Marin Barleti, nismëtari i historiografisë shqiptare

Marin Barleti që në gjuhën latine quhej Marinus Barletius. Ai u lind në Shkodër rreth vitit 1460. Duke u mbështetur në shënimet e tij supozohet se u lind më herët.

Barleti ishte humanist i shquar, historian, autori i parë i njohur deri tani, dhe njëri nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare, teolog dhe prift katolik. Për jetën e tij dihet fort pak. Më 1478, mori pjesë me armë në luftën për rrethimin e parë nga forcat osmane.

Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftërave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit, shkruan ai, tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.

Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si edhe shumë të tjerë të mërgonte në Venedik më 1504.

Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkroi veprat e veta. Kur ai filloi të japë leksione në periudhën e njëjtë ishte edhe Marin Beçikemi dhe Mihal Trivoli .

Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.

Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësi, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barletit qëndrojnë si një burim i dorës së parë e të pazëvendësueshme për historinë e shekullit XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore.

Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorë sot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrsesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barletit si burim.

Koncepti i lartë i Marin Barletit për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit, historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo i fuqive hyjnore.

Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet, ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t’i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t’i mësonte njerëzit për të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit.

“Historia e Skënderbeut” e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë.

Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë argumentit madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.

“Rrethimi i Shkodrës” jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët në vitin 1478–1479.

I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-1510.

Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latinisht tri herë dhe u përkthye në disa gjuhë evropiane. U përkthye në anglisht për herë të parë në vitin 2012 si “The Siege of Shkodra”.

 “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”

“Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” është vepra madhore e Marin Barletit. Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për ngjarjet në shekullin XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera.

Autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve. Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell.

Pa këtë vepër, historiografisë për Skënderbeun do t’i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot.

Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime.

Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike. Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në radhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri.

Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësinë dhe lehtësinë e frazës.

Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftërave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane.

Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar. Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.

Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti. Vepra u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frëngjishtja, greqishtja e deri në japonisht.

Fan Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”. Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet, e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.

Duke folur për protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla, ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.

Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.

Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar, e tillë të mbetet në mendje figura e heroit , skalitur si me daltë nga pena e Barletit./KultPlus.com