Kur suksesi ndahet përgjysmë me dhimbjen, Yllka Gashi: Humbja e babait më ka bërë t’i përjetoj sukseset me modesti

Intervistoi: Jeta Zymberi
Fotografia: Artan Korenica

Rreth dy dekada më parë bëri hapin fillestar drejt aktrimit. Ishte vetëm 17 vjeçare ku u bë pjesë e një audicioni që ishte një shkëndijë së artit shqiptar po i shtohej një artiste krejt e veçantë. Dhe nuk u desh shumë kohë që ajo të dëshmonte diçka të tillë, pasi shumë shpejt bëri debutimin e saj të parë televiziv në serialin “Familja Moderne”. Tutje jetësoi edhe disa role në film e teatër, por viti 2015 e gjeti me një vendim të ri. Ajo bashkë me familje u larguan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku jeton edhe sot. As atje nuk qëndroi larg aktrimit, por shkëlqimin e saj të merituar e arriti pas gati një dekade ku me artin e saj shpërthej kufijtë.

Yllka Gashi e cila është e njohur për mbështjelljen e plotë të personazheve të saj, duke kapur nuancat, modelet e të folurit dhe personalitetet e tyre, është shumë e kujdesshme edhe në përzgjedhjen e roleve. Në rolet e saj në teatër, film e seriale, ajo është transformuar në njerëz kaq të ndryshëm duke fituar kështu dashurinë e publikut gjatë rrugës. Ndërsa një nga cilësitë më mbresëlënëse të aktores është aftësia e saj për të mbajtur vëmendjen tuaj pa sforcim, për t’u dukur sikur aktrimi në një film është gjëja më e natyrshme që një person mund të bëjë.

E thjeshtë e modeste që suksesi vetëm sa e ka bërë më falënderuese e më të përkushtuar, Yllka këtë vit ka pushtuar zemrat e publikut e kritikëve me nam botërorë me rolin e saj në filmin “Zgjoi”.

Tek “Zgjoi”, ajo banon plotësisht në një figurë të botës reale – këtë herë në atë të zonjës Fahrije Hoti. Bazuar në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas luftarake që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, për Yllkën, siç potencon ajo, ky rol ishte nder jetësorë.

Performanca e saj në këtë film tashmë i ka dhënë asaj çmime dhe ka marrë vlerësime të mira nga kritikët.  Madje gazeta amerikane ‘The Austin Chronicle’ shkroi se “performanca e Yllka Gashit është një nderim për një grua që ndryshoi jetën në heshtje, pa u bërë kurrë një shenjtore”.

Yllka bëri një kërkim të gjerë rreth jetës së zonjës Hoti përpara se të fillonin xhirimet. Ajo takoi personalisht atë e ëndërroi përreth një dekade jetësimin e këtij roli. Por, kur “Zgjoi” erdhi në jetë, ai erdhi për të bërë histori për kinematografinë kosovare. Në “Sundance Film Festival” u shpall fitues i trefishtë. Rrugës deri më sot ku filmi mori vëmendjen botërore si filmi i parë i gjatë nga Kosova që ka hyrë në listë të ngushtë për çmimin “Oscar”, ai ka marrë edhe dhjetëra çmime të tjera, duke u bërë pothuajse çdo muaj lajm në mediat botërore.

Por gjithë këtë sukses Yllka nuk e gëzoi me shumë entuziazëm. Ishte dhimbja për humbjen e babait që asaj i krijoi një zbrastësi të madhe dhe sikur balancoi emocionet. Por ajo është e lumtur që të paktën babai arriti të shoh suksesin e filmit në Sundance çka e bëri edhe shumë krenarë.

Për rrugëtimin e saj, gjithë këtë sukses të filmit “Zgjoi” ku ajo bart në supe rolin kryesorë, për ndjesinë, sfidat, triumfet e gjithçka tjetër, ajo përgjigjet plot përkushtim e sinqeritet në një intervistë për KultPlus.

Fotografia: Fadil Berisha

KultPlus: Një prej aktoreve më të dashura për publikun shqiptar, sot ka marrë dashurinë e botës, si ndihet Yllka pas gjithë këtij suksesi me filmin “Zgjoi”?

Yllka: Faleminderit për fjalët e bukura e për vlerësimin së pari! Ndjehem e lumtur dhe shumë e nderuar!   

KultPlus: Ka kohë që nuk ishit pjesë e skenës kosovare, pasi që prej vitesh jetoni në Amerikë. Por duket se u kthyet në kohën e duhur dhe me projektin e duhur. Si e pritet ftesën e regjisores Blerta Basholli për të qenë pjesë e filmit “Zgjoi”?

Yllka: Ideja për ta bërë “Zgjoi-n” daton që nga viti 2011. Atë kohë ishim duke punuar bashkë me Blertën në një projekt tjetër, derisa ajo bëhej gati për filmin e diplomës në NYU. Kur e pat ndarë me mua idenë për ta takuar znj. Fahrije e nëse ajo pajtohet, atëherë edhe për të bërë një film për të dhe unë ta luaj atë, përgjigjja ime e menjëhershme ka qenë PO! Shumë gjëra kanë ndodhur ndërmjet vitesh prej 2011 deri në 2019 kur e kemi xhiruar filmin, mirëpo ne të dyja- i kemi qëndruar besnike njëra tjetrës dhe idesë fillestare duke e ushqyer ëndrrën e njëjtë që së bashku ta bëjmë këtë film.

KultPlus: Nga momenti që të është propozuar roli e deri te takimi me zonjën Fahrije Hotin, çka të sillej nëpër mendje?

Yllka: Të dyja kanë ndodhur në të njëjtën kohë pothuaj. Së pari ka qenë ideja ta takojmë zonjën Fahrije e të flasim me të, pastaj brenda asaj jave e kemi kontaktuar  dhe kemi shkuar në Krushë. Kam qenë shumë kureshtare ta takoj personalisht znj. Fahrije sepse duke e ditur tragjedinë që e kane kaluar gratë e Krushës dhe duke qenë konsumatore e produkteve të tyre disa vite radhazi, gjithmonë kam pasur respekt, simpati, e dhembshuri për to. E pas takimit me to, ato më kanë inspiruar tej mase.

KultPlus: Po pas takimit, sa besoje që do ta portretizoje këtë grua në mënyrën e duhur dhe në fund pasi përfunduan xhirimet, cili ishte komenti që ia bëre vetes?

Yllka: Në takimin e parë, ne jemi mahnitur me znj. Fahrije. Me karakterin e saj, me dinjitetin e stoicizmin që e karakterizon, por edhe me ngrohtësinë e mikpritjen e saj. Ka qenë takim i gjatë dhe mbaj mend që u patëm emocionuar shumë nga rrëfimi i saj dhe sakrificat e sprovat nëpër të cilat ajo e gratë e Krushës kanë kaluar. Që nga atëherë, për mua u bë ëndërr ta luaj këtë grua të jashtëzakonshme në film e mision të nderoj figurën e saj. E kam ëndërruar e pritur këtë rol për gati 10 vite, kam menduar për të, për jetën e saj, për sfidat me të cilat është përballur dhe mënyrën se si i ka kaluar ato, prandaj kur filluan xhirimet nuk ka pasur as pengesë e as vështirësi që më është dukur e pakalueshme ose e pamundur. Ajo energji më ka përcjellë gjatë gjithë xhirimeve dhe është reflektuar në punë, por edhe ka ndikuar te pjesa tjetër e ekipit si shtysë e motiv. Përgjegjësia për ta bartur në supe personazhin e dramën e jetës së znj. Fahrije padyshim që ka qenë e madhe, mirëpo e kam pasur besimin e plotë në vendimet e Blertës dhe bashkërisht jemi munduar që ta bëjmë më të mirën. Pas xhirimeve, ishte ndjenjë e plotësimit, se një mision u krye me sukses edhe pse e dija që Blertën e producentët i pret një fazë e re e punës në postproduksion të filmit.

KultPlus: “Zgjoi” është filmi i parë kosovar që ka arritur një sukses të tillë, por njëkohësisht përmes këtij filmi ju shpalosët para botës talentin dhe shpirtin tuaj artistik, a e keni menduar që një ditë do ta përjetoni gjithë këtë sukses?

Yllka: Po e them me modesti por me bindje të plotë po. Sepse thellësisht besoj që secilit artist që punon me përkushtim i vjen koha e vet, i vjen koha e shkëlqimit dhe mundësia ta marr vëmendjen e duhur. Ky sukses nuk ka ndodhur brenda natës, është punuar e investuar në të për një kohë shumë të gjatë. Dhe gjithsesi është edhe fat i madh! Edhe më parë sa kam jetuar e punuar në Prishtinë, jam angazhuar në projekte – seriale televizive, filma apo shfaqje teatrale- që kanë pasur sukses, shikueshmëri e disa prej tyre edhe janë shpërblyer ndërkombëtarisht. Natyrisht, “Zgjoi” ka bërë histori dhe nuk krahasohet, mirëpo sukseset, çmimet e popullariteti nuk janë ndonjë risi për mua dhe nuk më kanë ndikuar ndonjëherë në ndryshim të karakterit apo etikes së punës. Sukseset janë stimulues e motivues i mirë, por nuk janë gjithçka e as nuk të përkufizojnë si njeri, si artist ndoshta po, por jo edhe si njeri! Për “Zgjoin” nga fillimi e kam pasur një parandjenjë të fortë që do të jetë film i mirë sepse rrëfimi është i tillë dhe Blerta ka punuar me pasion e këmbëngulësi të jashtëzakonshme disa vite me radhë, pastaj producentët Ylli, Valoni e Agoni janë angazhuar me përkushtim në çdo aspekt të organizmit e të parapërgatitjeve për xhirim e për postproduksion. Kameramanin Alex Bloom e kemi pasur shumë të mirë, montazherin Enis Saraçin gjithashtu, ekipin e aktorëve të jashtëzakonshëm, ekipi i filmit kanë punuar me shumë vullnet e pa përtesë, xhirimet na kanë shkuar mbarë e me lehtësi, pra të gjithë kanë investuar që puna të kryhet mirë. Kështu që e kam ditur se nga gjithë ajo punë e ai përkushtim, rezultati do të jetë i mirë patjetër. Jam e gëzuar që kam pasur fat e mundësi të jap kontribut në këtë film e ta gëzojmë bashkërisht këtë sukses!

KultPlus: Filmi po vazhdon të shfaqet nëpër kinema, si në Kosovë, Evropë e Amerikë, madje në Kosovë ka thyer rekord shikueshmërie, jeni mësuar tashmë me këtë sukses apo ende po ju përcjellin emocione të forta?

Yllka: Secili prezantim që e kemi bërë ka ardhur  me emocione të veçanta sepse jemi takuar me njerëz të ri të cilët e shihnin filmin për herë të parë dhe emocionet e përshtypjet e tyre ishin të sinqerta. Është ndjenjë shumë e veçantë kur i dëgjon komentet  pas shfaqjes së filmit ose e sheh publikun të përlotur duke dalur nga salla dhe e kupton që kanë bashkëndjerë me personazhin e filmin.

KultPlus: Me rolin tuaj në filmin “Zgjoi” ju keni fituar tri çmime si aktorja më e mirë në tre festivale të mëdha botërore, sa janë të rëndësishme çmimet për ju?

Yllka: Çmimet janë të mirëseardhura padyshim, posaçërisht kur vijnë nga festivale prestigjioze e me traditë sepse aty konkurrenca është e madhe dhe nuk ka kompromis. Është nder kur të çmohet puna e sakrifica që e ke bërë për një projekt të caktuar. Disi të duket që po vuloset merita jote dhe që ja ka vlejtur barra qiranë për krejt mundin e bërë, mirëpo çmimet nuk janë gjithçka dhe nuk janë gjithmonë synim. Për mua është shumë me rëndësi që puna të bëhet mirë dhe pos punës, edhe procesi të shkojë mbarë sepse mund të bësh një rol të mirë e të kesh fat të marrësh çmime, mirëpo nëse nuk ke kaluar mirë gjatë kohës sa e ke punuar atë rol dhe nuk ke krijuar miqësi e raporte të shëndosha të punës, të cilat do të sjellin punë e bashkëpunime të reja apo nuk kë mësuar diçka nga ajo përvojë, disi edhe shpërblimet që mund të vinë janë më të zbehta. Mirëpo, kur puna bëhet mirë e procesi shkon mbarë dhe pastaj ajo shpërblehet edhe me çmime, kënaqësia është e plotë e më domethënëse!

KultPlus: Ambasadorët më të mirë shteti i Kosovës i ka artistët, së fundmi këtë e dëshmuat edhe ju pasi përdorët zërin tuaj për të kërkuar nga Spanja njohjen e Kosovës shtet, si u prit kërkesa juaj, kishte reagime?

Yllka: Thënë të drejtën, unë nuk e kam menduar aspak çfarë pasojash apo reagimesh mund të ketë ajo kërkesë dhe nuk e kam bërë si deklaratë pompoze politike. Artistët ndoshta edhe duhet të qëndrojnë larg politikës, mirëpo artistët poashtu janë ata që kanë zë e ndikim e platforma më të fuqishme se sa diplomatët e politikanët. Për mua ajo kërkesë ka qenë organike dhe e sinqertë dhe më është dukur moment i përshtatshëm që ta shpreh një dëshirë e ëndërr të përbashkët tonën. Të gjitha gazetat në Spanjë por edhe këto vendoret pastaj e bënë lajm atë deklaratë. Për mua ai moment ka qenë i veçantë në karrierën time padyshim, mirëpo nga zemra e shumë sinqerisht  kam dashur që atë çast gëzimi personal t’ia kushtoj popullit e vendit tim!

KultPlus: Në premierën e filmit në Amerikë nuk mungoi as Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Dua Lipa e cila edhe përkrahi filmin duke e shpërndarë para mijëra ndjekësve të saj në rrjete sociale, si e vlerësuat këtë veprim të Duas?

Yllka: Oh Dua!!! Dua është dashuri e madhe si emri që ka! Mua më pëlqen shumë muzika e saj dhe jam fanse e Dua-s nga dita e parë. Ajo është shumë inspiruese! Dua Lipa është shembull i shkëlqyeshëm se si është një yll i vërtetë, që para së gjithash mbetet njeri modest e me këmbë në tokë. E lindur e e rritur në Londër, me karrierë shumë të suksesshme, sensacion ndërkombëtar që i ka arritur majat e suksesit me punë e talent, Dua para së gjithash mbetet  një vajzë e dashur, e bukur brenda e jashtë, e ëmbël, e afërt e modeste dhe shumë e lidhur me familjen e saj. Jemi me fat që ajo është e jona dhe me krenari këtë fakt e tregon para miliona fansave të saj në botë. Ajo na ka nderuar pa masë bashkë me prindërit e saj dhe jemi shumë mirënjohës e falënderues për përkrahjen e tyre! Gjithashtu presidentja e Kosovës – Vjosa Osmani na ka nderuar me përkrahjen e saj që nga suksesi në Sundance për çfarë e falënderojmë e jemi mirënjohës!

KultPlus: Fotografia ku shiheni bashkë, ju, presidentja Vjosa Osmani, këngëtarja Dua Lipa dhe regjisorja Blerta Basholli, është përcjellë me reagime të shumta nga publiku të cilët janë shprehur shumë krenarë për sukseset e vajzave shqiptare, po ju si e shihni rrugëtimin e tyre duke përfshirë edhe vetën këtu, jeni krenare? 

Yllka: Krenare dhe shumë e lumtur, por edhe tejet mirënjohëse për dashurinë e respektin dhe për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e kanë dhënë publiku! Kur gratë bëhen bashkë duke e përkrahur njëra tjetrën, bota bëhet vend më i mirë e jeta më e bukur!

KultPlus: Me filmin “Zgjoi” ju jeni shprehur që keni realizuar ëndrrën e fëmijërisë, cila është ëndrra e radhës që prisni ta realizoni?

Yllka: Ah, ka shumë!

KultPlus: Cila ka qenë kritika më e mirë dhe ajo më pak e mirë që keni marrë për rolin tuaj në filmin “Zgjoi”?

Yllka: Ajo që po më kujtohet tash sepse ka ndodhur rishtazi është komenti shumë dashamirës i Kongresmenit Elliot Engel i cili ishte i pranishëm në New York në premierën e filmit në Film Forum dhe kur e mori fjalën të na uroj për punën tonë, në fund tha “You deserve the Academy Award for your acting!”.

KultPlus: ‘Zgjoi’ është filmi që Kosova ka përzgjedhur për Oscars, tashmë të gjithë bashkë me ju jemi në pritje të publikimit të nominimeve ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në akademinë e çmimeve më të njohur në gjithë botën. Por duke qenë pjesë e filmit, kuptohet qe emocionet më të forta i bartni ju. Çfarë prisni realisht nga kjo garë?

Yllka: Është fat i madh që kemi hyrë në listën e ngushtë dhe tash jemi në konkurrencë me 14 filma të tjerë, disa prej tyre shumë të suksesshëm e me regjisorë që tashmë janë të shpërblyer me Oscar në karrierën e tyre. Është luftë e ashpër dhe shumë e vështirë. Është edhe punë fati se ka shumë anëtarë të Akademisë të cilët do të votojnë dhe shijet janë të ndryshme. Më afër nominimit Kosova nuk ka qenë kurrë, kjo është e sigurtë. Do të ishte nder i jashtëzakonshëm nëse nominohemi sepse për ne ky tashmë nuk është qëllim personal por ka kaluar në qëllim më të madh, posaçërisht duke e parë gëzimin e krenarinë, motivimin e shpresën që këto suksese po lënë tek njerëzit tanë. Mendoj që e meritojmë të paktën të nominohemi sepse filmi është shpërblyer dhjetëra herë deri tash në festivale të ndryshme nëpër botë e nga juri të ndryshme. Gjithashtu edhe kritikat kanë qenë pozitive si nga kritikët e filmit e njerëzit e industrisë, poashtu edhe nga publiku i thjeshtë por, prapë po e them ka shumë konkurrencë dhe lufta tash bëhet e pamëshirshme sepse vetëm pesë filma arrijnë të nominohen. Çka më gëzon e nderon është fakti që me e pa nominim në Oscars, “Zgjoi” ka bërë histori në Sundance si filmi i parë më i shpërblyer në kategorinë e filmave ndërkombëtar dhe për të kanë shkruar gazetat më prestigjioze në botë si New York Times, Vogue, Variety, Deadline, Indiewire, LA Times, Screendaily, Cineuropa, Austin Chronicles e shumë të tjera duke e përmendur Kosovën, luftën e fundit, masakrat në Krushë dhe suksesin e znj. Fahrije Hoti. E në dashtë Zoti e paçim fat, nominimi në Oscars do të ishte një tjetër sukses e nder i madh për të gjithë!

KultPlus: A keni pasur oferta për projekte të reja, nëse po a mund të zbuloni diçka?

Yllka: Po, ofertat nuk kanë munguar asnjëherë fatbardhësisht. Kam qenë unë ajo që është dashur t’u them jo disa projekteve për shkaqe të ndryshme, të largësisë, kohës së papërshtatshme të xhirimeve etj. Por tash ofertat janë shtuar edhe më shumë dhe kjo më gëzon pa dyshim. Jam në bisedime për dy projekte, por ende në fazë të hershme dhe nuk guxoj të bëjë asgjë publike.

KultPlus: Si ka ndikuar në jetën tuaj suksesi që po përjetoni kohëve të fundit?

Yllka: Më ka gëzuar padyshim, mua, familjen e të afërmit e mi. Ka hapur dyer të reja e mundësi të reja. Mirëpo, unë këtë vit kam humbur babain tim kështu që, edhe sukseset e gëzimet i kam përjetuar disi më me rezervë pas asaj. Gëzohem që ai e ka parë filmin e ka qenë shumë krenar për çmimet në Sundance dhe përkrahës e motivues i madh i imi gjatë tërë jetës… mirëpo humbja e tij, ka lënë zbrazëti në jetën time dhe në të njëjtën kohë më ka shërbyer edhe si barometër që t’i përjetoj gjërat me modesti e pa ndonjë ekzaltim të tepruar. Pos kësaj jeta ime është e thjeshtë dhe modeste. Suksesi nuk ma ka ndryshuar fokusin e as përkushtimin ndaj asaj që për mua është e shenjtë e kjo është familja ime. Unë ende merrem ekskluzivisht me vajzën time Ninen, me punët e obligimet e nënës e të gruas, pastroj, gatuaj e planifikoj çfarë do të bëjmë në vikend. Natyrisht krejt këto, duke pasur shumë takime e intervista online me angazhime extra për punë. Kam pasur edhe udhëtime të shpeshta që nga shtatori, të cilat kanë qenë të mirëseardhura si mini aventura, mirëpo në cep të mendjes gjithmonë e kam familjen time, posaçërisht Ninen sepse jemi të lidhura dhe e kam të vështirë të jem larg saj dhe nuk ka gjë në botë që më përmbushë më shumë se koha e kaluar me të!

KultPlus: Kujt ja dedikon Yllka gjithë këtë sukses?

Yllka: Shumë njerëz janë meritor për sukseset e mija dhe u jam mirënjohëse përgjithmonë për ndihmën, dashurinë, kontributin, këshillat e durimin. Familjes time -prindërve, motrave, vëllait, burrit tim Albianit e vajzës sime Nines- së pari e më së shumti sepse ata më kanë përkrahur e motivuar në çdo hap të jetës dhe jam mirënjohëse përjetësisht! Pastaj edhe atyre të cilët janë meritor në këtë sukses e me të cilët e kemi bërë krejt këtë punë – ekipit të filmit, në veçanti Blerta Bashollit e Yll Ukës! Por, pa e harruar gruan që na ka inspiruar e vazhdon të na inspirojë znj. Fahrije Hoti dhe gratë heroina të Krushës! Edhe publikut, publikut të mrekullueshëm që pa kushte na ka përkrahur, i ka mbushur sallat e kinemave kudo dhe është gëzuar bashkë me ne!

KultPlus: Krejt për fund, po flasim për mirënjohjen që e more së fundi nga qyteti i Stamfordit ne Connecticut, dhe ju deklaruat se para gjashtë viteve, nëpër ato rrugë, ju me vajzën tuaj keni bërë vetëm shëtitje, pa menduar se pas gjashtë viteve do të nderoheni nga ajo komunë, pasi jemi edhe në fund vit, këtë pjesë e ndërlidhim me dëshirat e të rinjve, Yllka, thjeshtë na trego, sa guxojmë të ëndërrojmë?

Yllka: Sa të kemi qejf e imagjinatë! Ëndrrat e shpresat janë ato që na e mbajnë shpirtin gjallë e të ri gjithmonë! Janë motivuesi më i mirë për punë! Ëndërroni çka t’ua do loçka e zemrës e punoni me vullnet që ato ëndrra të jetësohen e të bëhen realitet edhe mos u dorëzoni para sfidave sepse sa më shumë sfida që tejkaloni me dinjitet aq më i kënaqshëm e domethënës bëhet suksesi!

Di Lellio: Më 1999, ndërkombëtarët nuk besonin se Kosova mund të bëjë filma

Ish-drejtuesja e zyrës së komisionarit të pavarur për media, Anna Di Lellio, ka reaguar lidhur me suksesin e filmit “Zgjoi” i cili ka hyrë në garë të ngushtë të listës së nominimeve për “Oscars”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Di Lellio, që atualisht është ligjëruese në SHBA, dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, e kujtoi kohën kur erdhi për herë të parë në Prishtinë, në qershor të vitit 1999.

Ajo shpjegoi se në atë periudhë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Film City, ishte bërë vend i kazermave të komandës së NATO-s, dhe se oficerët dhe zyrtarët e OKB-së kishin qeshur me idenë e thjeshtë se Kosova kishte pasur kinema. Por gjëratm sipas Di Lellio, kanë ndryshuar.

“Merreni me mend kush qeshi i fundit”, shkroi ajo në postim.

Ndër të tjera, Di Lellio shkruan se “Zgjoi” nuk është film hollivudian, por përmend rolin e Yllka Gashit që luan Fahrije Hotin në film, si një grua që kapërceru pengesa të jashtëzakonshme, dhe është heroinë.

Veç kësaj, ajo thotë se “Zgjoi” zë vendin e merituar në mesin e filmave më të mirë të këtij viti në botë.

Lexoni më poshtë postimin e plotë;

“Kur arrita për herë të parë në Prishtinë, në fund të qershorit 1999, Qendra Kinematografike e Kosovës, Film City, ishte bërë vendi i kazermave të komandës së NATO-s. Oficerët dhe zyrtarët e OKB-së qeshën me idenë e thjeshtë të kinemasë së Kosovës. Merreni me mend kush qeshi i fundit. Hive, një film i jashtëzakonshëm i shkruar dhe drejtuar nga Blerta Basholli dhe i luajtur nga Yllka Gashi, bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një grua që i mbijeton traumës komplekse të luftës dhe asaj sociale të vogël, shtypëse dhe thashetheme. rrethi në të cilin jeton. Ky nuk është një film hollivudian, dhe ajo nuk është një heroinë e vetme, megjithëse si një grua e zakonshme që kapërcen pengesa të jashtëzakonshme, ajo është një heroinë sipas definicionit. Miqtë dhe fqinjët e saj e mbështesin atë, nën udhëheqjen e saj. Fitues në Sundance dhe festivale të tjera, Hive tani është në listën e ngushtë të çmimeve Oscar, duke zënë vendin e merituar në mesin e filmave më të mirë të këtij viti në botë”./KultPlus.com

‘Zgjoi’ në listën e ngushtë për nominimet për Oscars, Ambasada amerikane: Lajm i mrekullueshëm

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur dje listën e ngushtë për 10 kategori për edicionin e 94-të të Academy Awards, transmeton KultPlus.

Në mesin e listës së ngushtë të filmave ndërkombëtar të metrazhit të gjatë është edhe filmi kosovar ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.

E për suksesin e filmit që portretizon jetën e Fahrije Hotit nga Krusha ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

‘Lajm i mrekullueshëm! Hive u përfshi në listën e ngushtë në kategorinë e Filmit Ndërkombëtar për Çmimet e 94-ta të Akademisë. 👏 Blerta Basholli dhe ekipi!’- thuhet në postimin e tyre./KultPlus.com

MKRS: Sukses i jashtëzakonshëm për filmin që rrëfen historinë e Fahrije Hotit dhe grave të Krushës

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli sot listën e ngushtë në 10 kategori për edicionin e 94-të të Academy Awards, transmeton KultPlus.

Është shpallur lista e ngushtë për kategoritë: Dokumentar i metrazhit të gjatë, Dokumentar i shkurtër, Film ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, grim dhe stil flokësh, muzikë (rezultati origjinal), muzikë (këngë origjinale), film i shkurtër i animuar, Film i shkurtër Live Action, efekte zanore dhe vizuale.

Në listën e ngushtë për nominimet për Ocsars është edhe filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli ‘Zgjoi’.

Në një reagim në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cilëson si një sukses të jashtëzakoshëm për filmin që rrëfen historinë e Fahrije Hotit dhe grave të Krushës.

“’Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz Oscars në kategorinë e filmave të huaj.
Një sukses i jashtëzakonshëm për filmin që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës.
Krenari.
Shume urime!
”-thuhet në njoftim./KultPlus.com

‘Zgjoi’ në listën e ngushtë për ‘Oscars’, presidentja Osmani: Sukses i jashtëzakonshëm

Filmi kosovar ‘Zgjoi’ e regjisores Blerta Basholli ka hyrë në listën e ngushtë për nominimet për ‘Oscars’

E këtë arritje të filmit që trajton një ngjarje të vërtetë, atë të Fahrije Hotit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilëson si një sukses të jashtëzakoshëm, përcjell KultPlus.

“Sukses i jashtëzakonshëm!
“Zgjoi”, filmi i Blerta Bashollit, që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës, nën interpretimin e shkëlqyer të Yllka Gashit dhe kastës fantastike të aktorëve tanë, është zyrtarisht në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz Oscars në kategorinë e filmave të huaj.
Bravo!
Me ju drejt majave!”- ka shkruar Osmani
./KultPlus.com

‘Zgjoi’ vazhdon të marrë mbështetje, Deadline: Filmi ka një mundësi të mirë për të hyrë në listën e ngushtë të çmimeve Oscar

Lista e ngushtë për kategorinë e filmave ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë të Oscars pritet të martën, kështu që vrojtimi i ‘Deadline’ së titujve që kanë një mundësi të mirë për të arritur suksesin, është publikuar.

Filma nga gjithsej 93 vende janë të pranueshëm në garë këtë vit, dhe më poshtë po shohim nga afër një përzgjedhje të tyre, transmeton KultPlus.

Siç vazhdon të ndodhë çdo vit, kjo është një punë e fortë nga zëra të ndryshëm në mbarë botën. Temat variojnë nga ajo personale te ajo e guximshme, nga jeta e vërtetë në folklorike dhe mistike, dhe përfshijnë pamje humaniste – në disa raste dramatike, dhe në disa, komike.

Fituesit e çmimeve nga festivalet, veçanërisht në Kanë këtë vit, përbëjnë një numër të hyrjeve, ndërsa Sundance gjithashtu ka një shfaqje të spikatur.

Deadline, përmes ngjarjeve të ndryshme të Konkurentëve, si dhe intervistave të veçanta, ka folur me krijuesit e filmave pas shumë prej hyrjeve të përgjithshme. Secili titull në listën e mëposhtme është shqyrtuar nga kritikët e Deadline ndërsa ne kemi rritur vargun tonë të linjës ndërkombëtare të kritikëve.

KultPlus ju sjell artikullin e plotë të tyre rreth filmit Zgjoi:

Ky film debutues nga shkrimtarja-regjisorja Basholli fitoi Çmimet e Audiencës Botërore të Kinemasë, Regjisë dhe Jurisë së Madhe në Festivalin e Filmit Sundance 2021. Një lëshim i ‘Zeitgeist Films’ në bashkëpunim me Kino Lorber në Amerikën e Veriut, së fundmi siguroi mbështetjen e Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus të cilët hynë si producentë ekzekutivë.

Kjo është historia e vërtetë e Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur i shoqi u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh gra të tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes që shet ajvarin me salcë me piper të kuq. Së bashku ata gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.

Në “Deadline’s Contenders Film: International”, Basholli tha: “Unë mund të bëja shumë filma për jetën e [Fahrijes] dhe atë nëpër të cilën ajo kaloi gjatë luftës dhe pas luftës, por në fakt ishte karakteri dhe personaliteti i saj që me të vërtetë pati një ndikim të madh tek unë dhe mbi të gjithë ne.”

Në rishikimin e Deadline, Stephanie Bunbury shkroi: “Goditjet dhe shkatërrimi janë në detaje dhe grupe, të cilat mbartin disa grushta të rënda”.

Këtë lajm e ka publikuar “Deadline”, si dhe të njëjtin e ka shpërndarë vetë Basholli në profilin e saj në Instagram. / KultPlus.com

‘Zgjoi’ fitues i dyfishtë në ‘Arcs Film Festival’

Filmi me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’ ka fituar dy çmime në festivalin francez të filmit ‘Les Arcs’, përcjell KultPlus.

‘Zgjoi’ rrëmbeu çmimin e publikut dhe të jurisë.

““Zgjoi” fituesi i dyfishtë në festivalin francez
Më shumë se 120 filma nga e gjithë Evropa ishin përzgjedhur për të qenë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Arcs Film Festival”.
Në mesin e tyre ishte edhe “Zgjoi”. Filmi nën regji të Blerta Bashollit mori dy çmime me rëndësi: atë të publikut dhe të jurisë. 
Triumfoi në Festivalin që si synim ka të promovojë diversitetin e kinemasë evropiane. Edicioni i 13-të, ashtu si çdoherë, po mbahet në Alpe.” – thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të filmit ‘Zgjoi’.”/KultPlus.com

‘Zgjoi’ përfshihet në filmat më të mirë të vitit 2021 sipas kritikëve të radios ‘WBUR’

Filmi “Zgjoi”, si njëri ndër më të suksesshmit në kinematografinë e Kosovës, është duke vazhduar suksesin e madh, shkruan KultPlus.

Së fundmi, regjisorja Blerta Basholli ka bërë të ditur se filmi i saj është përfshirë në “Filmat më të mirë të vitit 2021, sipas kritikëve të radios “WBUR”, e cila është e vendosur në Boston, Massachusetts, në pronësi të Universitetit të Bostonit.

’Zgjoi’ është një dramë e zjarrtë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes, e cila, si shumë nga të vejat në fshatin e saj patriarkal në Kosovë, duhet të gjejë një mënyrë për të siguruar familjen e tyre.

Në sfondin e trazirave civile të Evropës Lindore dhe mizogjinisë së vazhdueshme, Fahrije dhe gratë e fshatit të saj bashkohen në një luftë për të gjetur shpresë përballë një të ardhmeje të pasigurt.” – thuhet në njoftimin e festivalit në Instagram./KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ fitues i çmimit Cineuropa në Festivalin e Filmit Mesdhetar në Bruksel

Çmimi i sivjetshëm “Cineuropa” nga Festivali i Filmit Mesdhetar në Bruksel është ndarë në mënyrë “ex-aequo” apo të barabartë për dy filma, konkretisht për “Zgjoi” tëBlerta Bashollit dhe “Murina” të Antoneta Alamat Kusijanovic, shkruan KultPlus.

Hive është një film i parë artistik që tregon historinë e një zonje në një qytet të vogël, e cila përballet me paragjykime dhe pasiguri, ndërsa frymëzon gratë në komunitetin e saj që të marrin kontrollin e fatit të tyre.

Ky çmim jepet për mjeshtërinë me të cilën regjisorja tregon aftësinë e saj në formimin e personazheve dhe punën me aktorët.

Murina arrin të tregojë bindshëm dhunën e përditshme brenda një familjeje të izoluar fizikisht. Kur nuk mund ta krahasoni situatën tuaj me asgjë tjetër, mësoheni me dhunën dhe nuk jeni në gjendje ta ndaloni atë. Është vetëm një pjesë e përditshmërisë suaj. Abuzimi bëhet i dukshëm kur vjen një i huaj dhe ai ofron kontrastin, pasqyrën.

Ky çmim jepet për delikatesën me të cilën trajtohet tema, për interpretimet e aktorëve dhe për tensionin gjithmonë të pranishëm. /KultPlus.com

Yllka Gashi: Nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, ky qytet do të më nderojë me mirënjohje për punën në ‘Zgjoi’

Aktorja Yllka Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se qyteti i Stamfordit në Konektikat e ka nderuar atë me një mirënjohje nga kryetari i komunës për punën në filmin “Zgjoi”, një ​​film kosovar i nominuar për Oscar, përcjell KultPlus.

“Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar”, ka shkruar Gashi.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Në vitin 2015 kur unë dhe familja ime erdhëm për të jetuar në Amerikë, qyteti i Stamfordit në Connecticut, u bë shtëpia jonë larg shtëpisë!

Së bashku me vajzën time, ecja çdo ditë në rrugët e qendrës së qytetit – Mill River Park, Biblioteka Ferguson dhe këndi i lojërave Cove Beach – ishin ndër destinacionet tona të preferuara. Çdo ditë duke shëtitur lagjet dhe duke mësuar gjëra të reja dhe ndërsa më mungonte familja dhe vendlindja ime, Stamford arriti të më sillte gëzim dhe siguri në jetë. Edhe pse ne tashmë jetojmë në një tjetër qytet,Stamfordi ende mbetet një shtëpi e dytë për ne!

As në një milion vjet atëherë,nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, në vitin 2021, ky qytet do të më nderojë me mirënjohjen e kryetarit të komunës për punën në “Hive” – ​​kandidatin e Kosovës për Oscar 2022 dhe dashtë Zoti të nominuarin.

Jam thellësisht e nderuar dhe mirënjohëse!

Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar.

Në këtë ceremoni vjetore të organizuar nga Qendra Rinore Shqiptare në Greenwich dhe z. Richard Llukaj – biznesmen, filantrop dhe patriot i suksesshëm shqiptaro-amerikan – ndër të ftuarit specialë që na nderuan me praninë e tyre ishin edhe kryetari aktual i Stamfordit z. David Martin.

Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë znj. Caroline Simmons,

z. Jim Himes – Përfaqësuesi i SHBA (D-CT 4th District) dhe

z. Ferit Hoxha – Ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në New York City.

Faleminderit të gjithëve për punën tuaj të palodhur, përfshirjen dhe vlerësimin e komunitetit shqiptar në SHBA!

Faleminderit Stamford!

Do ta kesh një vend të veçantë në zemrën time përgjithmonë! / KultPlus.com

Filmat kosovar dhe suksesi i tyre ndërkombëtar, gratë epiqendra e vëmendjes

Një valë e re është duke ardhur dhe i përket grave të reja regjisore të Kosovës, ka thënë në një artikull së fundmi Vjosa Berisha, drejtoreshë ekzekutive e PriFilm Fest, përcjellë KultPlus.

Industria e filmit të Kosovës ka shënuar rritje të madhe në dekadën e fundit, megjithatë vëmendja kryesore dhe rritja më e madhe ka qenë vitet e fundit.

Berisha i sheh 5 gra të reja të cilat kanë qenë shumë të suksesshme në bërjen e filmave të rinj, të cilat gjithashtu kanë qenë edhe pjesë e PriFilm Fest.

Dy filma kosovar në garën për European Film Awards - Telekomunikacion -  Ekonomia

Suksesi ndërkombëtar ka ardhur si rezultat i një pune të madhe, duke punuar me pasion të pashoq dhe gjithashtu pjesëmarrje në festivale të ndryshme anë e mbanë botës.

Edicioni i fundit i PriFest Focus Program, pati vëmendjen kryesore në vajzat e reja që po bëjnë filma të jashtëzakonshëm.

I quajtur në frëngjisht “La Vague de la Femme Kosovare”, programi përfshinte pesë regjisoret e reja kosovare, të cilat e bënë Kosovën krenare me filmat e tyre debutues në periudhën e fundit.

Tre filma nga Kosova pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë  - Bota Sot

Gjatë festivalit u zhvilluan disa diskutime, tryeza të rrumbullakëta, intervista dhe shfaqje filmash për të diskutuar suksesin e këtyre filmave, të cilët po marrin pjesë në festivale të listës A dhe po fitojnë çmime. Interesimi i publikut për t’i parë këto filma ishte shumë i madh, sidomos tek të rinjtë. Dhe kjo nuk është befasi, pasi Kosova ka popullsinë më të re në Evropë.

Duket se të rinjtë e Kosovës (dhe veçanërisht vajzat e reja) kanë një të ardhme të ndritur në industrinë e filmit.

Blerta Basholli

Filmi i Blerta Bashollit ‘Hive’ fitoi tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit Sundance dhe është kandidati aktual nga Kosova për Oscar. ‘Hive’ flet për Fahrijen, bashkëshorti i së cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë. Ajo ngre biznesin e saj të vogël për të siguruar jetesën e fëmijëve të saj, por ndërsa lufton kundër një shoqërie patriarkale që nuk e mbështet atë, ajo përballet me një vendim vendimtar. (Burimi:IMDB)

Kaltrina Krasniqi

Filmi i Kaltrina Krasniqit ‘Vera ëndërron detin’ së fundmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi flet për Verën, një përkthyese të gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila e gjen jetën e saj të ndërprerë nga vetëvrasja e të shoqit. Ajo duhet të përballet me realitetin e papërpunuar për të shkuar kundër çështjeve gjinore të rrënjosura thellë të kohës sonë. (Burimi:IMDB)

Antoneta Kastrati

Filmi ‘Zana’ i Antoneta Kastratit, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Toronto, flet për një grua kosovare që është e përhumbur nga e kaluara e saj e ndrydhur prej kohësh. Ajo është nën presion nga familja e saj për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj dhe lufton për të pajtuar pritshmëritë e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. (Burimi:IMDB)

Luana Bajrami

Filmi i Luana Bajramit “Kodra ku vrumbullojnë luaneshat”, në të cilin tre gra të reja dhe shpirtmadhe vendosin t’i shpëtojnë jetës së tyre të përditshme dhe të formojnë një bandë, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë. (Burimi:IMDB)

Norika Sefa

Filmi “Looking for Venera” i Norika Sefës fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Roterdam. Në film, adoleshentja e qetë dhe e heshtur Venera jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza po zvarriten së bashku në një shtëpi të vogël, ajo vështirë se ka ndonjë privatësi. (Burimi:IMDB)

Sot, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit në Kosovë dhe një pikë takimi e rëndësishme e industrisë së filmit rajonal dhe ndërkombëtar. /KultPlus.com

HIVE / ZGJOI - Film - European Film Awards

Lipa për filmin ‘Zgjoi’: Film i mrekullueshëm, i bazuar në histori të vërtetë

Filmi kosovar, “Zgjoi”, me skenar e regji të Blerta Bashollit, prej disa ditësh ka filluar të shfaqet edhe në kinematë amerikane.

I pranishëm në premierën e këtij filmi në Washington DC ka qenë, Dukagjin Lipa, babai i këngëtares shqiptare me fame botërore, Dua Lipa, së bashku me familjen e tij.

Ai ka publikuar disa nga momentet më të lumtura përgjatë shfaqjes, derisa ka pozuar edhe përkrah presidentes të shtetit, Vjosa Osmanit si dhe protagonisteve të filmit.

“Filmi “Hive” fitoi tri çmime kryesore në Festivalin e Filmit në Sundance. Është një film i mrekullueshëm i bazuar në një histori të vërtetë që tregon se sa të forta janë nënat, motrat dhe vajzat tona”, ka shkruar Dukagjin Lipa në faqen zyrtare “Instagram”.

“Oscars, ne po vijmë”, ka vazhduar ai duke dëshiruar që të fitoj edhe ndonjë “Oscar”./KultPlus.com

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shpërblehet me çmimin ‘Fischer’ të publikut në Festivalin e Selanikut

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shpërblehet me çmimin ‘Fischer’ të publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.

Filmi “Zgjoi” ndërkaq sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngris lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.

Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. / KultPlus.com

‘Zgjoi’, rekord në arkat filmike në Kosovë

Filmi “Zgjoi” i regjisore Blerta Basholli pos që po korr suksese në festivale ndërkombëtare të filmit, të njëjtën gjë po e bën edhe në arkat filmike.

Madje, filmi po gëzon sukses edhe në vendin e vet, në Kosovë, pasi që kinemaja Cineplexx ka njoftuar se “Zgjoi” ka shitur deri më tash 10 mijë bileta.

Zgjoi mori dhenë kur vitin e kaluar fitoi në festivalin “Sundance” që është njëri prej festivaleve më prestigjioze në botë./KultPlus.com

‘Zgjoi’ zgjidhet filmi më i mirë në festivalin gjerman

Filmi “Zgjoi”me regji të Blerta Bashollit ka marrë çmimin “Die Tilda”, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg të Gjermanisë. Kjo u bë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook të faqes zyrtare të filmit.

Tutje bëhet e ditur se Basholli përmes një video-mesazhi ka thënë se ajo ka një lidhje të veçantë me festivalin dhe me këtë qytet gjerman.

“Prandaj, ky çmim ka shumë rëndësi për mua, veçanërisht pasi që vjen nga edicioni i 35-të i Festivalit. Gjithashtu, të marrësh çmimin ‘Die Tilda’ është ndjenjë shumë e veçantë pasi që e kemi realizuar këtë film, duke mos e ditur se sa ndikim do të kemi te njerëzit. Rrëfimi i Fahrijes ishte mbresëlënës dhe ne kemi punuar me shumë pasion, prandaj është shpërblyese të shohësh reagimet pozitive që njerëzit po kanë karshi filmit”, ka thënë ajo.

Në kategorinë “New International Cinema” bashkë me “Zgjoin” ishin edhe 19 filma të tjerë.

Derisa edicioni i 35-të i “Braunschweig International Film Festival” u mbajt në formatin hibrid: filmat u shfaqën në kinema dhe online. Edicioni i këtij viti nisi më 1 nëntor dhe përfundon sot./KultPlus.com

Shiten të gjitha biletat për filmin “Zgjoi” në Amerikë

Të gjitha biletat janë shitur për filmin “Zgjoi” në Amerikë.

Interesim të madh për filmin kosovar “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, po tregohet në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në faqen zyrtare të “Zgjoit”, në rrjetin social Facebook, thuhet se pas dy ditë do të bëhet shfaqja e filmit në kinematë e Nju-Jorkut.

“Në “Film Forum” janë shitur të gjitha biletat për terminin e orës 6:50 të së premtes dhe të shtunës. Në këto dy termine, në New York, pas shfaqjes së filmit do të ketë diskutim me regjisoren Blerta Basholli dhe aktoren Yllka Gashi”.

“Ndërsa për terminet e tjera gjatë këtyre dy ditëve kanë mbetur akoma bileta. Gjithashtu ka në shitje biletash edhe në shtetet e tjera amerikane”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

‘New York Times’ shkruan për filmin ‘Zgjoi’ të Blerta Bashollit

Mediumi më prestigjioz amerikan ‘New York Times’ ka shkruar për filmin ‘Zgjoi’ të Blerta Bashollit, film ky që pati një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke u bërë edhe kandidatura e Kosovës për çmimin Oscar, në kategorinë për filmin më të mirë të huaj.

New York Time, artikullin për këtë film e titulloi “Rishikimi i ‘Zgjoi’: Pas luftës, një e mbijetuar e gjen veten”.

“Megjithatë, kryesisht ajo që të bën të tërbuar është performanca e fuqishme, e bazuar fizikisht e Gashit, e cila artikulon në mënyrë lirike punën e brendshme të personazhit të saj të heshtur. Së bashku, interpretuesja dhe regjisorja shpalosin harkun e një jete përmes gjesteve të Fahrijes dhe në vijat e forta të nofullës së saj, në buzët e saj pa buzëqeshje dhe në shikimin e saj të ulur shpejt. Dhe ndërsa stoicizmi i personazhit duket si një mur i pathyeshëm, këto dy gra e çmontojnë – dhe e rindërtojnë atë – me efekt nxitës”, thuhet në një pjesë të artikullit.

Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Drama e jashtëzakonshme është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Gashi luan rolin e Fahrije Hotit.

Ky film tashmë është dhënë premierë në shumë vende të botës. Ndërsa, nga 5 nëntori ky film do të shfaqet edhe në kinematë e Amerikës.

Artikullin e plotë të New York Times për filmin ‘Zgjoi’ mund ta lexoni duke klikuar këtu./KultPlus.com

Interesim i madh për filmin kosovar “Zgjoi” edhe në Amerikë

Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke u treguar interesim i madh për filmin kosovar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit.

Në faqen zyrtare të “Zgjoit” në rrjetin social Facebook thuhet se pas dy dite do të bëhet shfaqja e filmit në kinematë e New York.

“Në “Film Forum” janë shitur të gjitha biletat për terminin e orës 6:50 të së premtes dhe të shtunës. Në këto dy termine, në New York, pas shfaqjes së filmit do të ketë diskutim me regjisoren Blerta Basholli dhe aktoren Yllka Gashi”.

“Ndërsa për terminet e tjera gjatë këtyre dy ditëve kanë mbetur akoma bileta. Gjithashtu ka në shitje bileta edhe në shtetet e tjera amerikane”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

MKRS: Në kinematografinë kosovare po shkruhet histori e re

Filmi ‘Zgjoi’ nga regjisorja, Blerta Basholli, ka fituar dy çmime kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë.

Për këtë sukses të filmit ‘Zgjoi’ ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila e ka konsideruar një histori në kinematografisë kosovare.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:

“Zgjoi” fiton dy çmime të reja, kësaj radhe në Spanjë

Në kinematografinë kosovare po shkruhet histori e re.

Filmi “Zgjoi” nga Blerta Basholli mori dy çmimet kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë.

Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë ndërsa “Zgjoi” ka fituar çmimin “Fundos”.

Filmi që tregon historinë e vërtetë të grave të Krushës të cilat refuzojnë t’i dorëzohen tragjedisë së luftës, por marrin në dorë fatin e jetës së tyre dhe me punën e tyre krijojnë një jetë të re për veten dhe familjet, tashmë po i prezentohet gjithë botës.

Storja e tyre po tregohet nga dy gra që po na bëjnë krenarë të gjithëve. Regjisorja Blerta Basholli dhe Yllka Gashi që po inspirojnë shoqërinë tonë me punën e tyre.

Shumë urime dhe suksese tutje!/KultPlus.com

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Valladolid

Yllka Gashi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Valladolid, përcjell KultPlus.

Gashi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin “Zgjoi”, film ky i realizuar nën regjinë e Blerta Bashollit.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga aktorja Adriana Matoshi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila së bashku me njoftimin për çmimin e fituar, kishte shkruar:

Një çmim i meritum për Yllka Gashi në një festival të madh.
Aktorja më e mirë e Festivalit International ‘Seminci’, Yllka me rolin e saj i tregoj botës, historinë e trishtë të zonjës Fahrije Hoti.
Urime Yllka e ky është vetëm një fillim për sukseset e tua në vazhdim.
/ KultPlus.com

Me 1926 bileta të shitura, ‘Zgjoi’ bëhet filmi shqiptar me më së shumti bileta të shitura në ditën e premierës

Filmi vendor Zgjoi mbajti premierën për publikun kosovar në Cineplexx më 28 tetor me rekord të shitjes së biletave.

Me 1926 bileta të shitura Zgjoi është bërë filmi shqiptar me më së shumti bileta të shitura në ditën e premierës. Për premierën e këtij filmi, Cineplexx me datën 28 tetor, në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, organizoi eventin Ladies Night, ku për të pranishmit u dhuruan shumë shpërblime nga partnerët e shumtë të kinemasë më të madhe në Kosovë.

Filmi Zgjoi ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek publiku Kosovar, duke bërë që biletat për premierën e filmit në kinemanë në Prishtinë të shiten të gjitha një ditë para shfaqjes. Ndërsa, gjatë premierës së filmit në Prizren, në kinema ishin prezente edhe zonja Fahrije Hoti dhe gratë e tjera nga Krusha, të cilat me prezencën e tyre i dhanë një ngjyrë tjetër të gjithë mbrëmjes së premierës së këtij filmi.

Zonja Fahrije mbajti një fjalim të shkurtër para shfaqjes së filmit ndërsa foli për përvojat e saja private, sfidat në realizimin e filmit si dhe knaqësinë që ia jep asaj interesimi i publikut shqiptar për ta parë dhe dëgjuar rrëfimin e saj, por duke shpresuar që do u shërbejë të gjithëve me një mesazh pozitiv dhe inspirim për të vazhduar përpara kundrejt të gjitha sfidave.

Filmi do të vazhdojë të shfaqet në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa kinemaja Cineplexx ka rezervuar 6 orare për shfaqjen e filmit këtë vikend, duke u mundësuar të gjithë të interesuarve për ta shikuar në termine të ndryshme.

Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Oraret për filmin Zgjoi në Cineplexx mund t’i gjeni duke klikuar këtu / KultPlus.com

“Zgjoi” triumfon në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë


Këto tri ditë kanë qenë çmenduri. Pas gala-shfaqjes, fitimit të çmimit “Antigone d’or” si filmi më i mirë në Festivalin Mesdhetar të Filmit në Francë, vjen lajmi për shpërblimin në edicionin e 36-të të Festivalit të Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë me çmimin kryesor.

Sipas regjisores Blerta Basholli, kështu po promovohet imazhi i Kosovës.

“Çdo çmim që po marrim, është konfirmim i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi. Të gjithë kemi punuar e kemi dhënë shumë për këtë projekt, që është më shumë se projekt për ne. Pa dyshim, që për filma të Kosovës do të dëgjohet akoma e më shumë. Na presin edhe shumë festivale e çmime të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli që tregon rrëfimin e Fahrije Hotit që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera, në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë, mori “Çmimin e Paqes”.

Çmimin e pranoi producenti Agon Uka, i cili po qëndronte në Festivalin që është një nga më të vjetrit e më me traditë në Saksoninë e Ulët. Gjatë këtyre ditëve, ai pati rastin të bashkëbisedojë me publikun që shikoi filmin, por edhe filmbërës, producentë e njerëz me rëndësi në botën e kinematografisë.

“Është vërtet mbresëlënës të shohësh sesi rrëfimi nga Kosova po arrin të krijojë lidhje me njerëzit, kudo që po shfaqet. Filmi tregon për fuqinë që kanë njerëzit brenda vetes për t’iu bërë ballë situatave të vështira qe mund të hasin. Është për triumfin dhe çdo triumf i ‘Zgjoit’ është triumf edhe i vendit”, ka thënë Uka.

Nga 28 tetori filmi do të shfaqet për publikun e gjerë në kinematë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë. Biletat tani janë në shitje./KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Zgjoi’ në konkurrencë për “Die TILDA” në Festivalin e Braunschweig

Tetë prodhime ndërkombëtare po konkurrojnë për çmimin “Die TILDA” në ‘Braunschweig International Film Festival’.

Çmimi i filmit për gratë, i pajisur me 5,000 euro, është dhuruar nga 65 gra nga jeta kulturore e Braunschweig. Qëllimi i çmimit është t’i bëjë gratë e filmave të dukshme në diversitetin e tyre. Dhe ka të bëjë me diversitetin në çdo aspekt – si për sa i përket zhanrit, llojit të rrëfimit dhe historive të treguara, ashtu edhe vetë regjisorëve, sepse çmimi i regjisorit të shpallur ndërkombëtarisht u drejtohet grave të të gjitha origjinave, orientimit seksual, ngjyrës së lëkurës, etj.

Filmat në konkurrencë janë:

(1) “Clara Sola” tregon historinë e një shëruesi që i shpëton kufizimeve shtypëse të nënës së saj dhe arrin të njohë veten.
(2) Seyran Ateş: Seksi, Revolucioni dhe Islami – 2021 – Dokumentarë tregojnë luftën personale dhe ideologjike të Seyran Ateş për modernizimin e Islamit.
(3) “Delia Derbyshire: Mitet dhe kasetat legjendare” tregon për një pioniere të muzikës së harruar, kasetat e të cilit (të regjistruara me temën e muzikës nga Doctor Who!) U gjetën në papafingo pas vdekjes së saj.
(4) Gruaja e shoferit Legjenda e Molly Johnson ka të bëjë me Molly -n shumë shtatzënë, e cila nuk e lë veten të zbresë në fermën e saj në periferi të Australisë.
(5) “Kodra ku ulërijnë luaneshat” është historia e tre grave të reja të fuqishme, e shkruar nga një regjisore e cila është vetëm 18 vjeç.
(6) Në “Hive” (Zgjoi) e veja Fahrije në Kosovë rebelohet kundër normave të shoqërisë së saj – ajo drejton një makinë dhe fillon një kompani.
(7) “Zjarri i egër” tregon se si dy motra përballen së bashku së bashku me të kaluarën e tyre të gjatë të ndrydhur. / KultPlus.com

Publikohet trileri zyrtar amerikan i filmit ‘Zgjoi’ së regjisores Blerta Basholli (VIDEO)

Fituesi i çmimit të trefishtë Sundance filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli është një dramë e fortë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes, e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë, e për këtë histori e cila tashmë ka marrë vëmendjen e botës, është publikuar trileri zyrtar amerikan i tij, shkruan KultPlus.

Në mënyrë që të sigurojë familjen e saj në vështirësi, ajo bashkon vejushat e tjera në komunitetin e saj për të filluar një biznes që shet një produkt ushqimor vendas. Së bashku, ata gjejnë shërim dhe ngushëllim në shqyrtimin e një të ardhme pa burrat e tyre – por vullneti i tyre për të filluar të jetojnë në mënyrë të pavarur haset në armiqësi.

Burrat në fshat dënojnë përpjekjet e Fahrijes për të fuqizuar veten dhe gratë përreth saj, duke filluar një grindje që kërcënon sovranitetin e tyre të ri – dhe të ardhmen financiare të familjes së Fahrijes. Në sfondin e trazirave civile të Evropës Lindore dhe misogjinisë së vazhdueshme, Fahrije dhe gratë e fshatit të saj bashkohen në një luftë për të gjetur shpresë përballë një të ardhme të pasigurt.

Fituesi i Çmimit të Publikut, Çmimit të Regjisorit dhe Çmimit të Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore në Sundance, ‘Zgjoi’ është një portret i rëndë, shkatërrues i humbjes dhe udhëtimeve tona përpjetë drejt lirisë. / KultPlus.com