Shqiptarët vizitojnë Hotel Brufani, aty ku 100 vite më parë ndërroi jetë Ismail Qemali

Nga Flutura Açka

Mbrëmë, bujtëse jo aq rastësisht në qytetin e Perugias, nuk e kisha atë ndjesinë e thjeshtë të turistes, siç më ndodh përherë. Ishte mbrëmja e 26 janarit, dhe këmbët më çuan në Hotel Brufani, aty ku 100 vjet më parë, në kushte ende të paqarta, ndërroi jetë Ismail bej Vlora, një prej themeluesve të pavarësisë së Shqipërisë, babai i shtetit shqiptar. Me miqtë e mi, me të cilët vendosëm të vizitonim hotelin në nderim të Ismail Qemalit, kërkuam për një tufë lule në qendrën e vjetër të qytetit, dhe pasi nuk gjetëm, mblodhëm një tufë degësh të blerta, me shpresën që do të mund t’i vinim në dhomën e tij, e cila për fat a për arsye që vetëm rastësi të shenjta e shpjegojnë, ishte e lirë. Tek flisnim në holl me mbikëqyrësit për vizituar dhomën 212, na afrohet njëri prej tyre me fytyrë të qeshur dhe na shoqëron me çelësin në dorë.

Tek hap dhomën na thotë se është shqiptar që jeton prej 18 vitesh në Perugia dhe se ka vetëm tri ditë që ka filluar punë në Hotel Brufani. Rolandi, siç thotë, nuk e ka dëgjuar kurrë historinë që i tregoj dhe kjo më trishton shumë. Sa pak u kemi mësuar brezave nga historia jonë. Sa pak jemi kujdesur ta ruajmë. Kur zbresim në holl që të falënderojmë mbikëqyrësit bujarë, një grup shqiptarësh na tërheqin vëmendjen. Ata janë stërnipërit e stërmbesat e familjes Vlora që kanë ardhur të nderojnë stërgjyshin e tyre. Ne presim të mbarojnë vizitën e tyre që të pimë një kafe bashkë. Duke ditur “sherret” shqiptare mbi datat e njerëzve të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, kisha menduar se përkujtimet ishin bërë në datën 24, por familjarët këmbëngulën që data e vdekjes së Ismail bej Vlorës është 26 janari. Ata e dëshmojnë këtë me dokumente. Dhe kanë vetëm një kërkesë të thjeshtë: historianët të thonë fjalën e tyre të bazuar në dokumente dhe figura e Ismail Qemalit të ketë respektin e merituar.

Ne flasim gjatë dhe njeri prej miqve, i ardhur enkas nga Vlora, lexon një poezi të Ali Asllanit për Ismail bej Vlorën. Në fund shkruajmë emrat tanë në një copë letër që mban datën 26 janar 2019. Jashtë qelqeve po binte muzgu që do të sillte natën plot drita të Peugias, atë natë që 100 vite më parë kishte sjellë vetminë e njërit prej burrave më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. /KultPlus.com