Personazhet historike dhe aktorët që i portretizuan ata në filmin ‘House of Gucci’

“House of Gucci” është një film dramatik biografik amerikan i vitit 2021 me regji nga Ridley Scott, bazuar në librin e vitit 2001 The House of Gucci:

Filmi ndjek Patrizia Reggiani (Lady Gaga) dhe Maurizio Gucci (Adam Driver), ndërsa romanca e tyre shndërrohet në një luftë për kontrollin e markës italiane të modës Gucci.

Jared Leto, Jeremy Irons, Salma Hayek dhe Al Pacino gjithashtu luajnë në këtë film ndërsa më poshtë mund të shihni personazhet historike dhe aktorët që i portretizuan ata./KultPlus.com

Familja Gucci mendon se filmi ‘House of Gucci’ është ‘i dhimbshëm’ dhe ‘fyes’

Pjesëtarët e mbetur nga dinastia Gucci nuk u përpoqën ta fshehnin aspak pakënaqësinë e shkaktuar nga filmi Gucci. 

Duket se asnjë nga familja e famshme nuk është i lumtur me mënyrën sesi janë përfaqësuar nga filmi i shumëpërfolur që trajton historinë e  Patrizia Reggiani, Aldo Gucci, Maurizio, etj.

Gjatë një deklarate të bërë të hënën, trashëgimtarët e Aldo Gucci-it- ai që drejtoi shtëpinë e modës për 33 vite- u shprehën se janë të nervozuar nga mungesa e konsultimit që krijuesit e filmit duhet të kishin bërë me ta dhe nga fakti se i kanë portretizuar si “banditë, injorantë dhe të pandjeshëm ndaj botës dhe gjërave përreth.”

House of Gucci, filmi i realizuar nga Ridley Scott, ka një kast të njohur aktorësh si Al Pacino, Jeremy Irons, Adam Driver dhe Lady Gaga.

“Eshtë shumë e dhimbshme nga ana njerëzore dhe ofenduese për trashëgiminë që ka ndërtuar brand-in që Gucci është sot.”- vijon deklarata.

Sipas tyre, i gjithë filmi është fyes për familjen, që meriton më shumë respekt dhe nderim për punën e bërë dekada me radhë. 

“Gucci është një familje që jeton duke nderuar punën e të parëve, kujtimi i të cilëve nuk meriton të shqetësohet për të vënë në skenë një spektakël të pavërtetë, që në fund të ditës nuk bën drejtësi me protagonistët e saj.”

Ndonëse pjesëtarët e familjes së famshme kanë të drejtë të ndërmarrin veprime ligjore për të mbrojtur emrin, imazhin dhe dinjitetin e të dashurve të tyre, deri tani nuk është marrë asnjë masë. 

Burimi: The Guardian/ KultPlus.com

Lady Gaga shkëlqen në premierën e filmit “House of Gucci” në Milano

Lady Gaga ka shkëlqyer në tapetin e kuq gjatë premierës së “House of Gucci” që u mbajt të shtunën (13 nëntor), në Milano.

Këngëtarja dhe aktorja 35-vjeçare – e cila luan në filmin e drejtuar nga Ridley Scott si Patrizia Reggiani, gruaja famëkeqe për komplotimin e vdekjes së ish-bashkëshortit Maurizio Gucci,  u pa e veshur me një fustan të personalizuar të “Versace”, i cili ishte me një stil të çarë deri në kofshë dhe pjesë të gjatë lëshuar prapa.

“E bërë nga saten mëndafshi, fustani merr frymëzim nga dizajnet e koleksionit Versace pranverë-verë 1995”, thuhet në llogarinë e stilistit në Instagram.

Këngëtarja e “Love for Sale” kompletoi dukjen magjepsës me taka të larta me platformë me ngjyrë të kuqe dhe bizhuteri ari, shkruan People.

“Kam qarë gjatë gjithë ditës duke u paraqitur për media në Milano. Jam shumë mirënjohëse dhe e përulur që jam në filmin tonë “House Of Gucci. Po vjen Dita e Falënderimeve!”, shkroi ajo në një foto nga premiera që postoi në Instagram.

Në numrin e dhjetorit të British Vogue, këngëtarja e “Rain on Me” foli për mënyrën sesi xhirimet e dramës, në të cilën luan edhe Adam Driver si Maurizio Gucci, e dëmtoi atë psikologjikisht.

 “Kam pasur disa vështirësi psikologjike në një moment nga fundi i xhirimeve. Unë isha ose në dhomën time të hotelit, duke jetuar dhe duke folur si Reggiani, ose isha në xhirime, duke jetuar dhe duke folur si ajo”, kishte deklaruar Gaga.

“Më kujtohet se një ditë dola në Itali me kapele për të shëtitur. Kisha rreth dy muaj që nuk kisha bërë një shëtitje dhe më kishte zënë paniku. Mendova se isha në një set filmi”, tha tutje këngëtarja.

Filmi tregon pasojat e vdekjes së Maurizios pasi Reggiani punësoi një vrasës me pagesë për ta vrarë atë në 1995. Reggiani, tani 72 vjeç, kreu 18 vjet burg dhe u lirua në vitin 2016, por ajo ende pretendon se u dënua gabimisht.

Në “House of Gucci” luajnë  gjithashtu yjet si: Al Pacino,  Jeremy Irons,  Jared Leto,  Salma Hayek,  Reeve Carney dhe Jack Huston . Filmi debuton në kinema më 24 nëntor. /KultPlus.com

Lady Gaga merr gjithë vëmendjen në premierën e “House of Gucci”

Në Londër u shtrua qilimi i kuq glamuroz me rastin e premierës së filmit, “The House of Gucci”. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin aktorët e filmit dhe yje të shumtë të showbizit.

Para gazetarëve të pranishëm, këngëtarja e shndërruar në aktore, Lady Gaga, tha se përgatitjet e gjata për ta portretizuar Patrizia Reggianin në këtë film, mund të kenë lënë efekt të përhershëm tek ajo.

Me regji të Ridley Scottit, “The House of Gucci” bazohet në librin e vitit 1995 që flet për vrasjen me pagesë të nipit të Guccit, Maurizio, dhe gjykimin dhe dënimin e ish-bashkëshortes së tij, Patrizia Reggiani, e cila kreu 16 vjet burg për kontraktimin e vrasësit të burrit të saj.

“Në fakt kam qëndruar në rol për gjatë apo nëntë muaj, pra duke e ruajtur aksentin gjatë gjithë kohës, përfshirë këtu edhe gjatë intervistave. Njerëzit thonë që kam qëndruar në rol gjatë gjithë kohës dhe ndoshta ende vazhdoj të jem në personazh. Nuk e di kur do të largohet Patricia nga unë, por i njoh pjesët e saj të cilat më çdo kusht dua t’i lë pas dhe cilat dua mbaj pasi ishin të bukura dhe fuqizuese. Por, ajo ishte një grua e fuqishme e cila besonte se mund të depërtonte në një sistem patriarkal italian. Gjë të cilën edhe e kishte bërë, por kur ajo u përjashtua, të gjithë u përqendruan te paratë dhe jo te fatkeqësia e vërtetë, që ishte ajo”.

Filmi e përmban një kastë aktorësh yje të tillë si: Adam Driver, Jared Leto, Al Pacino, Salama Hayek, Jeremy Irons, Jack Huston, Camille Cottin dhe Madalina Ghenea.

Driver, i cili e portretizon Maurizion tha se ishte e emocionuar që e pati rastin të punojë me disa prej idhujve të tij.

“Unë gjithmonë e kam adhuruar aktorin Jeremy Irons dhe kam dashur të punoj me të. Kam punuar me Alin një herë në një film të kaluar, por isha i mpirë nga emocionet për ta shijuar dhe përjetuar atë eksperiencë. Prandaj, isha i lumtur që do të punoja sërish me të. Bashkëpunimi me Lady Gagan ishte po ashtu i mrekullueshëm. Isha shumë i emocionuar për këtë. Të gjithë pjesëtarët e ekipit të filmit i kam admiruar dhe anasjelltas. Kjo ishte një punë e ëndrrave. Të gjithë ishim të përgatitur shfaqeshim me kohë në punë, dhe kishim ide të mira”.

Jared Leto pësoi transformim të madh për ta luajtur rolin e Paolo Guccit, nipi i Guccio Gucci dhe drejtori menaxhues i markës së njohur të modës në vitin 1953, duke u bërë pothuajse i panjohur për publikun.

“E vlerësoj shumë këtë. Për mua është një kompliment të jesh tërësisht i panjohur nga publiku, për mënyrën si e ke portretizuar rolin. Më vjen mirë që njerëzit do ta shohin një personazh të cilin nuk e kanë njohur më parë. Kemi punuar vërtet shumë për të hulumtuar thellë dhe për ta sjell në jetë këtë artist të mrekullueshëm, siç është Paolo Gucci”.

Leto po ashtu tha se ky është një film i cili flet për familjen, dashurinë, tradhtinë dhe pasionin.

“Mendoj se është një film për fuqinë, tradhtinë, familjen, dashurinë, pasionin. Pra është një histori komplekse, shokuese dhe befasuese. Shumë njerëz nuk e njohin historinë e vërtetë të Guccit, por kur ta shohin filmin, do ta kuptojnë se është një histori jo e zakonshme dhe goxha e çmendur”.

Jeremy Irons, i cili e portretizon Rodolfo Guccin, më të voglin nga pesë djemtë e Guccio Guccit, para gazetarëve të pranishëm tha:

“Dua të them, historia dhe tragjedia e saj është shekspiriane në madhështinë e saj, dhe sigurisht, gjëja më e mirë e të pasurit Ridley Scottin si regjisor është se ai është mësuar të bëjë filma të mëdhenj epikë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe më të tregim në veçanti”.

“House of Gucci” debuton në kinematë e Shteteve të Bashkuara më 24 nëntor, ndërsa në Britani të Madhe fillon së shfaquri nga 26 nëntori i këtij viti. / KultPlus.com

Lady Gaga me intervistë ekskluzive për revistën “British Vogue”

Pak para premierës së filmit të saj të ardhshëm “House Of Gucci”, Lady Gaga, e realizoi një intervistë intime me revistën “British Vogue” e cila u publikua të martën më 2 nëntor.

Këngëtarja e shndërruar në aktore foli për portretizimin e Patrizia Reggianit në këtë film, një eksperiencë e cila e futi atë tërësisht në rol përgjatë gjithë periudhës së xhirimeve.

Gaga zbuloi se aksenti impresionues Italian të cilin e kishte përvetësuar për ta portretizuar Patrizian, nuk funksiononte kur ajo shfaqej me flokët e saj të bardha.

“M’u desh t’i lyej menjëherë flokët dhe fillova të jetoj në një mënyrë ku çdo gjë që shikoja, çdo gjë që prekja, fillova të kuptoja se ku dhe kur mund të shihja para. Fillova të bëj edhe fotografi. Nuk kam asnjë provë që Patrizia ishte fotografe, por e mendova si një ushtrim për t’i zbuluar interesat e saj në jetë, se do të bëhesha fotografe. Kështu që e merrja aparatin tim kudo që shkoja. Vura re që Patrizia i pëlqente gjërat e bukura. Nëse diçka nuk ishte e bukur, e fshija”, ka deklaruar Gaga.

Edhe pse ylli i njohur i muzikës u përkushtua e tëra në portretizimin sa më të saktë të rolit, ajo tregoi se asnjëherë nuk kishte tentuar të takohej personalisht me Patrizia Reggianin, për ta pasur një ide më të mirë të karakterit të saj në jetën reale.

“Ndjeva se mund t’i bëja vërtet drejtësi këtij tregimi vetëm nëse do t’i qasesha me syrin e një gruaje kurioze, e cila ishte e interesuar të zotëronte aftësitë e një gazetareje, në mënyrë që të mund të lexoja mes rreshtave se çfarë po ndodhte në skenat e filmit. Askush nuk do të më tregonte se kush ishte Patrizia Gucci. As vet Patrizia Gucci”, shtoi tutje aktorja.

Portretizimi i këtij roli për një kohë të gjatë prej 1 viti e gjysmë, kishte ndikuar goxha shumë në jetën e këngëtares së shndërruar në aktore.

“Kam pasur disa vështirësi psikologjike në një moment nga fundi i xhirimeve. Isha ose në dhomën time të hotelit duke jetuar dhe duke folur si Reggiani, apo isha në xhirime duke jetuar dhe duke folur si ajo. Mbaj mend që një ditë dola për të shëtitur nëpër Itali, kisha rreth dy muaj që nuk kisha bërë shëtitje dhe më kapi paniku… mendoja se isha në sheshin e xhirimeve të filmit”.

Lady Gaga dhe Adam Driver luajnë së bashku në filmin e ri emocionues i cili e rrëfen historinë e martesës jostabile të Patrizia dhe Maurizio Guccit, që qon tek një vrasje e profilit të lartë. Pjesë e kastës së filmit të bazuar në ngjarje të vërtetë janë edhe yjet: Jared Leto, Salma Hayek, Al Pacino dhe Jeremy Irons.

“House Of Gucci”, fillon së shfaquri për publikun mbarë botëror nga 26 nëntori. / KultPlus.com

Publikohet traileri i dytë i “House of Gucci”, fansat të mahnitur me aktrimin e Lady Gaga

Është publikuar paraqitja e dytë e shkurtër e filmit të shumëpritur “House of Gucci”, me aktorë Lady Gaga dhe Adam Driver. Shumë parashikojnë se filmi i regjisorit Ridley Scott do të jetë një hit i madh.

Skenari është i bazuar në librin e Sarah Gay Forden, “House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madndess, Glamour and Greed”, ndërsa është shkruar nga Roberto Bentivegna.

Filmi flet për kontroversen Patrizia Reggiani, e cila pasi u bë pjesë e familjes Gucci, u përpoq të përfshihej në biznesin e familjes, pavarësisht pakënaqësisë së bashkëshortit të saj, Maurizio Gucci dhe babait të tij.

Lady Gaga do të luajë pikërisht rolin e Patrizia Reggiani, ish-bashkëshortes së Maurizio Gucci – gjigantit italian të modës dhe njeriut të parë të brendit Gucci – e cila kaloi 18 vite në burg pasi angazhoi një vrasës me pagesë që të vrasë ish-burrin e saj.

Në burg e mori nofkën ‘Black Widow’ (Vejusha e zezë), ndërsa u lirua në vitin 2016.

Sipas komenteve të insertit filmik të publikuar në YouTube, këngëtarja Lady Gaga i ka gëzuar më së shumti njerëzit me aktrimin e saj. Komentues të shumtë e kanë lëvduar portretizimin që i ka bërë ajo protagonistes.

Jared Leto është një tjetër protagonist i këtij realizimi, i cili ka mahnitur me ndryshimin e tij të madh për rolin e Paolo Gucci, i cili dikur ishte nënkryetar i kompanisë Gucci. Jeremy Irons, Salma Hayek e Al Pacino, janë yjet tjera të këtij filmi.

Filmi për familjen Gucci, “House of Gucci”, do të nisë shfaqjen nëpër kinema nga 24 nëntori i këtij viti. /KultPlus.com