“Honeyland” nga Oscar vjen me premierë në Kosovë

Krahas asaj se, “Honeyland” (Toka e Mjaltë), nuk fitoi Oscar, famë nuk i mungoi aspak. Të gjithë janë krenarë për madhështinë e këtij filmi, për rëndësinë e mesazhit që e transmeton, për fuqinë e tregimeve të pafundme që fshihen në këtë vend dhe për aktorët të cilët dinë sesi këto tregime t’ia përcjellin publikut, shkruan KultPlus.

Ky film i cili hyri në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe në historinë e nominimeve për “Oscar”, duke u bërë filmi i parë i nominuar në dy kategori, për Filmin më të mirë dokumentar dhe Filmin më të mirë në gjuhë të huaj, jo anglisht.

Me gjithë historinë e tij, “Honeyland” këtë muaj do të shfaqet edhe në Kosovë. “DokuKino” në Prizren, do të mirëpres filmin më datë 5 mars në ora 19:30

Dokumentari “Honeyland” tregon historinë e Atixhes, gruaja e fundit që kultivon bletë të egra në Evropë dhe jeton vetëm me nënën e saj në Maqedoninë qendrore. Ideja është të tregohet lidhja e njeriut me natyrën dhe prishja e ekuilibrit natyror. Regjisorë janë Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, produksioni dhe montazhi janë nga Atanas Georgiev ndërsa kameraman janë Samir Luma dhe Fejmi Dauti.

Në kategorinë e filmave dokumentarëve, Oscar fitoi “Fabrika Amerikane”, ndërsa “Paraziti” i Koresë së Jugut u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, duke fituar katër statuja ari në total. / KultPlus.com

‘Honeyland’ kthehet pa çmim nga ‘Oscar’ por me famë

“Krahas asaj se, “Honeyland” (Toka e Mjaltë), nuk fitoi Oscar, jemi plotësisht të vetëdijshëm për madhështinë e këtij filmi, për rëndësinë e mesazhit që e transmeton, për fuqinë e tregimeve të pafundme që fshihen në këtë vend dhe për shumë aktorët tanë, të cilët dinë sesi këto tregime t’ia përcjellin publikut. Ne jemi të nderuar që jemi nominuar përkrah këtyre filmbërësve të mëdhenj me histori të guximshme, duke iu drejtuar njerëzve në të gjithë botën në gjuhën universale të kinematografisë”, njoftoi ekipi “Toka e Mjaltë” (Honeyland) në faqen zyrtare të filmit nw Facebook, pasi mbaroi ndarja e çmimeve Oscar.

Ata thonë se nuk ishte e parashikueshme që filmi të hynte në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe në historinë e nominimeve për “Oscar”. “Toka e Mjaltë” u nominua në dy kategori, për Filmin më të mirë dokumentar dhe Filmin ndërkombëtar më të mirë

“Kur promovuam filmin në Festivalin e Filmit ‘Sandans’ më shumë se një vit më parë, ne nuk shpresonim që do të arrijmë kaq larg. Falënderojmë të gjithë ata që besuan në filmin tonë të vogël dhe na mbështetën, e veçanërisht falënderojmë distributorin ‘Neon’ për besimin e tyre në fuqinë e kinematografisë dhe tregimit të guximshëm. Së fundmi, ne do të donim të falënderonim yllin tonë kryesor, Atixhe Muratova që na la të hyjmë në botën e saj të mrekullueshme. Filozofia e Atixhes – merr gjysmën, lëre gjysmën – është e thjeshtë, por e thellë. Është mesazhi që çdo audiencë mund të gjejë. Jemi krenarë që jemi lajmëtarët e asaj porosie”, kanë shkruar autorët e “Tokës së Mjaltë”.

Në postimin në Facebook gjithashtu shtohet mesazhi që nga Los Anxhelosi e përcjell protagonistja kryesore e dokumentarit, Atixhe Muratova:

“Jeta ime pas xhirimeve të filmit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani kam shtëpi të re, dhe gjithçka po bëhet gjithnjë e më mirë. Dua që publiku të marrë vetëm një mesazh nga filmi: siç unë ndaj me bletët e mia, gjithashtu dua që të gjithë njerëzit të ndajnë me njëri-tjetrin”, thotë Atixhja.

Në kategorinë e filmave dokumentarëve, Oscar fitoi “Fabrika Amerikane”, ndërsa “Paraziti” i Koresë së Jugut u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, duke fituar katër statuja ari në total. / Flaka / KultPlus.com

“Honeyland” nga Maqedonia e Veriut fitoi çmimin “ASC” në kategorinë “Dokumentari më i mirë”

Edhe një sukses i radhës për filmin nga Maqedonia e Veriut, “Honeyland”.

Filmi i nominuar për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, kësaj radhe është shpërblyer në ceremoninë “American Society of Cinematographers”, me çmimin “Dokumentari më i mirë”. Kjo është hera e parë që Shoqata Amerikane e Kineastëve e ndanë këtë shpërblim, derisa ka për qëllim ta nderojë kinematografinë e jashtëzakonshme në një filmi jo fiktiv. Regjisori i filmit “Joker”, Todd Phillips, ishte ai i cili ia ndau shpërblimin dyshes, Fejmi Daut dhe Samir Ljuma, për punën e mrekullueshme në filmin “Honeyland”. transmeton Koha Ditore.

“Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kësaj ngjarjeje. Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut është pjesë e një ceremonie të këtillë shpërblyese,” ka thënë Daut me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin.

Ky ishte nominimi dhe çmimi i parë “ASC” i fituar për dy kineastët maqedonas, derisa për punën e tyre në “Honeyland”, Daut dhe Ljuma, e kishin fituar edhe çmimin “Cinematography Award”, në edicionin e vitit të kaluar të festivalit të filmit “Sundance”.

Pritet të shihet nëse projekti filmik nga Maqedonia e Veriut, “Honeyland” do të triumfojë edhe në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve akademike, të cilat ndahen më 9 shkurt në Los Angeles./KultPlus.com

Maqedonia për herë të parë në Oscar, “Honeyland” me dy nominime

Akademia amerikane e filmit ka njoftuar që filmi dokumentar “Toka e përmjaltur” është nominuar për çmimin prestigjioz “Oskar”, edhe atë në dy kategori- për film më të mirë dokumentar dhe për film më të mirë të huaj. Bëhet fjalë për sukses historik sepse për herë të parë një film nga Maqedonia do të garojë për “Oskar” në dy kategori.

Në kategorinë dokumentar më i mirë, janë kualifikuar 159 filma nga mbarë bota. “Toka e përmjaltur” është në mesin e 15 më të mirëve ndërsa prej sot, në mesin e pesë filmave që kanë mundësi që të fitojnë “Oskarin”. Në garën për filmin më të mirë të huaj janë paraqitur 91 filma dhe “Toka e përmjaltur” arriti të nominohet për çmimin e madh të filmit.

Dokumentari “Tokа e përmjaltur” tregon historinë e Atixhes, gruaja e fundit që kultivon bletë të egra në Evropë dhe jeton vetëm me nënën e saj në Maqedoninë qendrore. Ideja është të tregohet lidhja e njeriut me natyrën dhe prishja e ekuilibrit natyror. Regjisorë janë Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, produksioni dhe montazhi janë nga Atanas Georgiev ndërsa kameraman janë Samir Luma dhe Fejmi Dauti.

“Toka e përmjaltur”

Jemi të lumtur që kritikët botërorë dhe anëtarët e Akademisë e kanë dëgjuar britmën e planetit, e cila bën jehonë mes kornizave të filmit. Kjo është hera e parë në historinë e Oskareve një film dokumentar të nominohet në dy kategori, që do të thotë se kjo nuk është vetëm një sukses në përmasa historike, por gjithashtu konfirmon se gjuha dokumentare po hyn në epokën e vlerësimit të vërtetë. Filmi bën thirrje për modesti, dhe kur shohim dashuri në sytë e shikuesve, besojmë fuqishëm se mesazhi njihet dhe që modestia është epoka e re, përmes së cilës do të ecim me fat përpara”.

Ceremonia e ndarjes së çmimit më prestigjioz të filmit do të mbahet në Los Anxheles. Nëse “Toka e përmjaltur” do të fitojë Oscar do të dihet më 10 shkurt. / KultPlus.com