Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-1912. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare.
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovietik Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës).
Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundë pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u shenua një rritje të ndjeshme të prodhimit. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, u bënë filma historikë e muzikorë; po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik.
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike.
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella.Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë të huaj.
Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshem. Nga ana tjetër, forcat krijuese janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara nga trysnia etatiste, totalitare, dhe ekonomike e përqendruar, si dhe me iniciativë private përherë në rritje. Mund të thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër. /aktoret/ KultPlus.com