Marigona Bekteshi nis studimet e post-doktoratës për Teatër, ndër të parat në Kosovë e rajon me këtë arritje shkencore

Marigona Bekteshi-Ferati e cila është ligjëruese e lëndëve ‘Histori e Regjisë’ dhe ‘Aktrimit’, ‘Praktika Regjisoriale’ dhe ‘Studimet Teatrore’ në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, së fundi ka filluar studimet e post-doktoratës në Universitetin e Portos në Portugali, e kjo arritje e bën atë të parën nga Kosova dhe rajoni që vijon studimet e post-doktoratës në këtë fushë.

Bekteshi-Ferati në një intervistë për KultPlus thotë se studimet e doktoratës i ka përfunduar në Bullgari në fakultetin ‘Akademia Kombëtare për Film dhe Teatër’ në Sofje dhe pasi mori titullin “Doktor i Shkencave Teatrale dhe Artit Teatral” dhe pas shumë përpjekjeve, iu mundësua edhe fillimi i studimeve të post-doktoratës.

“Unë që nga doktoratura kam realizuar shumë hulumtime, gjithmonë jam në kërkim të diçkaje që mungon në Kosovë të cilën unë e ndjej si obligim kombëtar, moral dhe profesional që me hapë disa rrugë të cilat janë ende të paprekura sidomos kur flasim për pjesën e post-doktoratës në Teatër. Në të gjitha hulumtimet që unë kam realizuar, post-doktoratë në teatër nuk ka as në vendet më të zhvilluara të Evropës”, u shpreh ajo.

Si një ndër personat e paktë edhe në botë që pritet ta arrijë këtë gradë shkencore, thotë se projekti i saj është i fokusuar në artin dramatik si një formë për ri integrim të viktimave të dhunës në familje. E ky propozim sipas Bekteshi-Feratit është pëlqyer shumë edhe nga vlerësuesit në Universitetin e Portos.

“Projekti im u ka bërë përshtypje sa që edhe pronën intelektuale të gjithë kësaj unë duhet ta lë në universitetin e Portos në Portugali sepse ka qenë kërkesë e tyre primare”, tha ajo për KultPlus.

Ajo më tutje dha më shumë detaje edhe për periudhën e studimeve të cilat do të fillojë nga tetori e të cilat shpreson që t’i përfundojë deri në dhjetor të vitit 2023.

“Së pari do të formohet ekipi kërkimor të cilin e kam në kuadër të Universitetit të Portos, dhe ekipi kërkimor do të punojë në kuadër të projektit kërkimor. Do të jem atje në tetor ku do të realizoj një punëtori me këtë ekip kërkimor dhe do të njoftohen ata me të gjithë procedurën. Edhe pse atje është një lehtësim sepse pothuajse të gjithë punën do ta bëjë ekipi kërkimor, unë vetëm do të jem udhëheqëse.”, tha Bekteshi-Ferati e cila shtoi më tutje se si kurorëzim i gjithë kësaj pune do të ketë edhe një shfaqje teatrale me rrëfime të viktimave që do të intervistohen në gjithë Evropën Juglindore.

Ajo shpreson se pas premierës në Porto, repriza e parë e kësaj shfaqje të jetë në Kosovë.

E pyetur nëse pas përfundimit të studimeve do të ketë bashkëpunime në Portugali ose vende të tjera, ajo thotë se dëshira e saj më e madhe është të vazhdojë të kontribuojë në Universitetin e Prishtinës, ndonëse është e hapur edhe për mundësi të tjera.

“Jam me opsione të hapura mirëpo dëshira ime më e madhe është të vazhdoj kontributin në Fakultetin e Arteve sepse teatri dhe arti në Kosovë është akoma i paeksploruar, ende ka hapësira me vepru më tepër duke e pasur parasysh nëse unë jam shqiptarja e vetme që jam në post-doktoratë në fushën e Teatrit ose në fushën e artit në përgjithësi atëherë kjo duhet të jetë një ftesë urgjente për gjeneratat e reja që të vazhdojnë më tutje edhe të ecin përpara sepse Kosova ka shumë nevojë që të sjellë tituj akademikë”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, duke qenë një qytetare e Mitrovicës, Marigona foli edhe për nivelin e performancës së teatrit në këtë qytet, e që sipas saj lë shumë për të dëshiruar.

“Ka tetë vite që Teatri i Mitrovicës nuk është teatër, nuk ka funksionuar si teatër për shkak të keqqeverisjes, po flasim në vitet e ish-qeverisjes, në të cilin aq shumë është dëmtuar ai teatër përveç që nuk i janë dhënë fonde teatrit, edhe i kanë marrë fonde teatrit”, thotë Bekteshi-Ferati, e cila përveç kritikave për keqqeverisjen në Teatrin e Mitrovicës, vlerëson lart talentin dhe punën e trupës rezidente të tij.

Po ashtu, ajo foli edhe për Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke shprehur se pavarësisht problemeve me të cilin ky institucion ballafaqohet, të gjitha shfaqjet që janë paraqitur në këtë teatër janë meritore. / KultPlus.com