ka thënë edhe Picasso por detyra jonë është që edhe kur të rriten të mbeten të tillë, sidomos e prindërve që duhet t’i sjellin fëmijët që ta zhvillojnë atë”, u shpreh tutje piktori Zhonga.
Mbrëmja e sotme do të sjellë në skenë Tre Musketierët, me koncertin që është paraparë të nisë me fillim nga ora 20:00. Ndërsa eksplorimi i Vunos, do të vazhdojë edhe nesër më 29 prill, kur edhe përfundojnë tre ditët e këtij festivali./ KultPlus.com
Ura e Prokopit në Bashkinë Himarë, e shpallur së fundi Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një objekt me vlera monumentale dhe pjesë e historisë së zhvillimit dhe vazhdimësisë së ndërtimit të Qendrës Historike të Himarës.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.
Ajo ndodhet në lindje të qendrës historike, në përroin që lidhte këtë qendër me lagjen përballë saj, ku ndodhet kisha e Shën Prokopit, nga e cila ka marrë emrin ura. Ura dhe kalldrëmi karakteristik, u ndërtuan në vitin 1878 nga himarjoti Vjero Kosta.
Ura është një ndërtim solid me një hark rreth 4 m të lartë. Këmbët e saj janë mbështetur në shkëmbinjtë anësor të përroit. Lartësia e përgjithshme është rreth 7 m dhe gjerësia e kalldrëmit 3.80 m.
DRKK Vlorë në kuadër të mbrojtjes, mirëmbajtjes, gjurmimit, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në zonën e Bregdetit të Himarës, vijon të eksplorojë vlerat monumentale të kësaj zone, duke propozuar dhënien e statusit Monument Kulture për objektet e kultit, ndërtimet me vlera të rralla inxhinierike dhe arkitektonike, si dhe rrënojat arkeologjike të zonës. / KultPlus.com