“Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci, promovohet në Bibliotekën Kombëtare

Sot, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është promovuar libri-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci.

Ky libër sjell fotografi të panjohura të Shkodrës që janë nxjerrë nga arkivat austriake 1908/ 1917, shkruan KultPlus.

Duke dhënë një përshkrim të shkurtër për librin, autori thotë se kapitulli i parë është kapitulli i Shkodrës, ku janë të paraqitura fotografi të vjetra të qytetit, ndërkaq në kapitullin e dytë janë të paraqitura masakrat e Malit të Zi në Shkodër, në të cilin janë të paraqitura fotografitë e shkodranëve të vrarë, të vdekur nga uria, malazezët duke plaçkitur pazarin e Shkodrës të nxjerra nga arkivat austriake.

Në kapitullin e tretë, Logoreci ka paraqitur fotografi të personalitete shqiptare që kanë studiuar dhe kanë lënë gjurmë në Vjenë.

Pothuajse të gjitha fotografitë në këtë libër-fotoalbum janë bardh e zi, përveç fotografive në kapitullin e fundit në të cilat janë të paraqitura kartolina që austriakët kanë bërë për Shkodrën, për ushtarët austriakë me rastin e kërshëndellave dhe pashkëve, që ua dërgonin familjeve të tyre në Austri.

Logoreci shton se në këtë libër kanë qenë të pasqyruara edhe disa fotografi të Ahmet Zogut, të pa shpërndara më herët, mirëpo, këtë kapitull autori është detyruar ta largojë nga libri për shkak të numrit të faqeve./ KultPlus.com

Libri-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi” e Pjeter Logorecit, promovohet nesër në Prishtinë

Shkodra do të vjen në Kosovë, por kësaj herë nëpërmjet fotografisë, shkruan KultPlus.

Pjetër Logoreci i cili ka punuar në një libër-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi”, do ta promovojë këtë vepër nesër në Prishtinë.

Autori ka njoftuar se libri do të promovohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 28 korrik, prej orës 12:00, ku do të prezantohet ky libër që do të sjell fotografi të panjohura, e që janë nxjerrë nga arkivat austriake 1908/ 1917.

Të gjitha fotografitë janë pjesë e arkivave të Austrisë dhe paraqesin pamje nga jeta sociale, kulturore, zakonore, fetare, ushtarake, si dhe foto personazhesh të njohura shqiptare që kanë studiuar apo vepruar në Austri e Vjenë./KultPlus.com