HRN dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur nga deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi

Rrjeti i Organizatave për të Drejtat e Njeriut (HRN) dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur dje, me datë 22 qershor 2023, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës nga deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi, njëherit dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Përgjatë seancës së djeshme, gjatë një diskutimi për financat publike, deputetja e LDK-së, Bunjaku-Rexhepi, me qëllim të nënçmimit të deputetit Adnan Rrustemi, përdor fjalën “magjup” ndaj ti. Gjuha pezhorative e përdorur në Kuvendin e Kosovës dje, shpërfaq një qasje ofenduese, fyese dhe poshtëruese të deputetës ndaj komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe një qasje e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme kur bëhet pjesë e diskursit publik nga përfaqësues të popullit.

HRN ka parë me shqetësim edhe mos-reagimin ndaj një gjuhe të tillë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca dhe deputetëve të tjerë prezent, që në njëfarë mënyre legjitimon një zhargon të tillë në një institucion publik kaq të rëndësishëm.

Për më tepër, praktika të tilla të përdorimit të gjuhës diskriminuese dhe përhapjes së urrejtjes nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë bërë të shpeshta dhe një praktikë e tillë është e rrezikshme dhe ka një efekt afatgjatë në cenimin e dinjitetit dhe integritetit tek komunitetet e margjinalizuara në Kosovë si dhe mund të shkaktojë margjinalizim të mëtejshëm të grupeve ose individëve të caktuar.

HRN i bën thirrje kryeparlamentarit Glauk Konjufca që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës të dënoj gjuhën diskriminuese të përdorur në Kuvendin e Kosovës, të marr masa administrative ndaj deputetës në fjalë sipas asaj që e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit dhe njëkohësisht të bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë deputetët që të ndalojnë diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe racizmin ndaj komuniteteve jo-shumicë dhe qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com