Qendra Multimedia do të sjellë edicionin e parë showcase, dhe poashtu ky është showcase i parë i organizuar ndonjëherë në Kosovë. Qendra. Multimedia.Showcase.2018 do të mbahet në Prishtinë, nga data 19 – 21 tetor 2018 dhe sivjet në të do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe premierën e shfaqjes së re “Hipokritët ose pacienti anglez”. Po poashtu, në këtë edicion, janë përfshirë edhe shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.
Premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”, prodhuar nga Qendra Multimedia, vjen me tekst të Jeton Nezirajt e nën regjinë e Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt.
Kasta e aktorëve të shfaqjes përbëhet nga: Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimja, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, Suasa Abazi (muzikante).
Komedia “Hipokritët dhe pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shëndetësia s’është krijuar jo për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer industrisë farmaceutike, asaj të sigurimeve shëndetësore e spitaleve private, të cilat shëndetin e pacentit e shohin si produkt prej të cilit duhet të ftohet dhe prej të cilit mund të akumulohet kapitali. Kujdesi shëndetësor është marketizuar e komercializuar, kurse institucionet shëndetësore publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, me mjek të korruptuar ne mizantrop. Por sistemi shëndetësor natyrisht nuk vepron i vetëm dhe i shkëputur, ai është pjesë e një hallke më të gjerë të keqpërdoruesve që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.
Të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Evropë. Të varfëritë vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekjet për t’grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private. Kjo situatë ka thelluar pabarazinë mes shtresave sociale dhe shtetet në regjion, të udhëhequra nga elita politike të korruptuara, janë duke i kontribuar kësaj pabarazie.
Në Kosovë rreth 50 mjek e ish-zyrtarë qeveritar janë duke u akuzuar për skandalin e quajtur “rasti stenta”, për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti. Mjekë të tjerë, ndërkohë, janë dënuar për rastin tjetër të klinikës private “Medikus”, për trafikim ilegal të organeve. Një grup tjetër ndërsa akuzohet se ka qenë duke bashkëpunuar me kompanitë farmaceutike, duke u përshkruar pacientëve barna sipas emrit të kompanisë që i prodhon.
Në komedinë “The Hypocrites or The English Patient”, 6 personazhët, na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet “happy-end”-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intensive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase”. Në “Hipokritët…” publiku do të shoh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…
Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 tetor në ora 20:00, në Teatrin Oda në Prishtinë./KultPlus.com