Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi për disa muaj me radhë kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.
Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.
Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.
Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.
Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane./Express/ KultPlus.com