Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell në vëmendje një monument kulture të kategorisë së parë (1977), Kullën e Sali Manit, në Bujan të Tropojës.
Kulla është ndërtesa tipike e skajeve më veriore të Shqipërisë, me elementë që kanë përcjellë ndër shekuj etnografinë dhe historinë e banorëve e këtyre anëve.
Ndërtesa është një fortifikatë guri me tre kate, ku lënë gjurmë vetëm frëngjitë që nuk janë të shumta. Kati i parë mundëson hyrjen në kullë përmes një porte të harkuar druri, ndërsa shkallët e brendshme lehtësojnë hyrjen në dy katet e tjera.
Në mënyrë të njëtrajtshme me modelin e ndërtimeve të Malësisë së Gjakovës kjo banesë ka të njëjtin tip jetese. Kati përdhes për haur, kati i parë dhoma e grave dhe kati i dytë për miqtë dhe burrat e shtëpisë. Kulla është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII dhe u bë e famshme gjatë 100 viteve të shkuara si vendi ku u zhvillua Konferenca e Bujanit. / atsh / KultPlus.com
