Sot, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është promovuar libri-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci.
Ky libër sjell fotografi të panjohura të Shkodrës që janë nxjerrë nga arkivat austriake 1908/ 1917, shkruan KultPlus.
Duke dhënë një përshkrim të shkurtër për librin, autori thotë se kapitulli i parë është kapitulli i Shkodrës, ku janë të paraqitura fotografi të vjetra të qytetit, ndërkaq në kapitullin e dytë janë të paraqitura masakrat e Malit të Zi në Shkodër, në të cilin janë të paraqitura fotografitë e shkodranëve të vrarë, të vdekur nga uria, malazezët duke plaçkitur pazarin e Shkodrës të nxjerra nga arkivat austriake.
Në kapitullin e tretë, Logoreci ka paraqitur fotografi të personalitete shqiptare që kanë studiuar dhe kanë lënë gjurmë në Vjenë.
Pothuajse të gjitha fotografitë në këtë libër-fotoalbum janë bardh e zi, përveç fotografive në kapitullin e fundit në të cilat janë të paraqitura kartolina që austriakët kanë bërë për Shkodrën, për ushtarët austriakë me rastin e kërshëndellave dhe pashkëve, që ua dërgonin familjeve të tyre në Austri.
Logoreci shton se në këtë libër kanë qenë të pasqyruara edhe disa fotografi të Ahmet Zogut, të pa shpërndara më herët, mirëpo, këtë kapitull autori është detyruar ta largojë nga libri për shkak të numrit të faqeve./ KultPlus.com