Performanca artistike “MuSiNe”, homazh për zërat e mbytur prej diktaturës

“Ditët e Kujtesës ’24” erdhën me një performancë artistike në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, frymëzuar nga jeta dhe vepra e qëndrestarëve të diktaturës, si Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Sabiha Kasimati, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Uran Kostreci, etj.

Performanca e titulluar “MuSiNe”, u realizua nga studentët e Klubit të Dramës, departamenti i Letërsisë (UT), me kuratore Erestina Gjergji Halilin dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Shfaqja ishte një homazh në përkujtim të atyre që patën guximin dhe kurajon të kundërshtonin regjimin diktatorial në Shqipëri.

Performanca artistike frymëzuese në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” solli me gjallëri zërat dikur të mbytur, duke demonstruar fuqinë e artit dhe këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë.

Muzeu “Shtëpia me gjethe” e konsideroi këtë performancë më shumë se një shfaqje, një udhëtim të thellë nëpër histori, duke u bërë homazh atyre që luftuan me guxim për lirinë dhe të vërtetën.

Performancë artistike. Fotot nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Agim Vinca: Nga Kasaj në Parnas, homazh për Hamit Aliajn

Homazh për Hamit Aliajn (1954-2023)

Nga: Agim Vinca

Hamit Aliaj lindi në Kasaj të Tropojës, fshat që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Në këtë fshat u rrit djaloshi që do të shkruante vargjet më të bukura, më tronditëse, për ndarjen tragjike të trojeve shqiptare. Kur ai erdhi në këtë botë, një ditë vjeshte të vitit 1954, shqiptarët kishin vite që nuk mund të shkonin më te njëri-tjetri për shkak të këtij kufiri absurd. As në dasmë, as në mort, as në gëzim e as në hidhërim. Vetëm zogjtë e malit guxonin ta kalonin atë vijë tragjike që ndante njerëzit e një gjaku. Kjo padrejtësi shekullore, ky absurditet i historisë, do të bëhet lajtmotiv i vargjeve të poetit, i cili, qysh në fillim, shpallte botërisht: “Bjeshkët janë mbiemri im”. (Ky është titulli i librit të parë të Hamit Aliajt, të cilin e botoi kur ishte njëzet vjeç). Edhe poetë të tjerë shqiptarë, këndej e andej kufirit, në Kosovë e në Shqipëri, në Jug e në Veri, e kanë trajtuar këtë temë: temën e ndarjes tragjike të trojeve shqiptare, por pothuajse askush si djaloshi nga Kasaj, që e kishte shtëpinë “pesëqind metra larg dhimbjes”. “Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,/ në Veri e kam,/ pesëqind metra larg dhimbjes,/ piramida 6 përballë”. Ç’figurë e gjetur e domethënëse! Këtu, në Veri, pranë gurit kufitar, lindi dhe u rrit poeti; këtu u përkund në djep dhe këtu do ta ketë edhe banesën e fundit. (Hamit Aliaj u varros këto ditë me nderime në vendlindje).
Teoria e mjedisit si koncept teorik është e kapërcyer, por as kritika moderne nuk e mohon rolin e vendlindjes dhe të fëmijërisë në formimin shpirtëror të krijuesit.
Hamiti e kaloi fëmijërinë në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke e zakone, ku këngët dhe legjendat e moçme ishin akoma rit i mbrëmjeve. Rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve të barinjve që çdo verë ua mësynin bjeshkëve të Shkëlzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pa fund me vargje të bardha… Ky ishte sfondi ku poeti filloi të thurte vargjet e para në fletoret shkollore, që i fshihte nga sytë e të tjerëve… Nëna e tij, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja e tij më e madhe. Ajo i dha të birit jo vetëm dashuri prej nëne, por i mëkoi edhe shpirtin artistik…Vendosja e fshatit të tij të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijëra vjet larg, kur shikoje gardhin e përshkuar nga korenti vdekjeprurës, ka qënë një dhembje e gjatë, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që e vuante paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut, thuhet në një shënim të shkruar me gjasë nga vetë autori ose nga ndonjëri nga miqtë e tij letrarë.
Ky është kufiri i parë nga ajo anë. Po nga kjo anë?
Në një takim letrar në Pogradec, vite më parë, pata thënë: “Tërë jetën e kemi soditur nga larg këtë qytet, jemi orvatur më kot ta rrokim me shikim, duke i marrë mëri sytë tanë që s’kishin forcë të shihnin përtej, në anën tjetër të masivit ujor të quajtur Liqeni i Ohrit. Vështrimi ynë nga brigjet e Strugës arrinte shumë-shumë deri te Lini i futur si hundë në liqen. Nga Struga Pogradeci nuk mund të shihej, por vetëm mund të merrej me mend, kurse kënaqësinë e të soditurit të konturave të tij e përjetonim kur shkonim në të rrallë në Shën Naum. Nga bedenat e manastirit të lashtë, ku murgj dhe policë rrinin bashkë, e shikonim tinëz, me mall, qytetin që ishte aq afër dhe aq larg njëkohësisht. Ky është Pogradeci i djalërisë sime. Pogradeci im i dikurshëm. I papërsëritshëm”.
Treva nga e cila vjen Hamit Aliaj dhe një varg poetësh të tjerë të talentuar (Anton /Ndoc Papleka, Besnik Mustafaj, Buçpapajt Mujo e Skënder e shumë të tjerë) quhet ndryshe “Malësi e Gjakovës”. Malësorët e fshatrave të Tropojës pazarin e bënin në Gjakovë, ku zbrisnin për të shitur e blerë, por edhe për të lidhur miqësi e krushqi, derisa ky qytet shqiptar nuk iu shkëput Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me shumë qytete e fshatra të tjera të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo kanë shkruar vargje pikante për “Vitin 13”, që në letërsinë shqipe ka marrë përmasat e një figure topike (toposi i ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut), por Hamiti i ka shkuar deri në fund këtij motivi, duke e shtrydhur fjalën “derisa gjak t’pikojë”, siç do të thoshte Azem Shkreli.
Te poema e tij e jashtëzakonshme, por e pavënë re, Zeka i Zi, me të cilën mbyllet libri Lotin nuk ta fal, lexojmë vargjet: “E kemi parë Zekën e Zi,/ me kokë nën sqetull rend./ E lë kokën në një lis/ e lisi shqip flet, / e lë kokën në një gur / e guri flet si njeri, / e lë kokën në një re/ e reja vetëton,/ ia lë kokën tokës,/ toka rend, vrapon”, për ta përmbyllur frazën me një figurë shumë të përhapur në letërsinë shqipe, nga Barleti e gjer tek Kadare, atë të ndarjes së kokës nga trupi: “Koka në bjeshkë, trupi në det”.
E krijuar në një periudhë gjysmëshekullore dhe e shpërndarë në shtatë vëllime (Bjeshkët janë mbiemri im, Një vend e ruaj për ty, Lotin nuk ta fal, Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe E hëna e përtejbotës, ky i fundit me haiku), poezia e Hamit Aliajt është homogjene për nga përmbajtja dhe pothuajse e nivelizuar për nga vlera.
Hamit Aliaj është pa dyshim një nga krijuesit më të talentuar të brezit të vet. I veçantë me botën e interesimeve tematike, ai është i veçantë edhe me shprehjen dhe sintaksën poetike. Në poezinë e tij shkrihen natyrshëm rrëfimi dhe lirizmi, figura dhe mendimi, toni epik dhe elegjiak. Me një qartësi e thellësi të lakmueshme, që rrallë haset tek i njëjti poet, ai i flet lexuesit për të vërtetat jetësore dhe paradokset e historisë.
Rexhep Qosja, në një intervistë dhënë shtypit shqiptar, e pati quajtur Hamit Aliajn “poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror” dhe “që do ta nderonte çdo letërsi evropiane”. Fqinj me Hamitin për nga vendlindja, profesor Qosja shquan “mendimin subtil, pamjet krijuese dhe figurat befasuese” si veçori të stilit të tij. Këtyre karakteristikave, u duhet shtuar edhe imagjinatën e pasur, origjinalitetin e shprehjes dhe aftësinë për të depërtuar në thelbin e fenomeneve të jetës.
Subjekti lirik i kësaj poezie bredh lirshëm nëpër kohë e vende, nga Ballkani në Evropë, nga antika në kohët moderne, nga Albanopoli në Fushë Kosovë, për t’u kthyer sërish te shtëpia e tij “pesëqind metra larg dhimbjes”.
Hamit Aliaj do të mbahet mend edhe si krijues tekstesh për këngë. Shkroi shumë të tilla, por disa prej tyre janë bërë pjesë e kujtesës kolektive. Me këngën e tij “N’Dardani bjen nji tupan” studentët e Prishtinës dilnin në demonstratë. Ata ishin krushqit e lirisë së Kosovës, që do të vinte me shumë mund e sakrifica. Edhe Hamiti ka dhënë kontributin e vet për këtë ditë, sepse nuk luftohet vetëm me armë, por edhe me art. Pas çlirimit të Kosovës do t’i bëhet e mundur të vinte për herë të parë në Gjakovë, aty ku të parët e tij dikur vinin për çdo javë. “Njëqind vjet për të mbërritur tek ti…/ Jam më i pasuri mbi dhe:/ Kam timen këtë natë/ Që ndan mijëvjeçarët” – thuhet në poezinë Nata e parë në Gjakovë, shkruar në vitin 1999. Ndien gëzim për këtë takim, por edhe dhimbje e trishtim për krimet që janë bërë në Kosovë, krime para të cilave do të trishtohej edhe vetë Shekspiri: “Ju lutem, mos m’i thoni gjë Shekspirit/ se i djeg librat e tij”.
Ndryshe nga shumica e kolegëve të tij poetë, Hamit Aliaj e krijoi veprën e vet në heshtje. Ai nuk ishte poet i çmimeve e promovimeve, as i ekraneve e portaleve, por krijues vargjesh të denja për çdo antologji, që shpresojmë të mbijetojnë edhe në këtë katrahurë vlerash e kriteresh.
Hamit Aliaj e nisi udhëtimin e tij nga fshati i lindjes për t’u bërë banor i Parnasit shqiptar. Rruga drejt majave të artit nuk është e lehtë. Ajo është e gjatë dhe e vështirë edhe kur nisesh nga ndonjë metropol e botës, se jo më nga një fshat i vogël mes malesh. Shikuar nga ky aspekt Hamit Aliaj mund të quhet një sfidues i madh. Përgjithësisht i tërhequr në jetë, ai guxoi si poet. Kërkoi hapësira të reja shprehëse, duke i mbetur besnik formimit të vet shpirtëror, që i ka rrënjët te tradita e vendlindjes dhe filozofia e njerëzve të saj.
Dy-tre librat e tij të fundit (Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe Hëna e përtej botës), të botuar në periudhën 1997-2017, tregojnë se Hamiti i ndiqte trendet e reja të poezisë në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, por pa rënë në grackën e snobizmit dhe të epigonizmit. Vërtet që këta libra sjellin diçka të re në konceptimin e vargut (herë-herë deri te poezia e tipit vizual), mirëpo libri i tij më i mirë, më homogjen dhe, madje, edhe më modern mbetet vëllimi Lotin nuk ta fal, i botuar në kapërcyell të dy epokave, në vitin 1990 shtëpia botuese “Naim Frashëri” (në 2000 kopje).
Në antologjinë Muza e Mëmëdheut (Njëqind poetë për Atdheun), botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Hamiti prezantohet me poezinë Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes, vargjet e së cilës janë vënë edhe në kopertinën e mbrapme të librit.

Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,
në Veri e kam, pesëqind metra larg dhimbjes,
piramida 6 përballë.

Miqtë e mi të letrave kanë surpriza të zymta
kur më vizitojnë,
dil nga legjendat, më thonë kritikët, po ç’të bëj:
ashtu real, jashtë çdo fantazimi,
i marr për dore dhe ua prezantoj
vitin ’13, çunak të përgjakur.

Ç’të bëj. Toka ime s’ka klithur kurrë në qiell,
klithmat i ka lënë në gurë e në drurë,
në një djep klithmash jam rritur,
dhe themelet e shtëpisë klithma i kam
pesëqind metra nga piramida 6.

Gjumin s’e kam pasur kurrë të qetë:
rënkon toka pranë shtëpisë sime në Kasaj
nga prerja e madhe e vitit trembëdhjetë.

Net për net më duhet
të zgjohem nga britma fëmijësh të prapë,
të dal jashtë, t’i kap për veshi,
Bismarkun, Lord Grejin, Bikonsfildin,
kral Pjetrin, Nikollën, Çubrilloviqin
e më të rinj që emrin s’po ua them,
në gjuhë të ndryshme shahen ndyrë,
zihen si rrugaçë
aty te piramida 6.

… Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes
pranë një meridiani të këputur e kam,
të tjerat merren me mend.

Vargu i fundit: “të tjerat merren me mend” e lë të hapur kuptimin e tekstit, që nxit asociacione e përsiatje nga më të ndryshmet.
Dikush profetizonte se shqiptarët do të bashkoheshin në vitin 2012; të tjerë thonë se do të bëhemi bashkë në BE, por ka edhe të tillë që nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Çka s’ka ndër ne! Por, për fat, ka edhe poetë si Hamit Aliaj i Tropojës, si Agim Spahiu i Kukësit e Visar Zhiti i Lushnjës (dhe i burgut) e dhjetëra të tjerë anekënd Shqiptarisë, që kanë kënduar me frymëzim të vërtetë, bukur e dhimbshëm, për dramën e ndarjes dhe ëndrrën e bashkimit. Moikom Zeqo e quante “Ribërja e Atdheut”. Nga demiurgët De Radë e Naim e këndej, vazhdon kjo “ribërje”. Dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Hamit Aliaj

Homazh për kujtesën kolektive do të shfaqet në një ekspozitë artistike nga Arianit Beqiri

Uranik Emini

Një ekspozitë arti ndihmon për të sjellë në realitet ato emocione të fshehura në thelbin e shpirtit, përpara njerëzve që i admirojnë dhe i kuptojnë ato. Pra, në thelb, arti i paraqitur në një ekspozitë është një mënyrë komunikimi për të shprehur emocionet e ndjenjat në një mënyrë tjetër, shkruan KultPlus.

Pas një vepre arti të varur në muret e një shtëpie, ka një rrugë, një histori. Një afat kohor që fillon me konceptimin e artistit dhe përfundon me vendimin e galerisë për ta ekspozuar dhe për ta parë publiku.

Një gjë të tillë do ta bëjë edhe artisti nga Kosova, Arianit Beqiri, i cili do të mbajë një ekspozitë personale në Hamburg të Gjermanisë, ku do të prezantojë 9 punime në “Atelier so & Hamburg Kunstgalerie” më 23 shtator.

Beqiri, në një intervistë për KultPlus, ka dhënë detaje të reja sa i përket ekspozitës së tij dhe me temën që ai do të paraqitet aty.

“Mbase nuk mund të vërejmë objekte e kujtime përreth nesh asnjëherë deri atëherë kur ato nuk janë më mes nesh”.

Më tej ai bën të ditur se do të prezantohet me 5 piktura dhe 4 instalacione, ndërsa do të ketë vepra që në thelb flasin për homazhin ndaj kujtesës kolektive.

“Do të ketë piktura dhe instalacione. Janë gjithësej 5 piktura dhe 4 instalacione. Homazh për memorien kolektive. Për atë që na krijon kujtime e ndjenja. Homazh për objektet që na kanë krijuar kujtime e që dora e neoliberalizmit i ka shkatërruar. Homazh për traditat tona që i komercializuam. Homazh për traditat tona që i shitëm për hekër. Homazh për shkatërrimin e qyteteve tona nga ndërtimet paleje”.

Beqiri bën të ditur se kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një muaj dhe të gjithë të interesuarit për blerjen e veprave të tij mund ta bëjnë këtë.

Edgar Degas ka thënë se arti nuk është ajo që shihni, por ajo që shohin të tjerët, njësoj po pret edhe Beqiri për të gjithë vizitorët në këtë ekspozitë, të shohin të gjithë punën e veprat e tij nga afër. /KultPlus.com

“Dritë…për nesër”, koncerti homazh për viktimat e COVID-19 në Shqipëri

“Dritë…për nesër” titullohej koncerti homazh i organizuar mbrëmjen e djeshme nga bashkia e Tiranës për viktimat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri.

E ftuar e veçantë në këtë koncert ishte sopranoja e mirënjohur Linda Kazani, por dhe emra të tjerë të muzikës operistike, si sopranot Marina Kurti, Elira Hoxha e Anita Kerhani, si dhe dy baritonët Artur Vera dhe Erjon Sherri, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e këtij Universiteti.

Sheshi përpara Universitetit të Arteve u ndriçua nga qirinjtë në nder të të gjithë atyre që kanë humbur jetën nga sëmundja që ka prekur mbarë globin.

Që në muajin mars, kur u shënua rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë, deri ditën e sotme e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës 493 persona. /atsh/ KultPlus.com

Mirela Kumbaro për Kasëm Trebeshinen: Njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë (FOTO)

Shkrimtari Kasëm Trebeshina i cili ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare po vazhdon të kujtohet nga fytyrat publike në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Një homazh, me plotë fjalë të mëdha, ka bërë edhe ministrja e kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro e cila ka thënë se shkrimtari Trebeshina ishte i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultas veprat e artit.

“Homazh për Kasem Trebeshinen!
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar.
Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës.
Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë ne Paris në teatrin e Shkolles së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”.
Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris.
Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultaz veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng të cilit ia njihte fort mirë historinë.
Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë”, ka shkruar Kumbaro në rrjetin e saj social Facebook.


Prej disa vitesh Trebeshina jetonte në Ankara të Turqisë. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur dje në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit tek varrezat e Tiranës./ KultPlus.com