Poezi e shkruar nga Jules Supervielle.
Është bukur të kesh zgjedhur
Një banesë të gjallë
Dhe ta strehosh kohën
Në një zemër të vazhduar,
Dhe t’ia kesh parë duart
Duke u shtrirë mbi botën
Si një mollë
Në një bashtinë të vogël,
Ta kesh dashur tokën,
Hënën dhe diellin,
Si njerëz të familjes
Që s’kanë një të dytë,
Dhe t’ia kesh besuar
Botës kujtesën tënde
Si një kavalier drite
Në shalën e zezë,
T’iu kesh dhënë fytyrë
Këtyre fjalëve : grua, fëmijë,
Dhe shërbyer si breg
Për kontinente endacakë,
Dhe ta kesh cekur shpirtin
Me lëvizje të vogla rremash
Për të mos e trembur
Me një qasje të beftë.
Është bukur të kesh njohur
Hijen nën gjethnajë
Dhe ta kesh ndjerë moshën
Që zvarritet mbi trupin e zhveshur,
Ta kesh shoqëruar mundimin
E gjakut të zi në dejet tona
Dhe praruar heshtjen
Me yllin Durim,
Dhe t’i kesh tërë këto fjalë
Që lëvizin në kokë,
E të zgjedhësh më pak të bukurat
Për t’iu bërë një festë të vogël,
Të kesh ndjerë jetën
Të ngutur e të pa dashur
E ta kesh mbyllur
Në këtë poezi.