Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta në nderim të dëshmorit Agron Rrahmani, në përvjetorin e rënies së tij heroike.

“U përkujtua maji i vitit 1998, kur brenda gjashtë ditësh, rezistenca e armatosur për çlirimin e Kosovës mori goditje të rënda nga humbja e Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit. Bahriu u vra më 7 maj, Iliri më 9 maj, kurse Agroni më 12 maj. Sot u bënë nderime në 26 -vjetorin e rënies së Agron Rrahmanit, i cili u vra në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, më 12 maj 1998”, kujtoi Kurti.

Për ta përkujtuar Agron Rrahmanin, kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku janë pranë njëri-tjetrit edhe varret e bashkëluftëtarëve.

“Lavdi dëshmorit Agron Rrahmani, i rënë për lirinë e Kosovës bashkë me shokët dëshmorë, Bahri Fazliun dhe Ilir Konushevcin”, tha  Kurti.

Kryeministri Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat

Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.

Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.

Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.

Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.

Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor,  kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.

Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Vajza e Mirush Kabashit: E deshti jetën e skenën deri në fund!

“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë!” Kështu do e kujtojë vajza e tij aktorin e njohur Mirush Kabashi.

Në një intervistë për Report Tv, Mendi Kabashi tregon përkushtimin e të atit për skenën e shenjtë dhe publikun

“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”.

Si ishte Mirush Kabashi si baba?
“Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. “Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte. Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë’ tha Mendi Kabashi.

Sot u mbajtën homazhe për artistin Mirush Kabashi, i cili u shua dje në moshën 75-vjeçare/shqiptarja.com/KultPlus.com

Marin Mema thërret shqiptarët në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë: Do t’i bëjmë homazhe policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë

Gazetari i njohur nga Shqipëria Marin Mema, ka bërë një thirrje për të gjithë shqiptarët.

Sonte nga ora 19:00, ai ka thirrur të gjithë që të dalin tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë.

“Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra! Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai në Facebook.

“Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit ! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, ka shkruar Mema. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë

Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Komunës së Skenderajt.

Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kryeministri Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.

“Sot kujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh Kryeministri.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.​/21Media/KultPlus.com

26 vite pa Zahir Pajazitin, krerët e vendit bëjnë homazhe të përmendorja e tij në Prishtinë

Sot janë bërë 26 vite pa Zahir Pajazitin, njërin ndër komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), shkruan KultPlus.

Pajaziti lindi më 1 Nëntor 1962 në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës dhe ra dëshmorë më 31 Janar 1997 në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, pasi ra në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Ai njihet si Pushka e Parë e Lirisë dhe pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Sot, në këtë përvjetorë të 26-të, në sheshin që mban emrin e tij, presidentja e vendit dhe kryeministri bashkë me ministra të tjerë, kanë bërë homazhe te përmendorja e tij në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se veprat e heronjëve si Zahiri, Hakifi Zejnullahur e Edmond Hoxhës, janë shumë të rëndësishme për lirinë, shtetin dhe pavarësinë e vendit tonë.

“Në sheshin që mbanë emrin e tij, në Prishtinë bëmë homazhe para përmendores së komandantit Zahir Pajaziti.

Në 26 vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani Sadriu dhe me Zëvendëskryeministren e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, me ministra të Qeverisë sonë e deputetë të Kuvendit, përkujtuam veprën e tyre për lirinë, për shtetin dhe për pavarësinë tonë.

Lavdi të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të popullit tonë!”, shkruan Kurti. / KultPlus.com

Nderohet jeta dhe vepra e akademikes Edi Shukriu, vlerësohet si ikonë e kombit shqiptar

Jeta Zymberi

Kosova dje mbeti pa një prej figurave më të rëndësishme të kombit. Akademikja, arkeologia, historiania, poetja e profesoresha Edi Shukriu sot “u përshëndet” për herë të fundit me familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e deshën e e respektuan për veprimtarinë e pazëvendësueshme e për njeriun që ishte, shkruan KultPlus.

Vendi ku ajo ka kaluar shumë ditë të jetës së saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u bë hapësira ku për herë të fundit po mirëpriste Edin Shukriu.

Një intelektuale, arkeologe dhe historiane e njohur, Edi Shukriu dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë nëpërmjet kërkimit të saj novator dhe botimeve të shumta. Ajo u respektua gjerësisht për ekspertizën e saj në qytetërimet e lashta dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e vendeve dhe objekteve historike.

Puna e madhe dhe përkushtimi, Edin e çoi në shumë vende të botës, ku kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo ishte një mësuese dhe mentore e përkushtuar për shumë studentë dhe arkeologë të rinj, të cilëve do t’u mungojë shumë udhëzimi dhe mençuria e saj.

Vdekja e Edi Shukriut është një humbje e madhe për komunitetin akademik dhe për botën e arkeologjisë, dhe jo vetëm. Ajo do të mbahet mend si një studiuese e shkëlqyer dhe një avokate e pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Për të nderuar veprën e saj, AShAK sot mbajti mbledhje komemorative në nderim të kësaj figurë të rëndësishme dhe më pas po në këto ambiente u mbajtën edhe homazhe.

Salla ishte mbushur përplot më akademikë, familjarë, miq e artistë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Edi Shukriut.

Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja mori fjalën para të pranishmëve i cili tha se kujtimi për Shukriun do të jetë i përhershëm, duke shtuar se ajo do t’u mungojë të gjithëve.

“Edi Shukriu do të lë një vend të zbrazët. Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe, historiane të shkëlqyeshme, profesoreshë universitare e poete. Edi do t’u mungojë të gjithëve edhe atyre që e deshën dhe atyre që nuk e deshën. Por të jetojë mes nesh respekti dhe vepra e saj”, u shpreh Kraja.

Pas Krajës, fjalën e mori Gjyljeta Mushkolaj – sekretare e seksionit të Shkencave Shoqërore e cila u shpreh se me dhimbje dhe pikëllim të madh janë mbledhur për të kujtuar veprën e gruas të parë të Akademisë së Shkencave.

Biografia e gjatë dhe e jashtëzakonshme për Edi Shukriun u dëgjua me vëmendje nga të pranishmit e të jepte përshtypjen se po flitej për veprimtarinë e një grupi njerëzish e jo për një grua të vetme që kontributi i saj në shumë sfera e bëjnë një figurë unike.

Për të folur për një aspekt tjetër të Edit, tutje fjalën e mori Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, e cila në emër të familjes tha se ndihen të nderuar me pjesëmarrjen e kaq shumë miqve në përkujtimin e saj.

“Faleminderit që jeni sot këtu të ndani dhimbjen me ne. Falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që po e bëjmë këtë ditë më të lehtë për ne. Për veprimtarinë shkencore dhe profesionale të Edit, për përkushtimin e saj në fushën e arkeologjisë e të historisë, folën kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj. Si për të gjithë shoqërinë, edhe për ne, Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj. Përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëfortë për emancipim e barazi, mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, u shpreh Valtida.

Pas këtyre fjalëve, të pranishmit u shpërndanë e shumë prej tyre po prisnin në ambientet e Akademisë për të bërë homazhe të cilat prisnin të fillonin pas pak. Gjatë këtyre minutave, për KultPlus ndau disa fjalë edhe politikania e njohur Edita Tahiri, njëherit mike dhe bashkëpunëtore e ngushtë me Edi Shukriun.

“Edi Shukriu ishte dhe mbetet ikonë e kombit shqiptar. Gjithë veprimtarinë ka synuar cilësinë prandaj edhe ka shkëlqyer në çdo aspekt, si atë kombëtar, akademikë, politik, diplomatik e letrar. Ishte një luftëtare e vendosur, jo vetëm patriote, ishte një shtyllë e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe pavarësi. Unë e kisha mike të madhe të jetës por edhe bashkëpunëtore në të gjitha angazhimet e mija. Njihet edhe për luftën e saj për barazi gjinore. Në fund dua të them se Edi do të jetë udhërrëfyese për të gjithë gjeneratat e ardhshme. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, ajo ka lënë trashëgimi dhe gjeneratat e reja do të frymëzohen dhe do të marrin shembuj nga veprimtaria e saj”, u shpreh Tahiri.

Ndërkohë Don Lush Gjergji e vlerëson humbje të madhe vdekjen e Edi Shukriut, një grua shumëdimensionale e cila la gjurmë në shumë fusha, shpesh herë duke qenë edhe nismëtare e themelimit të disa prej institucioneve kulturore e shkencore, sikurse edhe nismëtare e shumë kauzave.

“Është humbje e madhe, po na ikin njerëz të mëdhenj, një brez po na shkon, e me këtë humbje po na shkëputet edhe zinxhiri. Më e keqja që hallkat e këtij zinxhiri nuk po kem kujt t’ia dorëzojmë, na kanë mbet hallkat në dorë”, tha Gjergji.

Kur homazhet nisën, ambientet e Akademisë së Shkencave ishin përplot njerëz që kishin ardhur ta nderojnë figurën e Edi Shukriut. Nën shoqërimin e tingujve muzikorë dhe leximin e poezive, Edit po i jepej lamtumira e fundit e dhimbja po vërehej në secilën fytyrë që dilte nga salla.

Edi Shukriu vdiq të martën në moshën 73 vjeçare, përderisa varrimi do të bëhet sot, e mërkure në varrezat në Prizren. / KultPlus.com

Homazhe për kineastin Kristaq Dhamo në Universitetin e Arteve

Regjisorit Kristaq Dhamo i është dhënë lamtumira me homazhet e kryera sot në hollin e Universitetit të Arteve.

“Lamtumirë Kristaq Dhamo! Vepra e tij do të mbetet gjithmonë me ne”, shkruan ministrja e Kulturës, Margariti, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Ministrja e Kulturës, artistë e artdashës, kanë qenë të pranishëm në hollin e Universitetit të Arteve për t’i bërë regjisorit, nderimet e fundit.

“E lehtësuar që mundëm të plotësonim amanetin e tij për t’u prehur në Shqipëri e t’i shprehnim mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar në kinematografinë e pedagogjinë shqiptare”, u shpreh Margariti.

Kristaq Dhamo ishte regjisori që sfidoi kohën, që guxoi i pari të lundronte në botën e madhe të filmit artistik me metrazh të gjatë, pedagog i brezave të tërë kineastësh, të cilët do të përcjellin këshillat e tij edhe tek më të rinjtë.

Kristaq Dhamo u nda nga jeta më 14 gusht 2022, në moshën 89-vjeçare. /atsh / KultPlus.com

Kurti bën homazhe te lapidari i dëshmorëve të familjes Lleshi nga Gjakova

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bëri homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 24-vjetorit të rënies së tyre për atdhe.

Kryeministri Kurti tha se në luftën çlirimtare ranë katër dëshmorë të familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës. Marku e Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit dhe Prendi e Mema më 28 janar 1999 në betejën e Godenit.

“I përkujtuam me nderim e krenari në 24-vjetorin e tyre, të gjakut të tyre që u bë liria jonë. Lokja Hanë dhe Gega na prinin në homazhet e sotme te varri i tyre dhe lapidari tempull me katër shtylla”, u shpreh ai.

Derisa kujtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se para një çerek shekulli UÇK-ja organizoi popullin në kryengritje kundër pushtuesit dhe okupatorit serb i cili kreu gjenocid në Kosovë.

Siç shtoi kryeministri më tej, agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, tha në fund kryeministri Kurti. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti në homazhe për Vjosa Berishën: Kujtimet për të mbeten të pashlyeshme

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar të mbahen homazhet për producenten Vjosa Berisha, shkruan KultPlus.

Shumë fytyra të njohura nga fusha e artit, kulturës, politikës dhe jo vetëm, po vijnë ta nderojnë producenten e cila vdiq pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, bënë homazhe në TKK për të nderuar producenten e njohur.

Kryeministri Kurti u shpreh se kujtimet për Vjosën do të mbeten të pashlyeshme dhe se Prishtina ka mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne.

“Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores, Vjosa Berisha, kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë. Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne. Përfshirë kështu filmat në të cilët punoj dhe festivalit PriFest, që u bë një vend ku ne takonim artistë dhe aktorë të famshëm nga bota të cilët edhe vizitonin Kosovën por njëkohësisht kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën botërore. Me dhembje të madhe, me pikëllim, por njëkohësisht edhe me krenari për kontributin që ka dhënë, e kujtojmë me shumë nderim artisten dhe producenten Vjosa Berisha”, u shpreh Kurti.

Ndërsa kryeparlamentari Konjufca, tha se Berisha ka lënë prapa një trashëgimi të çmueshme të kulturës dhe artit.

“Vjosa Berisha ka lënë mbrapa një trashëgimi shumë të çmueshme të kulturës dhe artit. Ajo ka qenë edhe producente e filmit edhe regjisore, por mbi të gjitha ka qenë ambasadore e shquar e kulturës dhe artit tonë në botë. Përveç kësaj nuk duhet të harrojmë që ajo ishte edhe një aktiviste që i ndihmoi shumë shtetit të Kosovës. Veprimtaria e saj nuk ka qenë vetëm artistike dhe kulturore por duke qenë e tillë ajo gjithmonë fliste për Kosovën dhe mundohej të kontribuonte në ndërtimin e imazhit të  mirë të vendit tonë. Si e tillë ajo do të kujtohet gjithmonë”, u shpreh Konjufca.

Pas homazheve, në ora 15:00 do të mbahet mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Mbahen homazhe për ish boksierin e ndjerë, Xhevdet Peci, vlerësohet lartë figura e tij

Sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nën organizimin e Ministrisë së Sportit, janë mbajtur homazhe për ish boksierin, Xhevdet Peci.

Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendësministrja Daulina Osmani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, drejtues të federatës së boksit, familjarë, ish boksierë të gjeneratës dhe miq të boksierit të ndjerë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në fjalën e tij e vlerësoi lartë figurën e ish boksierit ndërsa u shpreh që ai do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë me krenari.

Kurse ministri Çeku ndër të tjera tha që sot është një ditë shumë e vështirë për të gjithë pasi Xhevdet Peci ka qenë një prej figurave qendrore të sportit në Kosovë dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë ndërsa shtoi që veprimtaria e tij do të kujtohet gjithmonë. / KultPlus.com

Nesër mbahen homazhe dhe komemoracion për ish-boksierin Xhevdet Peci

Në përkujtim të ish-boksierit Xhevdet Peci, nesër më 12 maj, do të bëhen homazhe për të nderuar figurën e tij.

Homazhet do të mbahen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, prej orës 9:00 deri në 12:00.

Ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 16:30, në fshatin Zhazhë në Komunën e Mitrovicës.

Gjithashtu, nesër, ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ish-boksierin Xhevdet Peci në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë. / KultPlus.com

Kurti bën homazhe për regjisoren Berisha: Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë

Në hollin e Teatrit Kombëtar homazhe për regjisoren e ndjerë, Burbuqe Berisha, kanë bërë së fundmi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kurti në fjalimin para medieve ka lartësuar figurën e ish-drejtoreshës së TKK-së duke thënë se puna dhe veprat e saj kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë.

“Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë dhe që kontribuoi gjithë jetën që t’ia japim lamtumirën e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Qysh në kohën e okupimit të serbisë e deri në ditët e fundit Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë”.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës bën kujtimin tonë për të pashlyeshëm por ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj. Kam pasur fatin shpesh ta takoj të rrimë bashkë e të diskutojmë bashkë për artin e kulturën për filmat tek ne e në botë dhe ajo nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar, por edhe e angazhuar që i ka ndihmuar të tjerët e në debatet për të cilët ka marrë pjesë ka kontribuuar edhe në artistët e tjerë para dhe pas saj. E kujtojmë me nderime e me mall Burbuqe Berishën të cilën vdekja na e rrëmbeu para kohe por asnjëherë nuk do të mund të na marrë mbresat e fuqishme që i la tek ne me jetën dhe veprën e saj”, ka thënë ai. /telegrafi/ KultPlus.com

Nisin homazhet për regjisoren e ndjerë Burbuqe Berisha

Brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë nisur homazhet në nderim të regjisores tashmë të ndjerë, Burbuqe Berishës.

Siç shihet, deri më tani një numër i qytetarëve kanë bërë homazhe, gjersa të njëjtën pritet ta bëjnë edhe liderët politikë.

Para fotografisë së ish-drejtoreshës së TKK-së në hyrje të Teatrit Kombëtar janë vënë disa buqeta me lule nga familjarët e të pranishmit e tjerë.

Filmbërësja shqiptare ka ndërruar jetë mesditën e djeshme (e mërkurë) në ambientet e Ministrisë së Kulturës.

Ajo ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Varrimi i të ndjerës ndërkohë do bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës. 

Fotografitë: Ridvan Slivova/Telegrafi. / KultPlus.com

Homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha

Sot mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha.

Homazhet nisin nga ora 12:00 dhe vazhdojnë deri në orën 14:00, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, transmeton KultPlus.

Berisha varroset sot në orën 15 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Ajo vdiq dje në objektin e MKRS në moshën 51 vjeçare. / KultPlus.com

Hajrulla Çeku nderon figurën e Shaqir Hotit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka bërë homazhe para Teatrit Kombëtar për të nderuar figurën e Shaqir Hotit, i cili ndërroi jetë dje më 10 prill 2021.

Ai u nënshkrua në librin e zisë i cili ishte vendosur para Teatrit Kombëtar për këtë qëllim.

Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerëzor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe ishte forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanërisht të kulturës sonë muzikore”, ka shkruar Çeku. / KultPlus.com

Fansat e DMX bëjnë homazhe pranë spitalit ku reperi ndërroi jetë

Pas tubimit për DMX gjatë gjithë javës, fansat e tij janë ende duke derdhur emocionet e tyre dhe duke i treguar atij dashuri në orët pas vdekjes së tij.

Pothuajse menjëherë pas lajmit për vdekjen e reperit, një mural i përkohshëm përkujtimor u realizua jashtë Spitalit ‘White Plains’ në New York, shkruan TMZ, përcjell KultPlus.

Fansat besnikë të ikonës së muzikës hip-hop janë duke ndezur qirinj, duke lënë lule dhe kurora dhe duke shkruar shënime dashurie dhe ngushëllime për familjarët e të ndjerit.

Dikush la tri tullumbace të mëdha në formë shkronjash, që shqiptonin emrin DMX.

Ndërkohë, tifozët aty pranë po luajnë muzikën e tij dhe po kërcejnë për të nderuar reperin 50-vjeçar i cili vdiq të premten pasi organizmi i tij pushoi së jetuari të enjten mbrëma.

DMX ra në koma pas një mbidoze të premten e kaluar. Mjekët thanë se truri i tij ishte privuar nga oksigjeni për gati 30 minuta dhe pamja ishte e zymtë që nga fillimi. / KultPlus.com

Nesër në Teatrin Kombëtar mbahen homazhe për Rasim Thaçin- Cimën

Nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahen homazhe për artistin Rasim Thaçi-Cima, i cili si vdiq sot si pasojë e Covid19, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga familja e Rasim Thaçit, të cilët njoftuan se homazhet do të fillojnë nga ora 9:00.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

NJOHTIM
Të nderuar dhe të dashur miq, kolegë dhe dashamirë të jetës dhe veprës së artistit, Rasim Thaqit – Cima

Ju informojmë se, me iniciativë të Kryeministrit z. Albin Kurti dhe organizim të Ministrit të Kulturës, z. Hajrullah Çeku:

Nesër, e Shtunë, me 27 Mars, në Teatrin Kombëtarë të Kosovës, duke filluar nga ora 9:00, do të bëhen homazhe për Artistin Rasim Thaqi CIMA!

Falenderojmë Kryeministrin dhe Ministrin e Kulturës, si dhe komunitetin Artistik që jane mobilizur, që qyetetaret e Prishtines dhe vendit, të kene mundesine publike per homazhe…!

Familja e R. Thaqit. / KultPlus.com

Kurti e quan Rugovën president historik: Kujtojmë rolin dhe kontributin e tij gjatë viteve të ‘90-ta

Dita e parë e punës së Albin Kurtit si kryeministër i ri i vendit, i qëlloi të jetë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s. Ai paraditen e sotme e ka shënuar me vizita te varret e dëshmorëve, në Prekaz, në Gllogjan, për të shkuar më pas te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Kurti, gjatë homazheve te Rugova, e ka quajtur atë ‘president historik’ dhe ka thënë se e kujton kontributin e tij gjatë viteve të ’90-ta dhe rolin e Rugovës në ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës.

“Pas homazheve të Prekaz dhe në Gllogjan, bëmë homazhe te presidenti historik Ibrahim Rugova,  Presidentit të parë të Kosovës. Kujtojmë rolin  dhe kontributin e tij përgjatë viteve të 910-ta, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ishte i vlefshëm për ndërhyrjen e aleancës më të madhe ushtarake” , ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri më pas ka vazhduar homazhet te veprimtari Demaçi, me të cilin kishte gjithmonë afërsi për së gjallë. Edhe aty e ka konsideruar Demaçin si veprimtarin më të shquar të shqiptarëve.

Gjatë një vizite të bërë sot tek varri i tij, Kurti ka thënë se Demaçi është simbol i rezistencës dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.

Më tutje Kurti deklaroi se as qëndrimi i gjatë i Demaçit në burg nuk e kanë ndalur atë që të kontribuojë për vendin.

“24 marsin sivjet si Qeveri e Kosovës dhe e re e filluam tek njëri Adem, Adem Jashari dhe po e përfundojmë tek një Adem tjetër. Tek Adem Demaçi simboli i rezistencës tonë dhe veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare dhe i paepur që e kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë  të përgjithshëm dhe se pavarësisht burgosjeve të gjatë që gjithsej bëjnë 28 vite nuk u ndal, nuk u lodh dhe nuk u thye asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe padyshim që kontributi i baçit Adem do të mësohet e do të kultivohet ndër brezat e veprimtareve”, ka thënë Kurti./Express/ KultPlus.com

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njihet si Dita e Dëshmorëve, sot bëhen homazhe dhe mbahet akademi në shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Në të gjithë Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare do të bëhen homazhe pranë varreve të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Ceremonia e homazheve fillon në orët e mëngjesit me nderime te varri i komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe te Memoriali i dëshmorëve në Marinë.

Një ekspozitë me fotografi të fotografit Sefer Aliqkaj do të hapet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa një turnir në volejboll do të mbahet në Skenderaj.

Ekspozita me 59 fotografi do të hapet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Pallatin e Rinisë do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së, mbahet Nata e zjarreve në Prekaz./ KultPlus.com

Ruth Bader Ginsburg, gruaja e parë që i bëhen homazhe shtetërore në Kongres

Trupi i gjykatëses së ndjerë të Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg, u dërgua për homazhe shtetërore në ndërtesën e Kongresit amerikan.

Kjo është hera e parë në histori që nderimi i tillë i bëhet një gruaje.

Homazhi shtetëror është tradita kur trupi i pajetë i një zyrtari vendoset në një ndërtesë shtetërore, për t’i mundësuar publikut që t’i japë nderimet.

Ruth, ikonë liberale, ka vdekur javën e kaluar nga kanceri në pankreas, pas 27 vjetësh shërbim në gjykatën më të lartë të SHBA-së.

Mijëra njerëz i kanë bërë homazhe derisa arkivoli i saj ka qenë i vendosur jashtë ndërtesës së Gjykatës Supreme, këtë javë.

Ginsburg, e cila ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka qenë mbështetëse e zëshme e barazisë gjinore dhe e të drejtave civile.

Ajo është mitizuar nga liberalët dhe feministët si udhëheqëse që thyen barriera.

Ruth do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. / KultPlus.com

Nesër homazhe për Bekim Lumin

Teatri Kombëtar i Kosovës nesër duke filluar nga ora 12:00, do të organizojë homazhe dhe një mbledhje komemorative për aktorin dhe regjisorin Bekim Lumi.

Këtë e ka bërë të ditur dramaturgu Jeton Neziraj i cili ka njoftuar se Këshill organizativ ka vendosur që në orën 14:00, të jetë ceremonia e varrimit.

Bekim Lumi ka vdekur sot pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje e rëndë.

Meta bën homazhe në nderim të albanologut të shquar, Robert Elsie

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta bëri homazhe në “Bibliotekën Kombëtare” në nderim dhe respekt të albanologut të shquar, përkthyesit, hulumtuesit dhe studiuesit të letërsisë e folklorit shqiptar, Robert Elsie.

Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe dhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës së vyer dhe kontributit shkencor e intelektual të të ndjerit Robert Elsie.

Me këtë rast Meta shpreh para mediave të pranishme: “Do t’i jemi mirënjohës përjetë Robert Elsiet për gjithçka ka bërë me dashuri dhe pasion për promovimin e kombit tonë, të vlerave tona më të mira kulturore, historike, për zhvillimin e albanologjisë, për gjithçka.

Pa dyshim, në mënyrë të veçantë edhe për zgjedhjen e tij për t’u përjetësuar si shqiptar dhe për t’u prehur përjetësisht në Alpet e Shqipërisë, në Theth duke treguar kështu dashurinë e pafund për vendin tonë dhe duke na mësuar të gjithëve që ta duam më shumë Shqipërinë”. / KultPlus.com