Gjirokastra gëlon nga vizitorët e huaj

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje nga sokakët e Gjirokastrës ku mund të dëgjosh nga të gjithë gjuhët e botës, ndërsa vizitorët e huaj kanë mbushur qytetin si kurrë më parë.

Rama theksoi se gjuhët e botës që dëgjohen nëpër sokaket e Gjirokastrës, të cilat gëlojnë nga vizitorët e huaj në këto ditë gushti, janë shëmbëlltyra më e mirë e turizmit që shtrihet në gjithë vendin.

Ndërsa turistët shprehen të mahnitur nga rrugicat e qytetit, kulinaria..etj.

“Unë jam nga Spanja, por jetoj në Gjermani. Është hera e parë që vij në Gjirokastër. Deri tani është një qytet shumë i këndshëm. Ende nuk e kam vizituar kalanë. Por, besoj se do të jetë një udhëtim shumë i këndshëm”, u shpreh një turiste.

“Ne jemi nga Gjermania. Jemi akomoduar në një hotel pak më poshtë dhe më pëlqen shumë mëngjesi këtu. Është shumë i këndshëm. Po, është e këndshme të ecësh në këto rrugica dhe të shikosh dyqanet përreth. Është hera e parë që vijmë. Erdhëm mbrëmë dhe sapo kemi filluar të eksplorojmë qytetin”, u shprehën dy turiste të tjera.

“Ne jemi nga Portugalia. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në këtë qytet. Do të qëndrojmë në Durrës, por vendosëm ta vizitojmë edhe këtë qytet. E kemi parë në rrjetet sociale, por kemi dhe miq që e kanë vizituar dhe ishim shumë kureshtar ta vizitonim këtë qytet. Sapo kemi mbërritur dhe më duket shumë i bukur, natyra përreth dhe vetë qyteti. Shpresoj te shoh më shumë bukuri sot”, u shpreh turisti.

“Përshëndetje, jemi Xhoana dhe Paola nga Portugalia. Kjo është vizita jonë e parë në Gjirokastër. Ky qytet më duket shumë i këndshëm. Është mahnitës. Mbërritëm mbrëmë dhe dritat e qytetit ishin shumë të mrekullueshme, ishin shumë të bukura. Është shumë e këndshme edhe gjallëria e qytetit. Është shumë bukur të shohësh edhe kaq shumë njerëz. Ky qytet ka një shije magjike. Sa për ushqim kemi provuar qifqi, musaka. Sa për ëmbëlsirë provuam oshaf. E rekomandojmë. Ishte shumë e mirë”, u shprehën turistet./atsh/KultPlus.com

3,4 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 6 muajt e parë të vitit

 Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale shifrat e periudhës janar-qershor 2022 dhe 2023.

“Javë të mbarë me lajme të mira: e raportojnë turoperatorët e thonë hotelet e shohim përditë edhe me sy të lirë , por tani e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare, ku në 6 muajt e parë të këtij viti e kanë frekuentuar Shqipërinë 3,4 milionë vizitorë të huaj, ose 33% më shumë se vitin paraardhës duke na bërë pjesë të hartës turistike të Mesdheut, me shijen unike të gjithçkaje që gjen në Shqipëri”, tha Kumbaro.

Në videon e publikuar nga Kumbaro thuhet se “vetëm në qershor 2022 Shqipëria u vizitua nga 876 056 vizitorë, ndërsa në qershor 2023 nga 100 70 33 vizitorë pra 15% më shumë vizitorë se një vit më parë. Në janar -qershor 2022 u vizitua nga 2 553 747 vizitorë, ndërsa në janar- qershor 2023 nga 3 396 932 ose 33% më shumë”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./Atsh/KultPlus.com