Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Nikolla Jorga, i njohur edhe si burrë shteti, është një nga figurat më të shquara të Rumanisë. Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, në vitin 1871, nga një familje zejtarësh muratorë.
Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, na thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, dhe u vendos në Rumani duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.
Njeri i talentuar, me një kujtesë dhe vullnet të jashtëzakonshëm për punë, ai u bë shumë shpejt shkrimtar i njohur, publicist, gojëtar, politikan dhe historian i përmasave të mëdha evropiane. Ai shkroi një bibliotekë me libra, që, sipas disa njoftimeve bibliografike, arrijnë në qindra vëllime vëllime, 12.755 artikuj publicistikë dhe 4963 informacione. Drejtoi mjaft gazeta e revista dhe trajtoi probleme në të gjitha gjinitë dhe fushat e historisë së letërsisë dhe shprehej në të gjitha gjuhët evropiane.
Si historian, ai sundoi historinë e mirëfilltë, atë kombëtare dhe botërore. Ai shkroi historinë e popujve të Ballkanit, duke u ndalur në atë të Shqipërisë dhe sidomos tek ajo e popullit rumun. Vepra kryesore e tij mbetet “Historia e rumunëve”, e shkruar në 10 vëllime gjatë viteve 1935-1939, që përfshijnë kohët më të hershme deri në vitin 1939.
Qe profesor i historisë në Universitetin e Bukureshtit, u bë doktor “Honoris Causa” i shumë universiteteve evropiane, anëtar i Akademisë Rumune të Shkencave, si dhe i disa akademive shkencore të huaja. Për dy vjet me radhë (1931-1932), Nikolla Jorga ishte edhe President i Kuvendit të Lartë të Rumanisë.
Njeri me përgatitje të lartë në fushën e historisë, si njohës i shumë gjuhëve të huaja, ai përgatiti dhe botoi shumë vëllime me burime dokumentare historike, monografi shkencore, me një shtrirje të gjerë kohore mbi historinë ekonomike, arsimore, ushtarake, politike etj. të Rumanisë, studime dhe punime sintezë mbi historinë e Rumanisë, të shteteve të Ballkanit dhe të historisë në përgjithësi etj.
Për historinë e popullit shqiptar, N. Jorga dha një ndihmesë të vyer. Në vitin 1915-1916, ai botoi në Bukuresht në gjuhë të huaj, disa vëllime me titull: “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. 15”, ku paraqet një material të pasur mbi luftën antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së ndritur të Skënderbeut.
Në kuadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, në vitin 1915, ai zbulon në Bibliotekën Laurentiana të Firences, dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” (viti 1462) të shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli.
Më 1919, ai botoi në gjuhën franceze në Bukuresht, veprën: “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” dhe një vepër tjetër në Paris, më 1925, me titull: “Histori e shteteve të Ballkanit deri në vitin 1924”, ku çështjet e historisë shqiptare zënë një vend të dukshëm.
Vepra e Jorgos, e këtij dijetari të shquar, që bëri aq shumë për historinë e Shqipërisë, paraqet një interes të veçantë.
Në shenjë mirënjohje dhe respekti për ndihmesën, njohjen dhe propagandimin e historisë amtare, mbreti i shqiptarëve A. Zogu, në vitet ’30-të, i fali këtij shkencëtari të madh patriot, një truall dhe një banesë në qytetin e Sarandës, të cilën N. Jorga nuk e shfrytëzoi, por e la amanet, me testament, që banesa të kthehej në muze arkeologjik në shërbim të historisë amtare të kombit të vet të lashtë, të cilit i përkiste. Si demokrat liberal që urrente diktaturën, në moshën 69-vjeçare, ai u vra në vitin 1940 nga forcat fashiste rumune të “Gardës së hekurt”, të cilat e masakruan duke e therur në mënyrën më barbare, kur ishte duke dhënë mësim në qytetin verior të Bukureshtit, në Sanaia./Hejza/KultPlus.com