Kanë përfunduar aktivitetet e takimit të dytë të gjeneratës së dytë të pjesëmarrësve në kampin ndërkulturor “HOW DO I SEE YOU” që është projekt i përbashkët i DokuFest dhe Free Zone.
Ky projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Europian, ka për qëllim krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë përmes një programi edukues dhe gjithëpërfshirës për ti pasqyruar mendimet e tyre përmes krijimit të portreteve audiovizuale në të cilat ata do të kenë mundësi t’i shprehin pikëpamjet për bashkëmoshatarët e tyre.
Aktivitetet e projektit, përveç tjerash nxisin krijimin e narracioneve që trajtojnë çështjet ndërkulturore me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Serbi dhe Kosovë përmes një hapësire ku shkëmbehen idetë dhe ku respektohet mendimi ndryshe, e që është i bazuar në respekt të ndërsjellë. Përmes aktiviteteve të projektit të rinjtë kanë mundësinë ta njohin njëri tjetrin përmes artit dhe kulturës në një hapësirë të lirë nga gjuha e urrejtjes dhe paragjykimeve të ndërsjella.
“Edhe pse transformimi digjital ka lehtësuar qasjen në të dhëna dhe informacione duke përshpejtuar komunikimin me audiencat e targetuara, njëkohësisht përmes teknologjive të reja, ajo sfidon gazetarinë profesionale në mënyrë të vazhdueshme përmes të ashtuquajturave fake-news duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe duke ndërtuar lajme të rreme përplot paragjykime e stereotipizime për njëri tjetrin, shpesh duke përdorur fakte të paketuara në narracion etnocentrik”, tha Eroll Bilibani udhëheqës i DokuLab, departamentit edukativ të DokuFest duke shtuar “ideja për këtë projekt ka qenë e konceptuar një kohë të gjatë, por ja që tani na u dha mundësia, përmes mbështetjes së BE-së për të krijuar mundësi për të rinjë nga të dy shtetet të krijojnë kundër narrativa vizavi etnocentrizmit dhe nacionalizmit në rritje që vazhdimisht promovohet dhe shpërndahet nga platformat joetike të mediave që pastaj gjejnë vend tek rrjetet sociale të individëve të papërgjegjshëm”.
Zbatimi i projektit nisi në mesin e muajit Mars 2020, por situata dhe rrethanat me pandeminë penguan disa nga aktivitetet e projektit. Megjithatë, bashkë me partnerët e projektit vazhduam me zbatimin e aktiviteteve të cilat ishin të mundshme të realizohen përmes hapësirës virtuale që na mundësoi t’i organizojmë aktivitetet. Pavarësisht situatës së krijuar, grupi i parë i pjesëmarrësve nga Kosova dhe Serbia, arritën që të krijojnë portretet e para audiovizuale për njeri-tjetrin.
Grupi i dytë i të rinjëve u konsolidua në muajin prill 2021, dhe deri në muajin maj krijuan portrete audiovizuale pas takimeve individuale që u fasilituan nga partnerët e projektit.
“Këtë të martë dhe të mërkurë ne organizuam takime virtuale ku të rinjëve iu dha hapësirë për ti shfaqur portretet e njeri tjetrit, duke u bazuar në eksperiencën e takimeve individuale me njeri tjetrin” tha Zana Arapi-Xheladini menaxhere e projektit dhe shtoi “respekti i ndërsjellë i pjesëmarrësve gjatë këtyre takimeve mund të jetë si model i komunikimit mes shteteve të rajonit, pa gjuhë të urrejtjes dhe me respekt për mendim ndryshe”.
Projekti parasheh edhe një tubim fizik të të dy grupeve të pjesëmarrësve për të krijuar punime artistike në formë portretesh audiovizuale që do të ekspozohen në edicionin jubilar të DokuFest në Prizren nga 6 deri më 14 gusht 2021, si dhe gjatë edicionit të 17’të të Free Zone në nëntor të këtij viti në Beograd. / KultPlus.com