Arkeologët në Holandë zbuluan mbetjet e tempujve ku dikur ushtarët romakë u blatonin dhurata hyjnive dhe hyjneshave të tyre.
Një grup arkeologësh zbuluan në Holandë një kompleks tempulli romak gati 2000-vjeçar. Zbulimi i ka habitur dhe emocionuar arkeologët, pasi është hera e parë që zbulohen tempuj në zonat veriore të Perandorisë së dikurshme Romake.
Kompleksi i tempullit u gjet në një zonë ku nxirret argjilë në fshatin Herwen-Hemeling, në provincën lindore të Gelderland pranë kufirit me Gjermaninë. Zona ndodhet pranë zonës Roman Limes e cila është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Gjetjet e para u bënë nga arkeologë amatorë, të cilët në vitin 2021 ndeshën në disa artefakte dhe njoftuan autoritetet. Pas analizës së këtyre zbulimeve Agjencia Kombëtare holandeze e Trashëgimisë Kulturore nisi gërmimet e mëdha në zonë.
Ekipet e arkeologëve mendojnë se dy tempujt e epokës romake janë përdorur mes shekujve të parë dhe të katërt. Dhe bazuar në llojet e mbishkrimeve si dhe të objekteve të tilla si shtiza, mbetje pajisjesh ushtarake apo parzmore kuajsh, arkeologët besojnë se kompleksi i tempullit përdorej kryesisht nga ushtarët.
Më shumë detaje për jetën në periudhën romake
Objektet e gjetura ofrojnë për arkeologët më shumë detaje për jetën në periudhën romake. P.sh. altarët e vegjël prej guri dhe mbishkrimet e tyre të kujdesshme tregojnë mënyrën se si shprehnin falenderimin ushtarët romakë dhe për çfarë ishin mirënjohës. Sipas studiuesve blatimet për të falënderuar një perëndi ose perëndeshë dhe për të kërkuar prej tyre përmbushjen e dëshirave nuk lidheshin gjithmonë me fitimin e betejave, por edhe thjesht me mbijetesën në rajonet veriore larg nga shtëpia dhe familja./ DW / KultPlus.com
Nëse nuk e keni ditur, ekziston kopshti më i bukur i tulipanëve në botë që duhet ta vizitoni patjetër sa më shpejt kur plotësohen kushtet për një gjë të tillë
Ky vit është i veçantë, sepse kopshti legjendar i tulipanëve holandezë Keukenhof është i mbyllur, për herë të parë pas 70 vjetëve!
Mund të mos ketë asnjë vizitor, por lulet e mrekullueshme të kësaj “kuzhine kopshti” janë ende atje, dhe falë fotografive të bukura, ne gjithashtu kemi mundësinë t’ia hedhim një sy kësaj parajse në tokë, transmeton KultPlus.
Ka diçka të veçantë në këto shtigje “të zbrazëta” të Keukenhof-it që duket se ftojnë miliona turistë të kthehen në këtë larushi të ngjyrave të mrekullueshme dhe të shëtisin përsëri nëpër to.
Siç thotë vetë fotografi Albert Dross, kjo ishte një mundësi unike për të që të fotografonte një kopsht të magjishëm pa vizitorë.
Jo vetëm që kjo hapësirë, të paktën sipas tij, dukej më e mira (dhe më e çuditshmja!) deri më tani, por ky ishte edhe muaji me më së shumti diell që ka pasur ndonjëherë në Holandë, që sigurisht kontribuoi në faktin se çdo petal në fotografitë që po bashkëngjitim sot të duket hyjnor.
E vetmja gjë për të cilën na vjen keq është fakti që fotografitë nuk mund të na transmetojnë aromën e këtij kopshti mahnitës. / KultPlus.com
Me shkëlqimin dhe organizimin që të lë pa frymë, Eurovision është rikthyer. I detyruar të anulojë festivalin ekstravagant të këngës vitin e kaluar për shkak të pandemisë, Holanda po pret këtë javë një edicion me përmbajtje cilësore, me Francën favorite një herë për një herë.
Rreth 3 500 persona, me kushtin e prezantimit të një testi negativ, por pa maska, do të marrin pjesë në finalen e konkursit në qytetin portual të Roterdamit. Kandidatët do të mbyllen në një “flluskë të veçantë”.
Francezja, Barbara Pravi, shpesh e krahasuar me Edith Piaf, është klasifikuar në krye të parashikimeve me këngën e saj “Voila” dhe mund të mundësojë për “Hexagon”-in të marrë fitoren e parë në 44 vjet. Ajo ndiqet nga Italia dhe Malta.
Ndërkohë që vaksinimi ka mundësuar për vendet europiane lehtësimin e masave shëndetësore, holanda ka autoriuar zyrtarisht pjesëmarrjen e publikut në ngjarje në fund të prillit.
“Të presësh Eurovision-in në këtë periudhë të veçantë nuk është një përgjegjësi që e kemi marrë me lehtësi”, theksoi drejtori ekzekutiv i konkursit, Martin Oesterdahl.
Edicioni 2020 i Eurovision u anulua për herë të parë në historinë e kompeticioneve për shkak të pandemisë.
Për spektatorët e mësuar të shohin një valë flamujsh dhe artistë nga e gjithë bota duke përqafuar njëri-tjetrin në ekranet e tyre të vogla, edicioni 2021 premton të jetë disi ndryshe.
Ndërsa shumica e kandidatëve, nga 39 vende, do të udhëtojnë në Roterdam, të tjerët, si Austria do të marrin pjesë përmes videove të pararegjistruara.
Delegacionet kombëtare në vend janë gjithashtu subjekt i rregullave të rrepta, duke përfshirë ndarjen e rreptë nga publiku dhe detyrimin për t’u testuar për COVID-19 çdo 48 orë./ atsh / KultPlus.com
“Fondacioni Shqiptar në Holandë” ka organizuar një festë mes poezisë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 7 mars në orën 19:00.
Mbrëmja poetike mbledh poetë shqiptare dhe holandezë, të cilët i këndojnë gruas, dashurisë, bukurisë dhe mençurisë së saj, përpjekjes dhe betejave të saj për të qenë e barabartë, e respektuar, e nderuar në fillim të shekullit të 21.
“Ka shumë mënyra për të shënuar dhe festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Aq më tepër që në Shqipëri ajo ditë rri pranë Ditës së Mësuesit, një nga nga profesionet më thelbësore për shoqërinë.
Pandemia na ka venë në sprovë solidaritetin, durimin, lidhjen midis brezave, idetë tona për jetën, besimin në demokraci, lirinë e lëvizjes, së shprehjes, së mbledhjes dhe së shkollimit.
Teknologjia na sjell afër njerëz të largët, por shpesh na largon nga ata që i kemi fare pranë. Gjithashtu teknologjia bën të mundur që të mos ndihemi vetëm, që gëzimi dhe vuatja e një individi me mijëra kilometra larg, të perceptohet si gëzimi dhe fati ynë. E veçanta e këtij 8 Marsi është ndoshta krijimi i kushteve të përshtatshme për një ndërgjegjësim më të madh tonin për një erë të re, për të drejta dhe liri universale, për një frymë që na lidh përballë vështirësive, dhe për nevojën e qytetërimit tonë për të qënë në harmoni me natyrën që na rrethon”, shkruhet në njoftimin e “Fondacionit Shqiptar në Holandë”./ KultPlus.com
Kjo parajsë në Tokë ndodhet në Holandë. Ky ishull i vogël i çuditshëm, Scheendijk, i cili duket si një çorape e shqyer sjell vetëm qetësi, përcjell KultPlus.
I gjithi i rrethuar me ujë të qetë midis grumbujve më të vegjël të Tokës në të cilin ka një shtëpizë, ky ishull duket i magjishëm. Ata që zgjohen në këtë vend thonë se këtu nuk mund të dëgjohet asgjë përveç cicërimave të zogjve.
Këtë ishull e quajnë parajsa në Tokë dhe është “i hapur” për turistët në pranverë, verë dhe vjeshtë, por jo edhe në dimër. Është e ndaluar të qëndrosh këtu në dimër. Vizitorët lëvizin ndërmjet shtëpive ekskluzivisht me varka, sepse nuk ka mundësi tjetër.
Anijet me motor nuk kanë vend këtu (sepse prishin qetësinë), kështu që do të merrni vetëm një kanoe ose një varkë me vela. Qentë dhe kafshët shtëpiake të tjera nuk lejohen këtu.
Shtëpitë e vendosura në këtë ishull të magjishëm shpesh nuk jepen me qira, sepse ato janë private. / KultPlus.com
Për shkak të një “situate të dyshimtë” në një prej trenave, një stacion treni në qytetin të Utrecht u evakuua.
Policia njoftoi se deri më tani të gjithë personat janë evakuuar nga stacioni i trenit dhe se përfshirja e tyre është nën hetim.
Mediat raportojnë se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të eksplozivëve, si dhe se policia, zjarrfikësit dhe ambulanca, ndërsa helikopterët po përcjellin situatën mbi qytet.
Trafiku hekurudhor për pak kohë u pezullua plotësisht, por më pas ngadalë u vu në përdorim.
Filmi ‘Zana’ i cili tashmë suksesin në arenën ndërkombëtarë veçse e ka dëshmuar, tashmë do të ketë edhe premierën në Festivalin e Filmit ”Eastern Neighbours’ në Holandë, shkruan KultPlus.
Festivali prestigjioz pritet të mbahet online duke filluar nga 4 nëntori i këtij viti.
Për të gjithë ata që jetojnë në Holandë, biletat mund t’i sigurojnë në linkun e bashkangjitur më poshtë.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / KultPlus.com
Çdo mur apo gardh mund të shndërrohet në një vepër arti, duke sjellë kështu gjallëri e në të njëjtën kohë të jetë më afër njerëzve se çdo pikturë tjetër e vendosur në galeritë e arteve, shkruan KultPlus.
Arti në rrugë është një formë e veprave të artit që shfaqet në ndërtesat përreth një komuniteti, rrugëve apo trenave. Në të shumtën e rasteve arti i rrugës përdoret si formë e të bërit deklaratë publike nga artisti, për shoqërinë në të cilën jeton, e cila shpesh vie edhe në formë revolte.
Artistët Holandezë Jan Is De Man dhe Deef Feed, vitin e kaluar, në një ndërtesë në Utrecht të Holandës pikturuan një mural letrash 3D trompe l’oeil.
Dyshja e kthyen anën e ndërtesës trekatëshe në një raft libra me shumë nivele të mbushur me librat dhe koleksionet e tyre të preferuara si dhe disa tituj fiksional të librave që kanë autorësinë e tyre.
Artistët u kërkuan edhe banorëve të ndërtesës që t’u jepnin titullin librit të tyre të preferuar, në mënyrë që ta përfshinin atë në murale. Ata gjithashtu përfshinë në murale një libër të vogël të zi në anën e majtë të raftit të poshtëm i cili përmban një logo të vogël, por të veçantë të lepurushit Playboy në shpinë.
Që nga koha kur ky mural është bërë pjesë e kësaj ndërtese është bërë një burim artistik për të bashkuar fqinjët, si dhe për njerëzit që vijnë ta vizitojnë dhe t’i shohin muralet. / KultPlus.com
Çdo vit, turistët udhëtojnë për në Holandë për të shijuar fushat shumëngjyrëshe të tulipanëve.
Por me pandeminë e koronavirusit e cila ktheu përmbys të gjitha planet e udhëtimeve, turistët nuk patën mundësi këtë vit të marrin pjesë në spektaklin e përvitshëm të luleve.
Sipas CNN, kjo është arsyeja pse “Dutch Daffodils”, një fermë lulesh në Holandë e një blog udhëtimi kushtuar tulipanëve në Holandë, u bashkuan për të krijuar një mesazh të veçantë për ata që janë të trishtuar për humbjen e luleve këtë vit.
“Ne i organizuam tulipanët në mënyrë të tillë që të shkruanim këtë mesazh. Nga familjet tona tek ato tuajat!”
“Dutch Daffodils” shkroi një postim në Facebook fjalinë “Shihemi Vitin tjetër” të shkruar në lule, së bashku me një zemër.
“Shpresojmë që kjo të ndriçojë paksa ditën tuaj dhe shpresojmë t’ju shohim vitin tjetër! Shumë dashuri!’, janë shprehur ata.
Holanda ka më shumë se 38 mijë raste të konfirmuara të koronavirusit, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. / KultPlus.com
Parku me temën e përrallave të vëllezërve Grimm është bërë tashmë realitet. Të apasionuarit mbas historive të përrallave që duan të vizitojnë parkun në Holandë do të magjepsen me pamjet e tij, transmeton BW.
Njëra nga historitë e vëllezërve Grimm tregon gjashtë princa të shndërruar në mjellma nga njerka e tyre xheloze dhe është detyrë e motrës së tyre të vogël Elisa që të prishë magjinë dhe t’i kthejë vëllezërit e saj përsëri në njerëz.
Kjo është bërë realitet nga krijuesit e parkut “Efteling”, ku fëmijët mund të shijojnë personazhet që kanë lexuar në përralla.
Vizitorët mund të ecin nëpër kështjellë ose të zgjedhin të udhëtojnë me njërën nga mjellmat tre metra të gjatë përgjatë një rrjedhe të vogël uji. / KultPlus.com
Lufta e fundit në Kosovë ka bërë që shumë familje shqiptare të mbesin jashtë Kosovës. Të detyruar të largohen nga pushtimi serb, ato familje krijuan një jetë të re në vende të ndryshme të botës. Një prej këtyre është edhe familja Zymeraj nga Gjakova. Rrugët i drejtuan drejt Holandës ku edhe sot jetojnë. E vështirë edhe sot të jesh i pranuar pa ndonjë paragjykim, por të rinjtë e kësaj familje po ja dalin me sukses. Puna dhe angazhimi i tyre kanë bërë që ata të pranohen në rrethin e shoqërisë atje e mandej të fitojnë respekt të madh, shkruan KultPlus.
“Ka qenë e vështirë
dhe vazhdon ende në disa raste. Në fillim më shumë kam qëndruar në shtëpi, e
kisha problem të luaja më fëmijë të tjerë dhe të krijoja shoqëri, por kohën e kam
shfrytëzuar për të marr mësime në fushën e teknologjisë, për fotografinë dhe modën,
fusha që mua më prekin më shumë. Por, tashmë në shkollë njerëzit janë më të
hapur dhe puna më ka bërë që të njoh shumë njerëz e të krijoj shoqëri në gjithë
Holandën.
Arijani, sot
merret me fotografinë. Këtë pasion ai po e zhvillon çdo ditë e më shumë dhe
tashmë është duke u shkolluar për Bachelor Degree of Arts në Maastricht Academy
of Arts, për fotografi. Fotografitë e tij kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë
dhe kjo është një arsye më shumë që po e nxit atë për të punuar vazhdimisht.
Për të
fotografia është një mënyrë ideale për tu shprehur dhe një mundësi e mirë për të
pasur ndikim në botë.
Portretet
dhe fotografitë për modën janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të albumit të
tij, por Arijani ushtron edhe profesionin si dizajner grafik dhe fotograf i
arkitekturës, të gjitha këto janë të lidhura bashkë dhe po i ndihmojnë atij që
të jetë një fotografë më i kompletuar.
“Fotografia
për mua është një art shumë interesant, është një mënyrë për t’i treguar botës
qysh unë e shijoj botën nga sytë e mi”, thotë Arijani për KultPlus.
Ai tutje
tregon se fotografia e tij vjen ndryshe për faktin se fillimisht ai njihet me personalitetin
e njeriut që do e fotografojë, e që atë personalitet ta prezantojë në fotografi.
“Secilin
njeri apo objekt që e fotografon, fillimisht duhet ta respektosh, ideja jote mund
të realizohet edhe me telefon apo çfarëdo kamere, por ka rëndësi mënyra se si e
tregon”.
Për të fotografuar, Arijani ka dy stinë të preferuara. “Stina e dimrit dhe vera,
janë dy stinë shumë të ndryshme, por në secilën prej tyre mund të bësh të njëjtat
fotografi por me tregime të ndryshme. Dimrit mund të realizosh fotografi përmes
të cilës tregon një ngjarje më të brendshme, më personale dhe të ambienteve
kryesisht të shtëpisë, ndërsa vera është më e lirë, mund të shkosh gjithkund
dhe të jep hapësirë të shprehesh më shumë”.
Arti i tij
ka marrë vëmendje në Holandë dhe ai ka arritur të nënshkruaj disa kontrata me
marka të ndryshme atje. ATHRTY Amsterdam, janë të parët që kanë përqafuar artin
e fotografit shqiptar. Vizioni i njëjtë i ka bashkuar dhe ata vazhdojnë të
sjellin fotografi shumë të bukura bashkë. Por jo vetëm modë. Arijani fotografon
edhe arkitekturë, ai ka krijuar lidhje me shumë muze dhe galeri të ndryshme.
Javën e
kaluar, fotografitë e tij u bënë pjesë e ekspozitës së madhe të fotografit të
njohur Jimmy Nelson.
“Shkolla ku
unë studioj, kanë përzgjedhur fotografitë e mija që të bëhen pjesë e kësaj
ekspozite dhe ky me të vërtetë ishte një nder i madh. Unë jam vetëm student i
vitit të dytë dhe këtë e vlerësoj arritje të madhe. Jimmy Nelson ka një bagazh
të madh dhe është tejet i vlerësuar dhe për mua është ëndërr që kam arritur të
ekspozoj në një vend me të”.
Në këtë
ekspozitë, Arijani ka prezantuar një mix të fotografive. Portrete dhe dizajne të
ndryshme ai ka shpalosur para publikut në Holandë të cilët e përgëzuan për punën
e mrekullueshme.
Përkundër
asaj që kjo ekspozitë ishte si një ëndërr e bukur për të, ai ka një tjetër ëndërr
të madhe. Hapjen e një ekspozitë në Kosovë.
“Dëshira ime
e madhe është të realizojë një ekspozitë në Kosovë. Por jo vetëm kjo, ideja ime
është që në të ardhmen të kem mundësi të jap mësim për fotografinë dhe artet
tjera për fëmijët në Kosovë.”
Vizitat në
Kosovë ai nuk i ka të rralla, por megjithatë të shkurta. Por këtë kohë ai e
shfrytëzon që ndonjë pjesë të saj ta marrë me vete falë fotografisë.
“Më pëlqen
shumë kultura në Kosovë, sidomos njerëzit në fshatra. Mundohem që kohen kur jam
atje ta shfrytëzoj në maksimum që t’i fokusoj vendet dhe njerëzit që më pëlqejnë”.
Ai ka
treguar për KultPlus që është duke e realizuar një projekt në Holandë. Ky
projekt i cili do botohet si libër, lidhet me njerëzit që shprehen përmes modës.
Ndërsa Arijani ka menduar që gjithçka të realizojë në Kosovë e ta prezantojë një
pjesë të kulturës së Kosovës në Holandë.
Të ardhmen Arijani e sheh duke ndihmuar fëmijët që të zhvillohen sa më shumë në këtë art, të udhëtojë sa më shumë nëpër botë e të punojë me të gjitha llojet e modeleve. / KultPlus.com
‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, është nominuar për çmimin e kritikëve të filmit holandez, shkruan KultPlus.
Filmi ka marrë pjesë në Festivali e Filmit Holandez i cili mbahet për çdo vit në fillim të vjeshtës. Ky film i cili pati premierën në Karlovy Vary, është filmi që do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar.
‘T’padashtun’ me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Ky projekt është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Fondi i Filmit Holandez./ KultPlus.com