Animatori i famshëm amerikan, Hollingsworth pjesë e edicionit të sivjetëm të ‘Anibar`

Festivalit Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar” ka njoftuar se pjesë e edicionit të 15-të të festivalit do të jetë animatori i famshëm amerikan, Mike Hollingsworth.

“Mike Hollingsworth do të ndajë me audiencën e Anibar rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm, nga krijimi i animacioneve të shkurtra për festivale, ashtu si Anibar, deri te ndihma për të krijuar serialin e parë të animuar të Netflix, “BoJack Horseman”. Gjatë prezantimit të tij, “From Animation Festivals to Hollywood AND THEN BACK TO FESTIVALS!”, Mike do të tregojë sesi aftësitë që ai mësoi duke krijuar animacione të pavarura e ndihmuan të ngrihej shpejt në industrinë e animacionit” thuhet në njoftim. 

Mike Hollingsworth u bë animatori i parë i punësuar nga Netflix kur drejtoi episodin pilot të “BoJack Horseman” në vitin 2013. Ai mbikëqyri prodhimin e të gjitha gjashtë sezoneve si regjisor mbikëqyrës dhe më vonë si bashkë-producent ekzekutiv.

“BoJack Horseman” arriti një sukses të madh kritik, duke u renditur si seriali më i mirë origjinal i Netflix të të gjitha kohërave nga Thrillist dhe Uproxx, ndërsa IndieWire e quajti “BoJack Horseman” serialin më të mirë të animuar të të gjitha kohërave. BBC e deklaroi “BoJack Horseman” si “animacionin më të mirë të shekullit 21”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar do të mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në qytetin e Pejës, dhe pritet të sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë dashamirësit e animacionit. / KultPlus.com