Tarantino dhe Burton do të nderohen për arritje jetësore nga Festivali i filmit në Romë

Quentin Tarantino do të nderohet me çmim special për arritje jetësore, në edicionin e sivjetmë të Festivalit të filmit në Romë.

Regjisori i njohur hollywoodian do të jetë i pranishëm në festivalin i cili mbahet nga 14-24 tetor, dhe pritet të marrë pjesë në një takim për së afërmi me publikun lokal, ku do të kenë mundësi t’i parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Tarantino, transmeton KultPlus.

“Në një periudhë të jetës sime e shikoja secilin film Italian. Dhe një pjesë të madhe të karrierës sime e kam kaluar duke i realizuar versionet e mia të këtyre filmave. Prandaj, ta pranoj një shpërblim për arritje jetësore nga Festival i filmit në Romë, është një ndjenjë fantastike për mua”, ka deklaruar Tarantino përmes një komunikate për “The Hollywood Reporter”.

Edicioni i 16-të i Festivalit të Filmi në Romë po ashtu do ta nderojë regjisorin, Tim Burton, me shpërblim për arritje jetësore. Regjisori më së miri njihet për filma të tillë si “Edward Scissorhands” dhe “Batman”.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga organizatorët e festivalit, Burton u vlerësua si një prej regjisorëve më origjinal në industrinë e filmit në Amerikë, puna e së cilit mund të identifikohet qysh në shikim të parë.

Burton po ashtu do të jetë i pranishëm në ceremoni për ta pranuar çmimin e tij, transmeton tutje KultPlus.

“Ta pranosh këtë nderim nga Festivali i filmit në Romë është diçka shumë e veçantë për mua. Fellini, Mario Bava, Dario Argento, që t gjithë këta kanë qenë inspirues të mëdhenj në jetën time, dhe të nderohem me çmim në Romë, vendi të cilin e dua shumë dhe një qytet ku ndihesh sikur je protagonist i filmit tënd personal, është mjaft emocionale për mua”, ka deklaruar regjisori.

Programi i plotë i Festivalit të filmit në Romë do të bëhet publik më 6 tetor. / KultPlus.com

Macaulay Culkin me yll në Hollywood

Aktorët Macaulay Culkin dhe Michael B. Jordan, pritet të jenë në mesin e shumë artistëve që do të nderohen me yje në sheshin e njohur Hollywood Walk of Fame. Dyshja e aktorëve së bashku me Avril Lavigne dhe DJ Khaled janë katërshja në mesin e shumë njerëzve të filmit, televizionit, muzikës, teatrit dhe sportit, që pritet të nderohen me yje në sheshin e famshëm të Hollywoodit.

Aktorët Salma Hayek, Jason Momoa, Tessa Thompson, Ray Liotta, Ewan McGregor, Regina King, Willem Dafoe, James Hong, Helen Hunt, Adam McKay dhe Carrie Fisher, do të jenë yjet e filmit që do të nderohen për vitin 2022.

Ndërkaq, nga bota e televizionit, me yje do të jenë Tracee Ellis Ross, Ricky Gervais, Bob Odenkirk, Norman Reedus, Kenan Thompson, Byron Allen, Greg Berlanti, Peter Krause, Holly Robinson Peete, Jean Smart dhe Ming-Na Wen, përcjell KultPlus.

Bota e muzikës për vitin 2022 me yje do të bëjë Nipsey Husslen, The Black Eyed Peas, George Clinton, Jr., Ashanti Douglas, Los Huracanes del Norte dhe Martha Reeves.

Yje do të kenë edhe performuesit si Patti LuPone, Marilyn McCoo & Billy Davis Jr. dhe Angelica Vale.

Ylli i radios, Richard Blade, gjithashtu do të nderohet me yll. Përkrah tij do të nderohet edhe Michael Stahan, komentues i ligës së ragbit në SHBA.

Sipas “Walk of Fame”, 38 të nderuarit janë përzgjedhur nga një listë prej qindra kandidatëve.

Zyrtarët kanë thënë se datat për ceremonitë e shpalosjes së yjeve ende nuk janë bërë të ditura. Në këtë njoftim thuhet se për organizimin e ceremonive ekziston një afat prej dy vjetësh. / KultPlus.com

Fusha magnetike dhe rrëshqitja e poleve të Tokës, si është “paralajmëruar” zhdukja e specieve

Filmat që paraqesin katastrofa natyrore kanë treguar se Hollywoodi mendon se mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë nëse polet e Tokës do të rrëshqisnin papritmas. Kjo po del të jetë shumë e mundshme.

Ne nuk dimë ende nëse kjo do të ndikonte në jetën e përditshme mirëpo shkencëtarët po kërkojnë prova për lëvizjet polare të së kaluarës, në mënyrë që të marrin një ide më të mirë në atë se çka na pret.

Studimi i fundit i botuar në Science ka ofruar disa informacione të dobishme falë një peme shumë të vjetër. Pema, e cila ishte ende në rritje kur ndodhi rrokullisja e fundit e polet magnetik rreth 42.000 vjet më parë, lë të kuptohet për ndryshime dramatike dhe ndoshta katastrofike që ndodhën në atmosferë dhe në sipërfaqe të planetit.

Shkencëtarët kishin përdorur këtë pemë, e cila ishte e vdekur prej kohësh mirëpo e ruajtur mirë, për ta kuptuar shtrirjen masive të historisë së Tokës. Duke studiuar rrathët e pemës, shkencëtarët morën detaje të thella prej afërsisht 1.700 vjetësh. Analiza e kryer me këto rrathë thotë se koha e shkuar ishte tejet sfiduese për çdo gjallesë në Tokë.

Ekipi i shkencëtarëve që ishte angazhuar në këtë studim u mor ekskluzivisht me shenjat e karbonit në njollat e pemës. Lloji i karbonit që shkencëtarët po e kërkonin krijohet kur rrezet kozmike janë në gjendje të godasin atmosferën e Tokës. Kur fusha magnetike e Tokës është e fortë, siç është sot e kësaj dite, sasia e karbonit e gjeneruar nga ky bashkëveprim është relativisht i ulët, mirëpo lë hapësirë kur fusha magnetike dobësohet dhe lejon që të depërtojnë më shumë rreze kozmike.

Ky lloj i veçantë i karbonit në rrathët e pemës thuhet se ishte prodhuar gjatë rrokullisjes polare, duke e lidhur drejtpërdrejt me një ndryshim dramatik të fuqisë së fushës magnetike të Tokës.

“Ky studim paraqet një rritje të konsiderueshme të përmbajtjes së karbonit-14 të atmosferës që kulmon gjatë periudhës së dobësimit të forcës së fushës magnetike, duke i paraprirë kalimit të polaritetit”, kanë shpjeguar shkencëtarët.

Bazuar në këto gjetje, studiuesit tutje kanë përmendur mundësinë e zhdukjes së shumë specieve në Tokë. Kjo vjen si pasojë e rrezatimit ultraviolet në Tokë, si rezultat i fushës së dobësuar magnetike dhe dëmtimit të shtresës së ozonit.

“Ne ende nuk kemi asnjë mënyrë për të ditur kur ose pse polet magnetike rrëshqasin, por sa herë që kjo do të ndodhë përsëri, mund të kemi një kohë të vështirë”, thuhet në këtë studim./ KultPlus.com

Historia e Hollywood-it

Hollywood do të kishte qenë një periferi e parëndësishme e Los Anxhelosit nëse nuk do të ishte bërë, me kalimin e kohës, kryeqyteti i industrisë së fuqishme të filmit dhe pastaj televizionit.

Historia e saj fillon vetëm në 1886, kur një agjent i pasurive të patundshme nga Kansas, 54-vjeçari, prohibitionisti thellësisht fetar Harvey Wilcox , arrin në zonë.  Ai bleu një sipërfaqe prej gjashtëqind hektarësh dhe shumë shpejt filloi të shpalosë vizionin e tij. 

Do të krijonte një komunitet për të krishterët e përkushtuar të cilët do të bënin një jetë morale pa mëkat dhe alkool. Emri “Hollywood” u frymëzua nga gruaja e tij,  Daieda Wilcox. Ky emër kishte të bënte me bindjet e tyre dhe ishte frymëzuar nga emri i rezidencës verore të një shoku të familjes në Çikago.

Në vitet në vijim, Hollywood-i filloi të ndryshonte drejtim, jo në drejtimin që dëshironte Wilcox, pasi vizioni i tij provoi të ishte një tjetër utopi.  Zona filloi të ndërtohej me një ritëm të shpejtë, për shkak të klimës së mirë, por edhe zhvillimit dhe zgjerimit të hekurudhës. 

Prospect Central Avenue – tani Hollywood Avenue – është shndërruar në një rrugë prestigjioze, ku çdo njeri i pasur në Perëndim dëshiron një shtëpi.

Në vitin 1903 komuniteti bleu një person juridik, por për shkak të mungesës së ujit të pijshëm u detyrua në vitin 1910 të bëhej pjesë e qytetit të Los Anxhelos.

Në të njëjtën kohë, qyteti pësoi një transformim tjetër, kur një grup i vogël tregtarësh hebrenj në Bregun Lindor, të cilët besuan fort në të ardhmen e kinemasë, gjetën kushtet e përsosura në Kaliforninë Jugore për xhirimet e filmave të tyre.

Duke kombinuar një klimë të butë, rrezet e diellit  dhe një larmi hapësirash, periferia e qetë e Los Anxhelos me pemët e portokallit u mbush shpejt me ndërtesa, pasi filmat xhiroheshin vetëm në dritën e diellit. 

Brenda disa vitesh, ish-kllounët ishin në gjendje ta kthejnë këtë eksperiment të rrezikshëm në një biznes fitimprurës dhe ta bëjnë Hollywood-in kryeqytetin e industrisë së ëndrrave me famë botërore. Nevojat e kësaj industrie të re sollën ndryshime të shpejta në komunitet, duke shkaktuar konflikte midis banorëve të vjetër dhe atyre të rinj.

Zonat rurale në veri të bulevardit kryesor u shndërruan në parcela, ku u ndërtuan shtëpi për të strehuar punëtorët. Qendrat tregtare, restorantet, kinematë, klubet dhe bankat filluan të mbinin si ‘kërpudhat’ pas shiut, në vitet 1920 dhe 1930.

Për gati tre dekada, nga kinemaja e heshtur te filmat që flasin, të famshëm si David Griffith, Samuel Goldwyn, Adolf Zukor, William Fox, Louis Mager, Jesse Laski, Daryl Zanoukot, F., Metro-Goldwyn-Mayer, Paramount Pictures, Columbia, Warner Brothers, etj.) kanë luajtur një rol kryesor në evolucionin e kinemasë.

Protagonistët e filmave, tani emra legjendarë në të gjithë botën, jetuan dhe punuan në një mjedis të pasur dhe me shkëlqim, ndërsa sjellja e tyre shpesh skandalizonte opinionin publik. 

Amerika Konservatore e konsideroi Hollywood-in sinonim të mëkatit dhe “Babilonisë së Re”. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo gradualisht filloi të humbasë shkëlqimin e saj.

Me përhapjen e televizionit në vitet 1960, studiot kryesore të filmit u larguan nga zona dhe Hollywood u bë selia e industrisë së televizionit amerikan. Shumica e yjeve të ekranit të madh u zhvendosën në Beverly Hills. / KultPlus.com

Filmat hollywoodian më fitimprurës të vitit 2020

Viti 2020 nuk ishte i zakonshëm sa u përket arkave filmike botërore, që u ndikuan dukshëm nga mbyllja e kinemave si pasojë e pandemisë, dhe pezullimi i lansimeve dhe premierave të filmave të mëdhenj hollywoodian.

Megjithatë, disa filma arritën t’i shijojnë ca muaj të mirë në arkat filmike, duke arkëtuar shumë të kënaqshme të të hollave nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore.

Vendin e parë në këtë listë e mban filmi i mbushur me skena aksion dhe humor, “Bad Boys for Life”.

I lansuar më 17 janar të vitit 2020, vazhdimi i tretë i sagës “Bad Boys” që pas 17 vjetësh në rolet protagoniste i riktheu aktorët, Will Smith dhe Martin Lawrence, arriti të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike botërore falë 424 milionë dollarëve të arkëtuara brenda vitit. Ndërsa, filmi është realizuar me një buxhet prej 90 milionë dollarësh.

ilmi i dytë më fitimprurës i vitit 2020 është projekti i fundit i regjisorit, Christopher Nolan, “Tenet”, i cili njëkohësisht është filmi i parë me buxhet të lartë që u lansua në kohë të pandemisë. Me një buxhet të realizimit prej 205 milionë dollarëve, ky projekt nga lansimi në shtator të këtij viti, arriti t’i arkëtojë gjithsej 361.4 milionë dollarë. Megjithatë, kjo shumë konsiderohet jo e mjaftueshme për një film të përmasave të këtilla.

“Sonic the Hedgehog” është aventura komike, e cila radhitet e treta në listën e filmave më fitimprurës të vitit 2020. Filmi, i cili bazohet në videolojën e famshme me të njëjtin emër, u lansua nëpër kinema në shkurt të këtij viti, dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë 310.5 milionë dollarë nga shitja e biletave.

Në vendin e katërt pozicionohet një film familjar, me protagonist yllin e filmave “Iron Man”, Robert Downey Jr. Projekti me titull “Dolittle” që e shtjellon historinë e një veterinari, i cili arrin të komunikojë me kafshët, e shënoi premierën më 17 janar të këtij viti dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 246 milionë dollarë. Ndërsa, për realizimin e këtij filmi ishin shpenzuar gjithsej 175 milionë dollarë.

Ndërsa filmi i pestë më fitimprurës është “Birds of Prey”. Ky projekt i bazuar në librat komikë “DC Comics” dhe i cili është vazhdim i filmit “Suicide Squad”, në rolin protagonist e solli aktoren australiane, Margot Robie. Nga lansimi nëpër kinema më 7 shkurt, filmi i ka arkëtuar gjithsej 201 milionë dollarë. / KultPlus.com

Fitorja e Biden, Bebe Rexha publikon pamjet nga Hollywoodi

Joe Biden fitoi mbi 270 vota elektorale ditën e djeshme duke u shpallur President i SHBA’së. Ai pati një mbështetje të gjerë popullore dhe nga shumë personazhe të njohur, që e kanë pritur me festë lajmin për fitoren e tij.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha ka publikuar pamje nga atmosfera festive në Hollywood ku ajo jeton.

Ajo thotë se njerëzit po bërtasin për Biden dhe se Los Angeles është shumë i lumtur në këto momente.

“Ky është Hollywood Hills në këto momente! Njerëzit duke brohoritur për Biden.

Los Angeles është shumë i lumtur tani”, ka shkruar këngëtarja e njohur me famë botërore./ KultPlus.com

Nga çizmet e Julia Robertsit te xhaketa e Brad Pittit, rreth 900 gjësende të “Hollywoodit” në ankand

Të gjithë mund të kenë një copëz Hollywoodi në shtëpi, ndërsa mbi 900 objekte ikonë të filmave të famshëm do të shkojnë në ankand.

Çizmet e famshme të Julia Robertsit të mbathura në filmin “Pretty Woman” dhe xhaketa që Brad Pitt e veshi në “Fight Club” janë vetëm disa prej pjesëve të koleksionit të çmuar.

Adhuruesit e disa prej filmave më të pëlqyer të dekadës së fundit, së shpejti do të jenë në gjendje të rikrijojnë skenat e preferuara në shtëpi, pasi gati 1.000 objekte do të dalin për shitje në një ankand online. Mes objekteve tjera ikonë që do të shkojnë “nën çekiçin” e ankandit të Prop Store Entertainment, në fillim të dhjetorit, janë edhe një telekomandë R2-S8 e “Star Wars”, dhe koka me efekte speciale e një alieni në prodhimin hit, “Alien”. Artefaktet janë përzgjedhur me kujdes nga themeluesi i Prop Store, Stephen Lande, përmes rrjetit të tij të producentëve, aktorëve, kompanive prodhuese e distributorëve

“Themelova Prop Store nga pasioni për të koleksionuar dhe gjithçka ka të bëjë me gjuetinë, e dini, cili do të jetë objekti i radhës? Shumë prej këtyre artefakteve janë hedhur diku pas prodhimit, ose do të hidhen”, tha Lande.

Në total më shumë se 900 objekte nga rreth 350 filma dhe shfaqje televizive do të dalin në ankandin 2-ditor. Mes xhevahireve të koleksionit, Lande përmend shpatën e dritës së përdorur nga personazhi i Obi Van Kenobit në “Star Wars: Revenge of the Sith”, e cila vlerësohet nga 80 mijë deri 120 mijë funte, fedora e Xhokerit Xhek Nikolson te filmi “Batman” apo kostumi i trajnimit të James Bond te “Skyfall”.

Katalogu përfshin po ashtu kapelën e piratit Jack Sparrow në “Pirtatët e Karaibeve” dhe helmetën e mbajtur nga Tom Hanks në “Shpëtoni ushtarin Rayan”.

Ankandi që do të zhvillohet online më 1 dhe 2 dhjetor pritet të gjenerojë rreth 5 milionë funte. \ A2News/ KultPlus.com

Vazhdon ndryshimi i datave të lansimit për filmat hollywoodian

Studioja “Warner Bros’ e ka shtyrë lansimin e filmit “The Batman” deri në vitin 2022, derisa pandemia e koronavirusit vazhdon të ndikojë në industrinë e filmit.

Filmi në të cilin aktori britanik, Robert Pattinson, debutonte në rolin e superheroit Batman, ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema në tetor të vitit të ardhshëm, por tani është shtyrë për 4 mars të vitit 2022.

Ndërkohë së fundmi u bë i ditur lajmi se Robert Pattinson është kthyer sërish në sheshin e xhirimeve, pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, dhe kështu u detyrua të izolohej për dy javë.

Disa filma të tjerë me superheronj që kanë pësuar ndryshime në datën e lansimit janë: “The Flash”, i cili tani vjen në ekran të madh më 4 nëntor 2022, “Shazam! 2”, që lansohet nëpër kinema më 2 qershor të vitit 2023, dhe “Black Adam” i cili fillimisht ishte planifikuar të publikohet për gjithë adhuruesit e filmit, në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Sidoqoftë, shtyrja e lansimit të këtij projekti, bënë që filmi “The Matrix 4” ta shënojë premierën botërore më 22 dhjetor të vitit 2021, rreth katër muaj më herët se që ishte paralajmëruar.

Një tjetër projekt kinematografik i cili ka pësuar ndryshime në datën e lansimit është, “Jurassic World: Dominion”, i cili është shtyrë për vitin 2022. Vazhdimi i fundit në serinë e filmave për dinozaurë i rikthen në rolet protagoniste aktorët, Chris Pratt dhe Bryce Dallas Howard, krahas yjeve origjinal të këtij projekti, Jeff Goldblum, Laura Dern dhe Sam Neill. Fillimisht filmi ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema më 11 qershor të vitit të ardhshëm, por është shtyrë për një vit. Lajmin e ka konfirmuar edhe regjisori i filmit, Colin Trevorrow, përmes rrjetit social Twitter.

Sipas “The Hollywood Reporter”, këto ndryshime të lansimit të filmave nuk janë rezultat i drejtpërdrejt i mbylljes së kinemave, por më shumë janë pasojë e vonesave të xhirimeve të shkaktuara nga pandemia./ KultPlus.com

Hollywood bën film për pandeminë

Bota e madhe kinematografike e Hollywood po planifikon të sjellë një film të ri për pandeminë e COVID-19.

Në plan është xhirimi i filmit “Lockdown”, ku rolin kryesor do ta luajë aktorja e njohur Anne Hathaway.

Sipas Harper’s Bazaar, bëhet fjalë për kombinimin e një komedie romantike dhe drame, me regji të Doug Liman, autor i filmave, si “Mr. & Mrs. Smith” e “The Bourne Identity”.

Xhirimet e filmit pritet të fillojnë në fund të këtij muaji në Londër, ndërsa në njërin prej roleve pritet të luajë edhe ylli i serialit “Peaky Blinders”, Cillian Murphy.

Akoma nuk dihet data e publikimit të filmit, ndërsa mezi pritet të shihet nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Johnny Depp urren ta quajnë i “famshëm i hollywoodit”

Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean”, Johnny Depp, u bë aktorë i listës A në Hollywood pasi arriti të luaj role protagonist në disa filma me buxhet të lartë, por ai thotë se nuk e konsideron veten të famshëm sepse ky term i duket i çuditshëm.

“Më e rëndësishmja është se unë kurrë nuk e konsideroj veten të famshëm të hollywoodit. Ky titull më duket grotesk. Mua gjithmonë më kanë pëlqyer njerëzit të cilët luftojnë për të qenë vetvetja.”

Depp këtë deklaratë e bëri gjatë kohës sa po qëndron në Spanjë, ku po e ndjekë edicionin e fundit të festivalit të filmit San Sebastian, transmeton Koha. Atje, aktori po e promovon filmin e tij të ri dokumentar “Crock of Gold: A Few Rounds With Shane MacGowan”, ku vjen në rolin e producentit.

Ylli 57-vjeçar i kinematografisë i cili po ashtu është tejet i pasionuar pas muzikës, tutje ka treguar se është adhurues i madh i festivalit të përvitshëm në San Sebastian, pasi mendon që këtë ngjarje nuk e ndjekin shumë njerëz tipik të Hollywoodit.

“Ky festival gjithmonë ndiqet nga numri më i vogël i njerëzve tipik të hollywoodit. Mendoj se San Sebastian është me të vërtetë një festival dedikuar kinematografisë, filmbërësve dhe njerëzve që punojnë në realizimin e filmave, dhe kjo është një gjë e mrekullueshme”, citohet të ketë thënë aktori për portalin “Variety”.

Kohëve të fundi, Depp ka qenë shumë aktiv në luftën kundër racizmit në Amerikë. Ylli i filmave “Fantastic Beasts” ka premtuar se do të ndihmojë në përfundimin e racizmit sistematik, pas vdekjes së afrikano-amerikanit të paarmatosur, George Floyd, si dhe u ka bërë thirrje edhe të tjerëve të veprojnë njësoj duke mos heshtur karshi problemeve të këtilla. / KultPlus.com

Aktorët në Hollywood me fushatë për mbajtjen e maskës

Disa aktorë të njohur ofruan zërat e tyre në spote sensibilizuese për mbajtjen e maskës, rezultat i një iniciative të shtetit të Nju Jorkut, që do të publikohen në të gjithë vendin.

Fushata, e titulluar “Mask Up America” (Amerikë, vendos maskën tënde) u ndërmor nga guvernatori Andrew Cuomo, në partneritet me “Tribeca Enterprises’.

“Kur ju mbani një maskë, ju keni fituar respektin tim. Sepse maska juaj nuk ju mbron ju, jam unë që më mbron”, thotë komediani, Morgan Freeman, në një spot, transmeton KultPlus.

“Unë mbaj maskë për t’ju mbrojtur”, shton ai.

“Amerikanë, qëndroni të fortë ashtu si njujorkezët, mbani maskë”.

Shteti i Nju Jorkut ka qenë deri tani më i prekuri nga pandemia.

Në total, tetë spote janë realizuar nga regjisori i dy çmimeve Oscars, Kathryn Bigelow, me aktorët Robert De Niro, Jamie Foxx dhe Ellen Pompeo (Grey’s Anatomy).

Shumë prej tyre do të jenë të disponueshëm dhe në formatin audio.

Në fillim të korrikut, guvernatori demokrat i Miçiganit, Gretchen Whitmer, i kishte kërkuar qeverisë Trump fillimin e një fushate kombëtare sensibilizuese për mbajtjen e maskës, një kërkesë e mbetur pezull.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump vendosi për herë të parë maskë në publik, pasi kishte refuzuar për disa muaj vendosjen e një maske dhe ishte tallur me personalitete që ishin shfaqur me maskë. / KultPlus.com

Realizohet dokumentari për jetën e Helmut Newton, fotografit të preferuar të Hollywood-it

Helmut Newton ka qenë fotografi i preferuar i yjeve të Hollywood-it, duke vazhduar të mbes edhe sot e kësaj dite një ikonë, shkruan KultPlus.

Pas fotografive të sukseshme, aq provokative sa ai u quajt “mbreti i kink-ut” jeta e Helmut ishte përplot me drama, që nga ikja e tij prej Gjermanisë Naziste deri te vdekja e tij në Sunset Boulevard, raporton I-D.

“Helmut Newton The Bad and the Beautiful” quhet dokumentari me narracion nga regjisori Gero von Boehm, një mik i afërt i Helmut dhe natyrisht me fjalime nga subjektet e tij të preferuar, Grace Jones, Claudia Schiffer e Isabella Rossellini. / KultPlus.com

Hollywood me serial për “Haklajt” e Tropojës

Një serial i dedikuar ngjarjeve tragjike të Tropojës pritet të realizohet, ku protagonist kryesor do jetë Fatmir Haklaj dhe familja e tij.

Njoftimi është bërë nga organizata ndërkombëtare World Albanian Congress WACl, transmeton KultPlus.

Me katër seri, filmi i Hollywoodit me titull “HAKLAJ”, do të kushtojë 30 milionë dollarë, dhe do risjellë në vëmendje ngjarjet e viteve ’90-2000.

Projekti-film është ideuar dhe organizuar nga një regjisor suedezo-amerikan, si dhe nga një regjisor shqiptar i krahinës shqiptare të Kosovës.

Në rolin e Fatmir Haklaj të jetë Doktor Jurgen Malaj. Në këtë film do të marrin pjesë aktorë të shumtë shqiptarë nga disa treva shqiptare, si dhe mendohet të jetë një film, që do të lërë gjurmë të thella në historinë e Hollivud.

Në këto 4 seri pritet të tregohet realiteti i hidhur shqiptar i atyre viteve, luftën e përgjakshme për hakmarrje ndërmjet fiseve shqiptare të nxitur e nga politika.

Po kush është 30 vjeçari Jurgen Malaj?

Jurgen Malaj bën pjesë tek njerëzit më të besuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë, i cili kontribuon vazhdimisht në bashkëpunimin midis inteligjencës amerikane dhe asaj europiane.

Doktori shqiptar jeton dhe punon prej disa vitesh në Suedi, së bashku me familjen e tij. /noa.al/ KultPlus.com

Aktorja e parë që nënshkroi kontratë në Hollywood


Aktorja Mary Pickford më 24 qershor të vitit 1916, bëhet ylli i parë femër që nënshkroi kontratë miliona dollarëshe në Hollywood.

Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.

Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni. /KultPlus.com

Sa kanë ndryshuar aktorët e famshëm që nga fillimi i karrierës së tyre (FOTO)

Ashtu si secili nga ne, me kalimin e kohës, aktorët e famshëm të Hollywood-it duhet të përballen me ndryshimet e tyre në pamje.

Sidoqoftë, në krye të kësaj, në filmat e tyre mund të dëshmojmë edhe se si janë rritur si aktorë dhe si karriera e tyre ka evoluar për t’u bërë yjet që janë sot

Bright Side bëri një përmbledhje të të famshmëve në filmat e tyre të parë dhe më të fundit për të treguar se koha nuk ka kaluar më kot pasi shumica e tyre në të vërtetë kanë arritur të punojnë në projekte mjaft interesante.

1. Robert Pattinson

2. Brad Pitt

3. Sofia Vergara

4. Reese Witherspoon

5. Emma Stone

6. Scarlett Johansson

7. Margot Robbie

8. Andrew Garfield

9. Kristen Stewart

10. Morgan Freeman

11. Anne Hathaway

12. Johnny Depp

13. Tom Hanks

14. Keanu Reeves

15. Viola Davis

16. Amy Adams

17. Al Pacino

18. Charlize Theron

19. Robert De Niro

20. Renée Zellweger

Hollywood-i reagon ashpër për vrasjen e George Floyd

Emrat më të famshëm dhe më me ndikim në Amerikë po kërkojnë drejtësi për George Floyd.

Floyd, një burrë i zi 46 vjeçar, vdiq të hënën menjëherë pasi u arrestua për një akt jo të dhunshëm në Minneapolis. Videoja e arrestimit tregon një oficer të policisë me gjurin në qafën e Floyd ndërsa thotë se nuk mund të marrë frymë dhe lutet për ndihmë.

Që të katër oficerët janë larguar nga puna.

Tani, yje si Beyoncé, Halle Berry dhe John Boyega kanë reaguar në internet, ndërsa Whoopi Goldberg shprehu mendimin e saj në “The View”.

Më shumë yje ndanë pikëllimin dhe zemërimin e tyre, përfshirë regjisorin Ava DuVernay, i cili postoi këtë mesazh: “Ju merituat frymën tuaj, dinjitetin tuaj, jetën tuaj. Të mos vdisni në rrugë, të vrarë nga gjuri i një polici të bardhë në qafë. Ju meritoni lotët tanë, lutjet tona, zemërimin tonë. Ne duhet të veprojmë – për ju – dhe për të gjithë ata për të cilët nuk ka kamera rrotull. Ne duhet. #GeorgeFloyd “.

Lebron James postoi një foto të vetes në një bluzë me fjalët e George, “Unë nuk mund të marr frymë.”

Yje të tjerë si Madonna, Ariana Grande, Cardi B, Justin Bieber, Taylor Swift dënuan ashpër dhunën që rezultoi në vdekjen e Floyd, i vrarë mizorisht nga policia amerikane. Klan Kosova / KultPlus.com

Hollywoodi e merr seriozisht koronavirusin

Industria më e madhe e filmit në botë ka vendosur ta marrë më seriozisht rrezikun nga kjo sëmundje, dhe si pasojë po i anulon shumicën e premierave dhe lansimeve të projekteve kinematografike.

Në mesin e tyre janë edhe: “Mulan”, “Fast and Furious 9”, “The New Mutants”, “Antlers”, “A Quiet Place Part II”, “The Lovebirds”, “No Time to Die”, “Peter Rabbit 2” dhe të tjerë.

Të gjitha këto anulime janë të përkohshme, megjithëse ende nuk dihen data e sakta të lansimit të filmave të shumëpritur nga publiku, nëpër kinema. /KultPlus.com

Reperi amerikan 50 Cent, me Yll në rrugën e famshme të Hollywood-it

Rrugës së famshme të Los Angeles-it ‘’Hollywood Walk of Fame’’, tashmë i është shtuar edhe një Yll, ai i reperit të njohur amerikan, 50 Cent, shkruan KultPlus.

Me origjinë nga Nju Jorku, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson, ai ka qenë relativisht i tërhequr vitet e fundit nga bota e muzikës duke u përqendruar më shumë në biznes dhe në televizion.

Në ceremoni, ”50 Cent”, i cili mbizotëroi botën e muzikës rap në vitet 2000, falë imazhit të tij të trishtuar prej reperi ”gangsta”, u shoqërua veçanërisht nga producentët, mentorët dhe miqtë e tij Eminem dhe Dr. Dre.

Ylli i tij është i 2686-ti me radhë në bulevardin e famshëm kalifornian./ KultPlus.com

Vdiq regjisori i njohur i Hollywoodit

Kinematografia botërore ka marrë një lajm të hidhur. Regjisori i njohur, Robert Evans është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Vdekja e tij u konfirmua nga publicisti, Monique Moss dhe më pas nga familjarët e tij.

Kreu i studiove kinematografike të Hollywoodit gjatë viteve ‘70, u bë i njohur për publikun në filmat “Kumbara” dhe “Qyteti kinez”.

Evans njihet edhe si personi që shpëtoi “Paramount Studios” nga katastrofa, nëpërmjet shfaqjes së shumë filmave të suksesshëm, si edhe për mënyrën e tij të jashtëzakonshme të jetesës, karakterizuar nga shpenzimet e luksit, kokaina dhe shtatë martesa, përcjell Koha Jonë raportimet.

Ali McGraë, e cila u martua me Evans në 1969 para se ta linte atë për aktorin Steve McQueen, tha se ai do të “mbahet mend si një gjigant”. Në mesin e grave tjera me të cilat ishte i martuar Evans ishte edhe ylli i “Dinastisë”, Catherine Oxenberg, me të cilën ishte i martuar për dhjetë vjet. / KultPlus.com

Vdiq në moshën 20-vjeçare aktori Cameron Boyce

Boyce njihej si një ndër aktorët më të dashur, ka vdekur në moshën 20-vjeçare, aktori i njohur i Disney Channel, Cameron Boyce.

Një zëdhënës i Disney Channel e konfirmoi vdekjen e aktorit për CNN. Aktori i ndjerë njihet për rolin e tij në “Jessie”, storie rreth një vajze të re, që punonte si dado për një familje të pasur, kur u zhvendos në qytetin e New York-ut. Boyce ishte një nga fëmijët për të cilët ajo u përkujdes. Disney Channel i shprehu ngushëllime familjes, duke e kujtuar atë si një djalë shumë të talentuar dhe të sjellshëm. Boyce u lind dhe u rrit në Los Angeles./21Media/KultPlus.com

Filmi “Mommie Dearest” dhe abuzimi me fëmijë nga ylli i Hollywood-it

Filmi i viteve 1981 Mommie Dearest  i bazuar në kujtimet e ditarit të Joan Crawford, shpalos abuzimet e nënës së saj adoptuese, yllit të Hollywood-it Christina Crawford, ku nën ndikimin e alkoolit dhe substancave ë tjera, ushtronte dhunë në Joan-nën, duke e goditur, ofenduar me fjalë dhe detyruar që të pastronte e të gatuante.

Memoari i saj i jetës, në lidhje me kujtimet e abuzimit nga nëna e saj adoptuese, është ndoshta dëshmia e pare e dokumentuar e abuzimit me fëmijë.

Christina Crawford e adoptoi Joan Crawford në vitin 1940, por Joan në kujtimet e saj për Christinan paraqiten plotë dhunë dhe abuzime nga më të ndryshmet.

Mommie Dearest filmi i pare i këtij lloji, që dokumenton abuzimin e fëmijëve nga pikëpamja e një fëmije, ku ndryshoi rrënjësisht përfaqësimin e viktimave dhe ishte një pararendës i fuqishëm të drejtave të viktimave.

Joane, tashmë në të 80-tat, shprehet “Ajo duhej të ishte në burg, duke u akuzuar për vrasje në tentativë.”/ The Guardian/ KultPlus.com

Aktorja e parë që nënshkroi kontratë në Hollywood

Aktorja Mary Pickford më 24 qershor të vitit 1916, bëhet ylli i parë femër që nënshkruan kontratë milionë dollarëshe në Hollywood.

Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.

Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni. / Insajderi / KultPlus.com

Fotografi shqiptar që fotografoi Pikason, Salvador Dalinë dhe yjet e Hollivudit

Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.

Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.

Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në  Rumani, duke ndjekur  kolegjin kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923, Mili emigroi drejt SHBA-ve.

Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf.

Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.

Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.

Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski.

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit.

Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984./KultPlus.com

Filmi i ri i Tarantinos garues për Palmën e Artë

Filmi i ri i regjisorit Quentin Tarantino ”Once Upon a Time.. in Hollywood” me Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt do të jetë në garën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit të këtij viti në Kanë, thanë organizatorët sot.

Përfaqësuesi i festivalit, Thierry Fremo, tha në një deklaratë se kishin frikë se filmi i Tarantinos do të lirohej në kinema deri në fund të korrikut dhe se nuk do të ishte gati për festival, por që Tarantino nuk doli nga montimi për katër muaj dhe se si një “fëmijë i vërtetë i Kanës” do të jetë atje.

Organizatorët kanë shtuar edhe shtatë filma në konkurrencën zyrtare, por ata nuk do të jenë në garë për Palmën e Artë./KultPlus.com