Sot është përvjetori i Rembrandit, një nga themeluesit e shkollës flamande në art.
Piktori holandez, Rembrandt Harmenszoon van Rijn lindi më 15 korrik 1606 në Leiden. Si djalë, ai ndoqi shkollën latine dhe më pas u regjistrua në Universitetin e Leidës, edhe pse sipas një bashkëkohësi ai tashmë tregoi një talent të madh për pikturë. Pas një periudhe të shkurtër, por të rëndësishme të profesionit në Amsterdam me piktorin e njohur Pieter Lastman, Rembrandt hapi një studim në Leida, i cili ndahej me shokun e tij dhe kolegun Jan Lievens. Në vitin 1627 Rembrandt filloi të pranonte nxënës, mes tyre Gerrit Dou.
Një nga tablotë e tij më të shquara është “Kthimi i djalit plangprishes”.Tabloja është një ilustrim i rrëfenjës biblike “Kthimi i djalit plangprishës”.
Shëmbëlltyra, që e shpreh më mirë dashurinë e Hyjit për të humburit, është pa dyshim ajo e djalit plangprishës (Lk 15, 11-32). Këtu s’është delja, apo monedha, që humbet. Humbet një nga djemtë. Më i vogli. Babai e lë të ikë nga shtëpia, pa e kundërshtuar. Madje nuk ngurron t’i japë edhe pjesën, që i takon si trashëgim. Djali e kundërshton, ndërsa i jati vijon ta dojë. Biri e grind, po i jati vijon t’i përgjigjet me butësi e mirësi. Biri ikën, pa kthyer kokën prapa, po babai vijon ta kthejë çdo ditë kokën nga shtegu, ku e pa të zhduket, e të dëshirojë me gjithë zemër kthimin e tij.
E kur e shikon, të mbuluar me rrecka, në krye të shtegut, zemra i shkrihet nga mëshira. I del me vrap përpara, e përqafon, e puth, nuk pret t’i lypë të falur, nuk ia vë veshin kërkesës së tij për t’u trajtuar si të ishte një prej shërbëtorëve më të humbur. Një gjëje të vetme ia vë veshin: gëzimit, që i vlon në kraharor, për birin e kthyer. Sepse ishte i humbur, e u gjet përsëri; madje ishte i vdekur, e u rikthye në jetë. Prandaj, kur e shikon se i biri është kthyer rishtas në gjirin e familjes, nuk mund të mos bëjë festë të madhe.
Rembrand vdiq më 4 tetor 1669 në Amsterdam. / KultPlus.com